Çfarë përfitohet nga ristrukturimi i kredisë

0
163

kredi“Ristrukturimi i kredisë” është lehtësimi që banka ose institucioni financiar bën për huamarrësin për shkak të vështirësive financiare të tyre të shkaktuara nga arsye ekonomike ose ligjore. këto lehtësime nuk bëhen nga banka ose institucioni financiar në asnjë rast tjetër dhe përfshijnë në përgjithësi: lehtësimet e bëra në kushtet e kredisë nëpërmjet ndryshimit të një ose disa kushteve të kontratës (duke përfshirë ndryshimin e produktit dhe kapitalizimin e interesit), të cilat lidhen kryesisht me afatin, kryegjënë (principalin) dhe normën e interesit, marrjen (përdorimin) e kolateralit apo pasurive të tjera për shlyerjen e pjesshme të kredisë, zëvendësimin e huamarrësit fillestar ose përfshirjen e një huamarrësi shtesë.

 

Përfitimet

Kur huamarrësi nuk arrin të paguajë kredinë e tij, në përputhje me kushtet e kontratës së kredisë, atëherë huadhënësi ka të drejtë të kërkojë kthimin e detyrimit duke kaluar deri edhe në nisjen e procedurës gjyqësore dhe/ose ekzekutimin e kolateralit. megjithatë, kohët e fundit është rritur bindja që një ristrukturim i rregullt dhe në kohë i kushteve të kontratës, në bashkëpunim me huamarrësin, ka rezultuar më efektiv se nisja e procesit gjyqësor, pasi është njëkohësisht një proces më i shpejtë dhe ofron përfitime më të mëdha për huadhënësit, huamarrësit por edhe për ekonominë e vendit në përgjithësi. Tashmë është gjerësisht e pranuar se ristrukturimi i kredisë:

•i jep mundësi huamarrësit të kapërcejë me sukses vështirësitë financiare dhe të vazhdojë të përmbushë detyrimet e tij;

• shmang efektet negative sociale dhe makroekonomike, të cilat mund të shkaktohen nga ekzekutimi i një numri të madh pasurish të patundshme;

• redukton mbingarkesën e procedurave në gjykata, duke reduktuar numrin e rasteve dhe zgjatjen e proceseve gjyqësore;

•është më efektiv se procesi gjyqësor (mosmarrëveshja zgjidhet më shpejt dhe lejon rikuperimin e një përqindjeje më të lartë të borxhit);

•ndihmon individët të fitojnë besimin në procesin e ristrukturimit të borxhit nëse ai është i drejtë dhe transparent.

 

Këshilla

Të gjithë huamarrësit janë të detyruar të paguajnë kreditë e tyre në përputhje me kushtet kontraktuale të kredisë konsumatore/hipotekare. Prandaj, huamarrësit duhet të takojnë huadhënësit e tyre dhe të diskutojnë problemet në momentin që ato shfaqen, në vend që të presin të ndodhë

pamundësia e pagesës. Ristrukturimi i kredisë është një mënyrë për të zgjidhur problemet e huamarrësit, i cili është duke u përballur me probleme financiare pa iu drejtuar procedurës së ekzekutimit të kolateralit ose procesit gjyqësor. Një nga parimet bazë të ristrukturimit të kredisë është parimi i veprimit të vullnetshëm, i cili parashikon që secili individ ka të drejtë të hyjë në marrëdhënie ligjore me çdo palë që zgjedh dhe të vendosë kushtet që do. Prandaj, ndërsa secila palë (huamarrësi dhe huadhënësi) mund të nisë negocimet për ristrukturimin e kredisë, asnjëra prej tyre nuk mund të imponojë palën tjetër të pranojë kushtet e saj. Ristrukturimi i detyrimeve të huamarrësit nga huadhënësit, nuk mund të shihet si një e drejtë. Përkundrazi, ai përfaqëson një lëshim nga ana e huadhënësit. Ristrukturimi duhet të fillojë kur huadhënësi beson se mund të krijohet një plan pagese i qëndrueshëm dhe se huamarrësi do të jetë i aftë të paguajë kredinë e ristrukturuar sipas kushteve të reja.

 

Huamarrësi

Huamarrësi duhet t’i dorëzojë huadhënësit të gjithë informacionin e kërkuar brenda një afati kohor të përcaktuar nga huadhënësi. Informacioni duhet të përfshijë, por nuk duhet të kufizohet, në të ardhurat e rregullta dhe burime të tjera financiare, llogaritë e kursimit, investimet, kushtet aktuale të punësimit, burimet e të ardhurave shtëpiake, perspektivat e punësimit etj., për të siguruar vlerësimin e duhur të gjendjes financiare të huamarrësit. Huamarrësi duhet të informojë huadhënësin për çdo kredi tjetër të marrë apo çfarëdolloj detyrimi financiar.

 

Negociatat

gjatë negociatave të ristrukturimit, huadhënësi nuk duhet të nisë procedurën për ekzekutimin e kolateralit ose, nëse e ka nisur, duhet ta ndërpresë këtë procedurë, dhe huamarrësi nga ana e tij nuk duhet të ndërmarrë ndonjë veprim, i cili mund të ndikojë negativisht në aftësinë e tij të shlyerjes së kredisë apo në marrëdhënien e tij me huadhënësin. Ky parim buron nga premisa bazë e këtij udhëzimi – se procesi është aprovuar nga të dyja palët mbi marrëdhënie kontraktuale private sipas së cilës, huadhënësi është i gatshëm të ndihmojë huamarrësin, në mënyrë që të arrihet një përfitim në periudhën afatgjatë. Nisur nga kjo, nëse huadhënësi beson se është në dobinë e huamarrësit të ristrukturojë kredinë, atëherë ai duhet të krijojë kushtet e nevojshme për huamarrësin për të negociuar ristrukturimin. Ai duhet të lejojë një periudhë moratoriumi afatshkurtër mbi procedurat gjyqësore apo ato të ekzekutimit të kolateralit. Në varësi të kompleksitetit të situatës, moratoriumi nuk duhet të kalojë 45 deri në 90 ditë nga data e aprovimit me shkrim të huadhënësit për fillimin e negociatave të ristrukturimit. Huamarrësi, duhet të kuptojë se në këmbim të dhënies së periudhës të moratoriumit, ai duhet të premtojë, se gjatë kësaj periudhe, nuk do të ndërmarrë veprime që mund të ndikojnë negativisht në aftësinë e tij për të ristrukturuar kredinë, dhe të ripohojë angazhimin e tij për të dhënë të gjithë informacionin e kërkuar, të saktë dhe në kohën e duhur.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency