Vrasja e bankierit/ Skafandrat nuk i përkasin autorëve, sekuestrimi nga policia pa prova

0
148

Anxhela Tato    

SKAFANDRAT MOTORI ARTAN SANTOHetimet e prokurorisë, numri i serisë dhe marka e mjeteve të bllokuara nuk përputhen me motorin e vrasësve

Rrëzohet versioni i policisë se motori u ndoq deri te Liqeni i Thatë, autorët u futën në një rrugë dytësore për të dalë në “Komunën e Parisit”

Skafandrat e gjetura nga policia me bujën se i përkisnin vrasësve me pagesë, rezultojnë të mos kenë lidhjen me krimin e ekzekutimit të biznesmenit Artan Santo. Sipas burimeve nga prokuroria çdo veprim i ndërmarrë nga policia është kryer në mungesë të sinjalizimeve apo dyshimeve.  Për organin e akuzës efektivët e policisë kanë vepruar me iniciativën e tyre, në mungesë të dyshimeve apo provave për të sekuestruar motorin dhe skafandrat, të cilët nuk i përkasin vrasësve me pagesë. Ndonëse bujës së këtij lajmi, për faktin e një gjurme që do të çonte drejt autorëve, nga verifikimet ka dalë që dy nga skafandrat e gjetura nuk janë përdorur nga vrasësit misteriozë. Për të vijuar më tej sipas akuzës me marrjen në pyetje të vëllait të baronit të drogës, Gëzim Çela, në magazinë e banesës së të cilit u gjetën skafandrat. Marrja në pyetje e Kujtim Çelës është bërë sërish me vullnetin e bluve, pa pasur indicie konkrete. Në magazinën që mendohet se ka lidhje pronësie me Kujtim Çelën, vëllanë e të kërkuarit Gëzim Çela është gjetur edhe motori që ka të njëjtën markë dhe numër serie me skafandrat në fjalë. Motori ka markë tjetër dhe numër kubikësh tjetër nga ai që është përdorur në vrasjen e Santos në Tiranë. Në lidhje me mekanizmin e ngjarjes, konfirmohet fakti se motori i autorëve të krimit është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka humbur gjurmët në zonën e Bubqit në Krujë. Është zbardhur pothuajse gjithë itinerari i lëvizjes së motorit me anë të pamjeve të marra nga kamerat e autostradës. Rezulton se policisë së Tiranës motori u ka dalë nga gjurmët pa mbërritur ende në zonën e Liqenit të Thatë duke hyrë në një rrugë dytësore në zonën e Komunës së Parisit çka rrëzon versionin se motori ka shkuar deri tek liqeni. Mjeti në fjalë ka hyrë në drejtim të unazës para mbërritjes tek mbikalimi i liqenit dhe mandej ka dalë në Astir për të vazhduar drejt autostradës. Pista kryesore e hetimit mbeten transaksionet e mëdha bankare brenda dhe jashtë vendit si dhe përfshirja e Artan Santos individualisht (pa lidhje me bankën) në cilësinë e personit fizik në dhjetëra biznese me anë të blerjes së aksioneve të ndryshme.

 

Itinerari

Një motor pa targa qarkullonte në zonët më të blinduara të kryeqytetit, duke mos rënë në sy të policisë. Vrasësit me pagesë arrinin që çdo ditë teksa ndiqnin shënjestrën e tyre, t’i kalon shumë afër efektivëve të policisë rrugore, duke iu shmangur. E njëjta skenë është paraqitur sërish ditën e ngjarjes, kur nga pamjet e kamerave të sigurisë motori ka kaluar me të kuqe duke parakaluar makinë e viktimës. Për të vijuar arratisjen, vrasësit ia kanë hedhur dy herë policisë, duke i kapërcyer dhe duke i lënë në mes të rrugës.  Motori i fuqishëm i autorëve i ka ikur policit në zonën e Komunës së Parisit, ndërkohë që shërbimet e Policisë Rrugore janë vendosur në postblloqe tek TEG dhe në Sauk. Motori ka kaluar nëpër rrugica nga Pallati me Shigjeta, në Yzberisht- Nënkalimi te kthesa e Kamzë duke u drejtuar për në Veri të Vendit.  Në vendin e quajtur “Hurmat” në Rinas, është pikasur nga një tjetër shërbim policie,  gjithashtu I pajisur me motor Scooter 125 kubik dhe që ka mundur t’i ndjekë autorët deri në Urën e Gjolës. Motori i policisë ka nxjerrë 120 km/orë kur autorët ishin të paktën me një shpejtësi 200 km/orë. Tek Ura e Gjolës, motori i autorëve është kthyer majtas për në rrugën e Bubqit duke hyrë në një terren të vështirë ku kishte përparësi, i pamundur për t’u ndjekur nga motori Scooter i policisë. Këtu punonjësi i policisë Rrugore ka komunikuar në radio duke dhënë koordinatat dhe zonën ku kishte hyrë motori i atentatorëve dhe ka qëndruar në pritje të përforcimeve. Ditën e shtunë Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, iu shmang pyetjes për mos-reagimin si duhet të policisë, qoftë për mungesën e ndalimit të motorit pa targa, ashtu dhe mungesën e masave bllokuese pas atentatit. Ai u mjaftua të thotë qe Policia e Tiranes nuk kishte dijeni se bankieri Santo kërcënohej nga dikush, si dhe shtoi që policia e Tiranës bëri gjthçka mundi për kapjen e atentatorëve.

 

Atentatet mafioze/ Brenda 6 muajve u regjistruan 12 ekzekutime, autorët misterioz

Janë më shumë, por në të paktën 12 atentate të regjistruara në gjysmën e parë të vitit, fshihet pas dora e mafias dhe e krimit të organizuar. Të gjitha janë pa autor, dhe mënyra e ekzekutimit konsiderohet perfekt duke mos lënë asnjë provë të dobishme për policinë. E para u regjistrua në 16 janar, dhe autorët kishin siguruar më parë informacionin konfidencial se Astrit Gjepali kishte marrë 5 ditë leje për të dalë nga burgu ku shlyente dënimin me 25 vite burg për vrasje. E kanë ndjekur makinën në kthim dhe e kanë ekzekutuar në afërsi të Bishtit të Zhurit. I vetmi gabim ishte vrasja e një personi tjetër që ndodhej në makinë me të. Një javë më pas në rrugën e Plazhit në Durrës i realizohet një atentat me eksploziv në makinë biznesmenit të ndërtimeve Xhemal Çela, i cili ndërroi jetë disa ditë më vonë në spitalin e Traumës. E vetmja provë që ka policia janë filmimet e makinës së përfshirë nga flakët pas shpërthimit. Në 19 shkurt ekzekutohen në automjetin e tyre në një pritë në Milot, Klodian Ndreca dhe Taulant Prendi. Dhe një javë pas këtij atentati, në Tiranë ekzekutohet biznesmeni i ndërtimit Armando Ceka. Ekzekutimi i Cekës është realizuar me eksploziv në lokalin e tij në rrugën “Besa”, ku mbeti i plagosur badigardi. Të nesërmen në Vorë, po me eksploziv, por këtë herë në makinë ekzekutohet Baki Xhabafti. Policia deklaroi se dyshohet për sulm hakmarrës, por askush nuk është vënë në akuzë për këtë krim. Në 20 mars, në afërsi të “Urës së Thive” në Shkodër, dy persona me motoçikletë i bëjnë atentat biznesmenit të duhanit Ndue Cini. 48-vjeçari ndërroi jetë 8 ditë më pas spitalin e Traumës në Tiranë. Në 25 mars, me dashje apo jo, por mosvendosja e djegores ka bërë që goditja me antitank të mos shpërthente në vilën e Kryetarit të Komunës së Farkës, Fatbardh Plaku. Nga sulmi nuk pati lëndime në njerëz, veç dëmeve materiale. Në 4 prill, që rezulton një muaj pas lirimit nga paraburgimi i të arrestuarit si i dyshuar për një vrasje që ka lidhjen me konfliktet në bizneset e kromit,dhe 1 javë pasi i shpëton një tjetër arrestimi nga policia, Gjin Nika, ekzekutohet në një pritë në fshatin Tapizë në Fushë-Krujë. Në pritë u vra edhe Fabio (Ersild) Xhunga, 34 vjeç që ishte me Nikën. Ndërsa në 9 maj në Berat, në një tjetër atentat këtë herë në Berat ekzekutohet biznesmeni Adriatik Mustafaraj, 52 vjeç, i cili kishte shërbyer edhe si shef i policisë rrugore. Për të ardhur në 1 qershor tek atentati i dytë ndaj ish-drejtorit të CEZ për Kurbinin, Viktor Skeja, i cili u ekzekutua brenda automjetit të tij në rrugën “Riza Cerova” në Tiranë. Një vit më parë Skeja ishte plagosur në një tjetër atentat ndaj tij. Të dyja këto atentate mbeten të pazbardhura për policinë. Dy javë më pas, në 14 qershor në Durrës, dy persona me motor ekzekutojnë me armë zjarri teksa hipte në automjetin e tij biznesmenin Kujtim Dervishi, i cili kishte qenë ortak me biznesmenin Xhemal Çela që u ekzekutua me eksploziv në janar. Për të ardhur tek ekzekutimi i të enjtes, kur bankieri Artan Santo, u ekzekutua në një atentat tipik mafioz, teksa shkonte nga banesa për në bankën e tij, në zonën e ish-“Bllokut”, në Tiranë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency