Kryedemokrati në Berat/ “Me dixhitalizimin e regjistrit të anëtarësisë, PD vendosi standard të ri. Jemi 101 mijë anëtarë”

0
113

 Gëzim Saliu

Basha ne BeratKreu i PD-së: Bilanci i qeverisë përmblidhet me fjalët: ekonomi e dobët, e ardhme e pasigurt

Kreu i forcës më të madhe opozitare, Lulzim Basha, deklaron se PD ka vendosur një standard të ri në Shqipëri sa i përket regjistrimi dhe riregjistrimit të anëtarësisë reale të saj. Në kuvendin zgjedhor të Partisë Demokratike në Berat, ai theksoi se dixhitalizimi i regjistrit të anëtarësisë së forcës që drejton është themeli mbi të cilin përmes votës po zgjidhen drejtuesit e rinj. Në këtë kontekst, Basha bëri të ditur se anëtarësia e plotë e PD-së sot është 101 mijë anëtarë. “Vlerësimi i punës dhe i kontributit të gjithsecilit në bazë të rezultateve dhe në bazë të votës së lirë të PDs-ë është dhe mbetet mantra jonë për të ecur përpara. Prandaj jemi në këtë proces, prandaj kemi nisur këtë fushatë të madhe, këtë fushatë të jashtëzakonshme, të paprecedent që e shohin me sy ziliqarë e lakmitarë dhe mundohen ta përbaltin të pavirtytshmit e të majtës historike shqiptare. Sot mund të themi jo pa krenari, se jemi e para parti politike në Shqipëri dhe ndër të paktat në Evropën Juglindore që ka të dixhitalizuar plotësisht në mënyre korrekte, objektive pa fiktivitet anëtarësinë e saj prej 101 mijë anëtarësh të PD-së anembanë Shqipërisë”, – deklaroi kreu i PD-së. Pasi të mbyllet procesi i zgjedhjeve të brendshme në forcën më të madhe opozitar, PD do të mbledhë Kuvendin Kombëtar, i cili do të zgjedhë Këshillin Kombëtar, organin që do të vendosë për ekipin e ri drejtues të forcës më të madhe opozitare.

 

Situata

Në fjalën e tij para anëtarëve të PD-së së qytetit të Beratit, Basha u ndal edhe në situatën e rëndë ekonomike që po kalon vendi, duke theksuar se taksat e larta, goditja abuzive ndaj biznesit dhe pasiguria juridike është bashkëshoqëruesja e sipërmarrjes vendase dhe të huaj gjate këtyre 300 ditëve në Shqipëri. Sipas kreut të PD-së, politika e mbrapshtë e qeverisë ka sjellë mbyllje të vendeve të punës anembanë vendit. “Javën tjetër mbushen 300 ditë. Ku janë me bilancin e tyre?! Ekonomi e dobët, e ardhme e pasigurt. Ky është rezultati i drejtpërdrejtë i politikave të gabuara e pa kokë të taksave të larta, të goditjes abuzive ndaj biznesit, të pasigurisë juridike. Premtuan 300 mijë vende të reja pune. Sa vende pune kanë hapur këtu ne Berat? (kanë mbyllur) I kanë mbyllur në të gjithë Shqipërinë. Dhe këtë tani e thotë dhe Instituti i tyre i Statistikave që e ka çuar papunësinë nga 13.9 në 18.3%”, – tha Basha. Ndërkaq, në tërë këta muaj, demokratët kanë denoncuar ato që i kanë cilësuar si shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjit, ku ka vënë theksin tek rasti i shkarkimit të kryetares së ILDKP-së, ai i AMA-s si edhe ligji i nëpunësit civil. Po ashtu rritja e borxhit publik si edhe e pasigurisë në vend sipas demokratëve, ka sjellë përkeqësimin e situatës në vend.

 

 Protestat në Maqedoni/ Berisha: Reagim i ligjshëm ndaj albanofobisë në rritje

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, e ka cilësuar si reagim të ligjshëm ndaj albanofobisë në rritje protestat në Maqedoni. Sipas tij, të rinjtë shqiptarë protestojnë sepse duan që vendi i tyre të ketë një drejtësi të pavarur që nuk i diskriminon ata me vendimet e saj, siç ka ndodhur. “Prej disa ditësh me radhë mijëra e mijëra të rinj shqiptarë po protestojnë në rrugët e Shkupit dhe dje në Tetovë, Gostivar, Dibër dhe qytetet e tjera me shumicë shqiptare të Maqedonisë. Autoritetet maqedonase kanë ushtruar dhunë të egër ndaj protestuesve, kanë përdorur gazin lotsjellës, bombat, shok, topa uji, kanë arrestuar dhe keqtrajtuar dhjetëra e dhjetëra protestues. Protestat nisën pas dënimit me burgim të përjetshëm të 6 shqiptarëve të akuzuar për vrasjen e shumëfishtë të dy viteve më parë. Ky krim i shëmtuar u politizua në shkallë ekstreme nga autoritet e Maqedonisë, të cila që ditën e arrestimit mashtruan opinionin se autorët e krimit ishin anëtarë të Al Kaedës, terroristë islamik dhe rastin e përdorën në fushatë elektorale se dënimi i përjetshëm i 6 shqiptarëve është thjeshtë preteksti i protestave masive të të rinjve shqiptarë. Shkaqet e protestës qëndrojnë në albanofobinë në rritje në Republikën e Maqedonisë”, shkruante Berisha. Më tej, deputeti demokrat theksoi se të rinjtë shqiptarë po protestojnë, sepse duan që vendi i tyre të ketë një drejtësi të pavarur që nuk i diskriminon ata me vendimet e saj, siç ka ndodhur. “Në të vërtetë të rinjtë shqiptarë po protestojnë kundër bllokimit të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, që synon paqen dhe barazinë ligjore të qytetarëve të Maqedonisë, pavarësisht nga përkatësia etnike. Ata po protestojnë kundër akteve dhe iniciativave të njëpasnjëshme ligjore të qeverisë maqedonase që diskriminojnë shqiptarët. Po protestojnë kundër politikave demografike albanofobe të qeverisë së Maqedonisë. Ata protestojnë kundër ndarjes mbi baza etnike të buxhetit dhe diskriminimit të qartë të trevave shqiptare”, – tha Berisha. Në këtë kontekst, ish-kreu i qeverisë pohoi se të rinjtë shqiptarë po protestojnë kundër festimeve albanofobe të betejave që shënuan fillimin e shfarosjeve masive të shqiptarëve. “Ju bëj thirrje miqësore organizatorëve dhe protestuesve të ruajnë karakterin paqësor të protestave të tyre, të shmangin çdo përpjekje për manipulime të çdo karakteri qofshin ato te lëvizjes së tyre të drejtë. Ne kemi simbolet tona. Ato janë simbolet e fitores! Ju bëj thirrje forcave politike të shqiptarëve në Maqedoni të kapërcejnë çdo pengesë, të vendosin dialogun dhe të dëgjojnë zërin e të rinjve shqiptarë, që buron nga një realitet që duhet ndryshuar. Ju bëj thirrje autoriteteve të Maqedonisë të heqin dorë nga dhuna policore dhe sa më shpejt të trajtojnë me transparencë dhe përgjegjësi të plotë protestën e ligjshme të të rinjve shqiptarë. Ju bëj thirrje institucioneve ndërkombëtare dhe vendeve mike të japin ndihmesën e tyre që praktikat albanofobike të marrin fund në Maqedoni!”, – pohoi Berisha.

 

 

2 ton drogë

Topalli: Lumë droge nga Shqipëria kapet në Itali, në listën e Lazaratit mungonin emrat e bosëve

 

Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka reaguar për kapjen e 2 tonëve drogë në Itali, duke theksuar se ky fakt tregon se bosët e narkotrafikut vazhdojnë të garantuar punën e tyre. “Lum droge nga Shqipëria, kapet në Itali! Mbi 2 tonë drogë sipas medias italiane u kapën në brigjet e vendit fqinj. Bosët e drogës vazhdojnë të garantuar, trafikun në Shqipëri e nga Shqipëria! Askush nuk mund t’i prekë, përkundrazi. Lart, nga pushteti i Tiranës i hapen korridoret, portet, aeroportet, kufijtë e vendit”, – theksoi deputetja demokrate. Më tej, Topalli deklaroi se në listën e Lazaratit mungonin pikërisht emrat e bosëve të vërtetë të trafikut të drogës. “A ju kujtohet sa herë kemi denoncuar se nuk u arrestua asnjë bos, përkundrazi ato u lajmëruan. Sa herë kemi thënë se Super Gatet janë në qeverisje e në parlament. Çdo gjë tjetër është show, për të mbuluar me zhurmë e propagandë Riformatot, bosët, mafien në pushtet! Është droga e “kapur…..” nga policia në Lazarat!!!, shkruajnë miqtë e mi në FB”, – pohoi deputetja e PD-së.

 

Pas 24 vitesh/ Bashkohen ish-të përndjekurit: Krijohet Alternativa Nacionaliste

Pas më shumë se 24 vitesh, bashkohen ish-të përndjekurit politikë në një lëvizje të vetme, atë të Alternatives Nacionaliste. Ky bashkim i të gjitha shoqatave dhe grupeve që mbështesin të përndjekurit dhe të burgosurit politikë ka në thelb dëmshpërblimin e e tyre, dënimin e krimeve të regjimit komunist si edhe koordinimin e lëvizjeve të përbashkëta për të gjithë këtë shtresë. “Në letrën e firmosur prej 9 kryetarëve të shoqatave thuhet: “Në mbështetje të grevës së urisë së një grupi të të përndjekurve politikë të iniciuar nga Fatmir Hoxha, vendosëm të mbështesim pa rezerva kërkesat legjitime të grevistëve dhe i bashkohet tërësisht pa kushte iniciativës së tyre që kërkon zbatimin e menjëhershëm të rezolutës 1481 të KiE për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste, ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 30 tetor 2006. Iniciativa jonë është një iniciativë gjithëpërfshirëse dhe mbetet e hapur për shoqërinë civile dhe çdo personalitet të jetës publike që do ti bashkëngjitet nismës sonë”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency