Prokuroria/ Vrau 19-vjeçarin për defektin e lavatriçes, dërgohet dosja në Gjykatë

0
147

 Anxhela Tato

policeRrëfimi i autorit: Më ofendoi dhe më qëlloi, për t’u mbrojtur e godita me kaçavidë, nuk doja ta vrisja

 Hetimet, autori vajti në dyqan dhe i kërkoi viktimës të riparonte sërish lavatriçen, pasi e kishte paguar dhe nuk kishte bërë punën

 Rregullimi i lavatriçes i kushtoi jetën 19-vjeçarit Ymer Kotarja, ndërsa Prokuroria ka tashmë gati dosjen hetimore, të cilën e ka depozituar në Gjykatë. I pandehuri Maliq Mema do të përballet me Gjykatën për akuzën e vrasjes me dashje. Krimi i rëndë ndodhi në fillim të muajit janar të këtij viti, pas një konflikti mes autorit dhe viktimës. Sipas hetimeve të akuzës, autori pretendonte se viktima nuk i kishte rregulluar mirë lavatriçen, e cila nuk punonte prej tri ditësh. Ditën e ngjarjes autori ka vajtur në dyqanin e viktimës dhe e ka gjetur duke punuar. I ka kërkuar që të shkonte në banesë tek ai dhe të merrej me lavatriçen, pasi i kishte dhënë lekë. Por pas kundërshtimeve të 19-vjeçarit situata ka degraduar në ofendime dhe konfrontim fizik. Në përleshje e sipër autori 41-vjeçar ka qëlluar me kaçavidë viktimën dhe është larguar me shpejtësi. Ai ka njoftuar një të afërm për çka ka ndodhur, duke i kërkuar ndihmë dhe pas tri ditësh është vetëdorëzuar në polici. Para bluve ai ka rrëfyer se nuk ishte në dijeni të gjendjes shëndetësore të viktimës, të cilën e ka marrë vesh pas lajmit të vdekjes.

 

Babai i viktimës

“Djali im, Ymer Kotarja, më kishte thënë rreth një javë përpara ngjarjes që i kishte rregulluar një lavatriçe shtetasit Maliq Mema dhe i kishte thënë Maliqit që të mos e ngarkonte shumë lavatriçen, pasi ajo nuk mbante, se është shumë e konsumuar. Ndërkohë që, unë shtetasin Maliq Mema e kam njohur, pasi ai ishte nga Kukësi dhe i kam pasë rregulluar frigoriferin edhe përpara disa kohësh. Ditën e ngjarjes djali im, Ymeri, kishte dalë përpara meje në mëngjes dhe kishte shkuar tek servisi, pasi do rregullonte një lavatriçe. Unë kam dalë me vëllain tim, Astritin, pasi ai kishte disa punë në Kamëz. Unë jam ulur me vëllain tim aty afër servisit tek një lokal në katin e dytë, duke pirë kafe, ndërsa djali im ishte tek servisi. Pasi kam pirë kafe, kam dalë nga lokali dhe jam nisur drejt servisit, ndërsa vëllai im ka shkuar drejt pazarit. Unë sapo jam afruar tek hyrja e servisit, kam parë shtetasin Maliq Mema, i cili ishte kapur me çunin tim dhe po përlesheshin. Ata ishin ballëpërballë me njëri-tjetrin dhe po goditeshin. Unë u kam bërtitur duke iu thënë: “Lëshohuni, mos u godisni”. Dhe në ato momente Maliqi e ka lëshuar djalin tim dhe ka ikur me vrap jashtë, ndërsa unë kam parë që djali im ka rënë në tokë pa ndjenja. Unë nuk i kam kushtuar shumë vëmendje se nga ka ikur Maliqi dhe çfarë kishte në dorë, pasi u shqetësova për djalin dhe shkova menjëherë tek ai. Unë jam afruar dhe kam vënë re që djali im kishte një shenjë në syrin e majtë dhe nuk reagonte. Menjëherë janë afruar dy persona të tjerë, që unë nuk i mbaj mend dhe i kanë hedhur pak ujë djalit tim, po ai përsëri nuk ka reaguar. Më pas disa persona e kanë kapur djalin tim dhe e kanë çuar tek një makinë dhe e kanë nisur për në spital. Në spital doktorët më kanë thënë që djali im kishte marrë një goditje të rëndë në kokë dhe se ishte në gjendje shumë të rëndë. Më datë 19.1.2014, djali im ka gjetur vdekjen në Spitalin Ushtarak Tiranë. Unë nuk di akoma arsyen përse Maliqi i ka bërë këtë gjë djalit tim dhe se nuk kam mësuar as nga ndonjë njeri. Kam dijeni në lidhje me defektin e tij të lavatriçes, por më duket shumë arsye e pa vlerë që të shkonte puna deri në këtë pikë. Dua të them se akoma asnjë person nuk më ka treguar mënyrën se si ka ndodhur ngjarja, pasi unë nuk i njoh dy personat që kanë qenë aty afër dhe që më kanë ndihmuar me djalin. Edhe unë nuk jam interesuar shumë në lidhje me këtë gjë, pasi jam shumë i tronditur në lidhje me vdekjen e djalit tim. Dua të them se xhaxhai i Maliqit më ka dërguar një fjalë, duke më thënë nëse do ta pranoja që ai të merrte pjesë në varrimin e djalit tim dhe unë nuk kam pranuar”.

 

Rrëfimi i autorit

“Kam dalë prej shtëpie rreth orës 09:00 të datës 16.1.2014, pasi do shkoja tek dentisti të rregulloja një dhemb. Gjithashtu dy ditë përpara kisha rregulluar lavatriçen tek një teknik afër kryqëzimit të Kamzës me mbiemrin Kotarja, që është stërnip në fshatin tim në Kukës. Kur i jam afruar afër servisit, kam shkuar tek hyrja dhe aty kam gjetur këtë djalin që ishte jashtë dyqanit duke rregulluar një lavatriçe. I kam thënë që lavatriçja që më rregulloi para dy ditësh nuk po punonte dhe se kur të kishte kohë nga dreka të shkonte tek shtëpia se e kisha lënë të mbyllur me rroba brenda. Ky person më ka thënë që unë nuk do merrem çdo ditë me lavatriçen tënde se ta kam rregulluar një herë. Unë jam ndier pak i ofenduar nga çfarë ai ka thënë, por përsëri i kam thënë që duhej ta rregullonte, pasi unë i kisha paguar për një gjë të tillë. Ai përsëri më është përgjigjur në të njëjtën mënyrë dhe më ka thënë: “Hajde brenda në servis edhe merremi vesh”. Kur kam hyrë brenda, ky person më ka sharë shumë rëndë dhe më ka kapur për fyti dhe më ka thënë që do të më godiste me shpulla. Unë i kam thënë që nuk më ka rënë njeri me shpulla mua dhe hiqi duart nga unë se nuk kam frikë njeri, përveç Allahut dhe unë nuk po merrem me ty se babai yt është nipi i R. M., që unë e kam të afërt. Ky person më ka goditur menjëherë në grusht në fytyrë dhe unë jam rrëzuar, më pas ai ka vazhduar të më qëllonte me grushte pa pushim, edhe pse unë po tentoja të ngrihesha, ai përsëri më qëllonte. Unë jam munduar të dal jashtë, por ai më ka kapur nga mbrapa dhe më ka kapur nga mjekra. Mbaj mend që e kam kafshuar në njërën dorë, me qëllim që të lirohesha, por ai më ka kapur përsëri nga qafa. Unë jam ngritur nga toka bashkë me atë që e kisha në kurriz dhe po mundohesha të lirohesha nga ai. Në një moment kam zgjatur dorën në një banak aty ku kishte disa vegla dhe aty më ka kapur dora një kaçavidë, të cilën e kam përdorur në drejtim të këtij personi, me qëllim që të çlirohesha, pasi ky person po më merrte frymën. Me sa mbaj mend, mund ta kem goditur me kaçavidë diku në fytyrë, por nuk jam i saktë për këtë gjë, pasi isha shumë i tronditur dhe e kisha nga mbas, nuk e shikoja dot. Në këto momente kam arritur të shkëputem nga ky person dhe kam dalë jashtë servisit, ndërkohë që ai ishte në këmbë brenda në servis dhe i kam thënë që unë këtë që më ka bërë nuk do t’ia fal. Më pas jam larguar në drejtim të xhamisë së Kamzës, ku edhe jam larë, pasi isha me gjakun tim, se isha i dëmtuar në fytyre. Më pas jam falur në xhami dhe jam larguar, pasi isha akoma i tronditur nga ajo çfarë më kishte ndodhur. Jam munduar të mjekohem vetë në dëmtimet që kisha në fytyrë. Dua të them se nuk jam dorëzuar menjëherë në polici, pasi nuk e kam parë shumë të rëndësishme, pasi nuk dija çfarë dëmtimesh kishte ky person. Sapo jam vënë në dijeni në lidhje me gjendjen e tij të rëndë dhe kam mësuar se ai kishte vdekur, jam dorëzuar në polici”.

 

Ekspertiza mjekoligjore

Është administruar akti i ekspertimit mjekoligjor nr. 27, datë 11.2.2014 nga ku ka rezultuar: 1-Në trupin e viktimës Ymer Kotarja u konstatuan plagë në kokë, hematoma përreth syrit të djathtë, ekimozë në hundë, thyerje e kockës së hundës dhe e mollëzës së djathtë, gërvishtje dhe dërmishtje në hundë, infiltrim hemorragjik të indeve të nënlëkurës së kokës, thyerje të kockave të kokës, hemorragji poshtë cipës së fortë të trurit, plagë në kokë në regjionin fronto-parieto-temporo-ociptal dextra. 2-Këto dëmtime janë shkaktuar me mjet të fortë mprehës. 3-Shkaku i vdekjes së shtetasit Ymer Kotarja ka qenë kontuzioni (derrmimi) hemorragjik i trurit në terren të traumës kafko-trunore. Në përgjigje të aktit të ekspertimit biologjik, nr. 2229, datë 27.2.2014 ka rezultuar se njollat e gjakut të administruara si provë materiale, objekt ekspertimi janë njolla gjaku njeriu të vlefshme për identifikim. Në përgjigje të aktit të ekspertimit biologjik nr. 1913, datë 19.2.2014, ka rezultuar se njolla e gjakut në tampon, marrë shtetasit Ymer Kotarja, është e njëjtë me njollat e gjakut të vendngjarjes së datës 16.1.2014. Në përgjigje të aktit të ekspertimit mjekoligjor biologjik nr. 3548, datë 1.4.2014, ka rezultuar se fijet e flokut objekt ekspertimi të administruara në vendngjarje janë fije floku njeriu dhe kanë vlera identifikuese me persona konkret.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency