Vendimi/ Gjyqi i Frrokut, do të shfaqen pamjet filmike të vrasjes së Dritan Lamajt

0
124

Sonila Mesareja

beni Përfundojnë provat e Prokurorisë, paraqiten 8 fashikuj me prova shkresore. Pritet edhe dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur Ndoka, do të bëhet me videokonferencë

Do të shfaqen pamjet filmike të vrasjes së Dritan Lamajt, të filmuara nga kamerat e sigurisë të disa bizneseve në zonë. Ky ka qenë vendimi i marrë dje nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pas përfundimit të paraqitjes së provave nga ana e Prokurorisë në tetë fshikuj hetimorë dhe mbetjes së një prove ende të pakonsumuar, ajo e dëshmisë së A. Ndokës, dëshmitar i marrë në mbrojtje nga Policia e Shtetit. Lidhur me dëshminë e këtij të fundit është parashikuar që të bëhet përmes videokonferencës, ndërsa nga akuza po shihen mundësitë teknike për ta realizuar atë. Sipas akuzës, e cila dorëzoi dje këto prova, përmes tyre provohet me fakte që i pandehuri Arben Frroku është i implikuar në vrasje. I menjëhershëm si në çdo seancë ka qenë reagimi i Frrokut. Ai ka rideklaruar se mbahet padrejtësisht në burg, pasi ai s’ka asnjë lidhje me vrasjen.

 

Akuzat e të pandehurit

Gjatë seancës së djeshme, i pandehuri Frroku ka shkuar më tej duke akuzuar se prokuroria po e ekzekuton atë duke e mbajtur në burg, njësoj si bandat kriminale vrasin biznesmenë rrugëve të Shqipërisë. Gjithashtu, i pandehuri deklaroi se ndërsa në rrugë ka një bandë që vret biznesmenë “banda në drejtësi” e mban atë në burg. “Ka dhe një bandë në drejtësi që i ekzekuton, si puna ime, duke u mbajtur kot në burg”, – tha Frroku. Debati në seancë është zhvilluar edhe për mosmarrjen ende në pyetje të dëshmitarit të mbrojtur A. Ndoka, që, sipas Frrokut, shtyrja e dëshmisë së tij bëhet me qëllim. “Ka 9 muaj që pritet për dëshmitarin Arben Ndoi, që e kërkon prokurori. Nëse ekziston, Arben Ndoi duhej të merrej në fillim, jo i fundit”, – ka thënë ai. Por, lidhur me këtë pretendim të Frrokut ka reaguar prokurori Anton Martini, i cili u shpreh se nuk është vendosur ende si do të merret dëshmia dhe akuza është duke shqyrtuar mundësinë teknike për marrjen e dëshmisë së Ndokës, duke konfirmuar faktin se dëshmia do të merret me videokonferencë.

 

Provat

Gjatë dorëzimit të fashikujve hetimorë në Gjykatë, prokurori Martini ndër provat e paraqitura para Gjykatës listoi pamjet filmike të momentit të vrasjes së kryepolicit Lamaj, përgjimet telefonike të kryera në numrin e Frrokut dhe një sërë përgjimesh ambientale, dëshminë e dhënë menjëherë pas ngjarjes nga dëshmitari i mbrojtur, i cili sipas akuzës ka dëshmuar edhe targën e mjetit “BMW” të përfshirë në vrasjen. Po ashtu akuza vlerëson ndër provat e saj, dhe atë të ekzaminimit të palltos së biznesmenit Frroku, në të cilën sipas prokurorisë janë gjetur elementë plotësues të qitjes. Por, në këtë moment nuk ka munguar dhe ndërhyrja e mbrojtjes nga avokatët e Frrokut, të cilët kanë kërkuar se kur do të dëshmojë dëshmitari i mbrojtur, si dhe mbi përgjigjet e eksperimentit se për sa kohë mund të udhëtohet nga Tirana drejt Kapshticës, eksperiment që do të hedh dritë për itinerarin e përshkruar nga Frroku, i cili pretendon se gjatë vrasjes nuk ka qenë në Tiranë, por në rrugën Pogradec-Kapshticë.

 

Provat kryesore të akuzës

Pamjet filmike të momentit të vrasjes së kryepolicit Lamaj,

Përgjimet telefonike të kryera në numrin e Frrokut,

Një sërë përgjimesh ambientale,

Dëshmia e dhënë menjëherë pas ngjarjes nga dëshmitari i mbrojtur, i cili sipas akuzës ka dëshmuar edhe targën e mjetit BMV të përfshirë në vrasjen,

Ekzaminimi i palltos së biznesmenit Frroku, në të cilën sipas prokurorisë, janë gjetur elementë plotësues të qitjes

 

 Thirrja/ Rauning, gjyqtarëve: Të burgosurit me arrest i kushtojnë shtetit 439 euro në ditë

Kujdes me masën “Arrest me burg”, nuk duhet dhënë vend e pa vend dhe për çdo të arrestuar. Kjo është një thirrje që u bëhet gjyqtarëve dhe prokurorëve në çdo tryezë të zhvilluar nga institucione apo organizma të ndryshme, në fokus të të cilave është gjendja në burgje apo paraburgime. Jo në të gjitha rastet është e nevojshme, pasi kur nuk përbën rrezikshmëri apo nuk rrezikon shumë vite burg, mund të lihet në një masë më të butë. Por, kjo thirrje do të ripërsëritej dje edhe nga një ambasador i njohur në vend, kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Florian Rauning, i cili shtoi edhe faturën që paguan për çdo të paraburgosur shteti çdo muaj. “Çdo i paraburgosur i kushton shtetit shqiptar 439 euro në muaj dhe kjo faturë është një ndër shkaqet, që masa e sigurisë “Arrest me burg” duhet të përdoret si mjet i fundit”, – konstatoi me shqetësim ai. Ndërkohë që, përveç këtij shqetësimi, z. Rauning evidentoi edhe faktin se mbipopullimi vijon të mbetet problem në sistemin penitenciar, ashtu sikundër edhe gjendja e të dënuarve me probleme mendore, apo përmirësimi i programeve individuale për rehabilitimin dhe riintegrimin e një të dënuari. “Të pasurit e më pak personave në burgje do të thotë më shumë fonde të përdorura në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Kjo nuk do të thotë se personat që dyshohen se kanë kryer vepra penale duhet të ndiqen gjithmonë në gjendje të lirë. Kjo do të thotë se masa e sigurisë arrest me burg duhet të përdoret vetëm si mjet i fundit nga gjykata, gjatë dhënies së masës së sigurisë, dhe jo si një vendim rutinë”, – tha në fjalën e tij ambasadori Florian Raunig. “Kjo reformë është e lidhur dhe ka të bëjë dhe me përdorimin e burgimit si mjet i fundit apo përdorimin e dënimeve alternative, me fokus të veçantë riintegrimin”,- u shpreh Artur Zoto, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve. Deklaratat u bënë dje në konferencën “Për reformën në sistemin penitenciar”, të organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ku ishin të pranishëm edhe gjyqtarë, prokurorë e specialistë të Shërbimit të Provës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency