Bilanci nga kreu i PD-së/ Basha: Në 300 ditë, qeveria solli vetëm papunësi, pasiguri dhe varfëri

0
143

Gëzim Saliu

Basha ne GjirokasterKreu i PD: Pavarësisht se kundërshtari po diskrititohet, ne nuk mund të flemë mbi dafina

Në 300 ditë, qeverisja e majtë ka shënuar përkeqësim në çdo aspekt, pasi qytetarët  kanë ndjerë më shumë pasiguri, varfëri e papunësi në jetën e tyre. Ky ka qenë konkluzioni i dhënë dje nga kryetari i partisë Demokratike Lulzim Basha për bilancin e 300 ditëve të ekzekutivit “Rama” gjatë pjesëmarrëses së tij në Kuvendin Zgjedhor të kësaj partie në Gjirokastër e Delvinë. Po ashtu, kryedemokrati ka theksuar se krahas situatës alarmante në rend e siguri, qeveria ka dështuar edhe me sistemin shëndetësor. “Një qeverisje e cila po zvarritet drejt 300 ditëshit të parë por që shqiptarëve po u duket si 3 shekuj. Vende pune nuk kanë hapur, vende pune janë mbyllur. A është përmirësuar shëndetësia ?! A paguajnë më pak shqiptarët për shëndetësinë ?! A ndihen më të sigurt shqiptarët 300 ditë pas premtimit absurd për të rikthyer diçka që e gjetën që ishte rendi publik ?! Ky premtim i marrë po i ndjek si hakmarrje në çdo fushë duke filluar me statistikat e vrasjeve që janë më keq se para një viti, të grabitjeve, të daljes përsëri të maskave të vjedhjeve, kërcënimeve ndaj pronës ndaj personit”, tha Basha.

 

Ringritja e PD-së

Duke vënë theksin tek përkeqësimi që ka sjell në këto 300 ditë qeverisja e majtë, Basha paralajmëroi demokratët që të mos ta cilësojnë këtë fakt si të mjaftueshëm për ardhjen e tyre në pushtet. Sipas tij pushtet çelësi i suksesit për të sotmen dhe të nesërmen e PD-së është ngritja, ribashkimi dhe zgjedhja në poste drejtueseve e njerëzve më të mirë.  “Ne nuk mund të flemë mbi dafina se kundërshtari po diskrititohet nga dita në ditë se mund ta marrim këtë si shkallaren e ardhjes tonë në pushtet. Ne nuk mund të fërkojmë duart e të bëjmë llogaritë me dështimet e kundërshtarit por duhet të bëhemi gati për ngritjen dhe ringritjen tonë. Përmes votës së lirë do të merrni përgjegjësinë tuaj si njerëz të lirë për të zgjedhur ekipin që ju mendoni se do t’ju udhëhequr drejt fitores, dhe do të keni drejtuesin që zgjidhni vetë”, deklaroi lideri i demokratëve. Ndërkaq Basha ka theksuar qartë në mbledhjen e kuvendit zgjedhor të Gjirokastrës se nuk do të tolerohet askush që përçan PD. “Vlerat e Partisë Demokratike janë debati dhe diskutimi i lirë. PD nuk i pengon rrugën asnjërit nga anëtarësia që të kandidojë për kreun e Partisë Demokratike në rrethe. Unë jam tolerant dhe jam i gatshëm që për çdo rival brenda PD-së të diskutojmë për të mirën e partisë, por do të ketë tolerancë dhe mirëkuptim zero për gjithkënd që çon në përçarjen e PD. Anëtarësimi masiv i rinisë në PD tregon se ata kanë besim dhe kjo na çon drejt fitores së afërt. Kemi lindur si parti e qytetëruar dhe do të mbetemi e tillë”, ka theksuar ai. Kreu i demokratëve ka marrë pjesë në të gjitha kuvendet zgjedhor në degët e PD-së në qytetet e vendit, ku ka nënvizuar rëndësinë e votës së anëtarësisë dhe përgjegjësinë që do të përçojë ajo tek drejtuesit e rinj. Sipas Bashës vetëm përmes zgjedhjes së figurave me personalitet, integritet dhe përgjegjshmëri, PD do të arrijë të përçojë tek qytetarët në mënyrë të qartë alternativën e saj për zhvillimin e ndryshimin e vendit.

 

 Ambasadori gjerman/ Ersekë, Hoffman: Pas marrjes së statusit, reformat janë domosdoshmëri për BE-në

Ambasadori i Gjermanisë ka komentuar dje marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, ku ka theksuar se tashmë Shqipëria duhet të gjejë rrugën e BE-së nëpërmjet reformave. “Pas përpjekjesh intensive Shqipëria ia doli para pak ditësh të bëhet vend kandidat për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Është në dorën e Shqipërisë që përmes një procesi të vendosur reformash dhe modernizimi të shtetit dhe shoqërisë të gjejë rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, tha kreu i diplomacisë gjermane nga Erseka, ku mori pjesë në përkujtimin e 71-vjetorit të masakrës së Borovës në të cilën më 6 korrik 1943, ushtarët gjermanë, vranë në mënyrë brutale 107 njerëz – mes të cilëve fëmijë, gra dhe të moshuar. “Për një gjerman nuk është e lehtë të vish këtu. Kjo përkujtimore është një shenjë pajtimi”, tha Hoffman. Pas meshës së mbajtur në kishën ortodokse të Borovës, ai vendosi një kurorë me lule në monumentin, që përkujton ngjarjen. Ambasadori falënderoi Kryetarin e Bashkisë dhe qytetaret e qytetarët e Borovës për ftesën, që i kishin bërë për të marrë pjesë në këtë aktivitet. “Fakti që ne, të gjithë së bashku, gjermanë dhe shqiptarë, përballemi me të shkuarën në një ceremoni të tillë përkujtimore, është një ndër mrekullitë e mëdha, që bëhen të mundura përmes pajtimit. Ky ekses dhune i ushtrisë gjermane është ngulitur thellë ne kujtesën e Borovës, por edhe përtej saj”, deklaroi Hoffmann.  Më tej në fjalën e tij , ambasadori solli në vëmendje rëndësinë e zhvillimit dhe të kujdesit ndaj një kulture të përbashkët kujtese: “Njerëzit që kujtojnë tmerrin, që disa njerëz u kanë shkaktuar të tjerëve, nxjerrin prej kujtimit të tyre detyrimin për të respektuar dhe mbrojtur të drejtat dhe jetën e të gjithë njerëzve”.  Ndërkaq Hoffmann shprehu vlerësimin për veprën madhështore të bashkimit të Evropës si një mësim i shkëlqyer nxjerrë prej tmerreve të të shkuarës tragjike. “Nëse prej historisë arrijmë të mësojmë të ndërtojmë këtë Evropë, nëse mësojmë se jemi të gjithë pjesë e së tërës dhe se kjo është Evropa e të gjithëve ne, atëherë mund të themi se kemi nxjerrë një mësim të mirë nga e kaluara jonë e vështirë”.

 

 Takimi me ambasadorët/ Nishani: Të çelim sa më parë negociatat , marrja e statusit mos na çojë në përgjumje

Marrja e statusit të vendit kandidati për anëtarësimin në Bashkimin Europian nuk duhet të përjetohet me vetëkënaqësi dhe përgjumje. Kështu deklaroi dje Presidenti i vendit Bujar Nishani në pritje që organizoi dje me ambasadorët e Republikës së Shqipërisë, duke theksuar se vendi tani duhet të synojë hapjen e negociatave. “Realizimi i këtij objektivi madhor nuk duhet të na çojë në përgjumje e vetëkënaqësi,. Duhet të luftojmë më shumë për plotësimin e prioriteteve duhet te çelim me shpejtësi negociatat për anëtarësim. Sepse BE, ashtu siç e vërtetoi javën e kaluar do e mbajë premtimin për të hapur dyert e Shqipërisë, ndaj ne presim nga ju siç do ditë, çdo orë të punë t’ia dedikoni këtij objektivi ne mënyrën më përparësore. Të çelim sa më parë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian”. Ndërkaq në konferencën e ambasadorëve të mbajtur paraditen e djeshme, u theksuar se diplomacia në veprim duhet të nisë nga vetja, duke i dhënë fund përçarjes së shqiptarëve në shtetet ku jetojnë dhe duke zgjidhur problemet shtetërore me fqinjët. Albin Kurti, liderin e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Shqipëria dhe Kosova duhet të ndihmojnë shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi, që të veprojnë sipas një platforme të përbashkët. “Shqiptarët, në këto trojet e tyre autoktone jashtë Kosovës dhe Shqipërisë, janë përgjithësisht të shtypur politikisht dhe të shfrytëzuar ekonomikisht, por në të njëjtën kohë janë edhe të përçarë nëpër parti. Pas një dakordimi të tillë, ata mund të inkurajoheshin që të garojnë në zgjedhjet lokale e parlamentare në vendet ku janë, me një listë të përbashkët, e së paku të mos jenë disa parti shqiptare në pozitë e disa në opozitë, sepse duke u marrë me njëra-tjetrën nuk u del koha të merren me shtetet që i shtypin”, u shpreh kreu i VV. Ndërkaq ish-zëvendës/ministri i Jashtëm, historiani Pëllumb Xhufi, u fokusua te marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë, duke besuar se jo inferioriteti, por partneriteti mund të zgjidhë probleme të së kaluarës, që janë lënë të paprekura, edhe pse mes dy vendeve, prej 20 vjetësh, ka një traktat miqësie. “Ne kemi boshllëqe, na mungojnë marrëveshjet për rregullimin e regjimit të ujërave, për regjimin kufitar me fqinjët, për pronat.”, u shpreh ai, duke shtuar se në raport me fqinjët, Shqipëria mund të zbatojë me sukses doktrinën e presidentit Obama, se marrëdhëniet e mira i bëjnë marrëveshjet e mira.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency