1949/ Letra e Kapedanit të Mirditës, cili ishte plani i Parlamentit anglez për qeverisjen e Shqipërisë

0
249

mustafa 2Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit, çdo ditë, të disa letrave të rralla, së pari me letërkëmbimin e Krujës me familjen Gjonmarkaj dhe kryesisht, siç do ta shohim në këtë vëllim, me kapedanin e Mirditës

 Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit të disa letrave, së pari me letërkëmbimin e Krujës me familjen Gjonmarkaj dhe kryesisht, siç do ta shohim në këtë vëllim, me kapedanin e Mirditës, Ndue Gjonmarkun, figurë e mirënjohur historikisht e Derës së Gjonmarkajve të Mirditës, që udhëhoqën luftën ma të vendosun antikomuniste të krahinës në fjalë e ma vonë e shtrin në tanë territorin e Shqipnisë.

“Çfarë përfytyrimi i kthjellët i s’ardhmes, çfarë idili shpirtëror me thelbin e atij përfytyrimi, çfarë besimi në fuqinë e së mirës që strehohet në thellësitë e pafund të shpirtit të popullit që jeton në një letargji të përkohëshme, thellësi të depërtueshme vetëm nga njerëz të mbrujtun me aftësinë për të parë larg, përtej horizontit të një epoke të përflakur nga ngjyra e gjakut! Prej saj burojnë ëndrrat më frymëzuese dhe përkunden shpresat më të guximshme për sendërtimin e s’ardhmes, edhe se errësira mbulon gjithshka”, – shkruhet mbi këto letra në parathënien e vëllimit të parë. Ndërsa vetë Kruja do të shprehej: “…Në pjesën mâ të kulluet, aty ku ndërgjegja ndritë si pasqyrë xhixhilluese, t’a ngrehim Idén e nji Shqipnije e cila për secilin prej nesh të ketë fytyrën e zêmrën e nânavet tona, edhe të jetë ngushllimtare, dashunore e e adhurueshme, por sidomos e drejtë kundrejt të gjithë të Bijve në të dám të hirevet e të miradinavet të veta..”. Ky profil i Shqipërisë, asaj të ëndërruar artikulon në letrat e Krujës jo vetëm mendimin e hapur, pa pasione politike, pa urrejtje e mllefe, por për të zënë vend si një shtet i lirë, e përcjellë vlerat qenësore të kombit. Në letrën e mëposhtme të Kapedanit të Mirdites, shihet qartë gjithë përpjekja për të bashkuar partitë dhe personalitetet në mërgim në një Komitet, por me pak shpresë se do mund ta çonin çështjen deri në përmbysjen e regjimit të Enver Hoxhës, për shkak të përçarjes dhe situatës së pafavorshme në rajon.

 

Romë me 27 gusht 1949

 I dashtuni Mustafë,

 

Kah mjedisi i Qershorit pat ardhë në Romë Z. Herbert i cili u takue me né (babën e mue). Biseduem gjanë e gjatë mbí çashtjen Shqyptare edhe na tha: “Kam dishrue me ju pà e me bizedue mbì çashtjen Shqyptare e mundësinë e formimit të nji Komiteti. Koha po ecë me hapa të shpejta e me tê shum gjana do të ndryshojnë. Mbrenda pak muejve do të lejnë gjana të reja, edhe Shqypnija asht në rrezik. Jugoslavët kan njerz, e edhe Grekët do t’i gjejnë, prandej dishroj qi të formohet nji Komitet e qi ma vonë të xâjë vendin e nji Qeverije formale. Dishroj qi edhe Shqypnija të përfaqësohet në Kongresin Pan – Europjan. Në Londër po formohet grupi “Miqtë e Shqypnisë” i përbamë prej oficerave e civilave qi kanë kênë në Shqypní e qi disa prej tyne, besohet të dalin deputetën në zgjedhjet e ardhëshme; këta kan me mbrojtë çashtjen Shqyptare në parlamentin Ingliz. Për të gjitha këto arsyena dishroj të bahet bashkimi i Shqyptarve e sa mâ parë të formohet Komiteti.”.

Biseduem gjanë e gjatë mbi grupet politike dhe rreth kolaboratorëve. I thashë se “Bloku” asht gati për çdo bashkëpunim dhe ju siguroj qi asnji prej nesh nuk ka me kundërshtue, por bashkimi duhet të bahet mbi baza pariteti e sinqeriteti. Në kjoftë se ndokush, person apo partí, kërkon me pasë syperaní mbi të tjerët ose kujton se do të ketë privilegje, gabohet dhe bahet shkaktari i mos bashkimit. Të gjith jemi Shqyptarë edhe e njofim njeni tjetrin ma së miri e të gjithë e duem Shqypninë e për Shqypní kemi luftue jo vetëm sot, por me shekuj; prandej duhet t’i napim dorën shoqishojt e me luftue komunizmin qi po sundon me terror e me gjak popullin Shqyptar. Jemi katër Grupe Politike: Balli Kombtar – Legaliteti – Lidhja e Dytë e Prizrendit (Grup i Kosovarëve) edhe Bloku Kombtar Indipendent.

Asnji prej këtyne Partinave nuk mundet me thanë se “Unë” përfaqësoj popullin Shqyptar. Do t’a dini mâ së miri se çka mendon Balli, por un po ju deklaroj se Bloku e konsideron vetin si përfaqsues të partisë tij qi âsht në Shqypnì e jo përfaqësues’i disà vetve qi gjinden ner kampe. Në ket rast besoj se nuk gabohemi me ju thanë se nuk e ndijmë vetin aspak mâ të dobët se të tjerët. Jam i sigurtë se popullit i kan dalë predikimet t’ona, për sa i përket komunizmës, dhe ai popull i din tashmà se kush i luftoi me të vërtetë. Kur na i kishim hapë luftë, të tjerët bashkëpunojshin me ta (Balli e Legaliteti).

M’a preu fjalën e më tha: “Po at herë ishte lufta dhe ishin ba deklaratat e Teheranit”. I u përgjegja: “Piksëpari na ishim shqyptarë e si të tillë na do të shikjojshim interesat e Atdheut t’onë. Në komunizëm na parashifshim jo vetëm rrezikun e Atdheut por çfarosjen e popullit Shqyptar, e sot koha po na ep arsye. Në kjoftë se Balli na akuzon për kolaboracjonizëm asht kot të mundohet me ruejt virgjinitetin e vet pse nuk âsht aspak ma i pastër se na, e ju e dini z. Herbert mâ së miri; prandej asht kot me u marrë me ket çashtje. Na Bloku do të mundohena me heshtë e me ndej larg polemikave deri sa të jemi në dhe të huej pse nuk e pranon prestigji i ynë nji gja të tillë e s’duem me u ba shkaktarët e haxharëve të rì qi i ngulen në zemër atij popullit qi po shtypet aq mizorisht, por kur të vemi në Shqypnì do t’i hapim kartat”.

Më pëveti për Midhat Frashërin se ç’mendojshem. I thashë: “Kërkush, me sa di unë, nuk asht kundra tij. Të gjithë dishrojmë me bashkpunue me tê, pse e çmojmë si për kulturë e për eksperjencë, i a dijmë të kaluemen e i rispektojmë moshën; besoj se në nji bashkim Grupesh mundet të zgidhet edhe Kryetar, por edhe Midhat Beu duhet të dijë se ka njerz qi për kulturë – eksperjencë – për të kalueme patriotike e Atdhé-dashunì nuk i a lëshojnë vendin. Duhet t’a dijë se edhe Shqypnija nuk ka mbetë me u vjerrë vetëm në Midhat Beun. Mbasi ai e ndinë vetin me ket superioritet, le t’a marri Flamurin e na po e ndjekim, por natyrisht të vijë, t’i mbledhi Shqyptarët, t’i u predikojë dhe t’i u diftojë mendimin e programin e tij. Përndryshe asht e kotë pse nuk besoj t’a marri kush mbrapa me sy mbyllë”.

A keni pasë pjekje me Inglizët giatë luftës? Më pëveti. I thashë: Nuk kemi pasë kurrfarë pjekje me ta, jo pse na nuk dishrojshim, por pse nuk jemi kenë të kërkuem prej tyne. Me gjithate, na qi ishim në fuqì nuk i kemi ngucë as nuk i u kemi qitë telashe e ata kanë lëvizë lirisht kah kanë dashtë, e jo vetëm nëpër male por edhe nëpër qytete. Për ma tepër e dijshim edhe me kê ishin e ku ishin. Kjo don me thanë se na nuk ishim kundra politikës qi Shqyptarët bajshin me Aleatët por dishrojshim qi ajo politikë të na epte fryte të mira për t’ardhmen e Shqypnisë e për nji Shqypnì ethnike. Deshiri ynë ishte edhe, asht e ka me kênë gjithmonë e për tê do të luftojmë: me pasë Kosovën. Me forcë na e shkëpusin prep, si na e patën shkëput tridhet e gjasht vjet ma parë, por na, Amen s’thomi kurrë!”. Kjemë edhe me Ernestin, biseduem për mà se nji orë dhe u damë mirë me tê.

Nuk kaloi moji e i a mërrini Bazi. Ç’prej vizitës së parë nuk m’u duk se ka me dalë gja e frytshme prej tij. Gjatë ndejës së tij, vetëm dy herë jemi takue, edhe n’ato dy herë s’kemi folë për politikë, pse na tha qi do të shifemi. Preokupimi i tij ishte Midhati e me tê rrite gjithnji. Prà: Bazi ka kujtue se, mbasi të lidhet me Midhatin, na do t’a merrshim mbrapa qorras (kjae Zot të keqen), tue kujtue se na kemi mbetë si zogj të true, e prandej po e presim me krahë të hapët propozimin e Abaz Kupit. Ai këtê e ka marrë si nji favor, e prandej ka kujtue se po na bahet qefi e pa pvet kend, pa u këshillue me shokë po i napim fjalën e me këtê puna e kryeme. Kjo asht kenë nji dredhì, d.m.th. me na prishë me shokë e kështu me zhgatrrue Blokun. Por ka gabue Ai edhe të tjerët qi e kanë shty! Hypotheza e dytë, në qoftë se nuk janë vue d’akord me Midhatin, nuk don spjegim: Midhati e ka shtie në thes Bazin.

Nuk kaloi shumë kohë prej bisedimit me Bazin, e vjen Sait Kryeziu e më thot se Inglizët dishrojshin me më pà. Shkova. Ishin Mac Lean dhe Hare dhe më thanë: “Si e dini asht formue Komiteti, prandej edhe Ju duhet të merrni pjesë. Ky Komitet asht i përbamë prej personaliteteve e jo prej grupeve. Selija e tij ka me kenë në Ëashington. Të gjithë personat me influencë janë mbrenda, prandej edhe ju duhet të merrni pjesë. Dishrojmë qi edhe Kapidani i Mirditës t’a xajë vendin e vet në kët Komitet, e nuk kishte me kenë mirë, për shumë arsyena, të mbeteni jashtë. Po nuk muertë pjesë keni me mbetë në pakicë. Kryetar asht Midhat Frashëri, Antarë: Abaz Kupi, Sait Kryeziu, Ihsan Toptani, Muharrem Bajraktari, Gaqi Gogo, Stavri Skendi, Nuço Kota e shum tjerë qi s’po me bijnë në mend, edhe Ju Ndue Gjomarkaj e Ndue Paluca.” E pveta nëse Midhat Frashëri e Abaz Kupi marrin pjesë si persona a por si Kryetar partinash? M’u përgjegjën se merrshin pjesë si persona. I thashë se nuk e besojshem nji gja të tillë. Për me më ba me besue, ata të lëshojnë nji deklaratë e tue thanë se nuk janë ma kryetarë partinash e as nuk bajnë pjesë në asnji parti politike e se në Komitet shkojnë vetëm si persona; at’ herë edhe unë në marrveshtje me shokët e mì e baj nji deklaratë të tillë edhe jam gadi. Deri sa ata mos t’a bajnë këtê, un nuk ju besoj e se n’at Komitet nuk marr pjesë ndryshe, vetëm si përfaqësues i Blokut “a parità”. Mandej nuk më duket qi ky Komitet të ket bazat e shndoshta pse në tê nuk âsht e vërtetë aspak të jenë të përfaqsuem të gjitha personat me influencë. Mungojnë shum e shum kishin m’u dashtë me u largue. Nji veprim i tillë asht krejtsisht në kundërshtim me parimet demokratike; këtu më duket se ju doni të më impononi d.m.th. ky veprim asht nji DIKTAT e prandej më vjen shum keq por s’pranoj diktat prej kërkuej. S’ka mbetë Shqypnija vetëm me Midhat Frashërin e Abaz Kupin, ka edhe tjerë qi janë në naltësinë e tyne. Doni ju t’a bani kështu, e keni në dorë e banje, por nuk besoj qi na të tjerët kemi me mbetë në pakicë. Na kemi me kenë me të gjith ata qi nuk kan me e njoftë ket Komitet. Sà për mue, mos bani aspak marak se e kam zgiedhë rrugën t’ême. Un i kam falë popullit të krahinave të mija (për mos me thanë popullit shqyptar), dy vllazën, nji familje qi dergjet nëpër fushat e përqëndrimeve e nji pasunì mjaft të madhe; kurse ata qi sot duen me përfaqësue Shqypninë e popullin Shqyptar e duen me folë n’êmën të Tij, nuk i kanë falë kurrgjâ. Me gjithatê, ne kjoftë se ky Komitet qi mâ vonë mund të xâjë vendin e nji Qeverije dhe ka me shkue në Shqypnì, un kam me e dijtë nëse kam me kênë i lirë për me u këthye në vendin t’êm e me u strukë n’at trullë të pà mëlojë ose kam me mbetë jashtë e ma kalue restin e jetës s’ême n’emigracjon. Por mbasi koha paska mërrijtë për me formue nji Komitet e se dashkeni me vue Midhat Frashërin Kryetar, puna bâhet kollaj. Kërkush nuk âsht kundra Midhatit, prandej këshillonje qi të dali në shesh, të mbledhi shqyptarët, t’i u flasi, t’i u diftojë programin e tij, e jam i sigurtë se të gjithë kishin me dashtë me dijtë përpara, se ç’ka mendon e ç’ka dishron.

Në kjoftë se ata mendojnë se kanë shumicën, besoj se janë gabim, pse kërkush prej emigrantave nuk mundet me dijtë me sigurì sot se çfarë partije kà në Shqypnì. Çdo previzjon âsht nji gabim. Në kjoftë se ata mburren për shumicën qi ndoshta kanë nëpër kampe, nuk më duket nji arsye për të cillën ata duhet të kenë privilegje. Në kjoftë se ky Komitet duhet të përfaqësojë Shqyptarët e kampeve, mundeni me e bâ kështu si e keni nisë; në kjoftë se doni qi komiteti të përfaqësojë popullin Shqyptar qi po vuen n’Atdhé prej nji diktature të pa shembëllët në historì, duhet të ndjekni nji tjetër proçedurë: atê të bashkimit të forcave antikomuniste shqyptare pa dallim partish. Në kjoftë se mburren se kanë fuqì t’armatosuna, na i a u kemi pà fuqinat në Shqypnì, pra tham qi janë në gabim. Shqyptarët kan fillue me u bâ megalomanë pse dikush thotë kam 200 vetë, dikush 500, dikush 5000 e po t’i ndjekim me vërejtje na del krejt populli shqyptar “ USHTAR”. I pëves nëse Mbreti Zog e mbështet Abaz Kupin në kët drejtim politik qi Bazi po ndjek? M’u përgjigj se po. I thashë se: në kjoftë se Abaz Kupi vepron si Kryetar i Legalitetit e njikohësisht i mbështetun prej Mbretit Zog, tham qi Abaz Kupi kà randësì; por në kjoftë se Zogu e abandonon, atëherë Abaz Kupi âsht si nji çdo Shqyptar. Na jemi Shqyptarë dhe njofim mâ së miri fuqinë dhe influencën e shoqi shoqit. I tham se un këtu n’Italì kam vetëm 6 mirditas, kjo nuk don me thanë se un mos të kem nesër gjashtqind ase gjashtmijë në Shqypnì; por mundet me ndollë qi edhe këta të gjashtë të më abandonojnë. Prandej tham qi duhet me shkue me kadalì, me bisedue e me rà n’ujdì njeni me tjetrin e jo me u bazue me thanë e thashat e njenit ase të tjetrit. Me të vërtetë qi komunizma ka bâ dame të mëdhaja, por duhet të mendojmë se mundet me lanë edhe gjurma: Shqypnija mundet qi ka ndrrue fytyrë.    Shof se në ket Komitet nuk âsht as Ali Klisyra as Koço Muka dhe nuk shof emnin e asnji kosovari. Nuk m’u përgjegj, por filloi bisedë tjetër. I tham: sikur sikur un të merrshem pjesë, a kishem me kênë i lirë me folë për Kosovë? M’u përgjegj se jo. Kjo mjafton për mue mos me pranue. E pëves për Ismail Vërlacin e më tha qi nuk e duen. I përgjegjem se na jemi në dijeni të fakteve, e se Balli posë qi na lufton politikisht ka edhe mentalitetin skandalistik dhe s’kam lanë kurgja pa shkrue për ne ndër qarqet Anglo – Amerikane, por kemi na shqyptarët nji proverb qi thotë: i shàmi shan. Prandej me “nuk e due” nuk bâhet punë as politikë, e mbasi ata nuk duen as un nuk i due. Duhet t’a dini se un bâj pjesë në nji partì politike e nuk mundem me tradhtue firmën t’ême e shokët e mij. Kemi pasë përpilue nji protokol n’Alexandrì, por njerzìa po lëpinë pështymën e vet, un jam Kapidan’i Mirditës e ket punë s’mundem me e bâ. Me kaq edhe bisedimi me Inglizët.

Abaz Ermenji ka ardhë n’Italì i pruem prej Inglizëve nga Greqija edhe bashkë me Sait Kryezinë kan kenë në “Territorio libero di Trieste” Zona B, ku kan tokue me Gani Kryezin bashkë me emisarët e Titos; mandej kan shkue edhe Midhati e Bazi e janë pjekë me ta. Këta (Balli) kan pasë hì në marrëveshtje me anën e Sait Kryeziut, qi asht nderlidhëc me Inglizët, me Belgrad, pra me Ganìn. Si e din në Shkup asht Komiteti qi kan formue Jugosllavët me Ganìn Kryetàr, Cen Elezi, Dan Kaloshi, Ramadan Bajraktari (I vëllai i Muharremit), Nik Sokoli, antarë. Duket se Jugosllavët i u kan propozue qi të venë në Kosovë, por këta kan pasë frigë prej reaksjonit të Shqyptarve e ma tepër frigën se mos po bahet ndoj turbullinë në Jugosllavì dhe po mbesin mbrendë. Këta, tue pà situatën Internacjonale të turbullët – tue pà se Greqija bani akordin me Jugosllavinë dhe Jugosllavìa preu ndihmën çetave greke – tue pà luftën e nervave në mes t’ Jugosllavisë dhe të Shqypnisë dhe formimin e Komitetit të Shkupit me Ganìn Kryetàr – tue pà se edhe Inglizët po interesohen, e kujtuenë punën e kryeme e prà edhe davanë e fitueme. Këto janë arsyenat qi i kan shtye të shpejtojnë formimin e Komitetit pà të tjerët…..

Tashti i dashtuni Mustafë të kam shkrue mjaft giatë e mjaft kjartë. Kudo Shqyptarët janë çuditë per sjelljen e Bazit dhe të gjithë pvesin: A asht me këshillet e Zogut për me përçà shqyptarët (e mbasi nuk mujt me prishë Blokun nuk e ka krye si duhet misjonin e tij) a por e ka me mende të vet e në kundërshtim me politikën e nesërme të Zogut. Për këto arsyena duhet nji skjarim prej andej. Tashti puna ka mbetë te Legaliteti nën udhëheqjen e Mbretit e te Ali Klissyra e te Koço Muka për pjesën tjetër të Ballit. Na, Bloku, bashkë me grupin e Kosovarëve i rrijmë besnik protokollit t’Alexandrìs, qi pa dyshim asht nji hap qi përban bashkimin e Shqyptarve antikomunista.

Të lutem kët letër këndoja edhe Ago Agajt e Nexhmedin Qoralliut mbasi janë Blokista dhe kjo përfaqëson mendimin e gjithë shokve.

Me kaq ndalohemi e me mallë Të përqafoj

I Yti gjithmonë

(Ndue Gjomarkaj)

P.S. Koço Muka i din këto bashkëfjalime, prandej mbasi kjo letër përfaqson edhe mendimin e shokëve, mundesh me ja u diftue edhe të tjerve. Ndigiuem deklaratën e Mbretit; bota e vogël shqyptare asht çuditë e tronditë (kundërshtarët e simpatizuesat e Komitetit) . Idem

 

 

Aleksandrí, me 5 Fruer 1950

            Fort i dashtuni Kapidan,

Qetash e mora letrën t’ande e po marr me t’u përgjegjun.

Në letrën e parë deshta me i dalë zot vetes, si ai qi s’ka shka bân tjetër veçse me qá e me shfrye me nji mik. Sod e kam qitë cekën me i dalë zot Blokut qi më ka ngá aqë rândë, me i dalë zot due me thânë tue i dhânë nji kshill miqsuer, se prap mik jam un qi jam mësue me bartë, tue i kallzue nji rrugë se si me dalë prej nji gabimi të madh në të cilin ka rá. Âsht e vërtetë, e dij edhe un, se me i dhânë kuj kshille pa t’i lypun quhet mênde e madhe e shpesh herë bâhet njeri edhe qesharak me ta. Por un po e pranoj edhe këtë.

Un po e besoj, si thue ti, se faji âsht bâ pa qëllim prej anës së Blokut me fye kênd, por vetëm pse cullët, sikurse kam thânë edhe në letrën e parë, qi kanë në dorë gazetën, me mênden e shkurtën të tyne s’e kanë kuptue se ç‘janë tue bâ. Më fal, por prap due me u spjegue me shqipen t’onë, me gojë të maleve t’ona. Liço âsht nji djalë i asaj shpije qi quhet Blok. Qênka budallë ai, mirë, por âsht djalë i asaj shpije. Kjo i ka vû armët mbë krahë djalit (i ka dhânë në dorë gazetën). Ai del e bâhet bashkë me nji hor, qi s’e ka njohun as vetë ndoshta, edhe i a nisin me qitun në shêj kundra njerzve prej mishi e gjaku. Dikush plagohet mâ rândë e dikush mâ lehtë qyshë në pushkë të para në muej të shtatorit. Mbreti Zog fyhet botnisht me fjalët mâ të poshtrat. Edhe belaja mâ e madhja âsht qi familja e Blokut dikur ka pasë qênë anmiqsue me këtë njeri e sod gjindej me tê në nji farë bese qi nesër ishte uzdaja me u kthye në nji pajtim të plotë për të mirën e të dý palvet e të vêndit mbarë. Shka do të mendojë atëherë vetë i plaguemi në zêmër e bota rreth e rrotull? A do të thotë se fajin e ka djaloshi budallë e shoqi i tij hor? Po kush i njeh ata? Bota njeh shpín, qi ka mbrênda burra të pjekun, t’urtë, të besës e të përmêndun. Si paskan gabue këta burra me i dhânë djaloshit pa mênd e në shoqní me hora nji koxha mitralioz në dorë pa fé kontrolli? “ Jo, këtu ka dishka tjetër, janë anmiqsít e vjetra, qi burrat e Blokut s’i paskan harrue e s’dashkan me i harrue!” Kështu do të mendojë, e me të drejtë, i plaguemi bashkë me kêdo qi nuk mundet me i dijtun punët e jueja atje mbrênda. E të tânë pleqt e maleve me i mbledhun, s’kanë si me e pleqnue ndryshe. Sepse:

E para, Burrat e Blokut nuk dhanë asnji shêj mospëlqimi të fajit qi u bâni djal’i shtëpís.

E dyta, shoqnija e djalit të marrë me horin vazhdoi me muej e horlliqet u shtuen. Prap burrat e Blokut heshtën, do me thânë pra se i pranuen.

Edhe un po due me t’u betue me të tâna nj’ato bé të shêjta qi më bâjshe ti mue qi Mbreti s’m’ a ka zânë asnji herë me gojë këtë punë e un atij jo se jo. Ai âsht nji asi typash qi s’ta thonë kurrë se ku u dhêmb e ku u therë. Por pse s’ankohet nuk don me thânë se nuk e ndien të keqen. “ E po se e ndieka, ç’u bâ?!” Oh! Po or po, por un i shueti kujtoj ende se kemi të gjithë do qëllime mâ të nalta se krenít e mënít t’ona. Sa për me zêmër mbandej më vjen keq për do burra të thjeshtë rreth tij qi si me të zotin ashtu me tjerët s’kanë pasun e s’kanë qitun prej goje kurrë fjalë të keqe për Blokun e blokistat, por veç të mira sa kanë mujtun.

Âsht pra nevoja për nji melhem të shpejtë, i dashtuni mik. Këtu po vij te kshilli qi deshta me ju dhânë. Jo për vete, por për të tjerët, tue fillue prej Mbretit Zog qi s’proteston. Gazeta e juej duhet të dalë me nji artikull n’emën të Blokut qi t’a lajë fajin qi âsht bâmë, për të gjithë sa janë prekun. Për vete personalisht s’më duhet kurrgjâ, Bloku të lahet me tjerët, se me mue sa të jeshë ti aty e ka kollaj. Me i a vûmë fajit e me lypun ndjesë për tê, âsht nderë e burrní për burrat e fortë. Veç cubat e gjagajdurrat e quejnë për marre. Me gjithë këtê ju bâni si të doni. Mue kaqë më preu mêndja e kaqë thashë. Kur u ndi këtu atentati kundra Z. Vërlacit s’mbet kush pa i erdhun keq sinqerisht. A s’âsht mëkat me e prishun kët’atmosferë pa pikë nevoje?

Liçon mos e ngani. As nuk prish as nuk ndreq gjâ puna e tij. Edhe po deshtët me e nxjerrë atë gazetë ai ju duhet. Pse s’e merr në dorë Ernesti vetë atë gazetë katër faqesh qi del nji herë në muej? Së paku drejtimin e kontrollimin e saj. Nuk lëshohet veresije organi zyrtar i nji partije. Ajo ka nji përgjegjësí të madhe, komprometon të tânë organizatën, ashtu sikur ju ndodhi. Fajet e cullvet u jesin gjithmonë të parvet të konakut.

Nuk jam tue i shtue gjâ tjetër ksaj letre. Po pres prej teje. U çudita si s’i kishe dhânë ndoj letër për mue Dr. Qemalit, por veç pak fjalë me gojë. Tash ka me ardhun Fortuzi. Ishalla kjo letër e ime e gjên pa u nisun e m’a bie ai ndoj letër prej teje, të gjatë e me lajme të mira.

Me shumë mallë të përqafojmë bashkë me Gjelën.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency