Hapja e negociatave me BE-në/ Greqia: Respektimi i marrëveshjes detare, pjesë e kritereve të Kopenhagenit

0
139

Gëzim Saliu

Papulias Papoulias, Nishanit: Të trajtohet marrëveshja për delimitimin e shelfit kontinental e zonave detare

 Venizelos: Marrëveshja, pjesë e rëndësishme e përcaktimit të zonave ekskluzive ekonomike

Shqipëria do të duhet të përmbushë të gjitha kriteret e Kopenhagenit, përfshi këtu edhe respektimin e marrëveshjes së strategjisë detare me Greqinë, për të mundësuar hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kështu deklaroi dje në Athinë ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministri grek, Evangelos Venizelos, ku gjatë përmbledhjes së rezultateve të Presidencës greke të BE-së theksoi se kjo marrëveshje është pjesë e rëndësishme e përcaktimit të zonave ekskluzive ekonomike, bazuar në të drejtën ndërkombëtare për detin. “Që të arrijmë në fillimin e negociatave duhet të përmbushen gjithë kriteret e Kopenhagës. Duhet të jenë dhënë gjithë provat dhe dëshmitë e pranimit të dokumenteve komunitare; kjo ka të bëjë edhe me të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare të detit. Dhe, kur vjen Bashkimi Evropian, këshilli i ministrave i Unionit dhe voton strategjinë e re për sigurinë detare dhe insiston në rëndësinë që kanë zonat detare dhe e drejta ndërkombëtare e detit, kjo diçka do të thotë, sepse 28 vendet anëtare të BE natyrisht, e pranojnë edhe Konventën e OKB për të drejtën e detit, edhe nocionin e zonave detare dhe nevojën e delimitimit të tyre, sipas të drejtës ndërkombëtare për detin”, – deklaroi Venizelos. Ndër të tjera, ministri i jashtëm grek shprehu kënaqësinë për marrjen e statusit kandidat nga Shqipëria, ku ky qëndrim mbështetës i tij, i shprehur edhe më parë, është sulmuar prej qarqeve nacionaliste në Greqi.

 

Presidenti Papoulias

Ndërkaq, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, zhvilloi dje një bisedë telefonike me Presidentin e Republikës Grke, Karolos Papoulias, vendi i të cilit ushtron Presidencën aktuale të Bashkimit Evropian. Kreu i shtetit grek shprehu kënaqësinë, që premtimi i bërë gjatë vizitës së fundvitit të kaluar në Tiranë, për një angazhim të fortë mbështetës të qeverisë, gjatë Presidencës greke të BE-së, u realizua plotësisht. Ai shprehu kënaqësinë që Presidenca greke kalon tek një tjetër fqinj i Shqipërisë, Italia, me të cilën është bashkërenduar mbështetja e deritanishme por dhe në vazhdimësi për Shqipërinë. Por Papoulias theksoi gjithashtu shpresën se çështjet dypalëshe do të vijojnë të trajtohen, përfshirë marrëveshjen për delimitimin e shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare. Nga ana e tij kreu i shtetit shqiptar shprehu besimin se mes dy vendeve do të zgjidhen të gjitha çështjet, përfshirë delimitimin e zonave detare, në respekt dhe zbatim të standardeve evropiane dhe ndërkombëtare. Më tej, Presidenti falënderoi Papoulias, për rolin që vendi i tij, fqinj i Shqipërisë, dhe në ushtrim të Presidencës së radhës së BE, ka luajtur në avokimin e zëshëm për dhënien e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE. “Ky vendim i merituar dhe shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, është vlerësim për arritjet e deritanishme por edhe inkurajim i fortë për të vazhduar përpara në rrugën e reformave të mëtejshme”, – tha ai.

 

 Deputetja e PD-së/ Bregu: Duhet gjithëpërfshirje për reforma të qëndrueshme

Ish-ministrja e Integrimit, deputetja demokrate Majlinda Bregu, deklaroi dje se marrja e statusit kandidat ishte një lajm i vonuar për Shqipërinë, pasi ai ishte merituar kohë më parë por u vonua sipas saj për shkak të opozitës së kaluar. E ftuar në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo”, ligjvënësja e PD-së theksoi: “Ky vendim që u mor para një jave ishte konfirmuar në 10 tetor të 2013. Ishin vetëm tre ligje për t’u votuar, dhe qeverisë së sotme nuk i vjen mirë të kujtohen këto tre ligje. Ne jemi bllokuar me arsye pa arsye politike. Besoj se votimi i 3 ligjeve në maj të 2013 u bë vetëm pasi u mor garancia për statusin e vendit kandidat. Ishte e qartë atëherë se nuk kishte shans për marrjen e statusit të vendit kandidat. Statusi ishte një vendim i miratuar në kohë, dhe i vonuar në kohë. E ka merituar Shqipëria dhe shqiptarët me kohë, por u vonua në kohë për arsyet që dihet. Dikush mund të mendojë se kjo situatë ka qenë e rëndë, por përpjekjet e bëra dhanë rezultat”. Më tej duke analizuar sjelljen e opozitës lidhur me çështjen e integrimit, Bregu theksoi se mazhoranca ka një fat të madh që ka një parti që nuk bllokon procesin. “Përkundrazi kemi qenë gjatë gjithë kohës mbështetës. Integrimi duhet domosdoshmërisht të shihet si prioritet ndërkombëtar. Ndaj theksi vihet të gjithëpërfshirja, vetëm kështu mund të ketë reforma të qëndrueshme”. Ndërkaq lidhur me reformën e paralajmëruar nga mazhoranca në drejtësi, deputetja demokrate tha se ajo nuk mund të bëhej përmes përbuzjes së njerëzve që janë aktualisht pjesë e saj. Sipas Bregut, nuk mund të mohohet që ka njerëz të korruptuar, por nga ana tjetër theksoi ajo, pjesë e sistemit janë edhe të ndershmit. “Reforma në drejtësi nuk zgjidhet me një përgatitje drafti të hedhur në tryezë. Duhet të ketë diskutime paraprake”, – deklaroi Bregu.

 

 Kalifati në Irak/ Edhe Shqipëria, pjesë e synimeve të ISIS-it për të krijuar një shtet të madh islamik

Një hartë që po qarkullon në internet menjëherë pasi grupi islamik ISIS shpalli se ka vendosur “kalifatin” në disa territore të pushtuara prej tij në Irak dhe Siri tregon se cilat janë synimet e kësaj organizate. Harta tregon se Shqipëria, Kosova, Bosnjë-Hercegovina, Greqia, Rumania dhe Bullgaria do të jenë pjesë e shtetit islamik, por jo vetëm kaq kontrolli i ISIS-it do të shtrihet deri në Spanjë dhe Austri. Pjesë e hartës së publikuar nga anëtarë të ISIS-it janë vendet që njihen apo konsiderohen me popullsi myslimane. Më tej harta vazhdon me Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe disa vende aziatike. Ndërkaq, sipas prestigjiozes “Daily Mail”, Spanja pritet të jetë e para që mund të pushtohet dhe flitet për hapa e plane konkrete, sipas të cilave ky shtet do të jetë nën kontrollin e ISIS-it brenda vitit 2020. Synohet që brenda 5 viteve apo dhe diçka më shumë ISIS të shtrihet pothuajse në të gjitha kontinentet, me përjashtim të Amerikës. Militantët islamikë u kanë bërë thirrje myslimanëve të pajtohen dhe të bëhen pjesë e kësaj aleance dhe të refuzojnë demokracinë e çdo politike tjetër të perëndimit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency