Reforma është një fjalë, shërbimi u intereson qytetarëve

0
110

Editorial

Nga Lulzim Basha

 

lulzim-basha-475x280Ky është takimi i dytë që shoqatat e bashkive, komunave, qarqeve të Shqipërisë, organizojnë, në një përpjekje tonën për të bërë të mundur në mënyrë transparente dhe përmes mediave, para çdo qytetari, një diskutim të hapur thelbësor, për atë çka kjo reformë jep efekte te kushdo; përmirësim të shërbimit, rritje të përfaqësimit të publikut dhe dëgjimit të zërit të qytetarit. Në takimin tonë të parë po kështu ftuam pa asnjë paragjykim edhe përfaqësuesit e shumicës të cilët, të paktën, hartën, pra patkonjtë i kanë gjetur, por kalin akoma jo.

Përdora këtë metaforë për të theksuar edhe njëherë bindjen time si kryetar i njësisë më të madhe vendore të vendit, si kryetar i shoqatës së bashkive, por shpresoj edhe bindjen e të gjithë të zgjedhurve vendorë në këtë vend, pavarësisht se cilit formacion politik i përkasin, bindjen e katër konsulentëve, 3 prej të cilëve u komisionuan nga qeveria, se para se të blejmë patkoin, duhet të blejmë kalin, se para se të mbërrijmë tek harta duhet të bëjmë decentralizimin e vërtetë në përputhje me nevojat, sfidat dhe standardet e Shqipërisë 2014, dhe Shqipërisë 2015, dhe Shqipërisë 2025, Shqipërisë që duhet të shkojë drejt Evropës dhe standardeve evropiane.

Funksionet, decentralizimi, autonominë vendore, përfaqësimin sa më afër qytetarit, atë që sot BE e konsideron gur themeli të ekzistencës së vet me një fjalë të ngatërruar latine “subsidiariteti”, që do të thotë shërbimi të jepet sa më afër qytetarit. Pushteti të ushtrohet sa më afër qytetarit. Këtë kemi kërkuar dhe konstatoj jo pa kënaqësi se një personalitet i shumicës sot si z. Fino, me përvojën e tij si ish-i zgjedhur vendor, si i ngarkuar për pushtetin vendor dhe si ish-kryeministër i vendit, bie dakord që është decentralizimi dhe autonomia vendore kyçi i suksesit apo i dështimit i këtij procesi.

Sukses dhe dështim që nuk mund të vërehet sot për sot apo sot për nesër. Procesi duhet të garantojë shtrirjen në kohë dhe sukses në kohë të kësaj ndërmarrje dhe kjo është arsyeja pse lypset konsensus politik. Konsensusi politik është një minimum, dhe ai nuk mjafton. Dhe të ulen PD dhe PS, LSI dhe PR, në një tavolinë e ta diskutojmë larg syve të qytetarëve, edhe kjo nuk shkon. Por minimumi duhet një konsensus politik. Pse duhet konsensusi politik? Duhet sepse kështu garantojmë qëndrueshmërinë e kësaj reforme, që të mos vijë prifti e t’ia prishë hoxhës, e të vijë hoxha e t’ia prishë priftit. Duhet konsensusi politik sepse nëpërmjet konsensusit ne do të garantojmë llogaridhënie dhe transparencë para qytetarëve shqiptarë, shërbëtorë të të cilëve jemi. Dhe jemi këtu për t’u shërbyer dhe jemi shërbëtorë të tyre. Nuk jemi këtu për t’i udhëhequr, koha e udhëheqësve mbaroi më 1991.

Pra një reformë e cila përmirëson shërbimet ndaj qytetarëve. Çdo shërbim. Nga infrastruktura, tek marrja e lejeve apo certifikatave, tek kanalizimet, tek marrja e lejes për të rregulluar çatinë, për të hapur një dritare apo për të vënë sahatin e ujit. Apo shërbimet të tjera që sot Evropa i garanton përmes pushtetit vendor. Evropa?! Kosova i garanton përmes pushtetit vendor si arsimin, shëndetësinë. Por pushteti vendor ka në dorë vetëm furçën e bojës dhe gjithçka tjetër bëhet përmes 1 mijë drejtorive të pushtetit qendror, të shpërndara anembanë Shqipërisë që i kushtojnë 4 apo 5 herë më shumë se sa fatura e imagjinuar, s’po e paragjykoj, që qeveria do ta kursejë, duke e tkurrur pushtetin vendor.

Pra shërbime më të mira ndaj qytetarëve dhe përfaqësim më të mirë për qytetarët. Përfaqësimi është liria, demokracia që kemi fituar. Si ndryshe, do të mbajmë llogaridhënës atë që do të japë shërbimin, në qoftë se ai është nëpunës civil anonim, apo në qoftë se, është një person, që do të japë llogari para komunitetit të vet, fshatit, qytetit, lagjes, komunës në njëherë në kaq vjet.

Shërbim ndaj qytetarëve, demokraci për qytetarët, këtë duhet të garantojë reforma. Shërbime më të mira, përfaqësim më të mirë. Cili është rreziku?! Rreziku është veçanërisht në rastin e një megashumice siç kemi të bëjmë sot në Parlament me 83 deputetë të zgjedhur dhe 2 të importuar dhe me sytë e hapur për të kapur ndonjë import tjetër, që jo shërbimet dhe demokracinë, por faktorin elektoral dhe kontrollin politik fut në axhendë të parë. Cila është njësia që më leverdis më shumë, dhe si mund ta kontrolloj më shumë.

Ti lëmë mënjanë pikat që na ndajnë, t’i lëmë mënjanë pikat e ndryshme apo dhe retorikën e tepërt. Po është e vërtetë, Kryeministri çoi një letër dhe më ftoi ta diskutonim dhe ta diskutonim sy ndër sy por kur unë e pyeta pa e paragjykuar fare takimin për këtë çështje apo çdo çështje tjetër të rëndësishme për shqiptarët, se nuk është problemi tek takimi apo tek marrëdhëniet personale, sepse nuk është çështje personale, është çështje e qytetarëve shqiptarë, pra kur unë e pyeta nëse është i gatshëm të ofronte konsensus në parlament, aty ku merren vendimet, atëherë përgjigja e tij ishte, Jo.

Justifikimi ishte se opozita përmes kësaj mund të bllokonte procesin ndërkohë që opozita vetëm ka garantuar në çdo moment se është për këtë reformë. Se do të bëjë gjithçka që reforma të jetë e vërtetë, e suksesshme dhe afatgjatë. E ndërkohë që me 83 plus 2 ka mjaftueshëm vota për t’u vërtetuar shqiptarëve vullnetin e tij të mire, në qoftë se opozita na dalka vullnetligë në këtë proces. E pra unë e lexoj këtë si një mungesë vullneti, sikundër e lexoj vënien e këmbës në gaz për ta bërë në një kohë fare të shkurtër, pa transparencën e nevojshme, pa asnjë konsultim domethënës me qytetarët e vendit, të cilët Kushtetuta i ka mandatuar si stacionin final vendimmarrës të pushtetit vendor.

Ky proces nuk mund të jetë një proces ultimativ. Ka rëndësi që procesi të ecë, padyshim. Kemi humbur kohë padyshim. Të mos tregojmë me gisht se i kujt është faji. Argumentet e mia, argumentet e shoqatave, argumentet e të zgjedhurve vendor i dhashë dhe besoj se jeni të qartë se këto nuk janë argumentet e të zgjedhurve vendor blu, sepse as në Memaliaj dhe as në Rrogozhinë nuk qeveris as PD dhe as aleatët e saj, por qytetarët dhe pushtetarët që kanë dalë nga zgjedhjet dhe kanë shprehur shqetësimin. Se janë të paqartë e të mos themi që kanë rezervat e tyre. Por të paktën janë të paqartë. Janë të paqartë sepse kemi rendur pas hartës, dhe jo drejt decentralizimit dhe autonomisë vendore, drejt funksioneve. Ndaj thirrja jonë është kjo; tani më që i kemi këto 4 konsulenca të bëra publike, tani që kemi bërë një bilanc të vërtetë, se çfarë ka funksionuar në 23 vite pushtet vendor kështu siç e kemi dhe ne e dimë mirë se pushteti vendor në pikët e tij maksimale ka përdorur 2.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por i ka përdorur 50% të kësaj shume për investime, ndërkohë që qeverisja qendrore, e majtë apo e djathtë, ka përdorur midis 25 deri në 35% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por ka arritur në maksimumin e vet në 28% investime, pra kur i dimë këto, kjo nuk është koha për t’u fshehur pas gishtit.

Kjo nuk është koha për të bërë demagogji e për të thënë ju harxhoni më shumë e investoni më pak, sepse e vërteta flet ndryshe. Dhe këtë e them edhe si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Por e them edhe si ish-ministër Transporti. E vërteta flet që njësitë vendore në tërësi janë efiçente me ato kompetenca që u janë dhënë e ndoshta do të jenë edhe më efiçente në qoftë se kompetencat do të vazhdojnë të shoqërohen me mbështetje financiare.

Nuk paragjykojmë asnjë variant, asnjë hartë. Asnjë hartë nuk paragjykojmë për sa kohë që funksionaliteti, cilësia e shërbimit, demokracia, e drejta e përfaqësimit, garanton, për sa kohë që vullneti i qytetarëve shqiptar, zëri i tyre dëgjohet. Kemi gjithë mundësitë ta bëjmë këtë proces ashtu si duhet. Na mungon vetëm vullneti.

E pra, sot jam këtu në emër të të gjithë të zgjedhurve vendorë të tri shoqatave, por dhe në emër të opozitës për të përsëritur vendosmërinë tonë, vullnetin tonë, për të dhënë kontributin maksimal për një reformë të suksesshme të decentralizimit, të fuqizimit të demokracisë vendore dhe natyrisht të konsolidimit territorial të Shqipërisë, në përputhje me sfidat dhe nevojat, në përputhje me horizontet evropiane të vendit tonë.

Jam këtu për t’i përsëritur jo vetëm dy përfaqësuesve të nderuar të shumicës, por vetë shumicës parlamentare dhe kreut të ekzekutivit, vullnetin tonë për t’u ulur dhe për të studiuar së bashku, pa asnjë paragjykim, të gjitha opsionet që na çojnë drejt një zgjidhje të mirë dhe të qëndrueshme, në themel të së cilës do të qëndrojë shërbimi më i mirë ndaj qytetarit, përfaqësimi më i mirë i qytetarit. Se si, këtë nuk kam nevojë ta shpik. Nuk kam nevojë ta shpik se në këto 23 vite, me gjithë veset dhe problemet, vendi ka krijuar një stok pozitiv. Ka krijuar një rekord pozitiv për sa i përket konsensusit politik. Të gjithë e dimë se konsensusi politik është ai që materializohet në parlamentin e Shqipërisë, midis shumicës dhe opozitës.

Ndonëse viti u mbush, nuk besoj se kujtesa e tradhton shumicën e sotme se dje në opozitë, për reformën elektorale apo reforma të tjera të ngjashme, kështu e ka marrë, dhe kështu e kemi bërë konsensusin. Konsensusi politik pra jepet në parlament. Ndaj kudo dhe kurdo të jetë gati shumica të reflektojë, për këtë moment të rëndësishëm, jo vetëm për këtë reformë, por dhe për klimën e konfliktualitetit, apo e kundërta, klimën e dialogut dhe bashkëpunimit që na e tha me zë dhe me figurë Këshilli Evropian, kur mori vendimin për statusin dje, opozita është gati.

Konsensus në Kuvend. T’i lëmë manovrat e tjera. Në qoftë se e keni harruar, konsultoni se çfarë bëmë për reformën elektorale të 2008-ës. E kam fjalën për z. Fino, jo për z. Vasili, se z. Vasili ishte në grevë urie atëherë. Edhe uroj që një konsensus domethënës mos të përfshijë asnjë në grevë urie. Të jemi të gjithë, por veçanërisht të jemi për të bashkuar vullnetet tona në funksion të një reforme të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Kemi kohë? Kemi kohë. Absolutisht po. Kemi kohë për të arritur edhe tek harta, impostimi i së cilës si meraku më i madh i qeverisë, në rastin më të mirë për qeverinë, pa e paragjykuar fare, ka eklipsuar përtej masës nevojën për reformën substantive, të vërtetë, thelbësore. Po nuk mund ta blejmë patkoin më 22 korrik e të presim për janarin, apo shkurtin, që të blejmë kalin, se nuk ka kuptim. Duhet ti bëjmë, si minimum, paralelisht. Kjo është logjika. Dhe më vjen mirë që nuk është vetëm logjika ime, apo vetëm logjika e një krahu politik. Po mbizotëron edhe tek ekspertët dhe njerëzit e politikës. Duhet të jenë, si minimum, të dyja bashkë. Ka kohë. Kemi studime, Kemi studime të cilat në tërësi gravitojnë pak më ndryshe se sa konkluzionet e dy hartave qeveritare. Nuk i paragjykoj. Nuk i paragjykoj, nëse shumica do t’i diskutojë, ne nuk do t’i hedhim ato nga tavolina, por të katër konsulentët gravitojnë diku tjetër, edhe për sa i përket nivelit të parë, edhe për sa i përket nivelit të dytë.

Katër konsulentët nuk janë katër apostuj, mund të ketë të tjerë. Rrahja e mendimeve me siguri do të na çojë drejt konkluzioneve më të drejta. Gërmimi i llogoreve do të na çojë me siguri drejt politizimit të kotë, të panevojshëm, të dëmshëm, të padobishëm për qytetarin dhe në mënyrë të paevitueshme drejt përplasjes. Përplasjes jo në emër të përplasjes, por përplasjes në emër të asaj që ne besojmë se është e shenjtë dhe që nuk mund të anulohet nga asnjë mazhorancë katër vjeçare, që është e drejta sovrane e qytetarëve shqiptarë, edhe në bazë të kushtetutës, për të marrë vendime mbi projekte të mëdha afatgjatë siç është decentralizimi dhe reforma e territorit.

Cilat janë pikat që na bashkojnë? Sot për sot është prania e z. Fino dhe z. Vasili në këtë sallë, përgjigja ndaj ftesës që i bëmë dhe unë dua t’i falënderoj edhe në emrin tuaj, që iu bashkëngjitën këtij diskutimi. Mendoj se në qoftë se vullneti me të vërtetë ekziston, ky mund të jetë një fillim i mbarë. Cila është pika tjetër që na bashkon? Për asnjë çast nuk jemi shprehur kundër reformës. Pika tjetër që duhet të na bashkojë, ndonëse një hendek mosbesimi është krijuar, jo për këtë shkak por për shkaqe të tjera në këto nëntë muaj, me të cilat nuk kam ndërmend të helmoj një atmosferë potencialisht bashkëpunuese, ka të bëjë me shpresën që përtej kalkulimeve afatshkurtra politike të gjithë ndoshta jemi dakord për t’i dhënë vendit një standard evropian decentralizimi, të reflektuar qartë dhe një konsolidim territorial. Nëse është kështu, ne jemi gati që sipas traditës, sipas vlerave më të mira, dhe formës më të mirë të konsensusit politik, të ulemi që nesër, që sonte dhe të diskutojmë së bashku pa humbur asnjë minutë kohë më shumë, pa bërë asnjë minutë më shumë kacagjelin me njëri-tjetrin.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency