S’ndryshon në 2014/ Ekspertët e ILO-s: Të rritet paga minimale

0
376

pagat-minimaleRaporti/ Shqipëria, e fundit për pagën minimale, qeveria nuk do ta rritë gjatë 2014-ës

Hendek të madh mes të pasurve dhe të varfërve, rritja e pagës ul diferencat

 Konferenca e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) ka treguar edhe një herë se Shqipëria është vendi i fundit në rajon për sa i përket pagës minimale. Paga minimale në Shqipëri është vetëm 22 mijë lekë dhe ky nivel, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, duhet të rritet. I pranishëm në konferencë, ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, u shpreh se taksa progresive ndikoi në rritjen e pagave në Shqipëri, por theksoi se gjatë këtij viti nuk do të ketë ndryshim të pagës minimale. Qeveria e kaluar në 3 vitet e fundit ka rritur pagën minimale me 10 mijë lekë të vjetër çdo 1 korrik. “Një drejtim i rëndësishëm, që mbetet për t’u eksploruar në muajt në vijim, është përmirësimi i rolit të pagës minimale për rregullimin e sistemit të pagave në përgjithësi, por edhe për ndërtimin e politikave të mbrojtjes dhe përfshirjes sociale. Gjithashtu, pabarazia në pagë mes burrave dhe grave vazhdon të mbetet një problem i mprehtë për Shqipërinë, ndaj angazhohemi se pabarazitë në pagë si edhe mbrojta e pagave do të jenë ndër çështjet që do të trajtohen me përparësi të veçantë”, – u shpreh Veliaj, i cili nuk përmendi rritje të pagës minimale përgjatë këtij viti.

 

Ekspertët e ILO-s

Ekspertët e Organizatës Ndërkombëtare të Punës kërkojnë që paga minimale në Shqipëri duhet të rritet, duke marrë parasysh se një sërë çmimesh kanë ndryshuar. “Na duhen shifra të besueshme për të kuptuar situatën reale në Shqipëri mbi pagën dhe punësimin. Rritja e pagës minimale lidhet me konsumin e përditshëm dhe kjo tregohet edhe në shifra. Një problem tjetër mbetet që një pjesë e madhe deklaron pagën minimale e, në fakt, paguan më shumë. Paga minimale në Shqipëri është më e ulëta në Evropë, më e ulët se në Bullgari apo Rumani, ndaj dhe është e nevojshme të kemi rritjen e saj, siç po ndodh në shumë vende. Paga minimale rritet duke pasur parasysh edhe varfërinë ekstreme të vendit. Çmimet rriten, ndërsa pagat jo, ndaj këtu kërkohet që të ndërhyhet”, – tha Denid Vaugham Whitchead, ekspert i ILO-s. “Kemi rritje të hendekut mes të pasurve dhe të varfërve, këtë e tregojnë edhe statistikat. Gjatë krizës, të pasurit janë pasuruar më shumë, ndaj kërkohet një politikë e caktuar për të pasur një shpërndarje edhe më të drejtë. Nëse rritet paga minimale, zvogëlohet hendeku mes atyre që janë në majë dhe atyre që janë në fund. Ndaj, një rol të rëndësishëm kanë taksat”, – theksoi eksperti i Organizatës Ndërkombëtare të Punës.

 

Paga minimale

Krahasuar me vendet e rajonit, vendi ynë renditet i fundit pas Kosovës. Shteti më i ri i Ballkanit aplikon një pagë të veçantë minimale, sipas moshës së të punësuarit. Nën moshën 35 vjeç, paga minimale është 130 euro/muaj, ndërsa për moshën 35-65 vjeç paga minimale është 170 euro/muaj. Dallim tjetër bën Maqedonia, ku paga minimale në këtë vend vendoset sipas sektorit të punësimit, ku paga minimale më e ulët është 178 euro/muaj. Vendet e Evropës aplikojnë paga minimale më të larta krahasuar me rajonin e Ballkanit dhe vendit tonë. Krahasuar me këto vende, sërish Shqipëria renditet ndër të fundit. Pagën më të lartë minimale e aplikon Luksemburgu, e cila arrin 1921 euro/muaj. Më pas renditet Belgjika, Irlanda, Franca, Britani e Madhe. Gjermania aplikon pagë minimale në bazë të sektorëve dhe tarifa më e ulët arrin 7 euro/ora për 48 orë pune në javë. Ndër vendet me pagë minimale më të ulët, e cila nuk i kalon 200 euro/muaj renditen Bullgaria, Serbia, Mali Zi, Rumania. Ndërsa Italia, Danimarka, Austria, Finlanda, Suedia, Zvicra dhe Norvegjia nuk aplikojnë pagë minimale zyrtare.

 

 “Balkan Insight”/ Mësuesit dhe drejtorët e shkollave u kërcënuan për të dhënë dorëheqjen

Një raport vlerësimi i siguruar nga BIRN dënoi si ilegale një fushatë për zëvendësimin e drejtorëve në shkollat e Tiranës, duke i detyruar ata të jepnin dorëheqjen

 Raporti i prodhuar nga Shoqata e Prindërve të Tiranës, një OJQ vendëse, thotë se Drejtoria Arsimore Rajonale (DAR), nisi një fushatë ‘intensive’ për të zëvendësuar drejtorët nëpër shkollat e Tiranës përgjatë muajve shkurt dhe mars, duke i detyruar ata të japin dorëheqjen nën kërcënime. Shumica e drejtorëve të shkollave të intervistuar në raport, të cilët janë zgjedhur në mënyrë rastësore, raportuan se u detyruan nga DAR “të japin dorëheqjen, ndërsa disa raportuan se kanë shkëmbyer postin e drejtorit me një pozicion mësuesi”. Sipas raportit, 60 për qind e ish-drejtorëve thanë se janë detyruar të japin dorëheqjen ndërsa 40 për qind thanë se janë pushuar nga puna pa bazë ligjore. “Ligji nuk u respektua dhe [vendimi] qe i motivuar politikisht”, – tha një drejtor shkolle para kërkuesve. Të gjithë drejtorët e shkarkuar u zëvendësuan nga drejtorë të komanduar. Gjithsesi, raporti thotë se në 70 për qind të rasteve, drejtori i komanduar nuk erdhi nga e njëjta shkollë, siç sanksionohet nga vetë udhëzimet e Ministrisë së Arsimit. “Në të gjitha këto raste, as ligji i vitit 2012 mbi arsimin parauniversitar dhe as udhëzimi i vitit 2013 i ministrisë mbi zëvendësimin dhe emërimin e drejtorëve të institucioneve arsimore nuk u respektuan”, – thuhet në raport. DAR nuk mund të emërojë drejtorë shkollash. Ata mund të emërojnë drejtorë të komanduar, por sipas udhëzimit të vitit 2013 të lëshuar nga ministria, një post i tillë mund të plotësohet vetëm nga zëvendësdrejtori apo një mësues i vjetër brenda të njëjtit institucion. Fushata për të zëvendësuar drejtorët e shkollave nuk ka ndodhur vetëm në Tiranë, rajoni më i madh në administrimin arsimor në vend. Media ka raportuar se praktika të ngjashme për të zëvendësuar drejtorët e shkollave në masë është zbatuar në rajonet e Shkodrës dhe Fierit.

 

Raporti

Sipas një raporti të vitit 2010 nga Këshilli i Evropës, promovimi, emërimi dhe transferimi i stafit në sistemin arsimor shqiptar është shpesh pre e ryshfetit dhe kritereve subjektive. Qeveria e qendrës së majtë të Kryeministrit Ed Rama, e cila mori pushtetin shtatorin e kaluar, ka premtuar një numër reformash për të instaluar një sistem meritokratik në punësim. Pyetur nga BIRN, Ministria e Arsimit tha në një deklaratë: “Në dijeni tonë, lëvizjet e drejtuesve të shkollave apo dhe të mësuesve të thjeshtë janë mbështetur në rekomandimet/konstatimet që kanë ardhur pas procedurave të inspektimit. Masat janë marrë në funksion të problematikave të evidentuara”, – tha Ministria. Gjithsesi, vetëm 10 për qind e drejtorëve të shkollave të intervistuar në raportin e vlerësimit të kryer nga Shoqata e Prindërve të Tiranës deklaruan se janë shkarkuar pas një raporti inspektimi nga Ministria e Arsimit. Shkelja e zakonshme nga të gjithë ata që i qenë nënshkruar inspektimeve qe që kontrata për rojën e shkollës qe nënshkruar nga drejtori dhe jo nga bordi i shkollës. Ministria nuk komentoi nëse emërimet e drejtorëve të komanduar janë bërë në përputhje me ligjin, por theksoi se “komandimet janë bërë në kuadër të domosdoshmërisë të garantimit të pacenueshmërisë të procesit të mësimdhënies dhe me afat deri në kryerjen e konkurseve për emërim”. balkaninsight.com

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency