Shija e vetmisë!

0
156

Shpëtim Gina

lady abdy A nuk qau. Më kot ai mendoi se pas disa hapash do të kthehej përsëri. Ajo iku. Tani dukej tek ngjitej shpatit të kodrës.

“A thua nuk më dashuron?”, mendoi Mensuri. “Jo, jam i bindur se edhe tani ajo më do, ndoshta edhe më shumë se më ka dashur ndonjëherë. Po unë… unë… a thua e dua?”

Ai mundohej të besonte se tashmë që ajo e kishte fyer, i kishte përplasur në fytyrë fjalën, largohej për diku, ndoshta për të mos u kthyer më kurrë, tani ai s’e donte…

“Po kush nënqesh shtrembër?” E ndiej se dikush nënqesh. Ku është? Ku?

Ai ktheu kokën nga të katër anët i shqetësuar. Por asgjë. Përreth: mbrëmja e ngrohtë dehëse në fshat. Ashtu si në rakinë e fortë hidhnin gjethe molle të këtyre anëve, dukej sikur dikush kish hedhur në ujët e rezervuarit disa rosa të bardha. Kundërmonte lagështi. Ajo po largohet. Silueta bëhet gjithnjë e më e vogël. Si një prush i ndezur që zvogëlohet pak nga pak prej hirit në vatrën e shuar, ndoshta edhe siluetën e saj mbrëmja mundohej ta zhdukte prej syve të tij duke I hedhur grushte me errësirë. Mensuri vazhdoi të vështronte nga ajo anë. I dukej se këto çaste jetonte në një ambient pa ajër. S’ishte hera e parë që ai qëndronte i vetmuar, por megjithatë tani ndjente diçka të re në shpirt. Ç’të ishte kjo? Çfarë kishte kuptuar ai? Mos vallë se dashuria lind me njeriun që do të dashurojë dhe për këtë disa janë të aftë dhe të tjerë jo? Mos vallë…jo!

Ai e dinte që ajo e dashuronte. E dinte se buzët e saj digjeshin zjarr dhe do vazhdonin të digjeshin, të kishin etje, megjithatë kurrë s’do përkuleshin mbi oazin e fytyrës së tij.

Mensuri këto çaste shijonte vetminë. Kush e kishte gatitur atë? Në ç’mënyrë? A thua e gatiti vetë? Shija e saj ishte e ëmbël si luleshtrydhe, ishte si të thuash një lloj opiumi në ngjyrën dhe fizionominë e gangrenës, që ndoshta tani i buzëqeshte me dhëmbët e saj të bardhë dhe njëkohësisht, duke fshirë jargët ngjitëse në mendimet e tij. I kafshonte ndjenjat, damarët, organet.

Përse ata u ndanë? Përse? A nuk e dashuronin njëri-tjetrin? A nuk e dashuroi ai me të gjithë forcat Gretën ashtu si bëri edhe ajo për të? Përse ngjau kështu? Dashuria, vërtet nuk është një hekur, që do shumë kohë të skalitet por mund të ftohet shumë shpejt, po atëherë? Ndoshta kjo ndodhi se ndjenjat e tij i nxiti naiviteti i saj. Ajo ishte aq naive dhe e mirë. E ndruajtur nga ambientet e huaja, ishte gati t’i dhuronte cilitdo buzëqeshjen e saj të çiltër, t’i dhuronte cilitdo bisedën e saj. Sytë e mëdhenj, sikur pafajësia donte të hapte më tepër ato dritare për të parë shpirtin e bardhë të asaj vajze, ishin aq të ngrohtë! Të ngrohtë edhe kur ambienti përreth ishte i ftohtë, i akullt. Ndoshta prandaj ata shpesh ishin mbuluar me mjegull (sikur të gjithë mjegullat e Tomorit të ishin ulur gjer mbi sytë e saj). Kjo i bënte ata më të bukur. Kjo e bënte bashkëbiseduesin të vështronte fjalët e tij në sytë e saj. Në qoftë se ato ishin të ngrohta, si prej një flladi mjegulla largohej nga sytë e saj dhe ai mund të shikonte atë shpirt të kristaltë ku çdo skaj kishte një notë tingëllonjëse. Në rast të kundërt mjegulla bëhej më e dendur dhe ai vështirë të shihte kur të shkelte për të ecur përpara, megjithëse po të ngecte në ndonjë moçal zëri i saj do të thërriste: ju do të mbyteni! Ju do të mbyteni! Kthehuni mbrapa!

“Unë përsëri e dashuroj Gretën”, i pohoi vetes ai. Priti të dëgjonte përgjigjen e saj. Heshtja. Diçka lëvizi, sikur u hap kanata e një dritareje brenda në trupin e tij. Dikush nxori kokën prej andej. Sa e tmerrshme! Ajo kokë e shëmtuar kishte grabitur sytë e saj. E vështroi me ngulm dhe si duke tallur Mensurin u fut brenda. U dëgjua po ajo zhurmë. Dikush mbylli atë dritare.

Përsëri heshtje. “Kush ishte ajo?”, pyeti veten ai. Askush s’u përgjigj. Rreth tij e përballë njëri-tjetrit një zë i ëmbël qeshi me të madhe, kurse tjetri, i ngjirur sikur dikush të kishte avulluar ngrohtësinë, u mundua të thoshte diçka, formoi nja dy rrokje të shkëputura, pa kuptim, po që nuk mundi dot të krijonte atë fjalë dhe heshti.

“Cilët ishin?” Ai ia bëri disa herë me radhë këtë pyetje vetes. Kishte diçka të veçantë kjo mbrëmje vjeshte e fshatit. Diçka të lagësht, të trishtueshme. Gjithçka sikur kishte ngrirë, sikur ishte ngurtësuar. Edhe ato dhjetra drita të shpërndara pa kujdes, dukeshin si xixëllonja që dikush i ngriu për të mos ikur në shtegtim vendeve të ngrohta. Dikush s’i lejoi të iknin, por i shpërndau rreth e qark që të ndrisin pranverën e gjatë.

Ja shkolla. Dritaret e klasave në radhë, të ndriçuara. Ajo ishte larg. Larg… larg si edhe Greta. Greta! Ku ishte tani ajo? Silueta e saj humbi, u zhduk. Unë jam i vetëm, i vetëm. Vallë gjithë jetën do jem i tillë? Gjithë jetën do largohen prej meje? Fryma ime patjetër qelb vetmi. Ku shkuat? Ju u fshehët, më latë të vetëm, ju u zhdukët, o të dashurit emi. Hë!

Maskarenj! Prapsuni! Mbathjani! Ashtu, ashtu! Ha, ha, ha, shikojini si ikin, shikoji Mensur. Ata tremben nga ty, ti i tremb ata. Ha, ha, ha… po ikin. Ikët. Mirë! Sa po qesh kur ju shoh duke vrapuar. Këmbët tuaja, s’duken më. Kushdo pandeh se trupat tuaja me ata krahë përpëlitës si ca balona fluturojnë mbi asfalt. Ha, ha, ha… kush më thotë të pi? Përse të pi. Ti që më thua kështu ik bashkë me ata. Më mirë i vetëm se sa me miq frikacak. Ç’pret? Ik edhe ti! Hajt, zhduku nga sytë! Lëri edhe ti këtu si të tjerët këmbët e gjata dhe mbath protezat fluturuese të fushës! Iku edhe ai. Ja shkolla. Dritaret e klasave të ndriçuara nuk duken si kapat dhe jakat e bardha të një skuadre ekzekutimi që afrohet, afrohet këtej?

Unë dëgjoj hapin e tyre. Ata po vijnë. Ku shkove? Ti u largove përgjithmonë nga unë Gretë? Përse më dridhet gjithë trupi? Më mbuluan djersët, sikur të kisha rendur kilometrave të ndjenjave të një rruge të gjatë…

Phtu! Filozofi boshe! Sikur të dinte mendimet e mia tani, ajo patjetër do të kthehej. E duke kafshuar cepin e djathtë të buzës së poshtme do të thoshte serioze: “…dhe megjithatë ti ke tendenca mendjemadhësie Mensur”.

Mbrëmje e qetë. Kalldrëmi i bardhë i rrugës që zbriste poshtë gjer në fushë në atë sfond të errët, dukej si një fashë reje, e hirtë, e gjatë.

“Ç’them budallallëqe!”, mendoi dhe kopsiti xhaketën e shkurtër verore. “Ajo iku. Ata po vijnë t’më ekzekutojnë. Janë vënë në rresht. Shikojeni kapat e tyre të bardha që u shndrisin si kafka. Tmerr! Jo, jo! Ata ma s’do më vrasin. Ata s’do më drejtohen mua! Ata bile s’më shikojnë fare. Po përse vijnë? Ndonjë person i dyshimtë? Ndonjë vjedhës i padukshëm? Armët e tyre ata i kanë drejtuar tek unë. U afruan. Ja… ja erdhën. Tehet e bajonetave më prekin trupin. Doli ca gjak. Asnjë dhimbje. Si kështu? Gjer tani s’kam ndier asgjë. Mos jam në ëndërr… Gretë! Si ka mundësi? Por… ç’është kështu… por… oh… mjaft… nënë moj nëna ime, mua më dhemb… oh, mjaft… Gretë! Gretë! Ndiej dhimbje të tmerrshme. Çfarë prekën ata në trupin tim? Mos janë paralizuar dhe vetëm diçka, vetëm një nerv jeton tek unë? Oh… mjaft… unë po vuaj. Gretë! Ti nga ike kështu?”

 

***

Tani m’u qetësuan pak dhimbjet. Ti dole lart në qafë dhe shikon këtej. Ti po më flet? Përsërite…Përsërite edhe një herë. S’dëgjoj. Kush bën kaq zhurmë? Ç’dreqin lëviz këtu në gjakun tim? Kush i përplas si dy pjata bande muskujt e mi, ndaj unë ndiej dhimbje.

Ti thua se ato tehe prekën mendimet e mia, ndaj unë ndiej dhimbje. Ah Gretë, Gretë! Këto janë naivizma, ndaj unë ndiej dhembje. Ti s’mund të kuptosh mendimet e mia se është vetë seksi yt që me shqetësimin e tij s’ta lejon atë. Juve vajzat ju shqetëson dashuria- e panjohura e frikshme (për ju) të cilën e hasni në vështrimet e kujdesshme të prindërve, në sytë e ndritshëm të një djali, në vetë qenien tuaj kur ndieni t’ju fryhet gjoksi nën trikon e ngurtë, kur mendoni se dikush në gjoksin tuaj ka filluar të shtrojë rrugët e bardha të qumështit, të vazhdimësisë. Phtu! Përsëri nisa të filozofoj. Kam dhimbje. Oh!

Sa herë them një fjalë ndiej se dikush mundohet të shkulë rrënjët e saj ende pa më dalë nga buzët e thara. Kam etje… Gretë!

“Ti ike Gretë…” Mensuri vazhdonte po në atë vend pa lëvizur. Thuajse vetmia që e rrethonte ishte një dobësi e bardhë ku atij i kishte ngrirë gjithë trupi, veç dy qepallave që vazhdonin ritmikisht të zëvendësonin mendimet. Tutje nga deti nisi të fryjë një erë e ftohtë.

*Tregim marrë nga antologjia “Shqipëria kujton” (1944-1991), lënë dorëshkrim, titulli është redaksional

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency