Franca “kakaris”, Gjermania shkon në gjysmëfinale

0
148

Pancerat kanë arritur të shënojnë me anë të Mat Humelsit, duke siguruar kështu kalimin për në gjysmëfinale

france gjermaniGjermania ka qenë shumë e fortë për Francën dhe ka prerë një biletë për gjysmëfinale. Pancerat kanë arritur të tregohen më të qartë para portës, duke shënuar me anë të Humelsit dhe duke marrë një triumf shumë të rëndësishëm. Ndeshja u komentua si një finale e parakohshme, për shkak se të dyja skuadrat kanë shfaqur një formë të mirë dhe ishin pretendente serioze për të kaluar më tej. Mirëpo ka qenë ekipi i Deshampit ai që ka çaluar. Në një ndeshje që përcaktohet nga fragmentet, francezët pësuan shpejt dhe pastaj nuk arritën të shfrytëzonin dobësitë e Gjermanisë për të shënuar. Ndeshja nis mirë për blutë, të cilët hidhen të parët në sulm. Një prej problemeve të mëdha të Gjermanisë deri në këtë fazë ka qenë mbrojtja dhe kjo e fundit u duk e pasigurtë dhe në minutat e para, me Benzemanë që pati në dy raste shansin e avantazhit, por nuk tregoi nuhatjen e duhur përpara portës. Në të 12-ën, në të parin harkim të gjermanëve drejt zonës, ashtu si ndaj Portugalisë, Humels bëri një goditje perfekte me kokë, duke fituar duelin ajror me Varane. Francezët u vunë në kërkim të golit, ndërsa gjermanët në kërkim të penalltisë, pasi në të 24-ën, Klose u rrëzua në zonë, duke amplifikuar disi hedhjen pas kontaktit. Në të 34-ën, tifozët e gjelave për pak sa nuk kënduan gol në tribunë, por fillimisht Nojer ndaj Valbuenës dhe më pas Humels ndaj Benzemasë, e lanë thjesht në tentativë këngën e tyre. Në të 42-ën dhe në të 44-ën, Benzema gjeti dy mure gjermane në rrugën e tij drejt rrjetës, fillimisht atë të ngritur nga duart e Nojer dhe në rastin e dytë, atë të Humelsit që i vuri gjoksin topit. Në pjesën e dytë, Franca e nisi menjëherë me një pretendim për 11-metërsh, pas duelit mes Grizmanit dhe Shvanshtajgerit. Takimi po luhej në nivele të ulëta, me dy skuadrat shumë të kujdesshme, aq sa për të parë goditjen e parë drejt kuadratit në këtë fraksion duhet pritur deri në minutën e 69-të, me Mylerin që e dërgon topin mes këmbëve të kundërshtarit, por jo mes dy shtyllave. Me kalimin e minutave, Franca e kuptoi që nuk mund të ruante të njëjtin model loje më dhe në të 76-ën, Benzema u ndal dhe një herë tjetër nga Humelsi, ndërsa një minutë më pas Nojeri tregoi që është i pakalueshëm kur ndali dhe goditjen e Matyidit. Gjermania mund të kishte mbyllur ndeshjen me Shyrle në aksionin pasardhës, por Loris nuk ishte i të njëjtit mendim. Sulmuesi gjerman duket se nuk ka mendjen të golit dhe bën dy gafa të njëpasnjëshme, duke i shmangur skuadrës gëzimin e parakohshëm. Lojtari i Çelsit del përballë me Lorisin, por kapiteni i trikolorëve tregohet vendimtar, duke larguar topin dhe në këtë rast. Janë francezët ata që hidhen të gjithë në sulm në kërkim të golit kur ngeleshin vetëm pak sekonda nga mbarimi. Është Benzema ai që ka një shans shumë të mirë. Lojtari i madrilenëve driblon mjaft mirë në mbrojtjen gjermane godet por përsëri topi ndalet nga Nojeri. Gardiani gjerman shpëton edhe kësaj radhe skuadrën e tij, duke treguar se është edhe një nga shtyllat kryesore të ekipit. Me këtë fitore ekipi shkon drejt gjysmëfinales për të provuar kësaj radhe edhe përballjen me fatin nëse do të arrijnë të prekin finalen, pas shumë dështimesh në kompeticionet e fundit.

 

 Felaini: Për të ardhmen vendos pas Botërorit

Mesfushori i Junajtidit, Maruan Felaini, nuk është i sigurt rreth të ardhmes së tij në “Old Traford” dhe thotë se nuk ka nevojë t’i dëshmojë askujt rreth cilësive që ka. Trajneri Luis van Gal u ka thënë shefave të Junajtid që të gjejnë një klub për shitjen e belgut, i cili thotë se të ardhmen do ta vendosë pas Kampionatit Botëror. 26-vjeçari ka zhgënjyer në sezonin e parë te “Djajtë e Kuq”, mirëpo me Belgjikën ka bërë paraqitje mbresëlënëse në Brazil. “Nuk kam nevojë të dëshmoj asgjë, po luaj si futbollist profesional qe tetë vite”, – është shprehur lojtari. Kur është pyetur nëse do të qëndrojë te Junajtid në sezonin e ardhshëm, ka thënë: “Do të shohim pas Kampionatit Botëror”. Shumë klube mund të jenë të interesuara për lojtarin i cili ka treguar një paraqitje shumë të mirë gjatë botërorit.

 

 Huntelar: Duhet të flas me Shalken për të shkuar te Liverpuli

Holandezi ka thënë se do të bisedojë me drejtuesit e Shalkes para se të marrë një vendim për kalimin te Liverpuli. Sulmuesi holandez është përmendur si zëvendësim i mundshëm i Luis Suarezit te “Redsat, por futbollisti thotë se për momentin janë vetëm spekulime. “Sa u përket spekulimeve rreth Liverpulit, do të ishte e drejtë që fillimisht të bisedoja me Shalken. Kohë më parë kam biseduar me Shalken rreth vazhdimit të kontratës. Pas Kampionatit Botëror do të bëj një pushim. Pastaj do të flas sërish me ta. Aktualisht nuk bisedoj me agjentin tim për interesimin e klubeve. Jam i fokusuar te turneu”, – ka deklaruar sulmuesi.

 

 Suarez dhe Barcelona takohen për 88 milionë euro

Merkatoja e dy gjigantëve spanjollë sa vjen edhe mbushet me emra më të mëdhenj. Barcelona është shumë pranë kompletimit të transferimit të Luis Suarezit nga Liverpuli për 88 milionë euro. Zyrtarë të lartë të Liverpulit dhe të Barcelonës janë takuar në Londër të mërkurën, me zyrtarë të klubit katalanas që bënë një ofertë për Suarezin prej 82 milionë eurosh. Përderisa oferta e parë nuk u pranua, diskutimet për Aleksis Sançezin kanë vazhduar dhe tashmë klubet janë shumë pranë një akordi prej 88 milionë eurosh. Një transferim mjaft i bujshëm dhe më i larti për Barcelonën që me të vërtet do të forcojë shumë skuadrën.

 

Rodrigez: Më pëlqen La Liga

Xhejms Rodrigez i shkel syrin edhe një herë tjetër Realit. Lojtari deklaroi se ai do të linte anash një kalim në Premier Ligë për të kaluar në La Liga. 22-vjeçari u largua nga Portoja drejt Monakos për 45 milionë euro verën e kaluar, por tashmë ai ka marrë vëmendje globale në Botëror dhe kërkohet nga gjysma e Evropës. Pas spekulimeve që e kanë lidhur atë me Realin, ai vetëm sa i ka përforcuar ato, duke thënë se i përshtatet La Liga. “Unë kam thënë në të kaluarën se një ditë dua që të kaloj në Spanjë, sepse është një kampionat i mirë teknikisht dhe ku ju keni shumë prekje me top, që është stili im adekuat. Premier Liga është ndoshta më fizike dhe kjo s’më pëlqen”, – ka thënë Rodrigez.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency