Formula sa përfitohet nga bonot e thesarit, ja kush mund të aplikojë  

0
955

Driçim Çaka

bsh 2Pjesëmarrja me kërkesë konkurruese nënkupton vendosjen e një interesi (yield-i), mbi bazën e të cilit do të llogaritet çmimi që investitori preferon të paguajë për blerjen e bonos së thesarit

 Të gjithë individët mund të aplikojnë për të blerë bono thesari. Bonoja e thesarit e qeverisë shqiptare është një instrument i negociueshëm borxhi me maturim deri në një vit, që emetohet dhe garantohet nga qeveria e Republikës së Shqipërisë. Bonot e Thesarit emetohen në monedhë kombëtare (Lek) dhe kanë afate maturimi 3, 6 dhe 12 mujore. Bonot e thesarit emetohen (nxirren për shitje) nga qeveria nëpërmjet ankandit. Kjo formë nënkupton që investitorët duhet të konkurrojnë për blerjen e këtij instrumenti. Konkurrenca realizohet nëpërmjet vendosjes së normës së interesit që quhet yield i bonove të thesarit. Yield-i i bonove të thesarit është bazë për llogaritjen e çmimit të blerjes së bonos të thesarit, nëpërmjet formulës së mëposhtme: Cb=Vn/1+y/365 x D, ku Çb – çmimi i blerjes Vn – vlera nominale y – yield (norma e interesit) i shprehur në bazë vjetore dhe D – ditët deri në maturim. Interesi i përfituar nga investimi në bono thesari llogaritet si diferencë e çmimit të blerjes së bonos me vlerën nominale të saj. Raporti i kësaj diference me çmimin e blerjes i llogaritur në bazë vjetore shpreh normën e kthimit të përfituar nga investimi. Bonot e Thesarit janë të tregtueshme, pasi mund të shiten/blihen para afatit të maturimit. Tregtimi i një bonoje thesari mund të bëhet deri në 7 ditë para maturimit. Tregtimi mund të bëhet me subjektet e licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), ku bëjnë pjesë edhe bankat tregtare. Në datën e maturimit të bonos së thesarit, aplikohet tatimi mbi interesin e përfituar nga investimi. Aktualisht, tatimi është 10 për qind.

 

Ankandet e Bonove të thesarit dhe pjesëmarrja e individëve

Kalendari i ankandeve të emetimit të bonove të thesarit përcaktohet nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Normalisht, ankandet për emetimin e bonove të thesarit me afat maturimi 3 dhe 6-mujor, organizohen një herë në muaj, ndërsa ankandet për emetimin e bonove me afat maturimi 12-mujor organizohen çdo dy javë. Ankandet normalisht zhvillohen ditën e martë, ndërsa emetimi i letrës bëhet dy ditë më vonë, ditën e enjte. Zhvillimi i ankandit njoftohet paraprakisht nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë nëpërmjet publikimit të informacionit në faqet respektive të internetit. Individët mund të marrin pjesë në ankandet e emetimit të bonove të thesarit me kërkesa konkurruese ose jokonkurruese. Pjesëmarrja me kërkesë konkurruese nënkupton vendosjen e një interesi (yield-i) mbi bazën e të cilit do të llogaritet çmimi që investitori preferon të paguajë për blerjen e bonos së thesarit. Pjesëmarrja me kërkesë jokonkurruese nënkupton pranimin e yield-it mesatar të ponderuar, i cili do të llogaritet si mesatare e ponderuar e yield-eve të kërkesave konkurruese të shpallura fituese. Në ankand, kërkesat konkurruese renditen nga yield-i më i ulët i kërkuar deri tek yield-i më i lartë deri sa shuma e shpallur nga qeveria për emetimin e bonove, të plotësohet. Kjo do të thotë që në rast se kërkesa e pjesëmarrësve për blerjen e bonove është më e lartë se shuma e emetuar nga qeveria, kërkesat konkurruese me yield-in më të lartë, nuk do të pranohen nga qeveria dhe për rrjedhojë investitorët nuk do të mund të blejnë bono thesari në ankandin përkatës.

 

Shuma

Shuma e shpallur për emetimin e bonove të thesarit nga qeveria pas plotësimit të pjesëmarrjes së Bankës së Shqipërisë, ka një ndarje të barabartë ku jo më shumë se 50 për qind emetohet për kërkesat jokonkurruese dhe pjesa e mbetur për kërkesat konkurruese. Kjo nënkupton që në rast se shuma totale e kërkesave jokonkurruese është më e lartë se hapësira në dispozicion e shpjeguar më sipër, atëherë aplikohet prorata, në mënyrë që të llogaritet pjesa e fondeve që do të pranohen për investim në bonot e thesarit. Prorata është raporti i shumës në dispozicion për kërkesat jokonkurruese kundrejt shumës totale të kërkesave jokonkurruese të individëve pjesëmarrës, e shprehur në përqindje. Shuma minimale e nevojshme për të marrë pjesë në blerjen e bonove të thesarit është 300.000 lekë. Kjo shumë mund të rritet me shumëfisha të 10.000 lekëve. Shuma maksimale e lejuar për të marrë pjesë në ankand me kërkesë jokonkurruese është deri në 30 milionë lekë. Kërkesa me një shumë më të madhe se 30 milionë lekë konsiderohet automatikisht si kërkesë konkurruese. Rezultatet për ankandin e bonove të thesarit shpallen në të njëjtën ditë të organizimit të tij dhe publikohen në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë. Për fituesit në ankand jepet dokumenti “Vërtetim për shpalljen fitues”, i cili përmban informacionin përkatës për rezultatin e investimit në bonon e thesarit.

 

Shembull

Shuma në dispozicion për kërkesat jokonkurruese është 3 miliardë lekë. Shuma e kërkuar nga individët me kërkesa jokonkurruese është 4.5 miliardë lekë. Në këtë rast, prorata është 66 për qind. Pra, individi do të investojë 66 për qind të shumës së kërkuar, ndërsa pjesa tjetër do t’i rikthehet.

 

Ankandi

Për të marrë pjesë në ankandin e bonove të thesarit nëpërmjet sporteleve të Bankës së Shqipërisë, individi duhet që përpara organizimit të ankandit të ketë përfunduar procedurën e mëposhtme:

-Të çelë një llogari Eskrow pranë Zyrës së Bonove të Thesarit. Kjo llogari është personale (pra nuk mund të jetë për më shumë se një person).

– Nëpërmjet bankave tregtare, të urdhërojë transfertën e fondeve që do të investojë, për në llogarinë Eskrow në Bankën e Shqipërisë.

– Të paraqitet me një kopje të Urdhër transfertës pranë Zyrës së Bonove të Thesarit, në Bankën e Shqipërisë, për të plotësuar kërkesën për pjesëmarrje në ankandin e bonove të thesarit.

 

Komisioni

Komisioni për pjesëmarrjen në ankandet e bonove të thesarit nëpërmjet sporteleve të Bankës së Shqipërisë është 1,000 lekë. Në ditën e emetimit të bonos së thesarit ose në çdo kohë pas saj, individi ka të drejtë të tërheqë pranë sporteleve të Bankës së Shqipërisë, “Vërtetimin mbi shpalljen fitues” si dhe diferencën midis çmimit të blerjes dhe vlerës nominale të paguar në kesh. Nëse, shuma e kërkuar për investim nuk është pranuar e plotë (kur aplikohet prorata), mbetja i paguhet në sportelet e Bankës së Shqipërisë në kesh. Në momentin e maturimit të bonos së thesarit dhe në rastet kur kërkesa konkurruese e individit nuk është shpallur fituese, individi duhet të vendosë se çfarë do të bëjë me fondet. Nëse do të kërkojë t’i tërheqë fondet, ato do t’i paguhen nëpërmjet transferimit të tyre, në llogarinë e tij në bankat tregtare. Për këtë transfertë, Banka e Shqipërisë nuk aplikon komisione. Në rast të riinvestimit të tyre duhet të plotësojë një kërkesë për pjesëmarrjen në ankandin që dëshiron të marrë pjesë. Për të kryer veprimet për bonon e maturuar, individi duhet të paraqwsë “Vërtetimin mbi shpalljen fitues”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency