Si lindi “Liza në botën e çudirave”

0
196

liza ne boten e cudiraveTë premten e datës 4 korrik 1862, Charles Lutwidge Dodgson dhe miku i tij Robinson Duckworth, me një varkë po ngjiteshin lumit Tamiz, në shoqërinë e tri vajzave të nënkancelarit të Universitetit të Oksfordit, Henry Liddell: trembëdhjetëvjeçarja Lorina Sharlota Liddell, dhjetëvjeçarja Alice Plezens Liddell dhe tetëvjeçares Edith Meri Liddell.

Kjo ditë, siç do të thoshte më vonë poeti anglez Auden Wystan Hugh, “po ashtu do të kujtohet në historinë e letërsisë, si 4 korriku në historinë e Amerikës”.

Shëtitja filloi që nga ura Foli, pranë Oksfordit dhe përfundoi pas pesë miljesh duke pirë çaj në fshatin Godstou. Gjatë gjithë rrugës Dodgson u rrëfeu bashkudhëtareve të mërzitura, historinë e vajzës së vogël Alice (Liza), që ishte nisur në kërkim të aventurave. Vajzave u pëlqeu rrëfimi dhe Alisa iu lut Dodgson ta shkruante tregimin për të. Dodgson nisi ta shkruante që të nesërmen e udhëtimit. Vetë Alice Liddell ka shkruar:

“Unë mendoj se historia e Alices e ka zanafillën atë ditë vere, kur dielli të digjte aq fort dhe braktisëm varkën e shkuam në një lëndinë, vetëm të fshiheshim në hije. U shtrimë në mullarët me barin e sapokorrur. Atje e gjithë treshja jonë nisi të këndojë një këngë të vjetër: “Rrëfeje historinë”, kështu filloi kjo përrallë e mahnitshme”.

“Liza në botën e çudirave” u botua më 4 korrik 1865. Kjo ditë nuk ishte zgjedhur rastësisht: ajo shënonte “përvjetorin” që nga momenti i lindjes së historisë pas shëtitjes në lumë. Libri u botua nga «Macmillan and Co» dhe u shtyp në «Oxford University Press». Përralla doli me nëntitulin «Alice’s Adventures in Wonderland by “Lewis Carroll”» me ilustrime nga John Tenniel. Pseudonimi i autorit u formua duke e kthyer emrin e tij Charles Lutwidge” në latinisht. Variantit të përftuar “Carolus Ludovicus”, ai i ndërroi vendet dhe e përktheu përsëri në anglisht. Kështu Dodgson u bë Lewis Carroll, dhe përralla e tij e jashtëzakonshme nisi marshimin e saj triumfal nëpër botë. Në kohën e sotme njihen gjithsej 23 ekzemplarë nga botimi i parë. 18 prej tyre gjenden në biblioteka të ndryshme, 5 në koleksione private. Midis lexuesve të parë të shquar të këtij libri, ishin mbretëresha Viktoria dhe Oskar Uajld. Libri është përkthyer në 125 gjuhë të botës. Në vitin 1931, ky libër u ndalua në provincën kineze Hunan, sepse “kafshët nuk duhej të flisnin me zë njeriu” dhe “nuk mund të tregoheshin të barabarta kafshët me njerëzit”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency