Seancë plenare/ Berisha: Si u devijuan pistat për vrasjen e Santos

0
95

 Florenc Drizari

parlamenti seance korrik 2014Ish-kryeministri: Të hetohen telefonatat 10 minuta para vrasjes që bankieri i bëri Tahirit dhe Ramës

Pak ditë pas vrasjes në zonën e ish-Bllokut të biznesmenit Artan Santo, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë u përfshinë në debate gjatë seancës së djeshme plenare, lidhur me sigurinë publike në vend si dhe ecurinë e hetimeve ndaj kësaj ngjarjeje. Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi krerët e qeverisë për situatën aktuale të rendit publik, duke theksuar se bankieri Santo u vra për herë të dytë me pistat e publikuara në media, e që sipas tij u nxorën enkas nga si pista kolumbiane të drogës. Gjatë seancës së djeshme plenare deputetët e opozitës vunë theksin tek zbardhja e ngjarjes duke kërkuar edhe fokusimin e të gjithë axhendës parlamentare vetëm tek kjo çështje, ndërsa deputetët e mazhorancës kërkuan mbështetje ndaj organeve të hetimit.

 

Berisha

Pas pezullimit prej 10 ditësh nga aktivitetet parlamentare, Berisha në fjalën e tij në Kuvend u tregua edhe më i ashpër me shumicën parlamentare duke i akuzuar ata për situatën në të cilën ndodhet rendi dhe siguria në vend, si dhe për qëndrimet që përfaqësues të së majtës kanë mbajtur në lidhje me ngjarjet kriminale të ditëve të fundit. Berisha e cilësoi si tronditëse për opinionin publik vrasjen e Santos, edhe pse nënvizoi se ai ishte një mbështetës i së majtës, por që në qeverisjen e djathtë kishte arritur suksese në sipërmarrjet e tij.

“Ju e vratë persë dyti dhe e poshtëruat atë. Dhe e poshtëruat në mënyrën më cinike më të ulët. Ju tani për arsye tuaja, që i bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm t’i hetojë, e shpallët atë menjëherë “pistë kolumbiane”, e shpallët “pista e Mamurrasit”. Pra nga një hero që e kishit tani duhet të poshtërohej për së vdekuri dhe kjo është gjëja më e ulët”, – deklaroi Berisha.

Duke deklaruar mbështetjen ndaj organeve të hetimit për këtë çështje, Berisha kërkoi edhe zbardhjen e telefonatave që i ndjeri kishte bërë pak minuta para vrasjes.

“Ai ju ka telefonuar ju (Tahirit) dhe kjo është 100% e sigurt, sikundër ka të tjerë që thonë se ai ju njoftoi ju edhe për motorin që ndiqte kohë më pare, ju dhe Kryeministrit. I kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme të bëjë hetim për këto. Për telefonatën 10 min para kjo është 100% e sigurt le të bëjë check-up, telefoni dhe do ta gjejë atë. Për njoftimin e mëparshëm këto janë fjalë që duhen verifikuar dhe prokuroria ka dosjen. Por një gjë është e sigurt. Kjo është aleancë krimi more zotërinj”.

 

 Berisha: E vërteta e pezullimit dhe qëndrimi për Ramën dhe ish-kryeprokuroren

 “Dua të sqaroj një moment, sepse ai bashkëkryetari tjetër, që i thotë më thonë të të arrestoj, por nuk të arrestoj, nuk më la të mbaroja fjalën, në seancën e fundit. Kurrë në jetën time nuk i kam lejuar vetes dhe nuk i lejoj kurë të quaj, të shaj një qytetare, një bashkëpunëtore, një njëri me fjalët ‘prostitutë’ dhe ‘kurvë’. Kurrë! Harroje se e përdor këtë fjalë. Kurrë ndonjëherë si kryeministër apo president si kam lejuar vetes të agresoj me fyerje e sharje qoftë edhe një njëri të vetëm, për faktin se ai është një abuzim i turpshëm pushteti dhe nuk lejohet, për faktin se ajo është një praktikë e botës që ne lamë pas. Ishte Mehmet Shehu që u thoshte njerëzve të var këtu e të var aty, të bëj këtë apo të bëj atë. Apo drejtues të tjerë. Shqiptarët u ndanë nga këta drejtues. Çfarë ndodh? Morët vendim, pse unë citova fjalët që zotëria i adresonte ministres dhe të shoqes së ministrit dhe një të trete, për të cilën nuk jam prononcuar. E di si më jeni dukur? Si banorët e “Fermës së derrave”, – të Xhorxh Oruellit, se vetëm aty sharja dhe ofendimi është lavdërim”, – deklaroi Berisha dje në seancë plenare, ndërkohë që Kryeministri Rama nuk ndodhej në sallë. Për sa i përket qëndrimeve për ish-kryeprokuroren Ina Rama Berisha tha se i qëndronte deklaratave të tij të bëra kur ishte në pushtet. “Ina Rama ishte puçistë e faktuar bashkë me atë tjetrin dhe i është thënë lavire politike, dhe nuk ia heq kurrë, dhe ishte minimumi i asaj që mund t’i thosha, sepse për hir të mandatit të saj bashkëpunoi me kryetarin tuaj duke shpresuar se do të merrte dy mandate, duke shpresuar se do të më largonte nga Kryeministria me forcë, çka nuk mund të ndodhte kurrë”, – deklaroi Berisha.

 

Votimi i ligjeve në Kuvend

1. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.186, datë 5.11.2009 “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin” të ndryshuar”. 65 vota pro dhe 22 kundër.

2. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9587, datë 20.7.2006 “Për mbrojtjen e biodiversitetit” të ndryshuar. 84 vota pro.

3. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për eksport ndërmjet. Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, që vepron në emër të. Republikës së Shqipërisë dhe i përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Unicredit Bank Austria Ag për financimin e projektit “Shëndetësia elektronike në Shqipëri – Regjistri mbarëkombëtar i shëndetësisë elektronike”. 85 vota pro, 1 kundër (Genc Pollo)

4. Projektvendim “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për eksport, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, që vepron në emër të Republikës së Shqipërisë dhe përfaqësohet nga Ministria e Financave, dhe UNICREDIT BANK AUSTRIA AG, lidhur me financimin e projektit “Modernizimi i sistemit arsimor në Shqipëri nëpërmjet E-Edukimit”, 84 vota pro.

5. Projektrezolutë “Për raportin e Prokurorit të Përgjithshëm për gjendjen e kriminalitetit për vitin 2013”. 85 vota pro.

 

Miratohet me 85 vota pro rezoluta/ Prokuroria e Përgjithshme, mirënjohje Kuvendit: Shtysë për të vijuar luftën ndaj kriminalitetit

Pas votimit që Kuvendi i Shqipërisë i bëri raportit “Mbi gjendjen e kriminalitetit për vitit 2013” të prokurorit të Përgjithshëm, organi i akuzës shprehu vlerësimin pozitiv për mbështetjen e dhënë, duke theksuar se në rezolutë, ligjvënësit vlerësuan arritjet e institucionit, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit gjatë vitit të kaluar, si edhe nxisin forcimin e mëtejshëm të forcës goditëse, në përmbushje të këtyre dy prioriteteve të rëndësishme për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri.

“Në diskutimet e tyre, deputetët shprehën gatishmërinë për t’i ofruar mbështetjen organit të Prokurorisë në drejtim të forcimit të kapaciteteve ligjore, njerëzore dhe logjistike, me qëllim rritjen e efikasitetit në luftën kundër kriminalitetit.

Për institucionin e Prokurorisë, mbështetja nga ana e Kuvendit të Shqipërisë është një shtysë shumë e rëndësishme për të vijuar me intensitet të lartë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe për forcimin e bashkëpunimit me të gjithë institucionet ligjzbatuese vendase dhe ndërkombëtare”, – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

 

Vrasja e Santos, replika mes Topallit, Dules dhe Bares/ “Të ndryshohet rendi i ditës, kryesore jeta e njeriut jo e lepurit”

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jopzefina Topalli, kërkoi ndërprerjen e diskutimeve nga rendit të ditës, teksa po flitej për projektligjin për “Mbrojtjen e biodiversitetit”, duke kërkuar që të futet në diskutim çështja e sigurisë dhe rendit. Duke përmendur rastin e vrasjes së biznesmenit Artan Santo Topalli theksoi se një vrasje e tillë tronditi mbarë opinionin publik ndërsa Kryeministri Rama ende nuk ka folur. Sipas saj, mazhoranca flet për gjuetinë e derrave dhe të lepujve në një moment kur në vend po ndodhin ngjarje më të rënda. “Ka dy orë që ka filluar seanca plenare, po e ndjek me vëmendje dhe shoh që s’është Kryeministri, nuk është 90% e qeverisë. Shoh ministrin e Brendshëm aty mbrapa që qesh gjithë kohës. Ndërkohë që mazhoranca këtu flet për problematikën mjedisore, flet për Federatën e Gjuetarëve, na tregon se kanë ardhur e kanë rënë lejlekët, na tregon për gjueti derrash, pastaj na flasin për gjueti lepuri me drita natën”, – tha Topalli. Nga ana e tij, nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Dule, tha se opozita ka të drejtë të thërrisni në interpelancë Kryeministrin, por jo të ndryshojë rendin e ditës që është miratuar në Konferencën e Kryetarëve. Në replikë mori pjesë edhe deputeti socialist, Besnik Bare, i cili iu drejtua Topallit duke thënë: “Je personi më agresiv në të gjithë Parlamentin që ke fyer njerëzit nga nëna e baba. Më flet për ndjeshmëri nuk e meriton të respektohesh”. Nga ana e saj, ish- kryeparlamentarja Topalli tha se respektonte qëndrimet dhe e pasionin çdo kujt për biodiversitetin, por se nuk pranonte që të flitej për gjuetinë e lepurit në raport me situatën aktuale të sigurisë publike.

 

Komisioni hetimor për tatimet, opozita kërkon zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushteuese

Opozita vijon ti qëndrojë kërkesës së saj për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për çështjen e serverave të tatimeve. Në fillim të seancës së djeshme plenare, në emër të grupit parlamentar të PD-së, deputeti Eduard Halimi dhe deputetja Jozefina Topalli kërkuan përfshirjen në rendin e ditës të votimit për ngritjen e komisionit hetimor për serverin tek tatimet.

“Në rendin e ditës nuk është ngritja e komisionit hetimor për të kontrolluar qeverinë. Është vendim i Gjykatës Kushtetuese dhe është detyrim i mazhorancës për ta vazhduar.Duhet ta fusni në rend të ditës atë që keni detyrim nga Kushtetuta. Ju kërkoj të fusni në rend të ditës këtë çështje që është ratifikuar së fundi nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Topalli. Nga ana e tij, nënkryetari i Kuvendit Vangjel Dule sqaroi se kjo kompetencë i takon Konferencës së Kryetarëve që të procedojë më tej.  “I takon Konferencës së Kryetarëve të procedojë më tej në lidhje me çështjen. Kjo do të ndiqet, por jo duke dalë nga procedurat”, tha Dule. Çështja e serverave të tatimeve vijon te shkaktojë debate prej disa muajsh mes pozitës dhe opozitës, ndërkohë që pak javë më parë Gjykata Kushtetuese vendosi detyrimin e Kuvendit për ngritjen e këtij komisioni hetimor. Ndërkaq, gjatë seancës së djeshme plenare, u miratuan disa projektligje në fushën e pronësisë mbi truallin, shëndetësinë, si dhe sistemin arsimor, ndërkohë që debatet u përqëndruan tek siguria publike dhe raporti i publikuar nga Ministria e Brendhshme. Gjatë punimeve të seancës mungoi Kryeministri Edi Rama, ndërkohë që kryeparlametari Ilir Meta ndodhej për një vizitë në Izrael.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency