Standard.al

Reforma territoriale/ PD: Parësor shërbimi ndaj qytetarit, jo qëllimet elektorale. Çuçi: Për ne pikënisje është harta

Gëzim Saliu

cuci“Hartat dhe skemat manipuluese janë domen i qeverisë, mazhoranca të japë konsensus”

Partia Demokratike akuzoi qeverinë se po bën diversione për qëllime të pastra politike dhe elektorale përmes gjymtyrëve të saj mediatikë në lidhje me reformën territoriale. Duke nënvizuar qëndrimin se për arritjen e konsensusit me mazhorancën do të duhet që parësore për reformën të jetë decentralizimi dhe shtimi i autonomisë së pushtetit vendor, PD theksoi se qeveria nga ana e saj ka qëllime të pastra politike. Sipas demokratëve, rritja e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, transparenca dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve dhe përfaqësimi demokratik i tyre është interesi i parë i opozitës për reformën administrative territoriale.  “Partia Demokratike shpreh zhgënjimin për faktin se si shtypi pranë qeverisë, përpiqet përditë të manipulojë opinionin publik në lidhje me reformën territoriale dhe të pushtetit vendor, duke i atribuuar opozitës, skenare, plane dhe harta të trilluara. Partia Demokratike dhe opozita e kanë bërë të qartë se interesi i saj i parë në lidhje me reformën e pushtetit vendor, është rritja e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, transparenca dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve dhe përfaqësimi demokratik i qytetarëve. Në vend të përgjigjes ndaj ftesës për bashkëpunim me opozitën dhe të zgjedhurit vendore në këtë reformë për interesat e qytetarëve, qeveria lëshon diversione për qëllime të pastra politike dhe elektorale përmes gjymtyrëve të saj mediatike. Hartat dhe skemat manipuluese janë për fat të keq domen i qeverisë”, thuhej në reagimin e Partisë Demokratike.

 

Ministri

Ndërkohë, ministri i Shtetit për Çështjet e Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi deklaroi dje nga Dublini se mazhoranca për reformën administrative territoriale ka si pikënisje hartën.  “Harta është pikënisja dhe aty duhet të nisemi, me konsolidimin e pushtetit vendor që të thithë më shumë kompetenca nga qeverisja qendrore. Të ngremë strukturat e duhura që reforma të ketë gravitetin e duhur dhe të shërbejë për qëllime sa më të mira në sasi dhe cilësi për komunitetin. Ne u themi se reforma nuk mbaron me bërjen e hartës, por ajo është pikënisja”, tha ministri gjatë një Takimi në Irlandë, ku së bashku me një delegacion qeveritar, kërkoi përvojën e këtij vendi në reformën e territorit.  “Irlanda para një muaji bëri zgjedhjet vendore dhe aplikoi për herë të parë sistemin me 31 bashki. Irlanda ka shumë ngjashmëri me Shqipërinë për sa i takon strukturës së qeverisjes vendore dhe reduktimi i strukturës në 31 bashki tregon se ne kemi shumë për të mësuar. Qëllimi është të mësojmë nga ekspertët irlandezë më shumë rreth implementimit dhe vështirësive”, theksoi ministri. Vetëm dy ditë më parë, eksperti ligjor i PD-së, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi tha se mazhoranca po synon me reformën administrative territoriale të marrë garancitë e duhura për fitoren e zgjedhjeve vendore të 2015-ës. Sipas tij me nxitimin e tyre, të majtët po krijojnë një kosto të paprecedentë në 10 vitet e fundit në vend, bërjen e një reforme elektorale në mënyrë të njëanshme.  “Së paku ne do të kemi nevojë që për shkak të një ndryshimi qoftë edhe me konsensus të hartës të riorganizojmë të gjithë hartën e zonave të administrimit zgjedhor. Sot janë 89 dhe kthimi tek koncepti i rrethit si bazë e ndarjes territoriale që do qeveria do të na detyrojë ta çojmë nga 89 në 36 ose 40 zona të administrimit zgjedhor , do të duhet që për të evituar ndarjen e njësive të caktuara nga kufijtë e zonës se administrimit zgjedhor, sepse kodi zgjedhor e ndalon ndarjen e njësive në dy pjesë të ndryshojmë kriteret në kodin zgjedhor dhe kjo kërkon ndryshim në një ligj tjetër dhe nuk ka të bëjë me ligjin që kërkon të miratoje zoti Fino, Meta e Rama”, theksoi ai.

 

Deklaratat e kryeministrit/ Berisha: Rama, gjuhë urrejtje ndaj diplomacisë. Si kryetar opozite ishte baraz me një ministër

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi dje kryeministrin Edi Rama se në pritjen e organizuar dy ditë më parë  përdori një gjuhë urrejtje dhe përçmimi ndaj ambasadorëve të Shqipërisë në botë. Përmes një reagimi në rrjetin social FB, deputeti demokrat deklaroi se ishin pikërisht këta ambasadorë që kanë luajtur një rol të rëndësishëm për marrëveshjen e stabilizimi asoccimit apo për vizat. “Është kjo diplomaci dhe këta ambasadore, qe me përkushtim të madh bënë gjithçka në mbështetje të Pavarësisë së Kosovës dhe njohjeve ndërkombëtare të saj, ndërkohë që neo-bllokmeni Edi Rama vendoste çelësin e artë të Tiranës në gjoksin e albanofobit famëzi Bregovic. Rama urren këta diplomatë dhe me gjuhën e dajos së tij i quan dhe “hajvanë” sepse ata kanë luajtur rol të pazëvendësueshëm në firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit, në anëtarësimin e vendit në NATO, në heqjen e vizave, në rekomandimin dhe marrjen e statusit të vendit kandidat”, shkruante Berisha.  Më tej deputeti demokrat, tha se kryeministri mashtroi duke gënjyer se nuk ka patur protokoll me pare për kryetarin e opozitës ,ndërkohë që qeveria e kaluar prej shtate vitesh sipas Berishës me vendim të Këshillit të Ministrave, e ka trajtuar si një ministër. “Midis atyre diplomatëve që ofendoi Rama dje duke i quajtur “hajvanë” etj, natyrisht ka prej tyre që kanë të meta dhe dobësi, por midis tyre nuk ka vrasës, përdhunues apo trafikantë si në kupolën e PS”, pohoi Berisha.

 

Ambasadorët/ Bumci: Rama ka politizuar shërbimin diplomatik

Deputeti i PD-së Aldo Bumçi ka reaguar dje për largimin e pritshëm të 3 ambasadorëve shqiptarë në Itali, Angli dhe Bosnje nga ana e qeverisë, duke e quajtur atë si një akt hakmarrjeje politike. Në kohën kur ambasadorët Neritan Ceka, Mal Berisha e Flamur Gashi do të largohen nga detyra e tyre, ligjvënësi demokrat theksoi se nga 15 kandidatura për ambasador në këto muaj, më shumë se gjysma janë politikë dhe jashtë qëndrimit të karrierës.“Në fillimin e konferencës u përballëm me përjashtimin e tre ambasadorëve tanë në Romë, Londër e Sarajevë Ky është një akt hakmarrje politike. Mesazhi politik i kësaj konference vijoi edhe dje me fjalën e kryeministrit Rama. Rama ka problem me imazhin e tij në Europë, por kjo nuk vjen nga qëndrimi i trupave diplomatikë jashtë vendit, por nga qëndrimi i tij deri më tani. Kjo lidhet me qëndrimin e tij për 3 ligjet, për pengesat në liberalizimin e vizave. I kanë përjashtuar ambasadorët nga disa detyra, ata nuk shoqërojnë më zyrtarët në vizita”, u shpreh Bumcci, duke shtuar se në këto muaj qeverisje, e majta e ka shkatërruar trupën diplomatike me emërimet e saj politike.

 

 

 

Comments are closed.