Bota ndahet në gjysmë/ Pancerat sfidojnë Argjentinën për të pushtuar botën

0
152

GermaniTitanët në përballjen e tyre të tretë

Latinët kundër Evropës. Duke si një finale e madhe dhe që ka shkruar historinë e Kupës së Botës. Dy ekipe që janë protagonistë që në fillimet e këtij turneu edhe tashmë duket se projektorët kthehen përsëri te ta. Të dy kanë një karakteristikë të përbashkët. Kanë shumë vite që vuajnë mungesën e një kupe dhe një triumfi të tillë. Pas shumë disfatash njëra prej tyre është gati që të shpallet mbretëresha e futbollit. Nga njëra anë është Mesi që është në duelin e tij personal me Pelenë dhe Maradonën. Ndërsa nga krahu tjetër është skuadra e konsoliduar e Lëvit që tashmë ka pjekurinë e duhur për të qenë kampione. Një etje e të dyja skuadrave që të dielën do të dyluftojnë për kupën më të lavdishme të botës së futbollit. Gjermania, 3 herë kampione e botes, përballet me Argjentinën, 2 herë kampione e botës. Gjermania vjen në këtë finale me moral të lartë pas eliminimit me rezultatin bombastik 7-1 që u bënë të zotëve të shtëpisë, Brazilit. Ndërsa Argjentina vjen në këtë finale falë mrekullive që bëri portieri Romero në pritjen e dy penalltive holandezëve, të cilët i eliminuan në gjysmëfinale nga pika e bardhë e penalltive pas 120 minutash lojë të mbyllura pa gol. Gjermania vjen në këtë finale si ekipi që ka shënuar më shumë gola në këtë Botëror, ndërsa Argjentina është ekipi që ka në gjirin e saj 4 herë fituesin e Topit të Arte, Lionel Mesi.

 

Historiku i të dyja skuadrave

Një fakt tejet interesant është që të dyja ekipet e kane fituar Kupën e Botes përballë njëra-tjetrës për herë të fundit. Argjentina fitonte Kupën e Botes më 1986 përballë Gjermanisë me rezultatin 3-2 dhe 4 vite më vonë, në 1990, Gjermania fitonte titullin e saj të fundit kampion bote përballë Argjentinës me rezultatin 1-0. Gjermania trofeun e parë e ka fituar në vitin 1954 përballë Hungarisë, me rezultatin 3-2. Më pas në vitin 1974 Gjermania shpallet për herë të dytë kampion bote pas triumfit ndaj Holandës me rezultatin 2-1, e për herë të fundit ndaj Argjentinës me rezultatin 1-0 në vitin 1990. Bashkë me finalen e 13 korrikut, Gjermania numëron 8 finale prej të cilave ka fituar 3, ka humbur 4 dhe i mbetet 1 për të luajtur. Asnjë ekip tjetër nuk ka arritur të shkojë kaq herë në finale. Argjentina trofeun e parë e ka fituar në vitin 1978 duke triumfuar me rezultatin 3-1 përballë Holandës, ndërsa të dytën në 1986 ndaj Gjermanisë me rezultatin 3-2. Skuadrat kombëtare të Gjermanisë dhe Argjentinës janë ndeshur 20 herë me njëra-tjetrën, ku Argjentina kryeson me 9 ndeshje të fituara kundrejt 6 fitoreve të gjermanëve, ndërsa 5 ndeshje janë mbyllur në barazim. Në takimet mes tyre janë shënuar 56 gola, me nga 28 gola për secilin ekip.

 

Një duel nervash dhe larje hesapesh

Argjentinasit kanë një hesap ende të palarë me ekipin gjerman. Në çerekfinalen e Kampionatit Botëror të 2006-ës, amerikanojugorët kaluan në avantazh në minutën e 50-të nëpërmjet një goli të Ajalës, por në minutën e 80-të Klose barazoi. 1:1 shkoi ndeshja deri në minutën e 90-të e deri edhe në të 120-ën. Vendimi u mor me gjuajtje 11-metërshi. Portieri Jens Leman priti dy goditje. Gjermania u ndodh në gjysmëfinale. Shumë lojtarëve argjentinas u hipi tërbimi. Ata u dolën përpara lojtarëve gjermanë dhe filluan t`i shtynin e t`i gjuanin. Kufreja mori kartonin e kuq, Torsten Frings u ndalua të luante në gjysmëfinale.

 

Myler: Nëse doni, mund të përlesheni

Zemërimi i atëhershëm vazhdon të ruhet në kokat e lojtarëve gjermanë, madje dhe të atyre që nuk kanë pas marrë pjesë në atë ndeshje. “Për mua si të doni, pas ndeshjes mund të kalojmë në përleshje”, – thotë Tomas Myler, duke ruajtur stilin e një boksieri. “Por ne duhet të kemi kujdes që të mos provokohemi. Më e mira që do të bënim është të luajmë mirë. Ky do të ishte problemi më i madh për argjentinasit”.

 

Klose në garë me vetveten

Miroslav Klose tashmë është golashënuesi më i mirë në të gjithë historinë e Kupës së Botës me 16 gola, duke kaluar Ronaldon, i cili e mbante këtë rekord që prej vitit 2002, pas dy golave pikërisht ndaj Gjermanisë në atë finale që i dhuroi “Seleçao”-s kupën e 5-të të botës. “Ne luajmë si një ekip i tërë dhe kjo u pa edhe në fitoren ndaj Brazilit. Jam i lumtur që shënova, nuk isha në gjendje të bëja rrotullimin e përhershëm. Tashmë kam vendosur një rekord, i cili mund të thyhet vetëm nga Myleri”, – u shpreh Klose pas ndeshjes. Rekordi i Kloses në Kupën e Botës nisi me një tripletë në ndeshjen ndaj Arabisë Saudite në vitin 2002. Në atë kampionat ai shënoi edhe ndaj Irlandës dhe ndaj Kamerunit. Edhe në Botërorin e 2006-ës ai do të shënonte 5 gola. Ndërsa në 2010 shënoi 4. Në “Brazil 2014” Miroslav Klose shënoi edhe në fazën e grupeve ndaj Ganës.

 

Arbitër uzbekistanas për gjykimin e finales

Nuk është as Nikola Ricoli e as Hauard Ueb favoriti i madh për të gjykuar finalen e kësaj Kupe Bote mes Gjermanisë dhe Argjentinës që do të zhvillohet këtë të diel në mitikun “Maracana”, pasi me shumë mundësi arbitri që do të fitojë të drejtën për të gjykuar këtë superpërballje pritet të jetë uzbeku Ravshan Irmatov. Të gjithë mendonin se mundësia për të drejtuar ndeshjen finale do t’i jepej italianit Nikola Ricoli ose anglezit Hauard Ueb që drejtoi edhe finalen e katër viteve më parë në Afrikën e Jugut mes Spanjës dhe Holandës megjithatë edhe pse asgjë nuk është vendosur ende shanset e këtyre dy xhaketave të zeza për të gjykuar finalen e “Maracana”-së janë pothuajse minimale

 

 Humels: Bëmë pakt për të mos poshtëruar brazilianët

Mats Humels zbulon paktin e fshehtë brenda kampit gjerman, ndonëse bie në kontradikta me ato që thotë. Sipas mbrojtësit, e gjithë skuadra ra dakord në pushimin e ndeshjes që në 45 minutat në vijim të tregohej respekt ndaj Brazilit, pra t’i vendosej një limit breshërisë së golave. Por, me sa duket, Shyrle nuk ka preferuar t’i qëndrojë paktit të ekipit ose nuk i ka rezistuar dot ekzekutimit të dy golave të tjerë në pjesën e dytë. “E bëmë të qartë mes nesh që të qëndronim të fokusuar te loja dhe të mos i poshtëronim brazilianët. Donim të ishim seriozë në fushë dhe të tregonim respekt për kundërshtarin. Për ne mjaftonte që të bënim lojën tonë deri në fund të 90-minutëshit”. Humels u tregua i kujdesshëm në vijim për të mos e denigruar më shumë paraqitjen e brazilianëve, ndërkohë që vlerësoi lojën e gjermanëve. “Pas golit të dytë ata u bënë konfuzë. Nuk ishin të organizuar, ndërsa ne nuk humbëm asnjë shans deri në golin e pestë. E dimë që jemi një nga skuadrat më të mira në botë por gjithmonë duhet të kesh edhe fatin me vete. Për ne kjo ishte thjesht një ditë me fat. Tani kemi finalen përpara dhe duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë sepse na pret një ndeshje krejtësisht ndryshe”.

 

Maradona: Argjentina mundet

Diego Armando Maradona në një intervistë deklaroi se të mposhtësh Gjermaninë nuk është e pamundur. Argjentina e tij do të përballet në finalen e madhe të Brazil 2014 me “pancerat” që mbrëmjen e të martës shkatërruan Seleçaon me shifrat e thella 7-1. Por pavarësisht kësaj, legjenda e futbollit argjentinas beson te triumfi i skuadrës që drejtohet nga Alehandro Sabeja ndaj “Die Manschaft”. “Është më mirë për Argjentinën që Gjermania vjen në finalen e madhe pas një suksesi historik 7-1 përballë Brazilit. Ky fakt mund të bëjë që ata të na nënvlerësojnë disi dhe kjo gjë mund të jetë një plus më shumë për ne. Edhe pse poshtëruan Brazilin unë besoj se Gjermania është një skuadër që mund të mundet. Kam besim tek skuadra dhe jam i sigurt se Sabeja do të dijë t’i motivojë lojtarët përpara një finaleje që na mungon prej 24 vitesh”, – u shpreh “El Pibe de Oro”. Sa i përket përballjes me Holandës ku Argjentinës iu deshën goditjet e penalltive për t’u kualifikuar në finale, Maradona vlerësoi paraqitjen e Havier Maskeranos. Sipas Maradonës, mesfushori i “La Selecion” ishte thjesht i mrekullueshëm duke bërë gjatë gjithë kohës ndërhyrje të sakta. Në lidhje me Mesin, 53-vjeçari deklaroi se kapiteni i kombëtares “albiçeleste” tregoi një formë jo shumë të mirë ndaj “tulipanëve” të Van Galit. Edhe pse është në konflikt për shkak të ndarjes së tij me të bijën Xhanina, Maradona deklaroi se në fushën e blertë ai e admiron Serxho Agueron duke shtuar se rikthimi i tij në skuadër do të ndikojë për mirë te Argjentina.

 

Aguero: Gjermania, respekt për Argjentinën

Serxho Aguero mendon se Gjermania ka respekt për kombëtaren e tij para finales së madhe në “Maracana”. Albiçelestët eliminuan Holandën në penalti dhe do ta kërkojnë Kupën e Botës përballë “Die Mannschaft”, të cilët e shkelën Brazilin në gjysmëfinale. Sulmuesi i Mançester Sitit mungoi ndaj Zvicrës dhe Belgjikës, por u kthye të mërkurën mbrëma për të zhvilluar disa minuta. “E vërteta është mahnitëse. Jam shumë i lumtur dhe nuk mund të besojmë. Kam vuajtur nga një lëndim i vogël, por kam bërë gjithçka të mundur që të shërohesha. Fatmirësisht jemi në finale. Gjermania është gjithmonë ekip i fortë në Kampionat Botëror. Mirëpo ne do të vazhdojmë ta bëjmë lojën tonë. Po ashtu, Gjermania ka respekt për ne”, – është shprehur Kun.

 

 FIFA hedh poshtë apelin e Suarezit

Luis Suarez do ta vuajë pezullimin e plotë prej katër muajsh nga futbolli, pasi FIFA e ka hedhur poshtë apelin e tij. Uruguajanit i është ndaluar çdo aktivitet sportiv për shkak të kafshimit të Xhorxho Kielinit dhe është dënuar me gjobë prej 83.000 eurosh. 27-vjeçari nuk mundi të luante pas fazës grupore në Kampionatin Botëror dhe nuk ka të drejtë të luajë as me klube që në rastin aktual. Lojtari dhe Federata Uruguaiane e Futbollit apeluan ndaj vendimit, mirëpo Komiteti i FIFA-s e ka refuzuar atë. Përfaqësuesi për media, Delia Fisher, u ka thënë gazetarëve në Rio de Zhanejro se FIFA e ka hedhur poshtë apelin dhe ka ritheksuar se do të qëndrojë në fuqi vendimi që është marrë më 25 qershor.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency