Për 300 ditët e qeverisë/ Basha: Shifrat që hedhin poshtë “rilindjen”, si është përkeqësuar rendi dhe ekonomia

0
116

Gëzim Saliu

Basha grup, foto Fiken disa herë dritat gjatë mbledhjes, Basha: S’do t’ia dalin dot të imponojnë terr informativ

 Në 300 ditët e qeverisjes nga mazhoranca e majtë vendi ka shënuar përkeqësim të dukshëm në të gjitha fushat, duke spikatur me rezultate negative në ekonomi dhe rend. Ky ishte thelbi i qëndrimit të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në emër të forcës që ai drejton dhe opozitës në tërësi për 10 muajt e parë të qeverisë së drejtuar nga koalicioni PS-LSI, duke nënvizuar se dy fjalët kyçe që karakterizojnë këtë ekzekutiv janë mashtrim dhe dështim. “Këto janë fjalë me të njëjtin kuptim, ç’është e vërteta, por që dallojnë nga njëra-tjetra vetëm për faktin se mashtrimet me legalizimet falas apo shëndetësinë i vulosën pa i nisur fare, kurse mashtrimet me rendin dhe ekonominë i regjistruan e po i regjistrojnë si dështime në fushë të hapur, në qeverisjen e përditshme. Statistikat, shifrat dhe faktet flasin qartë për një qeveri që jo vetëm ka gënjyer në mënyrën me të paskrupullt e të papërgjegjshme zgjedhësit shqiptarë, duke e venë gënjeshtrën e stërmadhe elektorale në një rang me zarfin e parave për të blerë vota, por ka dështuar bujshëm këto treqind ditë edhe në ato pak premtime të cilat nuk i braktisi publikisht”, – deklaroi kryetari i PD-së në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat.

 

Rendi dhe ekonomia

Sipas Bashës, të dhënat zyrtare tregojnë për rritje të numrit të vrasjeve, grabitjeve dhe aksidenteve në vend, në krahasim me vitin paraardhës. “Numri i vrasjeve është rritur, numri i aksidenteve nga 734 ka shkuar 872. Numri i krimeve të denoncuar ka kapur shifrën rekord të 3046 rasteve kundrejt 2671 rasteve të të njëjtës periudhë të një viti më parë. Të shohësh këto shifra, të ndjesh nga afër dhe të prekësh me dorë pasigurinë e madhe të qytetarëve për jetën dhe pronën e tyre anembanë vendit, siç e kam ndjerë unë në turet që kam bërë në Shqipëri gjatë këtyre muajve dhe siç e ndjeni ju të gjithë në kontaktet dhe takimet tuaja me zgjedhësit, vetvetiu mendon pa e tepruar aspak dhe pa i rënë fare në qafë: po të kishin ardhur me premtimin për ta bërë më keq, nuk do ta bënin ndryshe”, – tha ai. Në këtë kontekst, kreu i PD-së pohoi se opozita e ka mbështetur operacionin e Lazaratit, por se sipas tij, ai erdhi në saj të presionit të opozitës, ndërkombëtarëve si edhe brenda radhëve të shumicës për rritjen e madhe të narkotrafikut në vend. “Kemi kërkuar dhe kërkojmë që kjo betejë të vazhdojë në “Lazaratët” e tjerë në pjesë të ndryshme të vendit dhe në zemër të vetë aparatit drejtues të qeverisjes Rama-Meta”, – pohoi Basha, duke shtuar se i gjithë show i qeverisë për Lazaratin ra me atentatin e tmerrshëm mafioz kundër Artan Santos mu në mes të qendrës politike-administrative dhe financiare të kryeqytetit. “Sot Tirana dhe mbarë vendi i akuzon ata për ngritjen në këmbë me alibi të turpshme të një policie të gjobave arbitrare për qytetarët, por që nuk ndalon për t’i kërkuar letrat motorit të vrasësve që bridhnin në kryeqytet sipas qejfit për ditë më radhë, duke kolauduar planin e tyre kriminal”, – deklaroi kryedemokrati. Ndërkaq, duke e kthyer vëmendjen tek situata ekonomike, Basha tha se vëllimi i investimeve është në nivelet minimale historike si edhe kreditimi për bizneset shënoi një rënie me 3.2% në muajin prill 2014. Sipas Bashës shifrat flasin se niveli i papunësisë vazhdon e rritet dita-ditës, duke shënuar masën prej 18.3% në tremujorin e parë të vitit aktual. “Kur vjen fjala për të ardhurat qeveria duhet të matet me planin e saj, ku je me planin e miratuar a e ke realizuar apo jo. Kjo është transparenca, të tjerat janë akrobaci propagandistike. Rritja e të ardhurave për muajt e parë të 2014 është 33% më pak se parashikimet. Për 8 muaj 280 milionë dollarë më pak për investime publike. Kuptohet qartë mashtrimi mediatik i qeverisë”, – u shpreh kreu i PD-së Lulzim Basha. Nga ana tjetër në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat gjatë fjalës së kryetarit Basha, pati ndërprerje të energjisë, çka detyroi edhe shkëputjen e lidhjes direkte me mediat. Pas rikthimit të energjisë, kryedemokrati ironizoi duke pohuar: “Nuk do t’ia dalin dot të imponojnë terr informativ”.

 

Skaneri i 300 ditëve të qeverisë, shifrat e PD-së

Numri i aksidenteve – nga 734 në periudhën janar-maj 2013, ka shkruar në 872 për të njëjtën periudhë

Numri i krimeve të denoncuara e të regjistruara – në shifrën e 3046 rasteve kundrejt 2671 rasteve të së njëjtës periudhë të një viti më parë

Të ardhurat totale – është parashikuar rritje vjetore prej 13.1% kur rritja e këtyre të ardhurave për 5 muajt e parë të vitit 2014, është sa 2/3-at e parashikimeve të qeverisë

Plani i të ardhurave tatimore – Mosrealizim për muajin maj 2014 prej 137 milionë lekë krahasuar me planin

Të ardhurat nga tatimet dhe doganat – për majin 2014 rezultojnë më pak se plani me 539 milionë lekë

Tatim-Fitimi – për periudhën janar-maj 2014 deklarohet në masën 9.477 miliardë lekë, ose 523 milionë lekë më pak sesa parashikimi i qeverisë prej 10 miliardë lekësh

Akcizat – për periudhën 5-mujore të vitit aktual rezulton 2.5 miliardë lekë më pak sesa plani i vendosur nga vetë qeveria (rreth 17% më pak), mbi 1 miliardë lekë më pak sesa fakti i periudhës janar-maj 2013, ose 7.4% më pak

Të ardhurat nga TVSH – në maj 2014 nga administrata tatimore janë 510 milionë lekë më pak se në maj 2013, ose 27% më pak

Tatimi mbi të ardhurat personale – për periudhën janar-maj 2014 rezulton me një mos-realizim prej 297 milionë lekë (ose 2.7% më pak sesa plani) dhe rezulton të jetë 1.084 miliardë lekë (mbi 10 milionë dollarë) më pak sesa fakti i të njëjtës periudhë të vitit paraardhës (ose 9 % më pak)

Shpenzimet totale – për periudhën janar-maj 2014 rezultojnë pothuajse 26 miliardë lekë më pak sesa plani i qeverisë për këtë periudhë (mbi 250 milionë dollarë)

Pagesa për ish-të përndjekurin – Gjatë periudhës janar-maj 2014, qeveria parashikonte të paguante 300 milionë lekë, por ka paguar vetëm 62 milionë lekë ose 5 herë më pak

Kompensim për shtresat në nevoje – Qeveria parashikon që gjatë vitit 2014 të shpenzojë 1.1 miliardë lekë, deri më sot as edhe një qindarkë nuk është paguar për këtë zë

Investimet publike me financim të brendshëm – për periudhën janar-maj 2014 rezultojnë të jenë në nivelin 4.6 miliardë lekë, ose 4.3 miliardë lekë më pak sesa plani i qeverisë për këtë 5-mujor

Investimet publike totale të brendshme dhe të huaja – për periudhën janar-maj 2014 rezultojnë rreth 66 milionë dollarë më pak sesa plani i qeverisë për këtë periudhë, rreth 20.8 miliardë lekë (ose 200 milionë dollarë) më pak sesa fakti i periudhës janar-maj 2013

Arkëtimet nga procesi i privatizimeve – Gjatë 5-mujorit të parë 2014 rezultojnë të jenë vetëm 4 milionë lekë, ku gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar janë arkëtuar mbi 400 milionë lekë

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency