Sistemi bankar/ Rriten interesat e kredive, s’ka reagim nga BSH

0
129

Ervin Kaduku

interesta bsh Ndërkohë, sistemi bankar ka arritur të sigurojë një fitim prej afro 35 milionë eurosh në pesë muajt e parë të vitit

 Masat e vonuara të marra nga ana e Bankës së Shqipërisë lidhur me uljen e normës bazë të interesit nuk kanë sjellë rezultatet e dëshiruara në treg. Pavarësisht nga politika e Bankës së Shqipërisë, interesat e kredisë në lekë kanë shënuar rritje për dy muaj radhazi, sipas statistikave zyrtare. Sipas statistikave mujore të publikuara nga institucioni monetar qendror, interesat e kredisë në lekë u rritën në muajin maj, duke arritur në 9.41%, niveli më i lartë që nga tetori 2013.

Në prill, kosto e huasë në monedhën vendase ishte rritur në 8.88%, nga 7.96% në mars. Në maj, Banka e Shqipërisë uli sërish normën bazë, në një nivel minimal historik prej 2.5%, për të dytën herë brenda këtij viti (reduktimi i parë në 2.75% u realizua në shkurt), ndërsa guvernatori Fullani, teksa pranoi që transmetimi i politikës monetare në tregun e kredisë kërkonte kohë, u kërkoi bankave që të ishin më aktive në huadhënie.

Por, ndërsa muaji maj shënoi një gjallërim të kredisë në vend, të udhëhequr nga sipërmarrjet, bizneset janë detyruar të marrin hua më të shtrenjta nga bankat, sidomos atë afatshkurtër, që ata e duan kryesisht për financimin e nevojave për likuiditete apo për kapital punues dhe është lloji i kredisë që merret më shpesh nga bizneset. Ndryshe ka ndodhur me qeverinë, e cila dy vitet e fundit i është gëzuar rënies së kostos së shërbimit të borxhit, me interesin e bonove të thesarit 12 mujore që ka zbritur në rreth 3%, nga 7% që ishte dy vjet më parë.

 

Fitimet e bankave

Kjo ndodhi në një kohë kur sistemi bankar e mbylli pesëmujorin e këtij viti me një fitim rekord prej 4.9 miliardë lekësh, duke e provuar veten të sigurt dhe të shëndetshëm, pavarësisht vështirësive që shtron dobësia e ekonomisë reale. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, fitimi i sistemit bankar është mbi pesë herë më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Elementi kryesor përcaktues në rritjen e fitimeve të bankave është stabilizimi i kredive me probleme.

Gjithnjë sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, për majin shkalla e kredive me probleme ishte 23.9%, në rritje modeste nga niveli 23.8% i prillit. Stacionimi i kredive me probleme prej shumë muajsh pranë nivelit të 24%, ka ulur barrën e tyre mbi bankat, për shkak të krijimit të më pak fondeve rezervë për të mbuluar humbje të mundshme. Ulja e shpenzimeve për provigjione ka shkuar qartazi në dobi të rezultatit financiar të bankave, që këtë vit paraqitet mjaft i lartë. Stabilizimi i shkallës së kredive me probleme është pozitiv, sidomos i parë në kontekstin e rënies së totalit të kredisë prej rreth një viti.

Sistemi bankar ngelet mjaft i kapitalizuar, me një shkallë të mjaftueshmërisë së kapitalit që, sipas të dhënave më të fundit, është 17.9%. Kjo tregon se sistemi bankar, si i tërë, zotëron kapitale më se të mjaftueshme për të zgjeruar aktivitetin kreditor dhe për të marrë përsipër financime të reja.

 

Tregu “kapriçioz”, u kthen kurrizin letrave me vlerë…

Banka e Shqipërisë nuk ka arritur dje të shesë për llogari të Ministrisë së Financave të gjithë shumën e kërkuara të obligacioneve 3-vjeçare. Në ankandin e fundit të zhvilluar të mërkurën, Banka e Shqipërisë kishte planifikuar të shiste 4 miliardë lekë obligacione me afat maturimi trevjeçar fikse. Interesi i parashikuar për këtë lloj obligacioni ishte 5.75%. Por, shuma e kërkuar nga investitorët ka qenë më e ulët se ajo e planifikuar për shitje, vetëm 2.56 miliardë lekë, nga të cilat janë pranuar 2.54 miliardë lekë. Si rrjedhojë, kuponi i pranuar u rrit në 5.79%.

Vitin e fundit Financat po bëjnë përpjekje për të rritur maturitetin e borxhit, në mënyrë që të ulin rrezikun e qarkullimit afatshkurtër. Por, në ankandet e fundit, interesi i investitorëve për të blerë letra me vlerë afatgjata të qeverisë nuk ka qenë shumë i lartë dhe në shumicën e ankandeve nuk është arritur të shitet e gjithë shuma e kërkuar, ndërkohë që as interesat nuk janë ulur.

Ndryshe ka ndodhur me ankandet e bonove të thesarit, ku kërkesa ka qenë më e lartë dhe interesi shënon pothuajse çdo ankand minimume historike, duke zbritur në rreth 3.1% për bonot 12-mujore.

 

“Lëngon” sërish ndërtimi, më mirë shërbimet dhe industria

 Sektorët kryesorë të ekonomisë kanë shënuar një rritje prej 1.7% me bazë vjetore në tremujorin e parë, të udhëhequr nga industria dhe shërbimet, sipas statistikave afatshkurtra, të publikuara dje nga INSTAT-i. Indeksi i volumit të shifrës së afarizmit të deflatuar, vlerësuar me çmime fikse (2010=100) arriti 102,6% në tremujorin e parë 2014. Në ndryshimin vjetor ky tregues pasqyron rritje prej 1,7% në aktivitetet ekonomike të mbuluara në vrojtimin tremujor, krahasuar me tremujorin e parë 2013. Ky ndryshim në të njëjtin tremujor të vitit 2013 ishte 1,2%. Në këtë rritje ndikojnë aktivitetet që kryhen në sektorët “Industri” dhe “Shërbime”, përkatësisht me 3,8% dhe 4,0%.

Në aktivitetin “Industri”, ndikon me 18,0% rritja e treguesit të shifrës së afarizmit në volum, e deflatuar, në Industrinë Nxjerrëse. Ky tregues në aktivitetet “Energji elektrike, gaz, avull dhe furnizim me ajër të kondicionuar” dhe “ Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” paraqitet me rënie përkatësisht 3,2% dhe 2,6%.

Aktiviteti i ndërtimit në këtë tremujor pasqyron gjithashtu rënie të këtij treguesi me 4,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në rritjen prej 4,0% të shifrës së afarizmit në volum, e deflatuar, në “Shërbime”, në tremujorin e parë 2014 krahasuar me tremujorin e parë 2013, kanë ndikuar kryesisht aktivitetet si “Tregti” me një rritje prej 3,2%, “Aktivitete të postës dhe korrierës” me 9,6%, “Informacioni dhe Telekomunikacioni” me 19,2%, Agjencitë e udhëtimit” me 30,7%. Në fushën e Shërbimeve, ky tregues paraqitet me 2,2%, ulje në aktivitetet si “Tregti me pakicë dhe shumicë e automjeteve dhe riparimi i automjeteve”, “Transporti ujor” me 8,5%, “Hotele” 4,3%, “Informacioni dhe komunikacioni” me 2,5%.

Sipas INSTAT-it, Ndryshimi tremujor i treguesit të shifrës së afarizmit në volum, deflatuar, në tremujorin e parë 2014, paraqitet me rënie prej 20,8%. Rënia vjen kryesisht nga aktivitetet si “Industri nxjerrëse” me 18,5%, “Industri Përpunuese” me 12,9%, “Ndërtim” me 29,2%.

Në krahasim me tremujorin e katërt 2013, në aktivitetet e Shërbimeve shifra e afarizmit në volum, e deflatuar, pasqyron rënie me 24,0% si rezultat i uljes së këtij treguesi në “Tregti me shumicë” me 29,9%, në “Hotele” 16,2%, në “Agjenci udhëtimi” 14,9% etj.

 

Gjermania refuzon të marrë borxh të ri

Kabineti i Kancelares gjermane, Angela Merkel, ka miratuar projektbuxhetin e vitit 2015 ku, për herë të parë në katër dekadat e fundit, nuk parashikohet huamarrje e re. Papunësia në nivele shumë të ulëta dhe rritja e qëndrueshme ekonomike kanë siguruar të ardhura rekord nga taksat për qeverinë, në një kohë që normat e ulëta të interesit, kanë reduktuar barrën financiare të shërbimit të borxhit prej 1.3 trilionë euro, të qeverisë federale gjermane. Kjo do t’i lejojë qeverisë të mbulojë rreth 300 miliardë euro në shpenzime për vitin e ardhshëm, pa emetuar bono të reja.

Kjo është hera e parë, që qeveria gjermane nuk parashikon huamarrje në hartimin e buxhetit, që nga viti 1969. Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble, ka prezantuar detajet e buxhetit të vitit 2015, në një konferencë për mediat. “Në hartimin e këtij buxheti dhe në marrjen e masave për të mbështetur ekonominë, nuk ka asnjë kontradiktë në vetvete”, – deklaroi Schäuble. Në muajin nëntor, ky projektbuxhet do të shkojë për votim në Bundestag, që është dhoma e ulët e Parlamentit gjerman.

Gjithashtu, gjatë tri viteve të ardhshme, qeveria parashikon se përqindja e borxhit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto do të ulet poshtë 70% nga 80% që është aktualisht. Gjithashtu, qeveria parashikon se të ardhurat nga taksat do të vazhdojnë të rriten në vitet më vijim. Në anën tjetër, përfaqësuesit e opozitës në Gjermani, kanë akuzuar vazhdimisht ministrin e Financave, Wolfgang Schäuble, se e ka bazuar këtë projektbuxhet në disa supozime të paqëndrueshme, të tilla si: vazhdimësia e normave të ulëta të interesit dhe rritja ekonomike e mbështetur tek të ardhurat tatimore.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency