Antropologia angleze: Amerikanët skeptikë, thonë se “virgjëreshat e betuara shqiptare” janë transseksuale?!

0
139

Antonia Young

koperitneRiti i jashtëzakonshëm i malësorit shqiptar është: Nëse një vajzë kundërshton të martohet me dhëndrin e zgjedhur nga vetë prindërit e saj, i cili ndodh që është përzgjedhur edhe përpara se ajo të lindte, atëherë asaj i duhet t’i presë flokët shkurt dhe sa më shpejt të jetë e mundur të kthehet në burrë. Pa gjini, si një oshënar, ajo pritet të bëhet pjesë e armiqësive fisnore. Asaj i kërkohet të bëjë punë burrash. Nëse familja është në gjak, ajo mban të njëjtin rol me të vëllanë, por nëse ka një të dashur, është ai që ka për detyrë pasi të martohet me të, të shkojë të marrë hakun për të çuar në vend nderin e saj. Një vajzë si kjo ne e kishim në karvanin tonë. Ajo kishte një shënjestër të pabesueshme kur shtinte me kobure. Për javë me radhë mendova se ishte thjesht një burrë i zakonshëm.

Rosita Forbes, Gypsy in the Sun

 

 Të  jetuarit si burrë

Kemi vëzhguar me kujdes jetesën e këtyre ‘virgjineshave’ në Shqipëri, qëllimin dhe vendndodhjen e tyre; gjithashtu kemi sqaruar shumë nga termat e përdoruar për to dhe kemi trajtuar rolin e tyre nëpër filma ose libra të ndryshëm; tani me patjetër na duhet të rrëfejmë historitë e veçanta të disa prej këtyre grave madhështore. Janë femra që kanë zgjedhur, që janë lejuar dhe mbështetur nga shoqëria e tyre ose janë detyruar nga prindërit, të bëhen burra.

Përgjatë dekadës së kaluar, kam mundur të kaloj ca kohë në shoqërinë e disa prej këtyre grave, të cilat i janë përkushtuar me shpirt vendimit të ndërmarrë edhe pse në shumë situata është e nevojshme të zbatojnë vetëm disa elementë të përgjithshëm (nuk ka qenë gjithnjë kaq e volitshme ose e mundur të pyesja për hollësira gjatë intervistave).

Çdo rast është krejtësisht i ndryshëm nga tjetri, jo vetëm prej strukturës së familjeve ku bëjnë pjesë, por gjithashtu edhe nga interpretimi që ato vetë i bëjnë rolit të ‘virgjineshave’dhe si përshtaten me ambientin që i rrethon. Në të shumtën e rasteve, as transformimi i jetës në atë të një mashkulli dhe as zbatimi i këtyre zakoneve, nuk përputhet saktësisht me rregullat e paracaktuara në kapitujt e mëparshëm. Fakti më i rëndësishëm ku ne mund ta kuptojmë ose jo ndonjërën prej ‘virgjineshave’ si të tillë, është nëse ato pranohen ose jo brenda mjedisit tradicional ku jetojnë, rural (më i shpeshtë) ose urban. Situata e ‘virgjineshave’ në zonat rurale i bën ato të përqafojnë më nga afër rolin tradicional, ndërsa burrneshat e qytetit duket se janë përshtatur më shumë me zakonet moderne. Një tjetër veçanti e burrneshave të zonave rurale është se të gjitha ato që kam takuar, vazhdonin ende të jetonin në shtëpinë ku qenë lindur.

Në vend që të zbuloja se si ka arritur çdonjëra prej tyre të përshtatej me rolin e “virgjineshës”, jam përpjekur të marr përgjigjet e një morie pyetjesh të larmishme, si nga ato vetë, ashtu edhe nga njerëzit me të cilët ato ndajnë jetën e përditshme.

Pothuajse kudo ku kam shkelur, më kanë pritur me hare, mikpritje të paimagjinueshme dhe gjithë dashamirësi, i kanë çmuar me seriozitet pyetjet e mia, duke më ofruar një pamje të plotë rreth larmishmërisë së jetës së tyre, të cilën e kam regjistruar dhe shprehur si më poshtë. Jam interesuar të gjej se si ‘virgjineshat’ e kanë pranuar këtë rol, nëse ka pasur ndonjë kremtim të rastit, nëse familjet e tyre i kanë nxitur, shtyrë ose inkurajuar drejt këtij transformimi, si ka ndryshuar vetë jeta e tyre dhe si e perceptojnë ato rolin që kanë në shoqëri. Megjithatë, siç dhe u përmend diku në kapitujt e kaluar, ka qenë shumë e vështirë të nisje një bisedë rreth seksualitetit.

Në një vëzhgim më të gjerë të dallimeve, në fillim ne duhet të shqyrtojmë rastet që kanë ndodhur në zonat rurale, dhe më pas disa prej atyre në zonat urbane, të cilat dëshmojnë për një tendencë në ndryshim. Disave prej këtyre ‘virgjineshave’ u kam vënë emra alternativë për t’u ruajtur njëfarë anonimati. Prapëseprapë, nuk ka qenë e nevojshme në të gjitha rastet, pasi shumica e tyre janë më se krenare për transformimin dhe pozicionin e tyre në shoqëri. Zbulimet e bëra nga të tjerë studiues dhe reporterë shtypi gjatë viteve 1990 janë përfshirë në librin tim, ngaqë thuasje të gjithë i referohen njërës a më shumë prej “virgjineshave”, të cilat unë tashmë i kisha intervistuar.

 

 

                    “Virgjineshat” e fshatit

Lulja

Lulja dhe familja e saj jetojnë në një shtëpi përdhese në një fshat të vogël rreth pesëdhjetë kilometra larg Shkodrës dhe jo shumë larg bregdetit Adriatik, ky ishte vendi më i lehtë për t’u vizituar mes gjithë burrneshave të tjera që takova. Rruga që ndoqa për të mbërritur në shtëpinë e saj, është e pakalueshme nga çdo lloj mjeti automobilistik, pasi shpeshherë ai zhytet i gjithi nën baltë, ngaqë rruga shkelet prej lopëve dhe prej kafshëve të tjera që u duhet të kalojnë aty. Shtëpia është ndërtuar pas rrugës, sipër në të ngjiteshe nëpër një palë shkallare prej betoni. Sapo mbërrijnë në shtëpinë e Lules, si gjithmonë i urojnë mirëseardhjen çdokujt që shkon si vizitor në atë familje. Pulat e shpërndara nëpër oborr rendin po njësoj si e gjithë familja që rend të dalë përjashta; të gjithë të rriturit e pranishëm në ato çaste, nëpër të një turmë fëmijësh këmbëzbathur, që shfaqin një kërshëri të gjallë të përzier me një dëshirë të ngucur për të të ofruar mikpritje. Vizitorët shoqërohen brenda gjithë gëzim. Të duhet pak sa të përshtatesh me errësirën e krijuar brenda; dritaret e vogla janë të mbuluara me perde të trasha dhe muret me një rozë të errët që binte në sy sapo hyje në zemrën e shtëpisë, gjë që e rëndon më shumë ambientin. Lulja i shoqëron vizitorët për në odë: por meqë kjo është një shtëpi katolikësh, aty gjenden të shtruara velenxa për t’u ulur dhe një koleksion me punime dore të vendosura në një tabelë të vogël. Ambienti bënte kontrast me tapetin e stolisur me imitime ku shfaqej një dre në një sfond mes malesh, e që mbulonte më shumë se një faqe muri.

Lulja urdhëron femrat që t’u shërbejnë vizitorëve për të ngrënë e për të pirë. Njëra prej vajzave të kryefamiljarit, Dafina, një cucë e re, nxitimthi merr detyrat nga e ëma, e cila është e zënë me dy fëmijët e vegjël. Ajo vjen me tabakanë me pije të ftohta dhe kafe turke, duke na i hedhur nëpër kupa të vogla dhe të gjitha ato i vendos me kujdes mbi një tryezë të vogël, sipër saj qe shtruar një çentro e bardhë e punuar me dorë. Ajo është tmerrësisht e vëmendshme ndaj të gjitha kërkesave të të pranishmëve. Fëmijët e tjerë qëndrojnë jashtë kësaj dhome. Motra më e madhe e Lules, Drania (e pamartuar për shkak se ka qenë shëndetligë), ulet përdhe, ndërsa Lulja ulet në kolltuk. Drania vishet me rroba tradicionale: shami në kokë, gjymlek, i gjithi i bardhë dhe një fustan tej e tej i errët, sipër mban një përparëse të bardhë, ndërsa të gjitha femrat e tjera dhe fëmijët, janë veshur me rroba të një stili më modern. Në vizitat e mëvonshme, ne ndenjëm në dhomën e pasme, aty ku edhe Drania kishte zënë shtratin për muaj të tërë para se të vdiste (në vitin 1997).

Lulja ishte fëmija i tetë nga të njëmbëdhjetë që kishte kjo familje. Pas shtatë vajzash, e ëma lindi dy djem binjakë, por njëri prej tyre vdiq shumë shpejt. Pjetari, binjaku që mbijetoi, llastohej tmerrësisht shumë nga të gjithë familjarët, aq sa u ligështua dhe u ndrydh fare nga prania e prindërve dhe e shtatë motrave të tij. Duke u rritur në këtë mjedis, u bë më se e qartë se ai nuk do të mundej t’i mbante përgjegjësitë e veta si i vetmi djalë në një familje me nëntë vajza. Lulja mban mend se ajo qysh e vogël sillej si djalë dhe e kalonte kohën po njësoj si të gjithë djemtë e tjerë të 8-vjeçares. Motra e saj më e madhe rrëfen: ‘Jena përpjek me i vesh Lules fustane, po ajo gjall n’bot s’ka pranue. Na zuni ankthi me Pjetarin e vocër, se ai s’mujt me u kujdes për veten e vet, një humbalaq krejt’. Lulja e dinte se ajo kurrën e kurrës nuk do të martohej: ‘Kur qeshë femi çaja ferrën e ikja sapo nëgjoja se ndokush po munohej t’më martonte me mblesëri’. U bë më se e dukshme se Pjetari ishte i paaftë për të drejtuar shtëpinë dhe të përfaqësonte familjen nëpër mbledhjet e fshatit ‘dhe në çdo rast ai m’kishte pranu si vllaun e vet’, tha Lulja. Vetëm një vit pasi u martua Pjetari, atyre u vdiqën prindërit, kur Lulja ishte rreth nëntëmbëdhjetë vjeçe, por ajo krejt natyrshëm mori në dorë drejtimin e shtëpisë. Tani ajo drejton një familje me dhjetë anëtarë (nga takimi im i parë me të) si dhe kujdeset për ofiçinën e saj të vogël, ku ushtron zanatin me një makineri saldimi. Asnjëherë nuk është penduar për vendimin e saj: “Në t’kundërt s’kisha me pasë… tash tana i kam n’rregull, kam nji familje t’madhe. Kena tokë boll për me jetue të tanë bashkë k’tu, n’ditshim me e majtë, kam qef me kanë e ngarkume me punë, me shkue n’pazar e me shitë prodhimet e tok’s për nevojat e familjes. Jam krenare si kujdesna për shpinë, familjen e tokën sikur e ka ba baba jem n’kohë t’vet. J’au kam dhanë fjalën prindër ve, n’gërhamën e funit, se kam me j’au rujt nerin e familjes. Puna asht’ gjaja ma e randsishme e jet’s teme edhe pse jam mërzit për ofiçinën ku kam punue si shofere traktori n’komunizëm”.

Edhe e shoqja e Pjetarit e konfirmon nevojën që kishte shtëpia për t’u drejtuar nga Lulja: ‘Kur jam martue, gjenja n’shpi asht’ kanë pak e zorshme’, pranoi ajo, ‘por shum shpejt u msova me Lulen e tash m’doket bash si vlla’. Pjeta­ri ndihmon fare pak në familje dhe të gjithë, si pjesëtarët e brendshëm, edhe ata të jashtmit e shohin Lulen si njeriun që merr vendimet dhe administron gjithë ato dynymë tokë që familja ka në pronësi. Me sa duket, ai i ka zët ngacmimet që i bëjnë të tjerët, madje edhe prej fëmijëve të vet, të cilët i thonë se e vetmja gjë që bën, është gjumi. Një hallë që ka ardhur për vizitë nuk pushon nga lëvdatat për Lulen, duke thënë se ç’rol të rëndësishëm ka luajtur ajo në mbajtjen e familjes të bashkuar dhe duke u kujdesur për mbarëvajtjen shumë të mirë të shtëpisë edhe pse janë kohëra të vështira. Lulja vetë kujdeset për kafshët, merret me mbjelljen dhe kositjen, nxjerr prodhimet prej bagëtisë dhe më pas i shet në pazar.

Kur po flisnim për fëmijërinë e saj, Lulja më tregoi disa fotografi, ku kishte dalë si një djalë mes djemve të tjerë të shkollës; në fotografitë e tjera ajo dukej vërtet një djalosh, duke ngarë traktorë dhe kamionë, profesioni i saj që kur mbushi katërmbëdhjetë vjeçe, foto si e ftuar nëpër dasma veshur me rroba elegante meshkujsh (kostum me jelek dhe kollare, pantallona të ngushta me shkëlqim të qepura me kujdes). Si një vëzhguese e vëmendshme, e mësuar tashmë t’i shohë gratë me pantallona, për mua është më se e dukshme se ky është vendimi i saj dhe e bën të ndihet e sigurt në vetvete. Ndonjëherë Lulja vesh atë xhaketën e saj të zezë prej lëkure dhe në verë mban syze dielli për burra. Gjithashtu ajo mban edhe aksesorë të tjerë meshkujsh, siç është ora e dorës (femrat rrallëherë mbajnë të tilla). Me vete mban përherë edhe një faqore me alkool, ka varësi prej duhanit dhe cigaret ia ndezin të tjerët si shenjë respekti, ajo kontrollon çdo lloj situate në grup kur unë kam rastisur dhe e kam parë vetë, gjë që më vërteton se sa me lehtësi e përmbush ajo rolin e saj si kryefamiljare.

Një pamje e tillë kaq burrërore, do të dukej tejet e ngarkuar për një femër që përfytyrohet se ka një sjellje shumë të rezervuar, në fshat gratë vënë shami në kokë dhe vishen me funde, mbi të cilat vënë një përparëse; pa kurrfarë dyshimi për shqiptarët Lulja shihet si një burrë.

Lulja e shijon pozitën që mban, duke u gjuajtur lehtë në supe atyre burrave që ajo i konsideron miq. Respekti që ajo ngjall për këdo është i dukshëm, mashkull a femër qoftë, me ata që ka kontakte, si në fshatin e saj ashtu edhe më gjerë. Ne bëmë disa vëzhgime në shtëpinë e fqinjëve më të afërt të Lules, pasi isha e interesuar të kuptoja nëse ajo ishte po kaq e pekruar sa ç’mund të jetë i nderuar zakonisht një burrë që ka një pozitë të rëndësishme.

Gjatë vizitës te Lulja, ajo ishte duke pritur një mysafir mashkull. Pas mbërritjes sonë, i kërkoi mikut të saj, Artanit, që të dërgonte njërin nga fëmijët të thërriste nusen e tij, me të cilën sapo qe martuar, për t’u takuar me ne. Pas pak çastesh ajo mbërriti e shoqëruar nga e vjehrra; mbante veshur një fustan të bardhë nusesh të gjatë dhe ishte lyer me një buzëkuq në të kuq të ndezur, kishte bërë grim të rëndë në fytyrë dhe kishte ngjyrosur lehtë vetullat. Cullufja me flokë të rralluara në majë të kokës, binte menjëherë në sy prej vellos nusërore të bardhë, djali i mbante vellon e gjatë nga fundi i fustanit të saj, për të mos e lënë që të ndotej nga rrugica e baltosur deri te shtëpia e Lules. Sapo hymë në shtëpi, vumë re se ajo kishte mbathur një palë sandale me taka shumë të larta. Ajo hyri në odë gjithë ankth për të na përshëndetur; zuri vend e ngathët dhe përgjatë gjithë kohës së mbetur që kaluam aty, nuk nxori asnjë gjysmë fjale. Pjetari, fëmija i gjashtë, jeton me Lulen si kryefamiljar (katër fëmijë i kishin vdekur gjatë lindjes ose kur ende fëmije). Disa prej fëmijëve e pyesnin: “Pse i themi asaj ‘halla Lule’ kur ajo është burrë?” E pyetur nëse i ka munguar seksi gjatë jetës së saj, Lulja gjegjej prerazi se pesë minuta qejf nuk kanë pikë vlere krahasuar me gjithë lëmshin dhe mjerimin që të fal të pasurit e një kërthije. Shihet qartë se Lulja e ka mbrojtur me fanatizëm betimin e saj për pastërti të përjetshme, duke mundur kështu të ruajë autoritetin e saj të nderuar.

 

Dilorja

Edhe Dilorja jetonte në zonat e ulëta të një prej fshatrave aty pranë, mu në mes të disa ngastra tokash, të ujdisura dhe të mbjella për bukuri. Më përcollën të takoja këtë 84-vjeçare që drejtonte shtëpinë si kryefamiljar Bujari. ‘Atë e neron gjithkund, gjithkush, sot e ksaj dite, edhe pse ka koh si s’munet me kan gjallnike si dikur’, më rrëfeu nipi i saj Gjoka. Kur ishte gjashtë vjeçe, duke bredhur nëpër pyll, Dilja ndeshi një mjek popullor, i cili i mësoi se ku rriteshin këto lloj bimësh mjekësore. Qysh prej asaj kohe ajo filloi të bënte mjekime popullore dhe mjekët e spitaleve aty pranë e më gjerë vinin tek ajo për t’u këshilluar. Thoshte se kishte zbuluar një kurë gjashtëditore me mjekime popullore që shëronte hepatitet, si edhe një tjetër mjekim të nxjerrë nga rrënjët që rriteshin në pyllin aty përbri, që ndihmonte për disa shqetësime të syrit. Kur ishte tetë vjeçe, me dy motra dhe asnjë vëlla, Dilja ndryshoi emrin (në Dilore) dhe mori vendimin të shndërrohej në djalë, të mos martohej kurrë, por të fitonte përparësitë që i dhuronte të jetuarit si mashkull. Kërkoi një mbledhje me të gjithë farefisin e saj, edhe pse mungonte njëfarë entuziazmi prej tyre për këtë vendim, Dilorja nuk u lëkund nga vendimi i saj dhe fitoi respekt shumë shpejt, si të familjes së saj, ashtu edhe të fqinjëve. Disa vite më vonë, pasi i vdiq e ëma, babai i Dilores u martua përsëri dhe lindi një djalë, Nikollën, por ky fakt kurrë nuk ndikoi në vendimin e Dilores. Kur më vonë i vdiqën prindërit, Dilorja dhe Nikolla ndërtuan një shtëpi të tyren. Nikolla u martua, i biri i tij gjithashtu u martua, dhe shtëpia u bë me shtatë anëtarë.

Dilorja refuzoi të bënte shërbimin ushtarak, madje edhe stërvitjet e detyruara, duke e kundërshtuar prerazi qeverinë komuniste. Kur e takova për herë të fundit, ajo vazhdonte të merrte pjesë nëpër mbledhjet e fshatit. Gjatë periudhës ko­muniste, kjo familje ishte nga të fundit që e braktisi tokën e saj, deri kur përfundimisht ia morën me dhunë. Dilorja, një katolike e devotshme, shpesh vizitohej nga forca policore për këtë shkak, por ajo i shkonte të sajës në këtë ballafaqim të rrezikshëm: ‘Ju kisha ra n’fije atyne njerzve, shpesh msheftas ju dhonsha gjana nën dorë: bajsha çmos që familja jeme me i prit si i ka hije malsorit, po prapësëprapë urdhri zyrtar nga jasht zon’s na shpronësoi prej tok’s sonë’. Nikolla u kujtua të thoshte: ‘ata s’guxojshin me e arrestue Diloren, krejt katuni e majke n’pllam t’dorës’. Asaj i kërkohej shpesh të shkonte dhe të përfaqësonte fshatin si ‘prijësi’ i tyre mes dasmorve, za kon ky kur shkonin të merrnin nusen për në dasmën e saj, për këtë gjë Dilorja mbante veshur një xhamadan (jelek i qëndisur, tradicional per dasma, i cili vishet nga burrat në të tilla raste). Dilorja shquhej për urtësinë e saj në menaxhimin e tokave dhe aftësinë për të nxjerrë mjaftueshëm fitime në prodhime dhe para sa për të gjithë komunitetin e fshatit.

Gruaja e Gjokës fillimisht u habit kur shkoi të jetonte në këtë familje, por në heshtje pranoi: ‘E kam për detyrë me i shërbye edhe Dilor’s, edhe pse asht ba pak e zorshme’. Shumë përmendnin Diloren për të folurën e saj duke u betuar, zakon ky i lejueshëm dhe i përshtatshëm vetëm për burrat. Ajo (me veshje burrërore si pjesë e zakonit, përfshirë këtu ‘qeleshen’ e bardhë), shpesh kur ecte mbante mjaft distance kur takonte njerëzit e zonave përreth. Në vizitat tona, ajo shpesh mungonte në takimet me burrat e tjerë të lagjes. Një herë na rrëfeu një ndodhi, se si një burrë e kishte sfiduar atë të tregonte se çfarë fshihte poshtë pantallonave: ‘Ia drejtova koburen teme tuj i thanë jam ka e la dekun n’tokë: si përfunim mu ul n’guj e m’ra n’besë me ja fal jetën!’ Ajo qe mësuar të argëtohej me miqtë e saj, duke ngacmuar vajzat e fshatrave të tjerë që mendonin se ajo ishte burrë si gjithë të tjerët, por kur zbulonin të vërtetën nguteshin ta ndërprisnin me kaq lojën e tyre. Nikolla, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth seksualitetit të Dilores, përmendi diçka se ‘siç e tha ajo vetë, u mësua që të zbavitej duke ngacmuar vajzat e reja simpatike, por do të ishte krejt jashtë logjikës për të, nëse do ta vazhdonte më tej këtë shaka – e ç’të bënte më tepër ai?’

Si një ‘virgjjineshë’, as që bëhej fjalë që Dilorja ta çonte më tej këtë prirje të mundshme. Pendesa më e madhe e Dilores është: ‘komunistat ma morrn kalin dhe koburen teme’.

 

 Antonia Young: Virgjëreshat shqiptare më konfirmuan patriarkalitetin

Një mision jo i lehtë për studiuesen angleze Antonia Young mbi fenomenin e mbijetuar në Evropë, në veriun e Shqipërisë, virgjëreshat e betuara ose burrneshat. Jo vetëm për të mbledhur informacionin dhe të kuptuarit arkaik të kësaj kulture tepër të hershme të trashëguar, e mbijetuar në vendin tonë, por edhe analizën antropologjike si janë kthyer këto gra në “burrnesha”, në përballjen me tezat e perëndimit mbi seksualitetin. Argumenti i Young-ut lidhet me thelbin e fenomenit, si një ndryshim gjinie dhe jo seksi, si thelb i këtij fenomeni, duke e parë të shkëputur nga keqkuptimet e ndjekura ndonjëherë, por edhe në kushtet e sotme sociale.

Autorja “mbron” tezën e saj si fenomen historik në kontekstin kulturor, tradicional dhe social të gjallimit të këtij fenomeni dhe ecurinë e tij në kohë, duke sjellë studimin e saj deri në ditët tona “Gratë që u bënë burra”, përkthyer në shqip, e promovuar dje në prezencë të albanologes.

Etnografja Afërdita Onuzi e ka vlerësuar dje si antropologia më e mirë mbi studimet që janë bërë mbi këtë fenomen në Shqipëri, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një popull të huaj, për të. Mbi këtë fenomen, ka vazhduar Onuzi, shpesh është abuzuar, e kthyer në biznes, duke ardhur studiues nga të katër anët e botës. Young ka thënë etnografja është e vetmja që e kuptuar këtë realitet historik duke shkuar derë më derë, e takuar drejtpërdrejt personazhet. Ndërsa rrëfimi i Young-ut, për herë të parë në një prani shqiptare, lidhet me kontaktin e parë me shqiptarët. Viti 1989, e solli në Shqipëri mbi kërkimet e saj, nisur qysh nga viti ‘50 – kohë kur udhëtonte nëpër Jugosllavi dhe gjithnjë mbante kuriozitetin të dinte se çfarë kishte pas maleve. Në ‘90-ën Young ka treguar se falë një turi të udhëhequr për në Shqipëri, të quajtur “Në gjurmët e Edit Durhamit”, realizoi ëndrrën e saj. “Kisha lexuar gjatë kësaj kohe shumë dokumente mes Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu kisha lexuar mjaft libra për këtë fenomen. Gjeta po ashtu një libër të Andromaqi Gjergjit, e cila punoi gjatë komunizmit, pak a shumë e paprekur nga regjimi, ishte e kujdesshme për çfarë shkruante”, ka treguar Young. Prej ‘90-ës, antropologia tha se ka ardhur në Shqipëri çdo vit, ndërsa bashkëshorti i saj e shtynte drejt studimit të fenomenit shqiptar të “virgjëreshave”.

“Kam pyetur shumë, e kërkuar dhe aq shumë kam gjetur”, – thotë ajo. Çfarë e ka impresionuar lidhej me normalitetin se si vendasit e shihnin dukurinë, siç rrëfen Young, sa habiteshin pse po kërkonte “virgjëreshat”! Nga ana tjetër duket se antropologia angleze ka pasur “frikën” e përhershme, në mbrojtje të këtyre njerëzve, që të mos spekulohej me mbipublicitetin. Ajo thotë se është një fenomen evropian “burrneshat”, që nga hulumtimet e saj del se që, si shumë tradita të vjetra, si në asnjë vend tjetër ka mbijetuar në Shqipëri.

Ndërsa pyetjes së “Standard”, asaj që shfaqet më thelbësore sot, në përballjen e këtij fenomeni në kushtet sociale, në trajtesën si keqkuptim kulturor në perëndim antropologia përgjigjet: “Kam jetuar në Amerikë dhe atje kam hasur në një skepticizëm total. Ata e shihnin si formë e transseksualitetit, ndërsa unë e kisha kuptuar shumë mirë këtë fenomen. E njihja realitetin. Më është dashur të kundërshtoj me forcë mbi këtë problem. Për ta kuptuar këtë fenomen, jam përpjekur të bëj një krahasim me lëvizjen feministe që lindi në vitet ‘70, kur gratë po merrnin në duar jetët e tyre dhe po bëheshin më të forta, ku po avanconin dhe në poste politike. Krahasuar me lëvizjen e grave në Shqipëri, ku fenomeni kishte lidhje me mbajtjen e familjes, gjë që s’ishte e zakonshme në Evropë. U përpoqa pra, të bëja krahasime mes kësaj lëvizjeje dhe virgjëreshave, por totalisht, ishte pa lidhje. Virgjëreshat më konfirmuan e rikonfirmuan patriarkalitetin, ndërsa lëvizja feministe jo”.

Studimi i këtij fenomeni si kontekst kulturor duke dhënë krahasime e shpjegime antropologjike dhe etnografike e bëjnë referues për shkencën librin e Young-ut, e cila e ka pasuruar me intervista të hollësishme të disa prej tyre në Shqipërinë e Veriut gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Autorja thekson se mënyra e të veshurit, është ajo që bën ndarjen e gjinive në një shoqëri thellësisht patriarkale, pasi veshjet luajnë një rol të rëndësishëm në formimin shoqëror mes gjinive, të dallueshme në ngjarjet e rëndësishme të jetës, si martesa apo ndryshimi i banimit. Zgjedhja e veshjes pasqyron natyrën e një sistemi të veçantë social-ekonomik në Malësinë e Shqipërisë apo në disa zona të tjera të Ballkanit, por edhe këtë tipar të veçantë se, në kushtet e vështira mjedisore, shpesh veshja dhe nderi lidhen drejtpërdrejt me nevojat ekonomike. Faktori ekonomik është shumë i rëndësishëm në këtë shoqëri patriarkale që, mes detyrave të grave, të jetë edhe marrja e rolit të burrave për drejtimin e familjes në rastet kur këta mungojnë. Këto gra, sikurse burrat, janë të gatshme të marrin armët nëse i thërret nevoja, me qëllim ruajtjen e nderit të familjes nga gjakmarrja.

“Kur e nisa këtë hulumtimin, – veçon autorja Antonia Young, – shumë njerëz, jo nga veriu i Shqipërisë, nuk kishin dëgjuar kurrë për traditën e ‘virgjineshave’, ndërsa ata që kishin dëgjuar, mendonin se tashmë ky fenomen nuk ekzistonte më, të tjerë e mohonin me forcë mundësinë e ekzistencës së këtij fenomeni”.

V. Murati

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency