Mrekullitë (s’) ndodhin

0
121

Dush Gashi

dush gashiMbajtëm zgjedhje, të cilat, për herë të parë, të gjithë na i vlerësuan si të mira; kishim synim që ta ndërrojmë nga pushteti partinë, e cila, siç vlerësohet në vend e jashtë, e ka zaptuar shtetin dhe, edhe këtë, pasi që një pjesë e mirë e opozitës e kapi çastin e fundit për t’u bërë bashkë në një koalicion paszgjedhor – dukej se po e arrinim.

Mrekullitë dukej se po ndodhin në këtë vend.

Por, atëherë, një mrekulli tjetër, e rrejshme, e cila zgjati vetëm një natë dhe u zhduk bashkë me mugëtirën e agimit, duket se mund t’i marrë me vete në pa kthim edhe këto mrekulli të vërteta.

Barrikada në urën e Ibrit, e cila u hoq natën, por në mëngjes u shndërrua prapë në një të tillë të re, ndonëse të bukur e me lule, për cinizmin e të cilës është shkruar gjerë e gjatë këto ditë në shtypin kosovarë – na e rikujtoi se sa të vështira janë marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, okupuesen e saj të deridjeshme, dhe sa ia shterojnë ato energjinë politike shtetit të ri e të brishtë.

Meqë ra fjala, me protestën e dhunshme, kinse kundër barrikadës, doli në shesh se, për fat të keq, ndonëse të dobësuara e të demaskuara, në këtë vend ende ka forca, të cilat nën parulla patriotike ndjekin agjendat e tyre të dyshimta dhe se “sa më keq, aq më mirë” është ambienti më i volitshëm për to.

Më e keqja është se barrikada e rikthyer na e përkujtoi atë që mbase do të donin ta harronim: se për bashkimin e Kosovës de facto të ndarë nuk vendosin kurrfarë njerëzish të cilëve mund t’u është zbutur zemra gjatë pijes, por Beogradi zyrtar?

Se Serbia është përkëdhelur nga bashkësia ndërkombëtare derisa nuk e mori statusin e kandidatit për anëtarësim në BE ka qenë e qartë. E ka thënë këtë edhe Sonja Biserko, kryetare e Këshillit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, madje duke tërhequr vërejtjen se, në afat më të gjatë, kjo është e dëmshme edhe për vetë Serbinë.

“Problemi qëndron në atë se Perëndimi tepër shpesh udhëheq politikë të ledhatimit të Serbisë. Këtë e ka bërë për dy arsye: e para, për shkak se Serbia është shteti më i madh në Ballkan dhe e dyta, për shkak të synimit që si i tillë në njëfarë mënyre ta qetësojë dhe ta tërheqë në dialog me BE-në. Gjë që, meqë me decenie posedon mekanizma diplomatikë, por edhe të inteligjencës të përpunuar shkëlqyeshëm, Serbia e shfrytëzon me shkathtësi”, ka thënë ajo në një intervistë të mëhershme.

Në raport me Kosovën, tash duket se ledhatimi mund të vazhdojë. Të gjithë njëherë thoshin se do të mbështesin atë Qeveri, të cilën Kosova do ta formojë, natyrisht, duke respektuar rregullat demokratike dhe Kushtetutën e saj.

Por, të gjithë duket se u trembën kur “Vetëvendosje” doli me kushtet e saj, pa plotësimin e të cilave nuk do ta mbështeste koalicionin paszgjedhor, e të cilat paraqesin një qëndrim më të fortë ndaj bisedimeve me Serbinë.

Kështu Perëndimi del me qëndrime paksa kontradiktore ndaj Kosovës: në njërën anë i kërkohet që ta luftojë korrupsionin, ndërsa në anën tjetër duket se mund të insistojë që në Qeveri të jetë edhe partia e deritashme qeveritare, e cila më së shumti fajësohet për sistemin e korruptuar në vend.

E qartë, ndoshta qëndrimi i “Vetëvendosjes” ndaj dialogut me Serbinë është paksa i fortë, e po ashtu edhe se Qeveria e formuar nga opozita mbase edhe nuk do të kishte mbështetje aq të madhe parlamentare. Por, partia qeveritare do ta ketë edhe më të paktë këtë mbështetje, ndërsa arnimi i çfarëdo Qeverie teknike a të koalicionit të gjerë do të thotë krijimi i një Qeverie me forca të shpërqendruara e të papërgjegjshme.

Mbase më së miri është të dëgjohet këshilla e Daniel Serwerit, i cili, ndonëse tha se “Vetëvendosje” “nuk ka qenë gjithmonë konstruktive në të kaluarën”, porositi se “tani kanë ndryshuar pak pozicionin dhe mund të ndryshojë edhe më, pavarësisht se a është brenda apo jashtë Qeverisë”. Sidoqoftë, Kosova e pas këtij qershori nuk do të jetë ajo që ka qenë deri tash. Era e ndryshimit ka filluar dhe atë s’do të mund ta ndalë më kush.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency