Letra nga Roma/ Viti ‘48, Mustafa Kruja, pse u kërkua takimi i ministrit grek me Zogun

0

mustafa krujaKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit të disa letrave së pari me letërkëmbimin e Krujës me familjen Gjonmarkaj.

Loading...

“Çfarë përfytyrimi i kthjellët i s’ardhmes, çfarë idili shpirtëror me thelbin e atij përfytyrimi, çfarë besimi në fuqinë e së mirës që strehohet në thellësitë e pafund të shpirtit të popullit që jeton në një letargji të përkohëshme, thellësi të depërtueshme vetëm nga njerëz të mbrujtun me aftësinë për të parë larg, përtej horizontit të një epoke të përflakur nga ngjyra e gjakut! Prej saj burojnë ëndrrat më frymëzuese dhe përkunden shpresat më të guximshme për sendërtimin e s’ardhmes, edhe se errësira mbulon gjithshka”, shkruhet mbi këto letra në parathënien e vëllimit të parë. Ndërsa vetë Kruja do të shprehej: “…Në pjesën mâ të kulluet, aty ku ndërgjegja ndritë si pasqyrë xhixhilluese, t’a ngrehim Idén e nji Shqipnije e cila për secilin prej nesh të ketë fytyrën e zêmrën e nânavet tona, edhe të jetë ngushllimtare, dashunore e e adhurueshme, por sidomos e drejtë kundrejt të gjithë të Bijve në të dám të hirevet e të miradinavet të veta….”.. Ky profil i Shqipërisë, asaj të ëndërruar artikulon në letrat e Krujës jo vetëm mendimin e hapur, pa pasione politike, pa urrejtje e mllefe, por për të zënë vend si një shtet i lirë, e përcjellë vlerat qenësore të kombit.

“Që nga ajo kohë kanë kaluar disa dhjetëvjeçarë. Shumë gjëra kanë ndryshuar edhe për Vendin tonë, por “Idéja për Shqipërinë” e të pavdekëshmit Koliqi pret ende sendërtimin e saj. Ai lidhet me rrëzimin e tabuve komuniste, që ende sot janë gardhe të pakapërcyeshme në shkrimet e historianëve të regjimit që, ende zotërojnë opinionin zyrtar e jo vetëm atë, në një Vend që duhet të mendojë më parë për kërkesat e përditëshme të barkut më shumë se për ato të mëndjes”, thuhet në parathënie. Mustafa Merlika Kruja i rrethuar nga komunizmi me figurën “e mallkuar” për gjysëm shekulli mbuloi personalitetin poliedrik të tij si atdhetar e politikan, si publicist, si studjues në nivelet më të larta të gjuhës shqipe e të historisë – ardhur përmes veprave konkrete, siç do shikohet kjo përmasë dhe në ciklin e letërkëmbimeve.

“Letërkëmbimet e Mustafa Krujës, për vetë jetën e tij politike e vetjake, për faktin se më të shumtën e kohës e kaloi jashtë atdheut e komunikimet me miqtë apo bashkëpunëtorët i mbajti nëpërmjet letrave, pasqyrojnë një pjesë të rëndësishme të mendimit politik, kulturor e shkencor të një njeriu që, për një gjysëm qindvjeti, nuk reshti së shkruari, së debatuari, së shprehuri idetë e tij. Si në veprat ashtu edhe në letërkëmbimet, në kundërshtim me një koncept standard të gatuar në kuzhinat e historiografisë komuniste, tema qendrore e bisedave nuk është politika, prej së cilës ai ishte i zhgënjyer plotësisht duke hequr dorë prej saj në moshën 56-vjeçare, por kultura shqiptare, historia, gjuha shqipe që qëndron në bazën e lëndës lidhëse të strukturës së kombit e në majën e piramidës së gjithë krijimtarisë shkencore të tij.

Në letrat, si gjithmonë e si gjithkund, gjejnë pasqyrimin e tyre më të mirë jetët e brendshme shpirtërore të njerëzve. Letrat janë shprehje jo vetëm e impiantit soc-kulturor të personit që i shkruan, por edhe e ndjenjave, shqetësimeve vetjake e familjare, parimevet njerëzore mbi të cilët mbështetet ekzistenca dhe veprimtaria, e mjedisit lëndor e jashtëlëndor në të cilët prodhohen, e kujtimeve të së shkuarës, përbërës themelorë të formimit e e projekteve për t’ardhmen, dukuri instinktive e pashmangëshme, janë treguesi më i saktë i mikrobotës së njeriut, në të gjithë shtrirjen e thellësinë e saj. Prandaj ato paraqesin një interes të veçantë, sepse na zbulojnë atë mikrobotë në gjithë siqeritetin e saj, me të gjitha nuancat, duke ndriçuar edhe skutat më t’errta të qënies dhe ngazëllimet më poetike të saj, dhe dhimbjen, zhgënjimin, mërzinë, që çdo shfaqje publike gjithmonë i fsheh, duke i lënë përfytyrimit të vëzhguesit detyrën e zbulimit”.

Trashëgimia e M. Krujës në këtë drejtim, që familja ka sot në dorën e saj, duke e quajtur të dobishme edhe për kulturën kombëtare duke vendosur botimin e tyre, kujdesur nga e motra, Anxhela Muka, e cila i qëndroi pranë në vitet më të vështira të mërgimit 1944 – 1958.

Letërkëmbimi u nis me At Paulin Margjokajn duke konsideruar se kjo ishte lënda më e plotë, shoqëruar me “amanetin” e letërshkruesve që, në t’ardhmen, të mos pengohej mundësia e botimit, nëse pasardhësit do t’a dëshironin e do të kishin mundësi. “Ky vëllim paraqet korrespondencën ndërmjet Krujës dhe Kapidanit të Mirditës, Gjon Marka Gjoni e djalit të tij, Ndue Gjomarkaj. Ai hapet me një letër të gjetur n’Arkivin e Shtetit, të shkruar nga Kruja e drejtuar djalit të madh të Kapidanit, Markut, ish Ministër dhe martir i lirisë, i vrarë në betejë me forcat e Sigurimit të Shtetit më 1946 në malet e Shqipërisë. Letërkëmbimi, që kemi në dorë, vazhdon deri më 1957. Është mjaft fragmentar, mungojnë letra, mbasi në të bëjnë pjesë vetëm letrat që janë gjetur në arkivin e familjes Merlika e që janë, kryesisht, ato që janë marrë”, shkruan në parathënie Eugjen Merlika.

 

Romë, 26 – IV – 1948

I dashtuni Mustafë,

Ke plot të drejtë me u ankue, por me të diftue të drejtën nuk e kam lanë prej dembelije pse tuej pritë dita ditës ndonji të ré e kshtu me mujtë me të dhanë ndonji lajm qi na intereson. Qe prá se po të nap do lajme e bile kërkoj opinjonin e kshillet t’ua.

Sikurse e din, na jemi kenë mundue mjaft me mujtë me bâ nji bashkim të gjitha grupeve politike, ose mâ mirë me thanë të gjitha forcave t’emigracjonit, mjerisht pa kurrfár rezultati. Ashtu din mâ së miri edhe kontaktet t’ona me të hujtë: si me Çobuklitë ashtu me Helent. Me të dyja kto korrente jemi në kontakt të vazhdushëm, por me Helent mâ me aktivitet. Në kto dit, përfaqsuesi Helen në Romë, na ka thirrë e tue u bazue mbi bisedimet qi ti din na tha: “Qeverija e ême më ngarkon me ju thanë se asht gadi me ju ndihmue dhe me përkrahë veprimtarín t’uejë n’emigracjon, por Ajo dishron bashkimin e Grupeve politike prej të cillit të formohet nji Komitet Qendruer. Kur të jét bâ ky bashkim atëherë kemi me bisedue për sá i perket veprimtarís së juejë”.

Për ket bashkëfjalim, kan shkue prej andes s’eme Ismajli e Koliqi, të cillët ishin thirrë për së drejti prej tij. Mbas pak ditve na ftoi, babën e mue, për nji çaj në shpí. Aty folëm gjanë e gjatë mbi ket qashtje e mujta me kuptue se edhe ata ishin disí kundra Legalitetit, ndoshta të frymzuemë prej Ballistave. Un u mundova n’at t’êmen me ja spjegue qashtjen në kët mëndyrë: “Ju e dini se n’emigracjon shqyptarët janë të damë në tri grupe politike: Balli Kombtár, Legaliteti (Zogistat) e Bloku Kombtár Indipendent. Posë ktyne Grupeve ka shum personalitete qi s’bâjnë pjesë n’asnjanën prej ktyne Grupeve. Për me ja mbrrijtë ktij bashkimi, nuk asht kursesi e mundun e aspak e logjikshme me përjashtue X grup a X personë; psé po të veprojmë na në kët mëndyrë nuk kishim me bâ nji politikë kombtare shqyptare por vetëm politkë partinash e qi une e kujtoj shum të damshme për interesat t’ona kombtare e personale.

Na nuk kemi kurrfár të drejte me përjashtue njanin ase tjetrin e po për ket arsye e kemi caktue në Statutin t’onë ku e kemi theksue: me bashkëpunue me çdo Grup a personë…. Sa për Legalitetin, ajo asht nji partí Monarkiste, e une nuk e besoj qi Zogu si Mbret të deklarohet Kryetár i ksajë partije pse kishte me e çveshë vetin prej cillsive Mbretnore; prandej Ai si ish Mbret i shqyptarve duhet të qindroje në nji andë d.m.th. jashtë çdo partije e kshtu të presi shlirimin e Shqypnisë e Plebishitin e Popullit Shqyptar. Prandej Legaliteti ( si partí Monarkiste) duhet vû në korrent të qashtjes e ftue për ket bashkim. Në qoftë se Legaliteti nuk dishron me marrë pjesë në ket bashkim, atëherë Balli dhe Bloku bashkë me personalitetet e tjera kan me e shqyrtue qashtjen e me vendosë se çka me bâ”. E pveta se mbasi të bahet ky bashkim e të formohet Komiteti qendruerë çdo të ngjasë e çfár ndihmash do të kishim? Më tha qi jemi gadi me ju ndihmue në çdo gjâ e për ktê kemi pëlqimin e përkrahjen e Anglo-Amerikanve, por kto qashtje do të bisedohen vetëm me Komitetin.

Baba i tha qi do t’ishte mirë qi të pvetet edhe Zogu bile do t’ishte mirë të kishim edhe kolaborimin e tij. Ai nuk u përgjegj e une, mbasi e pava qi nuk asht rasti me insistue, heshta. Më pveti: ku kujtoni ju se mund t’a ket qandrën Komiteti? Un tue vue oroe se Zogun nuk e kan fort në qéf, i thashë se qandra e ktij Komiteti mundet me kenë në çdo kand të botës, përposë Egjyptit; por shtova tue i thanë se nuk më duket vend i pershtatëshëm as Grekija për arsye se kishte me u bâ shkak akuzash prej andes së Shqypnís e njiheri prej vetë Rusís e të gjith satelitve të sajë, e prandej kishi me pasë të çame kreje edhe në Kshillin e Sigurimit t’O.N.U. I fola për qashtjen e Kosovës, tue i thanë qi nji padrejtësí qi i asht bâ popullit shqyptar 30 vjet përpara, nuk i asht bâ asnji shteti n’Europë proporcjonalisht. N’at kohë caktuenë kufitë e Shqypnís si mbas qefit të tyne tue shkputë gjysën e popullit shqyptár, rreth nji miljon vetësh e tokën mâ të pjellshme qi ka Ballkani, tokë e cilla asht barazi, për prodhim, si ajo e Magjarís e Rumenís; me ket mënyrë i dhanë hov të madh ekonomís së Serbís. Sot Kosova duhet t’i kthehet Shqypnís, kshtu qi Shqypnija pshton ekonomikisht e Grekija në vend qi me e pasë Sllavin në kufí, ka me e pasë 2000 kilometra larg e nji popull (shqyptarët) në mjedis. Me ket mënyrë të dy shtetet si Shqypnija ashtu Grekija kan fitime kolosale. I pëlqyne shum mendimet e mija e më dha arsye.

Si ç’po e shef dishka po luenë, por mjerë na qi kemi lé fatzez e me gjith qi pam Atdhén e familjet t’ona të humbuna ené nuk na mushet mendja për nji bashkim, por rrimë tue lehë si qeni në hanë…. Natyrisht qi ata duen me sjellë ujin në mullí të tyne, por kjo vlen edhe për né, mbasi ata kërkojnë nji bashkim.

Na kemi bisedue ndër vedi e përposë babës e meje, të tjerët janë të mendimit me i dërgue nji letër Bazit (bile edhe emnin e Bazit na e kemi vue në skén), na të dy jemi të mendimit qi me dërgue nji njeri, mbasi këto punë nuk skjarohen si duhen me letër. Mbasi vetë s’kemi të holla duhet me pranue opinjonin e të tjerve. Sidoqoftë kemi me e lajmue Bazin. Këtu kemi bisedue me Feridin, ky sikurse e din edhe ti asht shum i mirë por nuk më duket të ket mjekër për Qabe….. asht shum nervoz e inatçor.

Kto janë veprimet t’ona. Prej Shqypnije nuk kemi kurrfár lajmi. Italjant qi do të vijshin janë nalue tash për tash, shkajku nuk dihet. Dikush thotë: shkajku i zgjedhjeve e ka shum gjasë. Zgiedhjet këtu kan shkue shum mirë, pa kurrfár turbullimi.

Shkova pak giatë, por e ndjeva për detyrë me të vue në dijení me hollsina. Tashti ndalohem e për së largu të marr ngrykë me mallë i yti gjithmonë.

Ndue Gjomarkaj (firma)

 

P.S.

Ago Agajt shum të fala, ashtu Nexhmedin Qorralliut. Bazin me gjith qi nuk e njof personalisht i dërgoj të falat ma të sinqertat. Mbrenda ktyne ditve do t’i vijë nji letër Bazit, prandej po të vê në korrent të qashtjes sá mâ shpejt.

Idem

Tash sa erdhi Vërlaci, fola me tê mbi përpjekjet qi ka bâ me Ballistat; ka folë me Midhatin, por Midhati asht mundue me i dhelpnue. Megjithatë, Ballistat kan pasë nji mbledhje për me shqyrtue ket qashtje. Të shofim se ç’farë përgjegjeje do të na apin. Edhe Midhati e Hasan Dosti jan pa me mikun Helen!

 

Heliopolis (Cairo), 28.IV.948

         I dashtuni Ndue,

Tekembramja! Mâ mirë vonë se kurrë, si ka thânë i moçmi. Do të kishte qênë shumë mâ mirë qi t’i kishem pasë lajmet e tua kështu si po m’i ep tash qyshë kur mora letrën e mbrame të babës ku më thonte se ka dá me e lânë Italín, gjâ qi më la përpara nji enigme e më futi në nji kujdes të madh. Kjo punë më ra edhe mâ keq kur n’e nesre qi pata shkue ke Zogu për punën t’uej, i trêmbun siç ishem prej letrës së babës, më thirri ai e më kallzoi lajmet politike qi kishte pasë marrë të freskta po atë natje për kontaktet me Grekë me emnat e gjithë personaliteteve qi kishin qênë grishë kah dy ose kah nji prej Ministrit grek. I këndohej në fytyrë nji dyshim qi donte me thânë: “Ti dje s’më diftove kurrgjâ për këto kontakte politike, por më thae se Kapidani me gjithë djalë ka ra ngushtë aqë sa me i u dashtë me lânë Italín e me rá ndoshta në gojë t’ukut a në dorë të nji dreqi. Tash puna paska qênë ndryshe. Vallë a më rrêjte ti apo Kapidani s’ka dashtë me të kallzue tý të vërtetën? T’a merr mêndja se ai s’më tha mue kështu, por po i epshem dum tamam se këto fjalë po i shkojshin për trû e logjikisht me plot të drejtë, mbasi un letrën e babës nuk i a kishem diftue, e këta për dŷ arsye : e para pse atje kishte ndonji frazë qi s’po më pëlqente t’a lexonte; dhe e dyta, se due me e mësue qi të më besojë pa prova e pa u përulë : ndryshe nji bashkpunim i sinqertë e leal s’mundet me u krijue ndërmjet tij e meje. Kjo pra ishte arsyeja qi un rash ngusht, si të besonte se un s’kishem dashtë me i a diftue punën sikur e kishte marrë vesht ai – jo prej Feridit – si të besonte se mue s’ma kishte diftue baba.

Por kjo kaloi, i dashtuni Ndue, e dâmin jemi prap në kohë me e reparue. Tash të flasim rreth çâshtjes në vetveti. Un nga sa më shkruen ti po kuptoj se :

1. Ora e jonë po duket se s’âsht e largët.

2. Të huejt qi na kërkojnë kanë nevojë për ne se ndryshe as me sŷ s’na shiqojnë.

3. Mbrapa Grekut âsht Inglizi (mos të harrojmë kshillin qi pat dhânë ky para tre muejsh për marrveshtje edhe me Grekun).

4. Inglizi sot bân oportunitet me Grekun, por s’âsht thânë aspak qi po s’u bâ si don ky i fundit, ai i pari ka me e lânë punën të prishun me ne.

5. Amerika politikën e vogël në Balkan e për Balkan e ka lânë në dorë t’Anglís; por tue e mbajtun gjithmonë njânin sŷ çelë përmbi tê e, në rasë nevoje, mundet me i çelë edhe të dy e me folë fjalën e vet deçizive.

6. Të tâna këto konsiderata neve na imponojnë matuní e na bâjnë të fortë për projen e interesave t’ona kombtare.

7. Shtegun mâ të parin qi duhet të kapërcejmë në rrugën e projes së këtyne interesave na e kanë hapë vetë të huejt : bashkim e komitet. Bukurí : ata për nji arsye e na për nji tjetër jemi plotsisht dakord në nji pikë, s’ka si bâhet ndryshe.

8. Por në çâshtjen e Bashkimit Grekët (aman mos thuej mâ Helenët, se bastardhat e sodshëm s’kanë të bâjnë aspak me herojt e motshëm) janë dakord me Midat Frashërin, por ata mâ me prudencë, se janë njerëz responsabël, dmth. përfaqësojnë nji Shtet, kurse ky ….. s’përfaqson veçse vetin e katër gjysa komunistash; janë dakord, po thom, ata me këtê, qi Zogun t’a përjashtojnë prej bashkimit makar tërthorazi, dmth. tue përjashtue Legalitetin. Kurse na, due me thânë çdo Shqiptar qi nuk vên përmbi çâshtjen e Atdheut meskinerít e veta, s’mund të pranojmë nji bashkim qi s’âsht bashkim.

9. Sod të gjithë krenët e emigracjonit shqiptar e me ta edhe turma, janë gati për bashkim pa asnji përjashtim; përveç 3 – 4 kandidatvet për kryetar republike (Midati, Abaz Ermênji, M. Bajraktari e Ihsan Toptani : mos u çuditni edhe për këtê të fundit!)

10. Kur Ali Klisura (e me tê i padamë edhe Koço Muka) jo veç qi s’âsht në mendimin e ish Kryetarit të tij, por ka mbërrî dietro le quinte1) me vû veto kundra pjesmarrjes së tij në Komitet (se thotë manderebbe tutte ______________

1) Mbrapa perdeve (Përkthim nga italishtja prej Eugjen Merlikës)

per aria)1), vjen pyetja: po ku âsht Balli qi përfaqson Midati? Balli i tij i thatë, sigurisht.

11. Edhe tash na del nji pyetje e dytë : vallë a bâjmë vepër t’urtë e patriotike qi të bjerrim kohë tue i u lutë…. atij për bashkim, kurse na tjerët bashkimin e kemi të bâmë atë ditë qi të duem?

12. Zogu më pat thirrë tri dit para se të merrshem un letrën e babës, tamam me 17 të këtij mueji, e më pat folë për formimin e nji komiteti të përbâmë prej përfaqësuesve të katër grupeve : Blok, Ballë, Legalitet e Kosovar. Më tha se Aliu me Koçon ishin dakord e më pyeti si me u marrë vesht me Blokun. Shtoi se Ernesti kishte pasë për t’ardhë këtu fill pas zgjedhjesh dhe shpresote qi do të vinte. S’më tha e natyrisht s’e pyeta se kah i vinte kjo shpresë. Un i u përgjegja atbotë se qênka për t’u pritë edhe pak ditë e mbrapa po s’erdh Ernesti tash po shkruejmë nji letër. E mbetëm dakord kështu.

13. Mbreti çâshtjes së Kosovës i ep mâ të madhen rândsí. E quen situatën ndërkombëtare tepër të favorshme për nji afermim, qoftë edhe tërthoras, të revendikimit të Kosovës. Edhe shton se na kishim me bâ nji krim kombtar sikur t’u dukshim sod indiferent ase edhe të vokët për Kosovën. Duket, sadoqi s’ma tha açik, se ka edhe kshilla ndokah në këtë drejtim. Për kët’arsye pra e mbasi edhe Kosovarët vetë kanë marrë pozicjon si nji grup mbë veti, âsht nevoja qi të marrin pjesë në komitet.

14. Për me konkludue përmbi çâshtjen e Bashkimit e të Komitetit :

a) un jam i mêndimit qi pa kurrnji vonesë, posë kohës materjale qi duhet për formalitetet, të vijnë këtu dy vetë prej jush me kartë të bardhë.

_______________

1) Do të hidhte n’erë gjithshka, do të shkatërronte (Idem)

b) Pse këtu? Jo veç pse âsht Zogu e aqë mâ pak pse jam un krejt in margine (mënjanë – shënimi botuesit)). Po pse edhe Legaliteti edhe ajo pjesë e Ballit qi na duhet, si edhe Deva me shokë janë në kët’anë. S’kryhet puna kurrsesi me letra ose ka me u krye keq e me lânë bishta përmbrapa. Kurse t’ardhmen ju këtu bashkimin e komitetin i keni të bâmë e do t’i keni bâ ju. Po e vendosët më shkrueni mue për shka të ju duhet, se jam i sigurtë qi Zogu në këtë rasë s’ka për t’u kursye.

15. Sa për qêndrën e Komitetit, këtê le t’a dajë mbandej ky vetë si t’a kshillojë arsyeja e rrethanat politike : sigurisht jo në Greqí, por në nji vênd neutral si Zvicra, ose makar në Londër a Ëashington ku janë mbledhë të gjithë ata qi janë si na, pa përjashtue as Italín. Shkurt qêndra e Komitetit jet me u caktue prej këtij vetë, mbasi të jetë formue.

16. Mos të ju bâjnë përshtypje kshillat a makar intrigat e të huejvet. Merrni para sŷsh premisat e gjashtë pikave të para e çani drejt me guxim. Bashkimi bân forcën e vetëm i forti ka miq. E bashkimi âsht ky qi thash un e jo Midat Frashëri.

17. Keni bâ shumë mirë qi s’keni pranue kurrfarë ndihme prej Grekësh para se të formohet Komiteti. Ky, porsa të formohet, ka për të dalë me nji manifest për me i lajmue botës lindjen e vet – kështu asht nemose mendim’i im tash – e atëherë interesimi për çâshtjen t’onë ka me u pá mâ qartas. S’â nevoja me u ngutë tash për subvencjone të hueja.

18. Mos e harroni Palazzo Chiggi-n. Por kujtoj se edhe ajo derë kishte me u rrahë mâ me kryenaltí, mâ me fuqí morale, mâ me kompetencë e prandej mâ me shumë shanse mbasi të jetë formue Komiteti.

Tash un fola. Ȃsht tepër të thom, të ju thom juve sidomos, se kam folë vetëm si ushtar i Atdheut e si vlla i juej. Ju tash vêndosni si të ju marrë mêndja mâ mirë mbas bindjes s’uej.

Shëndet e përqafime edhe prej Bazit, Agos, Beshirit e Qoraliut.

Mustafa

 

 

 Roma 10 – VI – 1948

 I dashtuni Mustafë,

Ke shum të drejtë me u idhnue, por arsyeja qi nuk të kam shkrue, ka rrjedhë pse dojshem të thojshem ndonji send konkret mbi punët e ktushme, e qe se po t’i përmbledh të gjitha me nji fjalë: kurrgjâ!

Mbasi Ministri Grek na pat ftue dhe na komunikoi dishirin e Qeverís së tij për nji bashkim dhe formimin e nji Komiteti Qendruer, i cili do të hynte në bisedim me Grekët, na u mblodhëm e mbasi e shqyrtuem çâshtjen vendosëm me u marrë vesht me Ballin. Ngarkuem për kët detyrë Ismail Vërlacin, edhe si Kryetar të Blokut, me bisedue me Midhatin, Kryetar të Ballit. Mbas nji jave mundimi, dikur mrrijti me e gjetë Midhatin; bisedoi me tê për mâ se nji orë dhe Midhati i premtoi se mbasi të kthente prej udhtimit qi do të bânte nëpër kampe, ku do t’u kshillonte me shokët(!) do të vinte në Romë dhe do t’i binte përgjegjen.

Ai u nis e nuk u pa me Ismail Vërlacin; na vepruem simbas ndërgjegjes e detyrës s’onë e ai i mungoi edukatës! Atëherë na ngarkuem Ekrem Libohovën me shkue n’emën të Blokut te Ministri Grek e me i thânë qi të tâna tentativat na shkuen huq, e ashtu u bâ. Midhati erdhi në Romë dhe mblodhi Ballistat. Mbas disa ditësh bisedimi ndër veti formuen Kryesín e Ballit me nji Kshill prej 7 – 9 vetësh e me Midhatin Kryetar. Nuredin Vlora qi ne na kishte thânë se nuk âsht mâ në Ballë, muer pjesë, tue kujtue se ai do të mbrrijte me bâ kët formim.

Kryetar nderi Midhati, Nënkryetar me të tâna të drejtat e Kryetarit Nuredini dhe disa Kshilltarë t’anës së tij; por nuk ja duelë pse Nuredinin e zgjodhën vetëm si Kshilltar; atëherë ky i idhnuem muer valixhet e iku për Capri! Sa për Aliun e Koçon kanë thânë qi ata nuk janë t’autorizuem me folë çâshtje politike n’emën të Ballit, ata janë vetëm për çâshtjen e emigracionit. Kan bâ ashtu si kishim bâ na me Ernestin. Dje Midhati âsht nisë për Greqí. Nuk besoj se Aliu e Koçoja të munden me u da prej Ballit, ose mâ mirë me thânë prej Midhatit; prandej të mos gënjehen t’atyshmit mbi Aliun se, mbas mendimit t’êm ata kanë me qenë dakort me të vetët, e se të tâna bisedimet qi i bâjnë nuk janë gjâ tjetër veçse manovra.

Po niset Ernesti për Egjypt e ky ka me ju diftue gjanë e gjatë. Kemi folë me tê dhe i kemi skjarue idét mbi bisedimet qi do të ketë me ty e Bazin. Unë besoj se do t’ishte mirë të bâhet kështu: të formohet partija Monarkiste( të shlyhet emni Zogist e Legalitet) e të himë në marrveshtje si partina na Bloku me partin Monarkiste, për me balancue Ballin si partí, pse me Bazin si person nuk më duket marrveshtja aq e gjânë, mbasi ai figuron mâ tepër si person se si partí. Me këtë mënyrë e me Kosovarët qi janë grup në veti na mundemi me u bashkue e me punue mâ së miri.

Këto janë idét e mija, e mos kujto se unë due, me ndoj mënyrë a ndoj tjetër me luftue Bazin, përkundrazi dishroj qi ai të forcohet sa mâ tepër, pse âsht n’interesin t’onë të përgjithshëm. Jam gati i sigurtë qi shum Zogista, si Hiqmet Delvina me shokë (jugorët) nuk kanë me e pranue Bazin si Kryetar, pse për ta âsht malok siç jemi të gjithë na, e kështu ndoshta kanë me u da; prandej mâ mirë me e dijtë kët gjâ heret se vonë (Toskë e Gegë!). Ti e din se na jemi nji partí politike e nuk mundemi me e zhgatrrue për me u marrë vesht me njanin ose tjetrin, pse nuk më duket as e mundshme qi të hjekim dorë aq shpejt prej principeve t’ona si partí, pse edhe po të bâhet kështu nuk del gjâ mâ e mirë veç ndoshta mâ e keqe, pse kishim me u komprometue para opinionit publik si shqiptar ashtu të huej sepse tashma jemi të njoftun si nji partí politike. Për të gjitha këto ke me folë gjanë e gjatë me Ernestin.

Italjanët e kanë pasë lanë krejt mbas dore çâshtjen shqiptare; mbas insistimeve t’ona e bisedimeve qi kemi pasë me ta, tashti kan fillue me e marrë para sysh çâshtjen shqiptare; të shohim se çka me dalë.

Besoj qi të kam shkrue mjaft gjatë. Tahiri1) âsht nisë për Turqí pse nuk kje e mundun me e mbajtë. Shkumja e tij na ka vrâ shum, por çka t’i bâjmë fatit.

Na jemi mirë, ashtu shpresoj qi edhe ti ke me kenë mirë me shndet. Kam ndigjue se ke fillue me përpilue nji fjaluer Shqip – Arabisht. Urime!

Me kaq të përqafoj për së largu me mallë gjithmonë i yti

Ndue Gjomarkaj

Prej babës shum shndet.

Bazit, Agos, Qorralliut shum të fala.

Loading...