“Konferenca e Ambasadorëve”/ Rama: Rritje pagash për diplomatët, merr fund koha kur shoferët i linin këmbësor

0
121

 Florenc Drizari

Kryeministri, diplomatëve: Askush ndër ju nuk  merr detyrë të shajë opozitën në gjuhë të huaj

 

Rama me Diplomatet (1)

Kryeministri Edi Rama premtoi rritje pagash dhe kushtesh për ambasadorët shqiptar në botë. Premtimin Kryeministri e bëri gjatë takimit që zhvilloi në sallën e hartave në kryeministri me titullarët e përfaqësive diplomatike dhe konsullore të Shqipërisë. “Jemi tërësisht të angazhuar që të fillojmë t’i përmirësojmë seriozisht këto kushte. Duke filluar, sigurisht, nga paga dhe pastaj duke vazhduar me të tjerat. Por, kjo do të bëhet në kontekstin e gjithë kuadrit të reformës që do të përfshijë Shërbimin Diplomatik, e cila do të jetë një reformë e adresuar tërësisht tek domosdoshmëria për meritë dhe për profesionalizëm, nën shembullin e disa ambasadorëve që janë krenaria e vendit tonë.”,-theksoi Kryeministri. Duke folur për vështirësitë që diplomatët shqiptar kanë ndeshur në misionet e tyre jashtë vendit dhe për rolin që duhet të ketë një ambasador në prezantimin e vendit të tij, Rama solli edhe shembuj nga takimet e tij personale nga ambasadorë të cilët nuk komandonin as shoqëruesit e tyre. “Kam takuar ambasadorë këmbësorë, në pamundësi për të pasur shoferin në dispozicion. Dhe shoferë fuqiplotë, me mandat të qartë për t’u tallur me ambasadorin në çdo kontekst”,-tha Kryeministri.

Gjithashtu Rama kritikoi ashpër edhe qëndrimet e mbajtura të disa diplomatëve në kohën kur ai ishte shefi i opozitës shqiptare. Edhe pse nuk foli për emra konkret, Rama tha se iniciativat e qeverisë kryetari i opozitës aktualisht gëzon të drejta të barabarta në shërbimin diplomatik.

“Ndjehem mirë që nuk ndjehem më keq për ju, sepse, duhet ta them, qysh se unë kam ardhur në këtë vend, vendi i kryetarit të opozitës në protokollin e Shërbimit Diplomatik është bërë i barasvlefshëm me atë të Kryeministrit. Qysh se Ministri ynë i Jashtëm ka marrë drejtimin e diplomacisë shqiptare, askush ndër ju nuk merr detyrë të shajë opozitën në gjuhë të huaj. Përkundrazi, të gjithë jeni të porositur dhe të lutur të përfaqësoni shtetin shqiptar dhe të mos cenoni interesin e përveçëm të asnjë shqiptari, e jo më të opozitës shqiptare”,-tha Rama.

Duke folur për rajonin, Rama tha se  Shqipëria dhe Kosova janë bosht strategjik për shqiptarët në rajon dhe më gjerë.

“Dua të jem sa më i qartë për ç’ka kam parasysh kur flas për marrëdhënie rajonale; Kam parasysh marrëdhëniet ndërshqiptare; marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit; si dhe mes Shqipërisë dhe Kosovës si bosht strategjik për shqiptarët në rajon; por, padyshim, dhe marrëdhëniet mes rajonit dhe Bashkimit Europian”,-deklaroi Kryemnistri Rama.

Takimi i kreut të ekzekutivit vjen pak kohë pas akuzave të opozitës se qeveria po rrënon përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë në botë, duke përmbysur sistemin e karries për ta zëvendësuar me emërime politike.

 

 

Meta: Diplomacia kulturore shumë e rëndësishme për imazhin e vendit

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti në një takim ambasadorët e Shqipërisë në botë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Në fjalën e tij Kryetari i Kuvendit përgëzoi ambasadorët e Republikës së Shqipërisë për kontributin e tyre në marrjen e statusit të vendit kandidat. Meta shprehu mbështetjen e plotë të Kuvendit në përmbushjen e këtyre angazhimeve, duke thënë se një punë të rëndësishme për imazhin e vendit ka edhe Kuvendi. “Megjithatë jam i sigurt që secili prej jush duke përfaqësuar vendin, absolutisht që ka një satisfaksion të veçantë dhe të jashtëzakonshëm, sepse në fund të fundit, korpusi i diplomacisë gjithnjë është mjaft i limituar, është i përzgjedhur dhe unë besoj se këtë pakt, pra që jeni pjesë e këtij korpusi mjaft të rëndësishëm, ju e çmoni dhe do ta çmoni akoma më shumë në të ardhmen me punën dhe me angazhimin tuaj. Duke falënderuar dhe Ministrin Bushati për angazhimin dhe për bashkëpunimin e tij, unë dua të theksoj mbështetjen tonë më të plotë për të gjithë ju, për punën tuaj, për shërbimin tuaj, mirënjohje për sakrificat që ju bëni sepse e dimë që keni mjaft sfida të vështira”, tha  Meta. Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Arta Dade garantoi shërbimin diplomatik për mbështetjen e Kuvendit ndaj tyre për të mbrojtur interesat e vendit dhe të kombit. Më herët diplomatët shqiptar u pritën në një takim edhe nga Kryeministri Edi Rama.

 

Moisiu: Nxitje të strukturave paralele serbe në çështjet e brendshme të Kosovës

Ish-presidenti Moisiu në ditën e dytë të konferencës “Diplomacia në Veprim”, u shpreh se është rasti të ngremë zërin më shumë për politikën paralele që Serbia ndjek në Kosovë. “Nxitje të strukturave paralele serbe dhe ndërhyrje të vazhdueshme në çështjet e brendshme të Kosovës. Kosova po i tregon botës që është model paqeje dhe stabiliteti në rajon. Qeveria jonë dhe ajo e Kosovës nuk duhet të heshtin më për këtë gjë,”- u shpreh Moisiu. Ai theksoi se marrja e statusit të vendit kandidat e bën shtetin shqiptar për herë të parë pas 1913-ës, ta ndjejë veten pjesë e bashkësisë perëndimore europiane.

“Rëndësi ka sa jemi të përgatitur për sfidat e reja, ne duhet të mësojmë nga gabimet e së kaluarës. A ka nisur për shqiptarët një epokë e re dhe a është integrimi diçka më shumë se një premtim politik? Shqipëria është një prej vendeve që nuk krijon, por konsumon shumë politikë kontinentale. Ajo ka detyrimin kushtetues të merret më problematikën shqiptare kudo që shfaqet, duhet të ketë një rol specifik dhe në zhvillimet që ndodhin në shumicën e shteteve fqinje rajonale.

Raportet e fqinjësisë, marrëveshjet e bashkëpunimit dhe nxitja e faktorit shqiptar për zgjidhjen e problemeve në kuadrin e projekteve të mëdha përfundimtare në rajon janë dëshmi që gjatë gjithë kohës Shqipëria ka pasur dhe do të ketë një rol në forcimin e paqes, stabilitetit dhe demokracisë në rajon”, theksoi ish- Presidenti Moisiu.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency