Vijon frenimi i konsumit, frenohen edhe depozitat bankare  

0
181

Ervin Kaduku

Tregu_Fruta_Perime_877938552–  Vetëm çmimi i rritur i karburanteve nga taksa e karbonit sjell rritjen e xhiros në tregtinë me pakicë. Konsumi është goditur nga pesimizmi, pasiguria dhe tkurrja e të ardhurave të shqiptarëve

Tregtia me pakicë rezultoi me rritje në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas Institutit të Statistikave, indeksi i volumit të shitjeve në Tregtinë me Pakicë është rritur 5.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por, po të përjashtojmë shitjet e hidrokarbureve, çmimi i të cilave u rrit si pasojë e rritjes së taksës nga ana e qeverisë, indeksi i tregtisë me pakicë njohu një rritje vjetore me 4.5%, çka përfaqëson shkallën më modeste të rritjes për pesë tremujorët e fundit. Këto të dhëna tregojnë se përmirësimi i konsumit nuk është i qëndrueshëm dhe mbështesin konkluzionet e shprehura më muajt e fundit nga Banka e Shqipërisë, se rimëkëmbja e kërkesës së brendshme në ekonomi paraqitet e ngadaltë dhe e pasigurtë.

Ndonëse importet këtë vit i janë rikthyer rritjes, ecuria e shitjeve me pakicë nuk tregon përmirësime domethënëse. Konsumi si përbërësi më i rëndësishëm i kërkesës agregate po vazhdon të vuajë nga pesimizmi, pasiguria dhe tkurrja e të ardhurave. Në shumicën e grupmallrave, shitjet me pakicë kanë shfaqur rritje më të dobët të shitjeve krahasuar me tremujorët paraardhës. Një kontribut pozitiv në rritjen me 5.7% të indeksit agregat kanë dhënë karburantet. Shitjet e këtyre produkteve janë rritur 7.5% me bazë vjetore, pas dy tremujorësh radhazi në rënie.

Në këtë tremujor, në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve është rritur 0,5% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit pararendës, ku nëngrupi me peshën më të madhe në këtë grup (Shprehimisht “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara”) është rritur në masën 4,8%.

Indeksi i volumit të shitjeve në Tregtinë me Pakicë për grupin e “Produkteve jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara (përjashtuar Tregtimin me Pakicë të Hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara)”, është rritur në nivelin 9,6% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës, duke dhënë kësisoj kontributin më të madh në këtë tremujor në indeksin e volumit të shitjeve në Tregtinë me Pakicë.

 

Frenohen depozitat në banka

Ndërkohë, depozitat në sistemin bankar qëndruan pothuajse në vend në maj të vitit 2014, sipas statistikave mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Në fund të muajit maj, totali i depozitave për ekonominë 949 miliardë lekë, me një rritje të papërfillshme në raport me një muaj më parë. Në krahasim me fundin e vitit 2013, depozitat në sistemin bankar kanë rënë me 0.1%. Kjo është hera e parë që prej periudhës 2008-2009, (kur depozituesit tërhoqën paratë si rrjedhojë e panikut nga kriza financiare globale) që sistemi bankar përballet me tkurrje të depozitave. Sipas statistikave, tkurrja ka ardhur nga rënia e depozitave të individëve, si në lekë ashtu dhe në valutë. Depozitat individëve në lekë ranë me 11 miliardë lekë, apo rreth 3% në fund të majit, në raport me dhjetorin 2013.

Me bazë vjetore (maj 2014/maj 2013), depozitat në sistemin bankar janë rritur me rreth 9%.

Janë disa arsyet e kësaj ecurie të dobët të depozitave në sistemin bankar. Së pari, kriza ekonomike ka dobësuar buxhetet e njerëzve dhe aftësinë e tyre për të kursyer. Së dyti, interesat e depozitave kanë rënë ndjeshëm, në rreth 2% për afatet 12 mujore, duke i detyruar njerëzit të gjejnë metoda alternative për të investuar kursimet e tyre.

 

 Porti Durrës, makinat nuk do të hyjnë pas orës 22

Afati i fundit për hyrjen e automjeteve në Portin e Durrësit do të jetë ora 22:00, rreth 30 minuta më herët. Në një njoftim nga Autoriteti Portual i Durrësit thuhet se nevoja për përshpejtimin e procedurave të imbarkimit, ruajtja e nivelit të sigurisë dhe respektimi i orarit të nisjes së trageteve ka sjellë këtë vendim të për ndryshimin e orarit.

Autoriteti Portual i Durrësit ia ka bërë të njohur orarin e ri të gjitha subjekteve që operojnë apo kanë interesa në port, si: Policia Kufitare dhe Migracionit, Dogana Shqiptare, agjencitë e lundrimit dhe udhëtimit, agjencitë doganore, etj. Të gjithë këta operatorë portualë punojnë e bashkëpunojnë gjatë imbarkimit të pasagjerëve dhe automjeteve në traget drejt Italisë.

Linjat më të parapëlqyera, si për pasagjerët, ashtu edhe për automjetet, janë ato që nisen në mesnatë nga Porti i Durrësit, pasi në mëngjes herët ankorohen në Itali. Në një kohë kur pasagjerët dhe subjektet tregtare kërkojnë rritjen e efiçencës dhe më tepër shpejtësi në kryerjen e proceduarve, institucionet ligjzbatuese kërkojnë që siguria të mos cenohet. Autoriteti Portual i Durrësit, i gjendur në mes dhe në funksionin e rregullatorit, ka vendosur që ora 22:00, dhe jo më 22:30 minuta, të jetë afati i fundit i hyrjes së automjeteve në port, me qëllim që t’u japë të gjithëve kohën e mjaftueshme për kryerjen e veprimeve të nevojshme, pa penguar nisjen e trageteve në orar.

 

Tuneli i Kërrabës, mbyllur edhe 10 ditë të tjera

Tuneli i Kërrabës dhe rruga e re Tiranë-Elbasan do të vazhdojë të qëndrojë e mbyllur edhe 10 ditë të tjera. Kompania ndërtuese kishte njoftuar se rruga do të hapej mëngjesin e së martës pas përfundimit të disa punimeve në shtratin e saj, por për shkak se punimet po vijojnë ende, sot është njoftuar se mbyllja e kësaj rruge dhe e tunelit do të vijojë edhe 10 ditë të tjera dhe hapja do të bëhet në orën 7 të mëngjesit të datës 11 korrik.

Lidhja mes Elbasanit dhe Tiranës do vijojë të bëhet nga rruga e vjetër në Qafën e Kërrabës dhe për mjetet e rënda dhe trajlerat nga segmenti Elbasan-Durrës.

Njoftimet e herëpashershme për mbylljen e këtij aksi rrugor kanë krijuar konfuzion tek drejtuesit e mjeteve të cilët ishin të lajmëruar për çeljen e saj më 1 korrik. Por ashtu, siç ndodh rëndom në Shqipëri, rregullat nuk zbatohen nga të gjithë. Një pjesë jo e vogël mjetesh janë lejuar të kalojnë në këtë aks rrugor, megjithëse punimet vazhdojnë dhe me gjithë rrezikshmërinë që paraqitet për shkak të shpërthimeve të dinamitit.

 

Shumëfishohen gjobat për ndërtime pa leje

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese diskutoi dje projektligjin për Planifikimin Urban. Në raportimin në komision, ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, gjatë prezantimit të këtij projektligji, tha se “gjatë rishikimit, mbi 90 e ligjit ekzistues u ndryshua”. “U kalua në 2 faza për ndryshimin e ligjit. Fazat ishin konsultime publike dhe konsultime teknike. Dua të theksoj gjithashtu, – u shpreh ajo, – se ky proces u mbështet shumë ngushtë me asistencën teknike dhe financiare të ofruar nga USAID, nё kuadrin e Programit të USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore (Planning and Local Governance Project (PLGP). Ligji i ri nuk lejon pronarët që tokat të fragmentarizohen, si dhe nuk lejon ndërtimet pa leje”, – tha Gjermeni.

Ligji parashikon gjithashtu përjashtimin e autoriteteve vendore nga detyrimi për pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja kur realizojnë investime publike, ne rastet kur vetë bashkitë/komunat kryejnë investime publike por janë të detyruar të paguajnë taksën e infrastrukturës. “Kjo taksë është menduar të hiqet pasi rezulton që secila komunë/bashki e paguan për interes të saj, gjë e cila nuk bën sens. Ne besojmë se ky ligj do të disiplinojë veprimtarinë në fushën e zhvillimit të territorit, duke vendosur rregulla të qarta, si dhe duke lehtësuar e zhbllokuar situatën e krijuar prej 4-vitesh”, – tha Gjermeni.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency