Zvicra drithëron Argjentinën, por i shpëton Di Maria

0
116

argjentina-festonSkuadra latine ka marrë fitoren ndaj Zvicrës vetëm kur kishin mbetur pak minuta nga mbarimi i kohës shtesë

Pas asistit të Mesit ishte lojtari i galaktikëve Di Maria ai që shënoi, duke i dhënë triumfin skuadrës së tij

 Ashtu si edhe shoqet e saj, edhe Argjentina i duhej të priste minutat e fundit të kohës shtesë për të fituar. Një sfidë në të cilën, edhe pse ishin favoritët, vuajtën shumë për të arritur te triumfi. Nga ana tjetër, Zvicra duhet përgëzuar për gjithë guximin që treguan duke u përballur në mënyrë të barabartë me një skuadër favorite si Argjentina. Ndeshja kishte ritëm të mirë, por nuk kishte raste të pastra. Loja nisi e shpejtë për argjentinasit, të cilët u munduan që të hidheshin në sulm. Ndërsa nga krahu tjetër edhe Zvicra mundohet të ruajë të njëjtin ritëm. Vërehet një dominim i Argjentinës, por që nuk arrin dot të deportojë në zonën e rreptësisë. Është përsëri dyshja Di Maria-Mesi ata që çojnë para skuadrën, ndërsa Higuain me shokë qëndrojnë në hije. Mirëpo zviceranët nuk janë gati të ulin kokën dhe vendosin të kundërveprojnë. Në minutën e 27-të, pas një driblimi të mirë, Shaqiri arrin të futet në zonë dhe gjen afër zonës së 11-metërshit Xhakën, i cili gjuan, por që topi përfundon në duart e Romeros. Shansi më i pastër deri në ato minuta dhe një mundësi që vështirë se do të kthehej më për Zvicrën. Higuain është ai që kundërpërgjigjet duke e pasuar mire te Laveci, mirëpo lojtari ndalet nga ndërhyrja e Benalios. Janë përsëri amerikanojugorët në minutën e 30-të me anë të Garai që pas një korsi të bukur nga Di Maria nuk arrin të shoqërojë topin drejt rrjetës. Sfida është e ndezur dhe krijohen dhe rastet e para për shënim. Në minutën e 39-të do të vinte edhe shansi më i mirë për Zvicrën pas atij të Xhakës. Shaqiri do të bënte përsëri gjithçka mirë, duke dhënë një pas drejt Dërmiçit, i cili do të arrinte të zotëronte mjaft mirë, por do të bënte një goditje mjaft të dobët përballë Romeros që kap idenë dhe arrin edhe kësaj radhe të tregohet vendimtar. Kështu të dyja skuadrat do të shkonin drejt pushimit me rrjeta të paprekura. Fraksioni i dytë nis me ekipe të pandryshuara dhe më të njëjtën panoramë si ajo e minutave të para. Në minutën e 59-të ishte Mesi ai që driblon mjaft bukur duke dhënë një asist për Di Maria por topi është larg objektivit. Pleshti do tregohej përsëri i rrezikshëm në minutën e 68-të. Pas një dy luftimi midis Shar dhe Higuain topi do të binte në këmbët e Mesit që do të bënte gjithçka mirë, por do të zhgënjente në finalizim. Një gol i cili duket se nuk vjen nga të dyja skuadrat pasi mbrojtjet tregohen mjaft të kujdesshme. Sabela ndërkohë lëviz Palasio në vend të Lavecit, ndërsa nga krahu tjetër Hicfled do të hidhte në fushë Seferoviçin për Dërmiçin. Loja do të kishte shumë energji, por nuk do të kishte gol. Është Argjentina ajo që përpiqet të krijojë raste për ta mbyllur ndeshjen brenda 90-minutëshit, por është e vështirë, pasi helvetët janë të hekurt.

 

Minutat shtesë

Minutat shtesë do të ishin dhe ato më vendimtare dhe do të përcaktonin edhe ekipin që do të kalonte në fazën çerekfinale. Është Zvicra ajo që tregohet me energjike dhe mundohet që të krijojë hapësirat e saj duke vënë në vështirësi Argjentinën. Ndërsa nga krahu tjetër lojtarët e pjesës ofensive të bardhekaltërve sfumojnë dhe nuk arrijnë të dalin në lojën e tyre. Edhe pjesa e parë e shtesë ngel me shifra të pandryshuara dhe duket se loja po shkon drejt penalltisë. Pjesa e dytë do të sillte më shumë ngjyra dhe më shumë emocion. Argjentina duket se mblodhi forcat e fundit për tu hedhur në drejtim të mbrojtjes zvicerane. Skuadra e Sabelës kërkonte me dëshpërim ta mbyllte ndeshjen para penalltive pasi latinët kanë kohë që nuk ndihmohen nga fati. Është Di Maria ai që lëshon një trinë drejt cepit të portës por reagon mjaft mirë Bengalio i cili është edhe një ndër më të dalluarit e ndeshjes. Nëse është një gjë e bukur që kemi parë në këtë botëror janë portierit dhe gardiani zviceran e provoi më së miri me ndërhyrjet e tij në minutat e fundit. Në minutën e 118 do të vinte edhe thyerja e Benalios dhe skuadrës zvicerane. Pas një driblimi mjaft të mirë të Sharit, Mesi dhuron një top në këmbët e Di Maria që kësaj herë nuk mund të gabonte, duke dërguar topin në cepin e portës. Argjentina në lot pasi kualifikimi vetëm tre minuta nga fundi duke shumë i afërt. Por për zviceranët nuk ka mbaruar asgjë pasi janë të vendosur të luftojnë deri në sekondën e fundit. Ai që ka shansin e artë është Xhemaili i cili pas një kros, ngrihet mirë në zonën e latinëve gjuan me kokë, por topi pret shtyllën e cila e kthen topin përsëri te këmbët e kosovarit që sot fati e ka braktisur. Hicfeld dhe Sabela ngrijnë teksa minutat e fundit janë një vërshim i helvetëve drejt amerikanojugorëve. Mundësinë e fundit e ka Shaqiri i cili merr një goditje dënimi shumë afër zonës, por nuk arrin ta kthejë në gol. E gjithë festa është e Argjentinës që, si të mëdhatë e tjera, me shumë vuajtje u kualifikua për në fazën tjetër, ndërsa Zvicra, edhe pse luftoi fort, i duhet që pjesën tjetër ta shikojë nga televizori.

 

Rakitiç: Barcelona, një ëndërr e bërë realitet

Nënshkrimi i ri i Barcelonës, kroati Ivan Rakitiç, thotë se ai është krenar që i është dhënë fanella me numrin 4 të cilën më herët e kishte mbajtur ish-kapiteni Pep Guardiola. Kroati sot edhe zyrtarisht u zbulua si lojtar i Barcelonës pasi kompletoi transferimin prej 20 milionë eurosh nga Sevija dhe nënshkroi kontratë pesëvjeçare. Atij i është dhënë fanella me numrin 4, të cilën së duami e ka mbajtur edhe Çesk Fabregas para se ai të kalojë te Çelsi më herët gjatë kësaj vere. “Është e veçantë ta mbaj të njëjtin numër si të Pep Guardiola. Është nder ta mbaj fanellën me numrin 4, ai bëri histori si lojtar dhe trajner. Shpresoj të jem po aq i suksesshëm sa edhe ai”, ka thënë mesfushori.

 

 Siti afër akordit me Benatian

Mançester Siti raportohet se ka një marrëveshje me mbrojtësin e Romës, Mehdi Benatia. “The Mirror” shkruan se Siti tashmë ka marrëveshje për të nënshkruar me lojtarin, por është duke pritur që klubi nga Serie A të gjejë zëvendësimin e tij. Manuel Pelegrini është duke ngulmuar për mbrojtësin maroken pas një sezoni imresiv të tij në “Olimpiko” dhe dëshiron të paguajë rreth 30 milionë funte për të siguruar shërbimet e tij gjatë kësaj vere. Por duke qenë se është kualifikuar në Ligën e Kampionëve, Roma nuk e ka me nguti ta shesë lojtarin dhe do ta lejojë atë të largohet vetëm nëse gjen një lojtarë mjaft të mirë për ta zëvendësuar.

 

Llallana zyrtarisht te Liverpuli

Liverpul ka transferuar Adam Lallanan nga Sauthemptoni. Mesfushori anglez është lidhur qe një kohë të gjatë me një kalim te “resat” dhe tashmë ai është konfirmuar si lojtar i tyre. “Më është realizuar dëshira ime për të luajtur te një klub aq fantastik, në Ligën e Kampionëve dhe për të garuar për titujt e Ligës Premier”, – ka thënë 26-vjeçari. “Jam shumë i entuziazmuar për kapitullin e ardhshëm në karrierën time, pas ardhjes te një klub special si Liverpul. Në sezonin e kaluar thellë në vete thosha: ‘Shpresoj që një ditë të luaj për atë skuadër’. Tashmë kjo ëndërr është realitet”, – ka thënë 26-vjeçari. “Jemi të kënaqur që kemi siguruar njërin nga top-talentët e Ligës Premier”, – ka deklaruar Roxhers.

 

 Skolls: Kros është brilant

Një ndër legjendat e “djajve”, Pol Skolls, ka folur me pakënaqësi pasi klubi nuk u angazhua sa duhej për transferimin e Toni Krosit. Mesfushori i Bajernit ka qenë shënjestër e Djajve të Kuq, mirëpo destinacioni i tij duket se do të jetë Real Madridi. “Më pëlqen ta shoh Toni Krosin. Mendoj se ai është brilant. Më pëlqen mënyra se si e kontrollon topin dhe e kontrollon lojën. Ai mund të dërgojë një pasim të bukur dhe ka një vizion të shkëlqyer. Kros po ashtu ka aftësi për të shënuar gola, nga jashtë zone me të dyja këmbët. Do të doja që Junajtid ta kishte transferuar. Është gjë e mirë që Mançester po sjell lojtarë të rinj, por ende nuk e ka transferuar dikë me cilësitë e Kros”, – ka komentuar ish lojtari anglez.

 

 Valdes të mërkurën te Monako

Ish-gardiani i katalanasve, Viktor Valdes, të mërkurën do t’u nënshtrohet testeve mjekësore te klubi francez, Monako. 32-vjeçari refuzoi ta vazhdonte kontratën me Barcelonën dhe tashmë është lojtar i lirë. Qe më shumë se një vit është ditur se ai do të largohet nga “Kamp Nou”, mirëpo asnjëherë nuk e ka thënë emrin e klubit ku do ta vazhdojë karrierën. Monako vazhdimisht është përmendur si destinacion i tij i mundshëm dhe tash thuhet se është shumë pranë nënshkrimit. Valdes u largua nga ekipi spanjoll në të cilën kishte filluar karrierën e tij.

 

 Ture: Askush nuk do t’ia dijë për skuadrat afrikane

Ture hedh akuza të rënda në drejtim të drejtuesve më të lartë të futbollit botëror pas eliminimit të Bregut të Fildishtë nga Kupa e Botës. Për mesfushorin, askush nuk do t’ia dijë që Bregu i Fildishtë u eliminua pasi bëhet fjalë për një skuadër afrikane. “Në ndeshjen ndaj Greqisë i kërkova disa herë llogari gjyqtarit për simulimin e Samarasit. Edhe një herë ne ishim dëshmitarë të faktit se arbitrin e kishim kundër. Ndaj Greqisë ishte një 11-metërsh i shpikur nga drejtuesi i garës, por ai veprim nuk nxehu askënd sepse këtu bëhet fjalë për një skuadër afrikane”, – shprehet mesfushori i Mançester Sitit. “Kush do t’ia dijë për një skuadër afrikane? Ai gabim na mohoi ne një gëzim të madh dhe unë mendoj se bëhet fjalë për një skandal por asnjë nuk shqetësohet për këtë”, – komentoi Ture.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency