1948/Letra për Kapedanin / Tri propozimet e Mustafa Krujës, si të qeverisej Shqipëria pasi të rrezohej Enveri

0
143

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit të disa letrave, së pari me letërkëmbimin e Krujës me familjen Gjonmarkaj dhe kryesisht, siç do ta shohim në këtë vëllim, me kapedanin e Mirditës

 

mustafa_merlika_kruja_studentKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit të disa letrave, së pari me letërkëmbimin e Krujës me familjen Gjonmarkaj dhe kryesisht, siç do ta shohim në këtë vëllim, me kapedanin e Mirditës, Ndue Gjonmarkun, figurë e mirënjohur historikisht e Derës së Gjonmarkajve të Mirditës, që udhëhoqën luftën ma të vendosun antikomuniste të krahinës në fjalë e ma vonë e shtrin në tanë territorin e Shqipnisë.

“Çfarë përfytyrimi i kthjellët i s’ardhmes, çfarë idili shpirtëror me thelbin e atij përfytyrimi, çfarë besimi në fuqinë e së mirës që strehohet në thellësitë e pafund të shpirtit të popullit që jeton në një letargji të përkohëshme, thellësi të depërtueshme vetëm nga njerëz të mbrujtun me aftësinë për të parë larg, përtej horizontit të një epoke të përflakur nga ngjyra e gjakut! Prej saj burojnë ëndrrat më frymëzuese dhe përkunden shpresat më të guximshme për sendërtimin e s’ardhmes, edhe se errësira mbulon gjithshka”, – shkruhet mbi këto letra në parathënien e vëllimit të parë. Ndërsa vetë Kruja do të shprehej: “…Në pjesën mâ të kulluet, aty ku ndërgjegja ndritë si pasqyrë xhixhilluese, t’a ngrehim Idén e nji Shqipnije e cila për secilin prej nesh të ketë fytyrën e zêmrën e nânavet tona, edhe të jetë ngushllimtare, dashunore e e adhurueshme, por sidomos e drejtë kundrejt të gjithë të Bijve në të dám të hirevet e të miradinavet të veta..”. Ky profil i Shqipërisë, asaj të ëndërruar artikulon në letrat e Krujës jo vetëm mendimin e hapur, pa pasione politike, pa urrejtje e mllefe, por për të zënë vend si një shtet i lirë, e përcjellë vlerat qenësore të kombit.

Në letrën e mëposhtme Mustafa Kruja tregon gjendjen e tij dëshpëruese, gati në tërheqje nga skena politike, duke parë vështirësinë që kishin shqiptarët e mërgimit për t’u bërë Blok kundër regjimit të Enverit.

 

****

 

 Alexandrí, 19 qershuer 1949

            Fort i dashtuni Kapidan,

 

Letra e jote me datë 30 máj më ka ra në dorë mbas nji jave e e çelun prej censuret. Shpresoj se këtë t’emen ke për t’a marrë shpejt e të pacensurueme. Deshiroj qi t’a lexojnë edhe Z. Vërlaci e Ernesti e t’a dalloni së bashku ç’mund të jetë e vjyeshme e e pavjyeshme në tê. Qazim Mulleti po ju thirrka “klikë”. Ai nuk i shquen në qarkoren e tij emnat e ksaj klike të Blokut, por mâ ata s’ka njeri qi s’i merr vesht. Ah, sikur të kishin qênë e t’ishin të gjitha klikat shqiptare kështu si e jueja! Edhe un këtu kam krijue nji klikë me Agon e Nexhën…

T’ardhmen t’eme aty e lash e s’kam për të folë mâ për nji gjâ kso doret. Se sa herë qi po flas për tê po jes në rrugë. Nuk jam i ndalun prej kurrkuj posë mêndes s’eme. Për këtê të jesh i sigurtë. Por arsyet s’po rrij me t’i njehë këtu, se kam fjalë tjera mâ të rândsishme me të thânë. S’ka dyshim qi sikur të kishem ardhun vetë, goja gojës zhvillimi i këtyne fjalve do të kishte qênë i plotë me të gjitha hollsinat. Prandej do të kishim qênë kuptue edhe mâ mirë. Veçse njeriu duhet të mendojë gjithmonë e për çdo gjâ jo vetëm dobín, por edhe dâmin e nji pune qi do të bâjë. E un pra, tue e mendue kështu t’ardhmen t’eme, dava me e lânë. Por ka për t’ardhun, e ndoshta deri tash edhe ka ardhun, dikush tjetër për me u pjekun me ju, i huej ky, prej të cilit priten punë të mira. Vendim’im mos me ardhun lidhet edhe me këtê, posë tjerash, se kush e di si do t’ishte interpretue edhe prej atij zotnije. Shtoj se këtu s’jam tue folë për atë të birin e nji miku të vjetër të Shqipnís.

Këtë letër po më duhet me e fillue me nji ton pak si profesoral e pak si avokatuer. Kjo s’ka vênd kurrkund me shokë e me miq. Por âsht deshir’i im me u spjegue mirë. S’jam bâ kurrë avokat personash veçse në shërbim të nji ideje. E qe ideja qi m’âsht ngulun thellë në trû: e para, qi nji Shqipní republikane, me këtë brumë qi kemi na, kishte me qênë e zeza e saj; e dyta, qi nji monarki shqiptare pa Zogun tashmâ veç n’ândërr mund të shifet; e treta, edhe monarkija pa nji lidhje të ngushtë e me nji besim sa mâ të plotë ndërmjet Zogut e Blokut kishte me qênë nji gjâ si ajo e dikurshmja qi s’kemi dashtun. Blok në mendimin t’em don me thânë për sod vetëm pak persona të vjefshme qi i apin nji kuptim; por për nesër e tutje un shoh në tê nji tendencë qi, po të bâhet realitet, ka me qênë nji lumní e madhe për Shqipnín. E këtë realitet mund t’a shpresojmë vetëm prej sa thash këtu para për lidhjen Zog – Blok. Nuk due me shkue mâ gjatë përmbi këtë themë, por besoj se edhe me kaqë keni me më kuptue.

Qe, këto janë tri pikat themelore qi përbâjnë idén t’eme, në shërbim të së cilës e kam vue veten në këtë mërgim.Do të jemë i lumtun t’a dijë qi âsht e pëlqyeme edhe prej jush. Për sa i përket taktikës për me i a mbërrîmë realizimit të ksaj ideje s’âsht pun’ e vështirë me u marrë vesht. Ideja e përbashkët e zêmrat e pastra ndreqin gjithça. Mbandej kur të jetë çëmue ideja për aqë sa kujtoj un se vlén, shumë vogëlsina të paevitueshme ke njerzit nuk munden e nuk duhet t’a zhvlersojn atê.

E qe, tash, mendimet e mija qi themelohen përmbi këtë bazë: un them se juridikisht Shteti âsht si nji tavolinë qi qëndron përmbi tri kâmbë, e cila, t’i hjekmen njânën prej tyne, rrëzohet. Kâmba e parë âsht populli, natyrisht nji popull i organizuem e i shtruem të njâjtave ligjë, siç e përcakton e drejta kushtetore; e dyta âsht toka kombtare qi përfshin mbrênda këtë popull; e treta kâmbë e tavolinës – Shtet regjimi, i cili mundet me qênë monarqik ase republikan. Pra ku mungon njâni nga këta tre elementa aty Shtet s’ka.

Në qoftë se ligjët qi sundojnë popullin janë të pëlqyeme vullnetarisht prej shumicës së tij, drejt për drejt ase me anë të përfaqsuesve të vet zgjedhun lirisht dhe regjimi ka në dorë vetëm inicjativën a pjesmarrjen në hartimin e tyne si edhe të drejtën me i sankcionue e barrën me i zbatue, ky quhet regjim demokratik; por po qe se ligjët i bân regjimi vetë pa e pyetun fare popullin ase tue e shtrëngue këtê me terrorizëm qi t’i aprovojë, ky atëherë âsht regjim despotik, policuer, terrorist, diktatorjal.

Deri në 1939 na kishim nji Shtet me të gjitha kushtet juridike e të njohun si të tillë prej botës mbarë. Ky Shtet pau në prillin e asaj vjete tokën e vet të pushtueme prej nji ushtrije të huej. Popullit shqiptar i u imponuen ndryshime në regjimin e tij e i u grabit indipendenca kombtare. Bota nji pjesë ishte në luftë e pjesa tjetër tue e pritun e tue i u përgatitun. Fat’i Shqipní varej prej ksaj lufte. Italija duel e mujtun prej saj e me traktatin e paqës qi nënshkroi u shtrëngue me hjekun dorë nga të gjitha të drejtat qi i kishte grabitun Shqipnís me forcë. Me kët’akt pra Shteti shqiptar kthehej në gjêndjen juridike qi kishte para pushtimit italjan: Shtet indipendent me nji regjim monarqik konstitucjonal e me ata kufij qi kishte para luftës. Me fjalë tjera shlyheshin të gjitha efektet, të mira e të këqija bashkë, qi kishin rrjedhun prej luftës botore.

Veçse mjerisht faktorë tjerë ishin krijue gjatë luftës e si pasojë e saj qi s’e lanë Shtetin t’onë me u kthye automatikisht në gjêndjen e përparshme: revolucjoni e regjimi komunist, i pështetun në ndihmat e Aljatvet e në përkrahjen e Bashkimit Sovjetik, dhe pretendimet greke për t’i shkëputun Shqipnís së vogël edhe nji copë të mirë të tokës kombtare tue shtí për shkak nji luftë të shpallun kur Shqipnija kishte humbun të tâna karakteristikat juridike të nji Shteti indipendent.

Përpara ksaj situate na duhet të jemi tepër të matun e të hollë në zgjedhjen e argumentave t’anë tue i dalë zot çâshtjes kombtare. Argument’i ynë themeluer duhet të jetë qi legalisht eksiston nji Shtet shqiptar me popullin e vet, me tokën e vet e me regjimin e vet ashtu siç ka qênë përpara agresjonit të huej. Ky popull në 1939 pat humbun indipendemcën e vet, por në 1941 fitoi unitetin kombtar e gjatë gjithë luftës nuk vuejti asnji herë për bukë; por sod i ka humbun të gjitha e prej zijet e terrorit âsht në rrezik me bjerrë deri eksistencën e tij. Kufijt e tokës shqiptare, ashtu siç janë sod e siç kanë qênë edhe në 39 janë caktue e vërtetue me traktate ndërkombtare si minimum i nji Shteti të vogël qi mezi mund të rrojë me ta e në kundrështim flagrant me realitetin ethnik të kombit tonë kah veri. Për sa i përket regjimit, ky deri në 1939 ka qênë monarqik de facto e de jure. De jure i tillë âsht edhe sod e deri qi populli vetë mos të jetë në gjêndje me shfaqun lirisht vullnetin e vet për t’a mbajtun a për t’a ndërrue. Mohimi i këtij fakti juridik kishte me qênë baras me mohimin e eksistencës së nji Shteti shqiptar jo komunist ase me pranimin e legjitimitetit të regjimit t’Enver Hoxhës me shokë, mbasi Shtet pa pushtet nuk mund të ketë simbas së drejtës kushtetore.

Vetë Mbreti Zog e ka çëmue nevojën e nji çfaqjeje solemne të popullit shqiptar për regjimin e ardhshëm, e këtê jo veç me gojë qi i a ka thânë kujdo qi ka pasë rasën me bisedue me tê përmbi këtë çâshtje, por e ka deklarue edhe me shkresa zyrtare kur e ku ka qênë Vêndi tue fillue qyshë në vjetën 1940. Madje po të bâhet nji marrveshtje ndërmjet grupeve të ndryshme t’Emigracjonit t’onë e të formohet nji komitet i përbashkët, ai ka ndër mênd t’a përsrisë edhe nji herë zyrtarisht e botnisht nji deklaratë t’atilë. Âsht e dijtun se, tue qênë dy fijsh i interesuem për çâshtjen kombtare, si Shqiptar mâ parë e mbandej edhe si Mbret, deshiron vetëm qi të mbahet në rrjedhje të veprimeve të Komitetit, kudo qi t’i a lypë nevoja këtij me punue, sidomos kur âsht ndonji punë me rândsí. E po të marrim para sŷsh relacjonet personale të tija me botën e jashtme, dobija praktike e këtij kontakti ndërmjet Mbretit e Komitetit do t’i duket e qartë kujdo. Edhe nji gjâ tjetër duhet t’a dijmë me sigurí: le të thonë ça të duen disa agjenta të huej, kush për oportunitet të momentit e kush për t’i lânë shtegun çelë ndonji plani djabolik qi qeverija e vet ka ndër mênd me trillue kundra Atdheut t’onë, e vërteta qi kam konstatue un personalisht këtu, sidomos në këto javët e fundit, âsht kjo: qi pozita e Mbretit si symbol i Shtetit shqiptar jo komunist âsht plotsisht e njohun e e çëmueme siç meriton edhe ndër qarqe qi kanë rândsí decizive për ne. Aqë sa e rrên kot mêndja ndokênd se mund të bâhet gjâ e frytçme pa tê për çâshtjen t’onë. Nuk po zgjatem tekembramja për sa i përket rolit qi kishte me luejtun, kur t’i vijë dita, edhe vetëm emni i Mbretit Zog mbrênda në Shqipní.

Të vijmë tash në fjalë tjera. Midhat Frashëri âsht mundue sa ka mujtun deri sod e ndoshta ka për t’u përpjekun edhe mâ për me pengue çdo marrveshtje ndërmjet grupevet tue përdorë sod nji slogan e nesër nji tjetër e me të vetmin qëllim të vërtetë qi t’i a mbërrijë ai personalisht me u shque midis nji kaosi e me e përfaqsue ai vetëm Emigracjonin shqiptar ku âsht vêndi, kështu qi nji ditë t’a presë Shqipnija si liberator e t’a brohorisë për kryetar republike bashkë me ndonji Zef Pal si kryeministër! E deri diku besa edhe i a pat mbërrimë qëllimit. Por tekembramja i u lagën letrat. Tash edhe pak me ndihmën t’uej aty e me zotsín t’uej në manovrimin politik si me Shqiptarë ashtu me të huej, Midhati ka me qênë i shtrënguem më lëpí gjithça ka vjellë deri sod kundra tjerve e me ardhun në hullí bashkë me ta ase me mbetun me ata dhetë kriptokomunista qi ka me vete pa i a varë kush torbën. Do të shohim atëherë se cila anë ka me peshue mâ tepër në kandarin e atyne qi kanë interesë me punue me Shqiptarë, Midhati me të vetët apo gjithë pjesa tjetër e Emigracjonit e bashkueme.

Por po qe se Midhati tekembramja do t’i a ndëgjojë kuj ndonji kshill, qi jam i bindun se s’ka me i mungue, e do të hyjë edhe ai në valle me ju tjerët, atëherë mos i a kurseni edhe atë kryesí të shkretë për të cilën plasi! Në mos tjetër për moshën qi ka. Veçse çilni sŷt fort në hartimin e statutit të beslidhjes qi do të bâni, se Midhati âsht mësue në partín e tij me bâ si t’i dojë qejfi.

Jam i mendimit qi Komiteti të përbâhet prej katër kryetarvet: Midhati, Ismaili, Bazi e Xhaferi. Po s’u afrue Midhati kujtoj se duhet t’i a zânë vêndin Koço Muka, qi mbyll edhe nji shteg në Komitet si ortodoks. Se njimênd, na kemi edhe këto halle: Gegë e Toskë, katoliq e myslimanë. Mirë do t’ishte me i shikue edhe këto sa të jetë e mundun, sidomos edhe pse âsht bâ si traditë nëpër Kshillin e Regjencës qyshë në 1920 e deri në atê të 43-s. Sa për katolik, problema do t’ishte lehtë me u zgidhun tue hŷ ti në vênt t’Ismailit. Ndërmjet ju të dyve s’ka të damë, jeni si njâni tjetri e me këtë sy ju shikojnë edhe bota qi ju njeh. Natyrisht keni për t’organizue edhe nji sekretarjat si duhet. Në qoftë se hŷn Midhati vetë, si ortodoks, e aqë mâ mirë qi âsht edhe himarjot, un kishem me proponue qi të shtini edhe Koçon për të pestë e të paanshëm, por si të ketë dhânë dorhjekjen prej Ballit.

Ndoshta mund të ju dalë ndonji kundrështim për Xhaferin prej qarqeve të hueja me të cilat keni për t’u marrë vesht. Këtu âsht bâ çmos për t’a hjekun atë kundrështim. Por po qe se ka mbetun ende, janë dý rrugë: ase thirret Komiteti me nji emën qi nuk përmênd grupe, si me thânë Komiteti i Beslidhjes Shqiptare Antikomuniste, ase fundi i fundit në vênt të Xhaferit un po ju kujtoj Prof. Miftar Spahín qi âsht prej Lume e shumë djalë i mirë. Ky ka mbetun në Greqí, se s’e kanë lânë Grekët me dalë; por ju, po qe se shifet me udhë, mund t’a nxirni.

Në vija të përgjithshme un thesin t’em e shpraza krejt. Tash s’më jet tjetër veçse me ju urue punë të nbarë gjithsi qoftë e mira e Atdheut e… besa edhe e jona. Përqafime si tý ashtu Ndoit prej ne të dyve qi jemi këtu e shumë shëndet edhe Ernestit e Zit Vërlaci.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency