300 ditë qeveri/ Rama: Puna në lartësinë e besimit të qytetareve, nga shatori nis viti antikorrupsion

0
143

Gëzim Saliu

mbledhja e qeverise edi rama cuditshemAnaliza e 300 ditëve të qeverisë, çfarë u arrit dhe ku dështoi qeveria me premtimet e saj

Në një mbledhje informale të qeverisë, kryeministri Rama së bashku me ministrat e kabinetit ka analizuar dje 300 ditët e para të pushtetit, duke theksuar në mbyllje të takimit se Plani i Veprimit për hapat e mëtejshëm të “Rilindjes” është gati. Mbledhja e cila nisi  paraditen e djeshme dhe u mbyll rreth orës 21:00 të mbrëmjes, kishte në qendër të saj të dhënat e sjella nga çdo ministër për ecurinë e dikasterit përkatës në këto 300 ditë. Burimet pranë kryeministrisë bën të ditur se në takimin me dyer të mbyllura, se pas paraqitjes së tabelave me rezultate nga ana e ministrave si edhe përcaktimin e prioritete për vitin e ardhshëm, kreu i qeverisë ka nënvizuar domosdoshmërinë e rezultateve në luftën kundër korrupsionit. Në reagimin e tij në rrjetin social twitter, Rama ka theksuar se është ndjerë i lumtur me punën e bërë nga qeveria që drejton, duke pohuar se plani me masat e mëtejshme është i përpiluar me detaje për çdo fushë. “I kënaqur me skuadrën pas një dite pune te përbashkët për detajimin e planit të veprimit më tej për Rilindjen qe duam”, shkruante kreu i qeverisë.

 

Rezultatet

Sipas kryeministrit Rama nga shtatori do të nisë viti antikorrupsion, duke e cilësuar luftën ndaj këtij fenomeni si prioritet për qeverinë e majtë. “Sot ditë e gjatë pune e qeverisë për bilancin e 300 ditëve dhe përgatitjen e vitit të dyte qeverisës -Viti Antikorrupsion, shtator 2014-15”. Ndërkaq sa i përket të dhënave dhe rezultateve, kreu i qeverisë i paraqiti ato si pozitive dhe në raport të drejtë me besimin e dhënë nga qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e 23 qershorit. “Analiza e sondazheve të përjavshme të 300 ditëve flet për qëndrimin e qeverisë në lartësinë e besimit të qytetareve. Të dhënat janë shumë inkurajuese të ekonomisë e përgjithësisht të qeverisjes në 300 ditë”, theksoi Rama.

 

Analiza

Ndër premtimet kryesore të qeverisë së majtë me marrjen e pushtetit ishin ato për sigurimin e rendit brenda 300 ditëve, rimëkëmbjen e ekonomisë, hapjen e 300 mijë vendeve të punës si edhe premtimi për shëndetësi e legalizime falas. Sa i përket sigurisë, mund të thuhet se ndër arritjet kryesore do të mund të quhet ndërhyrja e policisë në Lazarat, ku ndërkohë nga ana tjetër nuk kanë munguar shifrat e larta të vrasjeve. Po ashtu problemet e shumta që u shfaqën pas dy muajve të parë të qeverisë sa i përket shpërthimeve me tritol përbëjnë një tjetër pikë jo pozitive. Ndërkaq në listën e rezultateve pozitive për qeverinë “Rama”  është edhe marrja e statusit të vendit kandidat në fund të muajit qershor, padyshim një hap i rëndësishëm i Shqipërisë drejt objektivit të saj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Lidhur me situatën ekonomike, rritja e borxhit publik në nivelin 72% të prodhimit të brendshëm bruto, sigurisht që nuk është një e dhënë pozitive, pavarësisht se mazhoranca dhe opozita ndajnë qëndrimet të kundërta për këtë çështje. Kështu qeveria theksoi se marrja e borxhit ishte një domosdoshmëri për shlyerjen e borxheve që shtetit kishte ndaj kompanive private e ndërsa opozita e ka cilësuar këtë si një justifikim, pasi sipas saj, niveli rekord i borxhit ka pasoja për ekonominë e vendit. Një tjetër premtim i rëndësishëm ishte ai për hapjen e vendeve të reja të punës, ku hapi i ndërmarrë nga qeveria ka qenë ai për çeljen e disa zyrave të punësimit në qytetet kryesore të vendit. Por ndërkaq, shifrat e bërë publike edhe nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit për 10 muaj, tregojnë se ekzekutivi është ende shumë larg përmbushjes së premtimit për 300 mijë vende pune brenda 4 viteve. Ndërkaq sa i përket legazilimeve,  qeveria ka nxjerrë një ligj të ri, ku pavarësisht faktit se procesi në tërësi është falas, nuk do mungojnë pagesat nga ana e qytetarëve. Këtë të djathtët e kanë cilësuar si një nga mashtrimet e mëdha të mazhorancës së majtë, si edhe rastin e sistemit shëndetësor falas. Gjithashtu në këto muaj pushtet, kryeministri Rama u përball me një protestë mbarëpopullore që e detyroi të hiqte dorë nga çmontimi i armëve kimike siriane në vend, si dhe me dy greva urie, atë të të larguarve nga administrata dhe grevën e ish-të përndjekurve politikë.

 

Fajdet/ Biznesi, qeverisë: Të merren masa për zhdukjen e fenomenit

Biznesi i bën apel qeverise që të marrë masat e duhura në mënyrë që të zhduket fenomeni i fajdeve. Konfindustria përmes një reagimi publik theksoi dje se nga të dhënat që ka nga bizneset anëtare të saj, situata e huamarrjes informale është ne rritje dhe po behet shqetësuese. Shume nga sipërmarrësit ne mungese te aprovimit te një kredie nga bankat, drejtohen te marrin para borxh ne mënyrë jo te ligjshme çka mbart interesa te larta, kosto te mëdha, por edhe risk për shume prej tyre. Edhe pse norma e interesit te lekut nga Banka e Shqipërisë është ulur ne minimumin historik kjo nuk ka ndikuar ne shtimin e kredisë dhe as ne lehtësimin e procedurave. Serish edhe për pjesën e pare te vitit kredidhënia rezulton te ketë rene me 1.7% krahasuar me një vit me pare. Ky është viti i pare qe kredia për ekonominë tone ka ulje me vlera negative.

 

Konferenca shkencore në Tetovë/ Integrimi i rajonit në BE: Sfidat e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë

Integrimi i vendeve të Europës Juglindore në Bashkimin Europian mblodhi dje në Tetovë, akademikë, profesorë, diplomatë e politikanë nga të gjitha trojet shqiptare, në Konferencën e Tretë Shkencore Ndërkombëtare. Në takimin dy ditor të organizuar nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Ballkanike, mbështetur edhe nga komuna e Tetovës, u vu theksi te sfidat që ka përpara rajoni, sidomos Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Sipas organizatorit të këtij eventi, Arsim Sinani, kjo nismë shërben për ndërtimin e një strategjie mbarëkombëtare për integrimin nga ana e akademikëve shqiptarë. “ Është një forum gjithëshqiptarë i akademikëve shqiptarë. Ne me këtë rast ne dëshirojmë ti urojmë Shqipërisë marrjen e statusit të vendit kandidat. Për ne është prioritet republika e Shqipërisë dhe do të thotë se shqiptarët do të faktorizohen”, tha ai.  I pranishëm në këtë takim ishte edhe ministri i drejtësisë në Maqedoni, Adnan Jashari, i cili vjen nga radhët e BDI-së. “ Vlerësoj se integrimi euroatlantike një ditë do të ndodhi por përmes konferencave të tilla, duhet gjetur rrugë se si do të bëhen më shpejt ky proces”. Ndërkaq diplomati Blerim Reka theksoi se takime të tilla ndikojnë në qartësimin e rrugëtimit të vendeve tona drejt BE-së. “ Iniciativa e re e kancelares Merkel që të institucionalizohet një samit me vendet e Ballkanit Perëndimor çdo vit është e vetmja nismë serioze dhe e besueshme që të shtyjë procesin përpara”, pohoi ai. Konferenca e djeshme ishte pjesë e një numri takimesh që pritet të mbahen në vijim në qytete të ndryshme edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency