Muaji i sakrificës / Ramazani, politika uron myslimanët: Agjërim me krah të lehtë

0
182

“Këtë muaj, kur e mira afrohet, shtohet, e keqja largohet dhe zvogëlohet, na jepet rasti për të parë thellë dhe kthjellët brenda vetes; çfarë na e turbullon gjakun, çfarë na e trondit zemrën, ku i kemi gabimet që t’i ndreqim”

 

falja-e-fiter-bajramit-3Të gjithë besimtarët myslimanë në Shqipëri nisën dje muajin e sakrificës, Ramazanin. Agjërimi është një detyrim sublim ky për çdo besimtar të rritur që beson në Islam, i cili pranon sakrificën në shenjë devotshmërie ndaj Zotit. Krerët më të lartë të politikës kanë uruar ditën e djeshme të gjithë besimtarët myslimanë për sakrificën e tyre. “Me përulje, respekt dhe dashuri, për secilin mysliman dhe secilin shqiptar, ju uroj me gjithë shpirt: Gëzuar Muajin e Ramazanit, Muajin e Shenjtë të mëshirës, tolerancës, mirënjohjes, faljes, shpëtimit, pastrimit material dhe reflektimit shpirtëror!”, – thuhet në mesazhin e Presidentit të Republikës Bujar Nishani. “Këtë muaj kur e mira afrohet, shtohet, e keqja largohet dhe zvogëlohet, na jepet rasti për të parë thellë dhe kthjellët brenda vetes; çfarë na e turbullon gjakun, çfarë na e trondit zemrën, ku i kemi gabimet që t’i ndreqim, ku i kemi të mirat që t’i shtojmë, ku e kemi dashurinë që ta ruajmë, ku e kemi urrejtjen që ta flakim, dhe gjithashtu kalitim durimin, afrohemi, mëshirojmë njëri-tjetrin, qartësojmë mendjen, lehtësojmë trupin, shenjtërojmë Shpirtin por, mbi të gjitha, afrohemi me Zotin. Ramazan të lehtë myslimanëve, dhe gjithë të tjerëve!”, -përfundon mesazhi i kreut të shtetit.

 Basha

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ka uruar besimtarëve myslimanë agjërim të lehtë. “Ramazani është muaji që kultivon paqen me veten dhe me të tjerët, mirëkuptimin dhe respektin, ndaj uroj që ky muaj i shenjtë të shërbejë për rritjen dhe forcimin e solidaritetit e të vëllazërisë mes të gjithë shqiptarëve pa dallim”, – shkruan Basha në profilin e tij në “Facebook”.

Kryeministri

Kryeministri Edi Rama përmes një kartoline publikuar në rrjetin social “Facebook” ka uruar besimtarët myslimanë për muajin e ramazanit: “Çdo besimtari mysliman i uroj një vërshim gëzimesh dhe mendimesh plot dritë në këtë muaj të shenjtë”.

 

Kujdesi shëndetësor

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë edhe ditën e djeshme u ka dhënë këshilla besimtarëve që agjërojnë. “Jeta shoqërore gjatë muajit të Ramazanit është aktive: besimtarët presin miq ose priten nga të afërm, miq e të njohur. Ndërkohë, këto vizita janë të përqendruara kryesisht përgjatë kohës së vaktit që ndërpret agjërimin, i cili është një vakt festiv. Besimtarët agjërojnë gjatë ditës e deri në perëndim të diellit, dhe qëndrojnë zgjuar, duke u ushqyer gjatë orëve të mbrëmjes. Si pasojë, shumë prej tyre shtojnë në peshë gjatë muajit të Ramazanit, ndërkohë që kontrolli i njerëzve me diabet bëhet më i vështirë për arsye të adoptimit të zakoneve të pashëndetshme të ushqyerjes”, – thuhet në një njoftim të Ministrisë së Shëndetësisë.

 

 

BOX

Këshilla për ata që agjërojnë

 

-Mos e shmangni mëngjesin (syfyrin)! Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës dhe gjatë Ramazanit – është vakti që do t’ju mbajë përgjatë orëve të ardhshme;
-Gjatë syfyrit dhe iftarit hani ushqime me porcione dhe kalori normale;
-Shmangni ushqimet e pasura në yndyrë, kripë dhe sheqer;
-Zgjidhni një dietë të pasur me fruta, perime, fasule, thjerrëza, oriz dhe drithëra;
-Pini shumë lëngje dhe shmangni pijet e pasura me kafeinë, si kafe, çaj, pije energjike ose cola;
-Prisheni agjërimin me një ushqim të lehtë të shëndetshëm, si hurma arabe – një hov kalorish sheqeri natyror;
-Bisedoni me një profesionist të shëndetit përpara se të ndryshoni regjimin e barnave për Ramazan;
-Shmangni aktivitetin e tepërt fizik gjatë kohës së agjërimit – në qoftë se ju doni të shkoni në palestër, bëjeni atë pas Iftarit;
-Të sëmurët diabetikë, përpara se të fillojnë agjërimin, duhet të bëjnë një kontroll mjekësor (dy muaj më parë) dhe të këshillohen nga mjeku se si mund të përballojnë periudhën e agjërimit dhe se si të vetëkujdesen në rast hipo/hiperglicemie.

 

 

Rreziku

 

Mjekët japin alarmin për depresionin, më të rrezikuar ata që vuajnë nga sëmundje të rënda

 

Një i sëmurë me tumor, një pacient me diabet apo i prekur nga sëmundjet kardiovaskulare është më i predispozuar të jetë i prekur edhe nga ankthi dhe depresioni si sëmundjet me të shpeshta mendore. Kjo bashkëjetesë sëmundjesh e bën më të vështirë që pacienti të diagnostikohet edhe me patologjinë e shëndetit mendor. Drejtuesja e Shoqatës së Psikiatrisë, Fatime Elezi, thotë se në Shqipëri nuk ka shifra zyrtare të pacientëve të prekur me këto sëmundje, por mesatarisht nga shëndeti mendor vuajnë 8-12% të popullatës. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Psikiatrisë, Levent Kuey, tha se 40-60% e të prekurve nga probleme të shëndetit mendor nuk e marrin trajtimin e duhur shëndetësor. Nga ankthi, stresi e depresioni, nuk njeh limite moshe, mund të preken të gjithë dhe pacientët që kanë kërkuar kurimin, adoleshentë, por edhe të moshuar. Femrat janë më të predispozuara, sidomos kur ato janë shtatzënë, paslindjes por edhe në menopauzë. Mjekët thonë se antidepresivët nuk janë kurues të depresionit, por vetëm e fshehin atë. Por iu takon edhe mjekëve të familjes të kenë kujdes me pacientët e tyre, me medikamentet dhe referimet në autoritetet shëndetësore në rastet kur ka evidenca të tilla.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency