Sektori minerar, përgatiten ligje të reja

0
139

Ervin Kaduku

Amendimi parashikon çlirimin e subjekteve nga pagesa e garancisë pas përfundimit të periudhës së investimit

 

miniera-940x440

Qeveria ka ndërmarrë së fundi nismën për rishikimin e disa praktikave ligjore që do të përmirësonin menaxhimin e sektorit minerar, si një nga më problematikët në vend. Dy duket se do të jenë ndryshimet kryesore: mbi servitutin dhe nënkontraktorët. I pari përcakton qartë që t’i jepet fund shfrytëzimit të rrugëve ekzistuese nga ana e subjekteve dhe realizimin e investimeve të reja dhe e dyta kërkon të qartësojë marrëdhënien mes shfrytëzuesit dhe nënkontraktorit. Ndryshimet synojnë që t’i bëjnë këto marrëdhënie më të qarta. Nga ana tjetër parashikohen ndryshime edhe për garancitë financiare për investimet. Ky amendim parashikon çlirimin e subjekteve nga pagesa e garancisë pas përfundimit të periudhës së investimit.

 

Problemet

Minierat në Shqipëri kanë humbur “shkëlqimin” e dikurshëm. Investitorët janë stepur përballë kostove të larta dhe mungesës së lehtësirave financiare. Një seri problemesh mbarten vit pas viti, duke e bërë një nga sektorët më të vështirë për t’u menaxhuar. Qeveria po synon të “vërë kontrollin” në industrinë me ndërmarrjen e ndryshimeve ligjore, ndërsa do të duhet kohë për të pare efektet e tyre nën dhe mbitokë. Shqipëria është ndër të paktat vende në Evropë, nëntoka e së cilës fsheh pasuri të pafundme që, nëse do të shfrytëzoheshin mirë, do të siguronin për arkën e shtetit miliarda dollarë fitime. Vendi ynë i vogël është i pasur në ar, krom, bakër, bitume e nikel, ka pa limit gipse, aq sa mund të furnizojë pjesën më të madhe të Evropës, ka minerale të çmuara e të rralla që ende flenë në pritje të ndonjë investimi, ndërsa pasuria e dytë minerare është titani, rezervat e së cilës llogariten në miliona tonë. Megjithatë, fakt është se abuzimet në këtë sektor janë tepër të larta dhe qeveria nuk ka shifra konkrete të nxjerrjes së mineraleve dhe për çdo të dhënë, bazohet tek arkiva e doganave për eksportet. Madje të dhënat mungojnë edhe për sa u përket subjekteve që shfrytëzojnë nëntokën shqiptare, pasi një pjesë e mirë e tyre punojnë të palicencuar ose si nënkontraktorë, ose duke u mbështetur te ligji i më të fortit. FIAA (Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri) ka bërë të ditur se Shqipëria po humbet konkurrueshmërinë në sektorin minerar, pasi tarifat e kërkimit të mineralit janë më të larta se në rajon. Sektori i industrisë minerare është karakterizuar nga veprimtari jashtë monitorimit shtetëror të aktivitetit në sektorin minerar, duke dëmtuar imazhin dhe seriozitetin e shtetit, madje edhe nga veprimtari të jashtëligjshme që dëmtojnë rëndë interesin publik, por edhe atë të investitorëve privatë. Puna në miniera bëhet jashtë rregullave dhe standardeve për sigurinë në punë, duke dëmtuar shëndetin e punonjësve, si dhe duke marrë jetë njerëzish në punët e rënda nën e mbitokë. Investimet në sektorin minerar kanë qenë pothuajse inekzistente, duke bërë që ky sektor të ketë sot një prapambetje teknike e teknologjike primitive për kohën, çka reflektohet në produktivitetin minimal të tij.

Menaxhimi i dobët mjedisor ka sjellë pasoja negative në biodiversitetin e zonave në të cilat zhvillohet aktiviteti minerar, si dhe pasoja negative ekonomike dhe sociale për komunitetet lokale. Ndryshimet në ligjin minerar dhe ndryshimet e tjera të akteve nënligjore synojnë tani të nxisin zhvillimin dhe modernizimin e mëtejshëm të sektorit të gjeologjisë dhe minierave, duke e shndërruar këtë sektor në një industri me kushte e standarde bashkëkohore. Kërkesat ligjore për personel teknik të specializuar të shoqërive minerare do të sjellin rritjen e sigurisë në punë. Janë revokuar tashmë edhe leje minerare që ishin dhënë në zona të rrezikshme, lejet që nuk kanë respektuar detyrimet kontraktuale apo lejet që kanë dëmtuar rëndë mjedisin.

 

Amendimet

Ndryshimet në ligjin minerar kanë parashikuar procedura më lehtësuese për biznesin. Kështu mund të përmendet ndryshimin në garancinë financiare të investimeve. Garancia financiare e investimeve, sipas ndryshimeve të propozuara në ligj, do të kryhet vetëm për kohën e programuar të investimeve dhe jo për të gjithë afatin e vlefshmërisë së lejes minerare. Mundësia e ndryshimit të sipërfaqeve të zonave minerare të licencuara në rastet kur subjekti kërkon vazhdimin e aktivitetit minerar dhe investimi vlerësohet serioz nga strukturat përgjegjëse të shtetit, edhe kur rezervat minerare në zonën e licencuar kanë mbaruar, i krijon subjektit mundësinë e përdorimit të impianteve të ndërtuara më parë, duke ulur ndjeshëm kostot e nxjerrjes së mineralit.

Amendimi bëhet me qëllim përmirësimin tërësor të procedurave ligjore që rregullojnë veprimtarinë minerare në vendin tonë. Ato lidhen me:

-Saktësimin e disa përkufizimeve, ndryshime të mundshme të sipërfaqeve të zonave minerare të licencuara, me qëllim vazhdimësinë e veprimtarisë minerare në këto zona

-Saktësimin e zonave minerare, të cilat licencohen për aktivitet minerar kërkim-zbulim dhe shfrytëzimi

– Ndryshimin e zërit kadastral të sipërfaqes së licencuar për aktivitet minerar, saktësimin e vlerës së garancisë financiare për investimet

– Saktësimin e karrierave minerare për qëllime publike, duke shtuar mundësinë e licencimit për karriera publike kombëtare

– Futjen e konceptit të rehabilitimit progresiv të mjedisit

– Përmirësimet për sigurinë në punë, në veprimtarinë minerare

– Mundësinë e përdorimit të nënkontraktorëve në veprimtarinë minerare

– Të drejtën e ushtrimit të servitutit ligjor, të kalimit në sipërfaqen e pronës fqinje me zonën e lejuar minerare.

Nga ana tjetër, koncesionarët apo zotëruesit e lejes minerare kanë të drejtë të japin me nën kontraktim të drejtën e shfrytëzimit të lejes minerare, por kjo me kushtin që nënkontraktori i përzgjedhur të plotësojë kushtet kryesore ligjore, teknike e financiare të përcaktuara nga MEI. Pas verifikimit nga strukturat përgjegjëse të dokumentacionit të nënkontraktorëve dhe dhënies së miratimit paraprak nga ministria, nënkontraktori ka të drejtën ligjore për të punuar në një objekt minerar. Deri tani, këta nënkontraktorë kanë vepruar pa kontroll.

 

Servituti

Zotëruesi i lejes minerare gëzon të drejtën e servitutit ligjor (të detyrueshëm) të rrugës së kalimit në sipërfaqen e pronës fqinje me zonën e lejuar minerare, në mënyrë që të marrë masat e nevojshme për të ndërtuar hyrjen dhe galerinë përkatëse për realizimin e veprimtarisë minerare. Ushtrimi i së drejtës së servitutit bëhet në bazë të kontratës së lidhur ndërmjet palëve, pra zotëruesit të lejes minerare dhe pronarit të pronës fqinje, që përcakton mënyrën e ushtrimit të servitutit dhe kundrejt pagesës vjetore të pronarit të pronës fqinje. Servituti ligjor i detyrueshëm nuk do të zbatohet më në punimet minerare nëntokësore horizontale apo vertikale, që i përkasin një zone tjetër ekzistuese të lejuar minerare. Zotëruesit e lejeve minerare që depërtojnë dhe shfrytëzojnë zonën dhe trupin minerar nëpërmjet galerive nëntokësore të zotëruesve të tjerë të lejeve minerare, duhet të marrin masa që të realizojnë investimet për hapjen e galerive të tyre, sipas parashikimeve të planit të investimit, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

 

Mineralet metalike

Shqipëria ka prodhuar maksimalisht deri në 1.3 milionë tonë në vit. Ndërsa sot, edhe pse numri i minierave është më i madh se para viteve ‘90, vendi prodhon rreth 400 mijë tonë, pra rreth 35% të prodhimit të atëhershëm. Aktualisht në Shqipëri janë rreth 150 subjekte që punojnë në sektorin e kromit. Masivi më i madh i rezervave të kromit në vend është ai i Has-Tropojës dhe zë një sipërfaqe prej rreth 794 km².

 

Bakri

Përpara viteve ‘90 vendi ynë ka prodhuar rreth 1.4 milionë tonë mineral bakri. Gjatë kësaj kohe u vunë në shfrytëzim shumë miniera, u ndërtuan 7 fabrika pasurimi dhe 3 uzina të përpunimit të bakrit. Bëhej edhe përpunimi i tij në cikle të mbyllur për prodhim bakri katolik, elektrolitik dhe kabllove, si dhe nxirrte rreth 150 deri në 200 kg ar dhe rreth 1.5 tonë argjend, duke qenë se këta të fundit qëndrojnë të lidhur me të në shfaqjen e tyre në natyrë. Bakri i rezistoi tranzicionit dhe puna vazhdoi me ritme të kënaqshme deri në vitin 1996. Pas vitit 1997-‘98, industria e bakrit u mbyll plotësisht, për t’u rihapur kohë më vonë. Në total, janë zbuluar rreth 68 milionë xeherorë bakri. Në potencialin kryesor të tij e kanë vendburimet e Pukës, Mirditës, më pak të Korçës, Kukësit, Hasit dhe Shkodrës.

 

Hekuri e nikeli

Nikeli silikat është minerali kryesor i vendit, sepse është i vetmi mineral për të cilin Shqipëria vlerësohet me vendburime të rezervave të madhësisë së mesme, dhe veç kësaj është mjaft fitimprurës, sikur të mund të kishim të zhvilluar industrinë e përpunimit të tij. Para viteve ‘90, hekur-nikeli i prodhuar ka qenë në nivelet 1.4 milionë tonë. Ai përpunohej më tej për prodhimin e gizës dhe çelikut. Sot, problemi i tij janë kapacitetet, pasi tregu vazhdon të jetë i ulët dhe po ashtu niveli i çmimeve. Pas shkatërrimit të Metalurgjikut në Elbasan, i gjithë prodhimi aktual, që shkon diku rreth 100-150 mijë tonë në vit, eksportohet i gjithi si mineral në Maqedoni e Kosovë.

 

Titaniumi

Është pasuria e dytë minerare. Vlerësohen të jenë rreth 130 milionë tonë rezerva, por deri më tani nuk janë nxjerrë në dritë, sepse industria e nxjerrjes dhe përpunimit të tij është shumë e kushtueshme. Mineralizimet e tij gjenden në Sukaxhi dhe Ungrej të Kashnjetit, si dhe në Pukë, Ulzë, Berishë të Tropojës, Kaçinar, Shtuf e Lurth.

 

Uraniumi

Dy janë fushat kryesore të përdorimit të këtij minerali, për prodhimin e armëve të shfarosjes në masë dhe për prodhimin e energjisë elektrike. Në vendin tonë, studimet për këtë mineral janë ende në nivelin e kërkimit, megjithatë, për aq sa është studiuar, rezervat gjeologjike të llogaritura në vendburimin e Nimçës janë rreth 29.000 tonë, me përmbajtje 0.77% uran.

 

Ari

I vetmi burim ari i njohur në vendin tonë është vendburimi i Gjazuj, por edhe kjo mbetet një tezë e paprovuar, sepse asnjëherë nuk janë bërë shpime perfekte sipas parametrave të përcaktuar

 

 

Hyn në fuqi ligji i ri për sigurimet

Ditën e premte, më 4 korrik, hyri në fuqi ligji i ri për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit. Ndryshimi në ligjin bazë që rregullon veprimtarinë e sigurimeve në Shqipëri vjen pas 10 vjetësh dhe sjell dy risi kryesore. Së pari, ligji i ri synon të forcojë mbrojtjen e konsumatorëve, përmes një rregullimi më të qartë dhe më të detajuar të detyrimeve të shoqërive siguruese ndaj klientëve. Kjo çështje trajtohet me një kapitull të veçantë në ligj, ku përcaktohen në mënyrë më të hollësishme informacioni kontraktor dhe parakontraktor, trajtimi i ankesave dhe informimi transparent i publikut. Ligji vendos detyrime të qarta lidhur me transparencën dhe informacionet që çdo shoqëri sigurimesh duhet të botojë periodikisht përmes faqes së internetit. Shoqëritë detyrohen gjithashtu të përgjigjen me shkrim, brenda 15 ditësh, për çdo ankesë apo kërkesë për informacion që lidhet me kontratën e sigurimit.

Ligji i ri do të sjellë ndryshime rrënjësore dhe në mënyrën e mbikëqyrjes të tregut të sigurimeve. Mbikëqyrja do të kryhet mbi bazën e rrezikut, çka nënkupton se Autoriteti nuk do të ndërhyjë më vetëm pasi kompanitë të kenë shkelur parametrat e detyrueshëm rregullativë dhe financiarë, por do t’i mbikëqyrë subjektet në vazhdimësi, duke pasur parasysh edhe profilin e rrezikut të çdo subjekti, me qëllim parandalimin e problemeve.

 

Brukseli angazhohet ndaj monedhave virtuale

Komisioni Evropian ka sinjalizuar se do të përpiqet të vendosë rregulla mbi monedhat virtuale, siç është Bitcoin, pasi rregullatori bankar i bllokut ka urdhëruar shmangien e tyre. Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian ka lëvizur, pasi Autoriteti Evropian Bankar ka deklaruar se nuk do të blejë, mbajë, apo shesë monedha virtuale, derisa rregullatorët të zhvillojnë mënyra sigurie për të mbrojtur integritetin e tyre.

Monedhat virtuale kanë vijuar të hetohen gjithnjë e më shumë nga rregullatorët në mbarë botën. Mt. Gox, dikur platforma më e madhe e këmbimit të Bitcoinit në botë, ka paraqitur kërkesën për falimentim në fillim të këtij viti, pasi pretendon se ka humbur 850 mijë Bitcoin. Banka Qendrore e Kinës, më parë, i ka ndaluar bizneset për të kryer transaksione me monedha virtuale. Bitcoin ka lindur në vitin 2009, nga një person me pseudonimin Satoshi Nakamoto.

Çmimi i saj preku maksimumin prej 1 mijë dollarë, pasi spekulatorët përhapën lajmin për një përdorim më të gjerë të parasë dixhitale.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency