Zbardhet platforma për reformën e vetëqeverisjes vendore/ Basha: Reforma, jo për llogari politike, por për interesa të qytetarëve

0
118

Florenc Drizari

lulzim basha autonomia vendore takimi 2 (1) Kreu i opozitës, Basha: I gatshëm për bashkëpunim me mazhorancën.  Janë ulur që në fillim të këtij procesi, me interesa dhe llogari paraelektorale dhe politike

 Të zgjedhurit vendorë të Shqipërisë miratuan dje parimet mbi të cilat duhet të kryhet reforma administrative-territoriale. Përfaqësues të 378 njësive të qeverisjes vendore dhe këshillave të qarqeve, në rezolutën e përbashkët, i kërkojnë mazhorancës thellimin e reformës së decentralizimit dhe zgjerimit të autonomisë vendore, riorganizim të përshtatshëm të territorit, që të respektojë interesat e qytetarëve dhe komuniteteve vendore, të drejtën e tyre për t’u vetëqeverisur, për t’u pyetur dhe dëgjuar për çdo ndryshim.

Kryetari i Shoqatës së Bashkive, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha, theksoi se edhe në emër të përfaqësuesve të 386 njësive vendore, ka qenë i prerë në qëndrimin e tij se interesi i vetëm i tyre është gjetja e mënyrave për t’u shërbyer më mirë qytetarëve.

“Sot, jemi mbledhur këtu, si mbartës të mandateve përfaqësuese, të zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve shqiptarë, pa dallime politike, të shtyrë pikërisht nga interesi i qytetarëve shqiptarë. Si mund të mundësojmë më shumë investime dhe investime më cilësore, shërbime më të shpejta, e më të pakushtueshme, barrë fiskale të përballueshme, transparencë dhe llogaridhënie?! Ky është interesi që na ka mbledhur këtu në këtë sallë dhe ana tjetër e medaljes është frika jo në emrin tonë, as të njësive që ne përfaqësojmë, por në emër të qytetarëve shqiptarë dhe të këtij vendi se diku, disa, janë ulur që në fillim të këtij procesi, jo me interesin më të mirë të qytetarëve në mendje por me interesa dhe llogari paraelektorale, elektorale dhe politike në mendje dhe në zemër”, – u shpreh Basha.

Kreu i Bashkisë më të madhe në vend, njëkohësisht edhe shefi i opozitës, Lulzim Basha, ka theksuar se në qendër të kësaj reforme duhet të jetë interesi qytetar, shërbimi ndaj qytetarëve dhe jo harta, siç e ka përcaktuar si prioritet mazhoranca.

“Pse jemi skeptikë? Sepse e kanë nisur dhe duan ta përfundojnë vetëm me hartën, sepse s’kemi dëgjuar asnjë fjalë të vetme se si mund të fuqizohet pushteti vendor, se si mund të bëhet më i aftë, më i fortë, më transparent, më llogaridhënës, më përgjegjës dhe më përgjegjës ndaj qytetarëve. Harta, harta, harta… 37, 26, 47, një lojë e turpshme kungulleshash, një mjegullnajë që përpiqet djallëzisht ta lodhë qytetarin shqiptar e ta largojë nga kjo vendimmarrje kyç për pyetjet kryesore të përditshme, se si do të jetë shkolla ku do të çojë fëmijën, nëse do të ketë vend në kopsht, a mund të ketë ngrohje, se kur do të rregullohet gropa e rrugës, kur do të kemi ujë 24 orë apo çështje të tjera më të rëndësishme”.

Kryetari i Shoqatës së Bashkive dhe lideri i opozitës shprehu gatishmërinë për t’u ulur e për të diskutuar me mazhorancën, për të arritur në një reformë reale, ku të dëgjohet zëri i të gjithë qytetarëve dhe produkti final t’u shërbejë atyre.

“I bëj thirrje mazhorancës të reflektojë dhe të japë konsensusin politik, si një minimum për t’i hapur derën një diskutimi gjithëpërfshirës dhe të vërtetë. Jemi gati të ulemi e të gjejmë “pegasusin” e duhur, për të bërë këtë kapërcim që është një thirrje e Shqipërisë bashkëkohore e jo për tu llokoçitur në llumrat e errët e kohëve më të errëta të këtij vendi. Nuk paragjykojmë asgjë, por le të ulemi për të bërë atë që vërtet është reformë! Decentralizimin, fuqizimin e pushtetit vendor e më pas pa dyshim edhe derivatet mbi territorin, konsolidimi territorial. Ka kohë të mjaftueshme, nëse ka vullnet”.

 

 Basha: Pesë parimet e platformës për reformën e vetëqeverisjes vendore

1. Decentralizimi dhe zgjerimi e konsolidimi i autonomisë vendore duhet të jetë drejtimi themelor dhe udhëheqës i reformës.

2. Reforma duhet të bazohet dhe udhëhiqet nga parimet e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe përfaqësuese, të shërbimit sa më pranë qytetarit, të partneritetit dhe bashkëpunimit, të shpërndarjes së drejtë të burimeve dhe mbështetjes së njësive vendore me mundësi më të pakta, të transparencës dhe llogaridhënies sa më pranë qytetarëve dhe komunitetit.

3. Riorganizimi territorial i njësive të qeverisjes vendore në çdo nivel duhet të pasqyrojë identitetin e komunitetit të banorëve të krijuar përgjatë historisë dhe ta harmonizojë atë me funksionalitetin e njësive të reja qeverisëse.

4. Procesi i hartimit të reformës decentralizuese, administrative e territoriale dhe miratimi i saj të kryhet vetëm përmes konsensusit të plotë politik në Kuvendin e Shqipërisë.

5. Çdo komunitet vendor të ketë mundësinë të shprehë qëndrimin pro apo kundër ndryshimit të kufijve vendorë, siç sanksionohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

 

Rezoluta/ Qëndrimi i 378 njësive të qeverisjes vendore për reformën decentralizuese dhe territoriale

 Ne, të zgjedhurit vendorë me mandatin përfaqësues të komuniteteve vendore dhe qytetarëve shqiptarë, kryetarë të bashkive dhe komunave, anëtarë të këshillave bashkiake, komunalë e të qarqeve të Shqipërisë, pa dallime partiake e politike; nëpunës civilë dhe punonjës të administratës vendore dhe njësive të ndryshme që kryejnë shërbimet vendore; përfaqësues të organizatave civile e komunitare anembanë Shqipërisë; përfaqësues të organizatave të sipërmarrësve të mëdhenj, të mesëm e të vegjël në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe nga të gjitha rajonet e vendit; deputetë të Kuvendit të Shqipërisë; qytetarë të lirë, burra e gra, të rinj e të reja, me apo pa angazhime politike, të mbledhur sot më 2 korrik 2014 në Tiranë;

Duke vlerësuar se procesi i ndjekur nga qeveria dhe mazhoranca:

• nuk është kryer e nuk po kryhet me metodën e duhur,

• nuk ka marrë në konsideratë kontributet e vyera dhe objektive të shoqërisë civile, komunitetit të ekspertëve dhe përvojën e mirë evropiane;

• nuk ka përfshirë sa dhe siç e kërkon një reformë e tillë të zgjedhurit vendorë;

• po kryhet pa konsultime të vërteta me qytetarët dhe komunitetet vendore por me mënyra e mjete që kërkojnë të imponojnë skenarin e njëanshëm qeveritar të një harte të re, pa një reformë të vërtetë decentralizimi;

Duke vlerësuar se reforma e decentralizimit e nisur që në vitin 1992 dhe që njohu zhvillime të mëdha konsensuale, veçanërisht në vitet 2000-2009, ka krijuar një sistem të qeverisjes vendore në tërësi funksional.

Duke vlerësuar me realizëm problemet, mosarritjet dhe dështimet dhe për këtë qëllim pas një analize të thellë dhe objektive, duke u dakordësuar se më së pari, shkaqet qëndrojnë në:

• Varfërinë dhe pamjaftueshmërinë objektive të burimeve për zhvillim, me të cilat ndeshet shumica e njësive të qeverisjes vendore në zonat me më pak mundësi zhvillimi;

• Pasaktësitë, paqartësitë dhe të metat në procesin e decentralizimit të disa prej funksioneve dhe përgjegjësive dhe mos-shoqërimin e tyre me mjetet dhe fondet e duhura;

• Konfliktin politik i cili është transferuar dhe ka ndikuar sipas rastit, si relacionet politike në qeverisjen vendore ashtu edhe në marrëdhëniet mes qeverisjes vendore dhe asaj qendrore.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency