Hetimi / Vrasja e bankierit, Llalla takon grupin e hetimit dhe kreun e SHISH-it

0
124

Sonila Mesareja

Visho Ajazi sjell informacion për krimin në zyrën e kryeprokurorit, shërbimet e huaja, ndihmesë për zbardhjen e ngjarjes. Një ambasadë ofron ekspertë dhe pajisje në ndihmë të hetimit

 

llallaHetimet për zbardhjen e vrasjes së Artan Santos vazhdojnë me intensitet të lartë dhe po në një njëjtën linjë edhe takimet mes institucioneve të përfshira në zbardhjen e saj. Paraditen e djeshme, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, ishte në Prokurorinë e Përgjithshme, në një takim me kreun e organit qendror të akuzës, Adriatik Llalla. Mendohet se temë e diskutimit mes kreut të SHISH-it dhe prokurorit të Përgjithshëm janë informacionet që disponon shërbimi sekret për vrasjen e bankierit Artan Santo. Takimi mes të dyve zgjati rreth 30 minuta. Nga burime pranë organit qëndro të akuzës bëhet me dije se Ajazi i ka dorëzuar një dosje me informacione të vlefshme për hetimin në lidhje me personat e dyshuar të përfshirë në këtë atentat. Burimet shprehën në rrugë jozyrtare se kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror i ka dorëzuar numrit një të akuzës informacione të vlefshme dhe me interes për hetimin, por pa specifikuar se për çfarë të dhënash bëhet fjalë.

Takimi me grupin e hetimit

Dy ditë pas vrasjes së bankierit Artan Santo, kryeprokurori Adriatik Llalla mblodhi në një takim grupin e hetimit. Në takimin që u zhvillua për rreth 1 orë në ambientet e Prokurorisë së Tiranës, merrnin pjesë prokurorët që po hetojnë çështjen Albert Nela, Petrit Fusha, Adriatik Cami dhe Dritan Nushi. Prokurorët mësohet se kanë informuar kryeprokurorin Llalla lidhur me pistat kryesore të hetimit. Deri më tani janë shoqëruar disa persona për t’u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen. Mësohet se gjatë takimit të mëngjesit të djeshëm, kryeprokurori Llalla u ka ofruar strukturave të posaçme të hetimit që po merren me zbardhjen e vrasjes të gjithë asistencën e nevojshme dhe për metodat speciale të hetimit.

Ndihma

Në ndihmë të zbardhjes së vrasjes së 58-vjeçarit Santo mësohet të jenë vendosur edhe shërbimet e huaja, duke mos e lënë vetëm një çështje shqiptare. Nga burime pranë akuzës së kryeqytetit bëhet me dije se për këtë hetim, Prokurorisë i është ofruar asistencë edhe partnerët ndërkombëtarë dhe pikërisht nga një ambasadë në Tiranë, prej së cilës janë ofruar ekspertë dhe pajisje për të ndihmuar në zbardhjen e çështjes. Gjithashtu, mësohet se për shkak të lidhjeve të Santos me banka jashtë Shqipërisë është kërkuar edhe ndihma e shërbimeve sekrete të huaja të disa vendeve, por pa dhënë detaje se për cilat vende bëhet fjale. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme bënë me dije se për sa u përket hetimeve deri në këto momente, pista kryesore mbetet ajo e transaksioneve bankare, të cilat kalonin nëpërmjet bankës “Credins”, e pikërisht për të hetuar mbi këto procedura është caktuar dhe një prokuror i Task-Forcës, konkretisht prokurorin Ndini Tavani. Burime jo zyrtare bëjnë me dije se prokurori Tavani do të verifikojë veprimtarinë e bankës, ku i ndjeri Santo ishte drejtor i Përgjithshëm i saj, në vijim të disa pistave të ngritura, mes tyre edhe ajo e dyshimeve për veprimet bankare të kryera kohët e fundit.

Hetimi

Burime nga Prokuroria bënë me dije se është përpiluar një listë me 50 persona që do të merren në pyetje në lidhje me vrasjen, përfshi këtu edhe ortakët, të njohurit, familjarët por dhe personat që Santo ka mbajtur kontakte të drejtpërdrejta nga pozicioni i drejtorit në bankën “Credins”. Ndërsa ndër personat e pyetur për ngjarjen në këto momente, veç të shoqëruarve nga Policia e Shtetit, janë dhe dy veta që ndodhen me masën e sigurisë arrest me burg, e bëhet fjalë për Kujtim Çelën, vëllain e Gëzim Çelës, të shpallur në kërkim si kreu i një organizate të trafikut të narkotikëve të goditur nga policia pak kohë më parë, si dhe Astrit Bushin. Gjithashtu, mësohet se njësia e posaçme hetimore ka dhënë dritën jeshile për vendosjen në përgjim të një numri të konsiderueshëm personash, mes tyre dhe disa shtetas të huaj, të cilët janë të dyshuar si të implikuar me ngjarjen.

 

Mbledhja

Zgjidhet pasuesi i Artan Santos, Maltin Korkuti do të drejtojë bankën “Credins”

Këshilli drejtues i bankës “Credins” ka emëruar Maltin Korkutin në postin e drejtorit të Përgjithshëm të kësaj banke. Përmes një njoftimi zyrtar, këshilli bën të ditur se në zbatim të statutit dhe kuadrit rregullativ në fuqi, si dhe në vijim të veprimtarisë për të garantuar dhe siguruar vazhdimësinë e veprimtarisë normale të bankës, mori vendimin e zgjedhjes së Korkutit në pozicionin e drejtorit të Përgjithshëm, që mbahej nga i ndjeri Artan Santo. Bashkëthemelues në krijimin e “Credins” dhe njëkohësisht aksioner, Korkuti ka mbajtur deri më tani pozicionin e zv.drejtorit të Përgjithshëm në këtë bankë si dhe anëtar i bordit drejtues të saj. Përmes njoftimit, “Credins” informon publikun dhe të gjithë klientët se veprimtaria e bankës vazhdon normalisht në të gjitha degët e saj.

 

Korçë

Vrasja e biznesmenit Santo, ambasadori bullgar: Akt i shëmtuar

Një akt të shëmtuar e ka cilësuar vrasjen e biznesmenit Artan Santo ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Dirmitar Arnaudov. Nga qyteti i Korçës, ambasadori bullgar është shprehur se është i sigurt se drejtësia do të zbardhë ngjarjen në lidhje me vrasjen e biznesmenit Santo. Nga ana tjetër, ambasadori Arnaudov ka uruar qeverinë për statusin kandidat të Shqipërisë. “Me statusin, një hap përpara për integrimin. Mirënjohje për punën e bërë nga qeveria. Si pjesë e Ballkanit duam stabilitet”, – kështu deklaroi ambasadori Dirmitar Arnaudov. Më tej, ambasadori bullgar theksoi se duhet stabilitet, për të kaluar pikat e errëta.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency