Argjentina provon murin me emrin Holandë

0
126

hollande-argjentineTulipanët do të përballen me bardhekaltrit për të përsëritur edhe një herë kualifikimin në finale

Mesi me shokë tentojnë të shkojnë në finale pas shumë vitesh, me shpresën se do të rrëmbejnë kupën në Brazil

 Ndeshja tjetër gjysmëfinale, e cila luhet në stadiumin e Sao Paolos është sfida midis Holandës dhe Argjentinës. Një përballje historike që vë përballë njëra-tjetrës, skuadra që kanë shumë histori. Nga njëra anë janë portokallinjtë e Van Galit që vijnë pas një disfate në finalen e 2010-ës dhe kësaj radhe duan që të përsërisin gjërat. Kurse Mesi me shokë janë përballë sfidës së tyre me historinë, pasi ekipi ka dekada që nuk shkon kaq afër finales dhe i duhet një sukses. Një ndeshje e madhe e cila do të presë shumë emocion dhe shumë rivalitet nga të dy krahët. Në statistikë ata që janë favoritë janë holandezët. Në 8 ndeshje 4 fitore janë të Holandës, 3 janë ndarë vetëm me barazim dhe vetëm 1 fitore u përket argjentinasve. E shkuara nuk shërben për të tashmen, por është një tregues i mirë që ndodhitë edhe mund të përsëriten. Sfida vë përballë Robenin me Mesin, që janë edhe dy nga yjet më në formë të këtij turneu. Të dy lojtarët kanë arritur të tregohen liderë të vërtetë dhe e kanë shtyrë ekipin drejt suksesit.

 

Van Gal lë dyshime për formacionin

Luis van Gal ka lënë shumë dyshime shumë dyshime mbi formacionin që do të hedhë në fushë ndaj Argjentinës në sfidën që do të përcaktojë finalisten e dytë të “Brazil 2014”. 62-vjeçari e la të hapur rikthimin titullar të De Jongut, por shtoi gjithashtu se Van Persi nuk është në formën e tij më të mirë. “De Jong ka zhvilluar një seancë prove, por duhet të presim deri në momentin e fundit. Gjithçka varet nga forca e vullnetit të tij. Nëse do të të jetë pozitive, atëherë do të jetë një mrekulli. Edhe Vlar është stërvitur, por duhet të presim për të kuptuar sesi do të reagojë. Van Persi dhe Janmat kanë pasur probleme me stomakun. Nuk e di nëse Van Persi do të jetë në 100% të formës”. Pyetja që i mundon më shumë tifozët holandezë është: Si do ta ndalin tulipanët Lionel Mesin? Van Gal e ka një plan për t’i befasuar argjentinasit. “Gjysmëfinalja nuk do të jetë mes Holandës dhe Mesit, por Holandë-Argjentinë. Ne kemi planin tonë për të fituar. Nuk është rastësi që Mesi është përzgjedhur disa herë lojtari më i mirë në botë. Sigurisht nuk ka mundur ta tregojë këtë me kombëtaren, por ai ka shumë dëshirë për të arritur objektivin më të lartë me Argjentinën. Ne do të përpiqemi që ta ndalim”.

 

Roben: Mesi nuk është i vetmi te Argjentina

Një ndër lojtarët më të rëndësishëm te Holanda, Arjen Roben, e ka hedhur poshtë faktin se Argjentina varet kryekëput nga Lionel Mesi, duke thënë se albiçelestët janë ekip më kompakt sa mendohet. “Argjentina ka lojtarë të mëdhenj, dhe një prej tyre është ai. Por, unë them se nuk është vetëm Lionel Mesi në atë ekip. Argjentina është ekip shumë më i madh se sa që mendohet”, – u shpreh Roben.

 

Romero: Respekt për Van Galin, por ne shkojmë në finale

Gardiani i Argjentinës, Serxho Romero, rezervon fjalë pozitive për trajnerin e Holandës, Luis van Gaal me të cilin do të ndeshet për gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Romero është stërvitur për disa kohë nga tekniku tulipan kur ai ishte pjesë e AZ Alkmarit. “Trajnerit Van Gal i detyrohem shumë për atë që kam arritur në karrierë. Kur u bashkova me skuadrën e AZ Alkmarit në vitin 2007, hyra në një botë të re, pasi e shihja veten si të huaj në Holandë. Në dhomat e zhveshjes flitej holandisht, por Van Gal m’u drejtua në spanjisht. Ky ishte një detaj shumë i rëndësishëm për mua, pasi më ndihmoi të kaloja periudhën e vështirë. Ai më ndihmoi shumë, prandaj unë e respektoj”. Në vijim, Romero u përqendrua te gjysmëfinalja, duke theksuar se kjo është një arritje e madhe për kombëtaren e tij pas disfatës në Botërorin e 4 viteve më parë. “Shumë gjëra po më ndodhin mua dhe Argjentinës në këto momente, por dua të theksoj se asgjë nuk është e lehtë. Pas dramës në Afrikën e Jugut tashmë e shikojmë veten në gjysmëfinale kundër Holandës”.

 

Hidinik: Besoj se Holanda e mposht Argjentinën

Tekniku holandez Gus Hidink beson se Holanda ka fuqinë e mjaftueshme për t’u kualifikuar në finale të Kampionatit Botëror. Të zgjedhurit e Luis van Galit u kualifikuan me vështirësi në gjysmëfinale duke eliminuar Kosta Rikën në penalti, ndërsa kundërshtari i tyre i radhës është Argjentina. “Nëse shohim kualitetin e kësaj skuadre, ne duhet të kemi vetëbesim (se do të fitojmë). Pa dyshim që argjentinasit e kanë Mesin, i cili mund të bëjë diçka të çmendur, por ne e kemi Robenin, i cili mund ta bëjë të njëjtën gjë”, – ka thënë Hidink për “De Telegraaf”.

 

 Çelsi dhe Junajtid, në garë për Turenë

Mançester Siti është alarmuar pasi rivali i përbetuar, Mançester Junajtid dhe Çelsi janë vënë në kërkim të mesfushorit Jaja Ture. “Le Parisien” shkruan se klubet angleze janë seriozisht të interesuara për lojtarin nga Bregu i Fildishtë. Ture ka qenë pjesë integrale e sukseseve të mëdha në “Etihad Stadium” dhe nuk mund të paramendohet largimi i tij nga qarqet e Sitit. Junajtid dhe Çelsi po kërkojnë të përforcojnë ekipet para sezonit të ri, ku ata do të kërkojnë që të largojnë nga froni Sitin.

 

 Mançesteri vihet në kërkim të Rodrigezit

Mançester Junajtid po lidhet me mbrojtësin e majtë të Volfsburgut, Rikardo Rodrigez. “Daily Mail” njofton se “Djajtë e Kuq” kanë bërë ofertë për zviceranin dhe janë duke pritur përgjigje. Largimi i mundshëm i Patris Evrasë drejt Juventusit, i ka bërë drejtuesit e Junajtidit të mendojnë për një opsion tjetër në krah të mbrojtjes për t’i konkurruar të sapotransferuarit Luke Shau. Volfsburgu kërkon mbi 15 milionë paund për 21-vjeçarin, i cili kërkohet edhe nga Liverpuli dhe Totenhemi.

 

Kanavaro: Kasijas duhet të largohet nga Reali

Fabio Kanavaro e ka këshilluar portierin e Real Madridit dhe ish-shokun e tij të skuadrës Iker Kasijas që të largohet nga “Santiago Bernabeu”. Fituesi i Topit të Artë mendon se ish-bashkëlojtari i tij duhet të kalojë te një klub tjetër nëse mbetet portieri i dytë edhe në sezonin e ardhshëm. “Nëse është ende zëvendësues, mendoj se duhet të largohet. “Do të ishte gjë e mirë për të, për klubin dhe madje për Diego Lopezin, i cili po ashtu ka luajtur mirë”, – ka deklaruar Kanavaro. 40-vjeçari ka shprehur gjithashtu gatishmërinë që të angazhohet në stafin e Karlo Ançelotit te “Los Blancos”, nëse vjen një ofertë nga italiani.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency