Gazeta gjermane “Neue Zürcher Zeitung”/ Piramida, një kryevepër, Kadare më afër sekretit të diktatorit

0
153

Nga Andreas Breitenstein, Neue Zürcher Zeitung

Matanë së mirës dhe së keqes

kadare piramidaNjë prej gazetave më të njohura evropiane dhe kritiku i njohur Andreas Breitenstein, rreth botimit në gjermanisht të romanit “Piramida” të Kadaresë, duke e vlerësuar një kryevepër të shkrimtarit shqiptar

 “Në qoftë se nuk ka Zot, atëherë gjithçka është e lejuar”, – thuhet te Dostojevski në anticipimin e rivlerësimit të të gjitha vlerave të Niçes. Aty ku morali i krishterë është vjetruar si çelës për jetën e duhur, vlen – matanë së mirës dhe së keqes – vetëm edhe vullneti për pushtet, i cili përmbushet në dallimin e ligjeve të të qenit, në pohimin e qarkullimit të përjetshëm të jetës dhe vdekjes, krijimit dhe zhdukjes, dëshirës dhe dhembjes. Duhet të mësohesh që ta duash fatin tënd.

“Në qoftë se ka një Zot, atëherë atij i lejohet gjithçka”: Kjo fjali mund të vlejë për romanin mjeshtëror “Piramida” të Ismail Kadaresë. Dhe në qoftë se ky “Zot” është një faraon me emrin Keops, atëherë duket se gjithçka është thënë rreth shtrembërimit të pazakonshëm të vlerave njerëzore, rezultati i çuditshëm i të cilave edhe sot ngrihet mbi platonë e Gizës afër Kajros. Njëmend ndërtimi i varrit më të madh të ngritur ndonjëherë arrin te Kadareja në një simbol të megalomanisë dhe të mizantropisë së një sundimi totalitar, siç e ka përjetuar edhe atdheu i tij Shqipëria nga 1944 deri më 1985 nën diktatorin komunist Enver Hoxha. Prapëseprapë, Kadare ishte shumë afër sekretit të pushtetit, për të dalluar se diktatorët si shtytës janë gjithmonë edhe të shtyrë – sistemi i hibrisit dhe frikës, besnikërisë dhe tradhtisë, mbikëqyrjes dhe ndëshkimit kanoset që të rrëzohet dhe të drejtohet kundër krijuesit. Të shtjellosh pikërisht këtë demonizëm në rastin e ndërtimit të Piramidës së Keopsit, përbën humorin dhe harenë e këtij libri nga viti 1992, të cilin tani e kemi në përkthimin e mirë në gjermanisht nga Joachim Röhm.

 

Zbulimi i pakuptimshmërisë

Romani nis me një bujë, e cila hedh një dritë mbi strategjinë dhe patologjinë, mbi ironinë dhe melankolinë e këtij ndërtimi monumental. Pak kohë pas ngritjes në fron Faraoni i ri kumton se nuk dëshiron që t`i ndërtohet një piramidë, e kjo gjë e vë në dëshpërim të thellë priftërinë më të lartë. Sepse me këtë nuk vihet në pikëpyetje ngritja përfundimtare e mbretit te yjet, por e rrezikon edhe arkitekturën e pushtetit të shtetit, mbi të cilën bazohet bindja pa kushte e popullit. Vërtet Piramida si varr është e rëndësishme, por edhe më e rëndësishme është përpjekja që zgjat pa mbarim e ndërtimit të saj si mjet për ta shkatërruar atë mirëqenie, e cila të nënshtruarit i bën të ngopur, të lirë dhe të pacipë. Gjatë kishin menduar astrologët dhe magjistarët për të shpikur diçka që “lanë me finjë trupin dhe mendjen dhe me atë rast ishte plotësisht e panevojshme” – “ideja e një varri shumë të madh. Një mbivarr në njëfarë mase”. Kjo i jep pushtetit një formë kristaline dhe njerëzit i bën pluhur. Mirëpo, Faraonit i takon fama e fitores përtej kohës “deri në fund të botës”. Nuk është mrekulli, ngaqë Keopsi në fund nuk mund dhe nuk dëshiron prapseprapë t’i mbyllë sytë para këtij vizioni: “Piramida u ndërtua. Ajo duhej të ishte më e larta prej të gjithave. Dhe më madhështorja”.

Si një valë goditëse vendimi e kaplon vendin, që tani e tutje e tërë energjia e tij do të qarkullojë përreth mesit të zbrazët, i cili del nga pakapshmëria e planit dhe nga dyshimi, se a qenkësh i përmbajtshëm shpirti i mobilizimit total i liruar nga shishja. Vërtet Keopsi e mbikëqyr personalisht veprën, por sa më shumë që shpërndahen energjitë e tij, aq më shumë fillon vet të sundojë përbindëshi. Në mënyrë drastike Kadareja e përshkruan sizmografin e manisë dhe të depresionit. Por tashmë modelet dhe kalkulimet përkujdesen për një “gjendje të rrezikshme të mpirjes”. Qindra planifikues lejojnë rrotullimin e mijëra inspektorëve, e këta u urdhërojnë dhjetëra mijëra punëtorëve në gurthyes dhe gjatë transportimit si dhe qindra mijëra skllevërve në kantiere. Njerëzit dhe materialet lëvizin në një vëllim, të cilin bota nuk e ka parë. Kështu vëzhguesit dhe spiunët e huaj të të gjitha prejardhjeve nuk dinë më si të shpëtojnë nga mahnitja, dëfrimi dhe neveritja – një linjë ironike, nganjëherë groteske e tregimit, e cila e përshkon romanin.

Natyrisht që nuk mungojnë fërkimet. Pluhuri dhe vapa, zemërimi dhe dëshpërimi brejnë energjitë. Ka aksidente pa numër, rebelime dhe spekulime, mirëpo aparati i fuqishëm i spiunëve të sigurimit shtetëror dhe aparati i vëzhgimit e mbajnë projektin në punë. Me këtë rast instrumenti më i sprovuar i torturimit qëndron aty që periodikisht të zbulohen “komplote”, të ndërmerren “spastrime” arbitrare dhe të inskenohen ekzekutime mizore, ashtu që nga tejet lartë e deri tejet poshtë askush nuk mund të jetë i sigurt për jetën e tij. Edhe vetë ekspertët teknik për mbrojtjen e dhomës mbretërore në brendi nuk janë të mbrojtur nga rreziku, përkundrazi – është e përcaktuar për ata që “dijen sekrete” të tyre ta paguajnë me vdekje.

Si një epifani qëndron mbi horizont reja me “pluhur, djersë dhe frikë”, mirëpo me dekadat figura del nga kaosi. Por, Keopsin e kaplon shqetësimi: a më shumë që ndërtimi i afrohet përkryerjes, aq më plastike i qëndron para syve vdekja e vet dhe me këtë e pakapshmja “formë e të braktisurit”, e cila e pret në brendi. Pavdekshmëria e tij do të jetë shuarja e tij, këto nuk janë mendime hyjnore. Në qoftë se plani i Piramidës kishte qenë tradhtia e tij ndaj popullit, atëherë duket se ka ardhur hakmarrja e tij. Mirëpo, më parë vjen edhe njëherë ora e “hetimit të madh” e të pakuptimtë për shkak të bllokut ominoz numër 92.249.19596.4 të vendosur para shumë vitesh në mes të trupit të Piramidës. Ai mund të jetë i magjepsur.

 

Shtrënguese dhe e tmerrshme

Në fund, prapëseprapë “piramida kërkon mumien e saj”, ndërsa është detyrë e Keopsit që ta japë kontributin e vet për planin e saj hyjnor. Tek kufoma e tij e balsamosur e bën të kompletuar opusin. Kur drita e diellit në lindje shkëlqen në maje, ky triumf tërheq vëmendjen edhe të atyre, jetën e të cilëve e ka shkatërruar. Matanë të mirës dhe të keqes qëndron aty piramida, ndërsa ata kishin “përfytyrimin e paqartë, se ndjenjat si urrejtja ose dashuria nuk mund të ngurtësoheshin, përderisa piramida mbulonte horizontet e jetës së tyre”. Duhet të mësohesh ta duash fatin tënd.

Shkurt zgjat momenti i përjetshmërisë, e edhe pse Faraoni i ardhshëm, Xhedefre, tashmë kishte porositur Piramidën e tij, fillon epoka “postpiramidale”. Plaçkitja e dhomave të varrit, që mbeti e pandëshkuar, prish mitin për hyjninë e faraonit, posaçërisht kur nga qarqet e plaçkitësve del fjala, se ata e kishin gjetur të ngulfatur në sarkofag Xhedefren e vdekur të ri. Nuk është çudi, për dëshpërim të sigurimit shtetëror buçet nami, se historiografisë së perandorisë i duhet një revizion.

Fuqi shtrënguese dhe saktësi të tmerrshme ka shenja paralajmëruese e Kadaresë për paranojën e sundimit totalitar, e cila nuk kursen asgjë dhe askënd. Ironia dhe finesa që e përshkojnë romanin, nuk ofrojnë çlirim të brendshëm, por prishin vetëm indiferencën, me të cilën koha i kapërcen rrokullimthi njerëzit. Errët dhe megjithatë tepër qartë paraqiten rrethanat në Egjiptin e Vjetër dhe në Shqipëri, saqë gati pengon kur autori shton një skicë të historisë së piramidës deri te sistemi i marrë i Enver Hoxhës me qindra mijëra bunkerë të vegjël të shpërndarë nëpër tërë vendin. Askush nuk e merr guximin të hyjë thellë në qelitë e pushtetit përveç Ismail Kadaresë. Në qoftë se ekziston një mënyrë efikase për t’u rehabilituar për ngatërrimin e vet, atëherë me kronikat e pamëshirshme në gurë.

Përktheu: Beqë Cufaj

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency