Liderët e BE-së miratojnë statusin. Gjermania: Të mos biem në iluzione, sfidat janë të mëdha

0
128

Gëzim Saliu

keshilli europian, konferencaRoth: Vendosmëria për kryerjen e reformave, përcaktuese për afrimin e Shqipërisë me BE-në

Liderët e Bashkimit Evropian miratojnë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Në samitin e Bashkimit Evropian të zhvilluar dje në Bruksel, krerët e 28 vendeve miratuan vendimin e dhënë më parë nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm më 24 qershor, duke i hapur kështu “dritën jeshile” Shqipërisë për të përparuar më tej në Evropë, me synimin parësor për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Më parë, ministrat e Jashtëm të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian vendosën unanimisht që të miratojnë raportin e Komisionit Evropian për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat. Ata nënvizuan në një raport me 7 pika domosdoshmërinë e reformës në administratë, gjyqësor si edhe vazhdimin e luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit. Ndërkaq, një pikë thelbësore e përcaktuar në raportin e Këshillit ishte kërkesa për dialog mes qeverisë dhe opozitës për reformat.

 

Gjermania

Pas marrjes së vendimit të liderëve të BE-së, sekretari i shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth, kërkoi dje veprimin urgjent për zbatimin e reformave, që BE kërkon nga Shqipëria. Sipas tij, vendi nuk duhet të krijojë iluzione nga vendimi i statusit, pasi ka sfida të mëdha përpara, me të cilat do të përballet në rrugën drejt BE-së. “Fakti që Shqipëria ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësim, është një sukses i bukur. Bashkimi Evropian me të drejtë kërkon shumë nga ato vende, të cilat dëshirojnë të bëhen anëtar i BE-së. Shqipëria bëri një hap të suksesshëm në drejtimin e duhur, ndërsa shpejtësia e afrimit e mëtejshëm me BE-në varet kryesisht nga vendosmëria, të cilën do ta tregojë Shqipëria lidhur me kryerjen e reformave të tjera. Të mos biem në iluzione: Sfidat janë akoma të mëdha! Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe reformimi i sistemit gjyqësor janë fusha me rëndësi thelbësore, të cilat kanë nevojë për veprim urgjent. Lidhur me këtë, duhet thënë se kriteri vendimtar nuk do të jetë miratimi i ligjeve, por vënia e tyre në jetë, zbatimi i tyre në praktikë”, – tha sekretari i shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë në një intervistë për “Deutsche Welle”-n. Ndërkaq, i pyetur në lidhje me faktin se sa kohë parashikohet që i duhet Shqipërisë deri në pranimin si anëtar i BE-së, Roth tha: “Kjo nuk mund të parashikohet akoma. Hapi i ardhshëm do të jetë fillimi i negociatave për anëtarësim. Se kur mund t’i fillojmë negociatat dhe sa do të zgjasin, për këtë tani për tani mund të bëjmë vetëm spekulime”. Ndërkaq, vendimin për dhënien e statusit kandidat ndaj Shqipërisë, përfaqësuesi i lartë i Berlinit e sheh edhe inkurajim të perspektivës evropiane për Bosnjën dhe Kosovën. “Perspektiva e BE-së vazhdon të ekzistojë për të gjitha vendet në rajon. Ne shpresojmë që vendimi pozitiv për Shqipërinë të shërbejë si shtytje e mëtejshme për vendet e tjera në rajon, që reformat e domosdoshme t’i nisin dhe t’i zbatojnë me më shumë energji”, – theksoi ai.

 

Mesazhi i kreut të PD-së/ “Dy lajme të gëzueshme, statusi dhe zgjedhja e Juncker-it si President i KE-së”

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka dhënë i pari dje dy lajme nga Brukseli për qytetarët shqiptarë, të cilat i ka konsideruar “të gëzueshme”. “Dy lajme të gëzueshme për Shqipërinë nga samiti i BE-së. Lajmi i parë, miratimi i statusit të vendit kandidat; lajmi i dytë i gëzueshëm, miratimi i Jean-Claude Juncker-it për President të KE-së. Përshëndes aprovimin nga Këshilli Evropian të kandidatit të PPE-së, Juncker, për drejtimin e KE-së, e vlerësoj Juncker-in si një politikan me përvojë të madhe dhe një europianist i palëkundur”, – ka theksuar kryetari i PD-së. Ndërkaq, kryedemokrati i ka dërguar një letër urimi Presidentit të ri të KE-së, duke i dhënë urimet e tij për këtë post. “Përzgjedhja juaj është konfirmimi më i mirë për besimin dhe konsideratën e lartë që BE ka në programin politik, vizionin dhe në integritetin tuaj personal si një politikan i jashtëzakonshëm”, – thuhej në letrën e Bashës.

 

 Përmet e Mallakastër/ Basha: Rilindja e Ramës, fjalë boshe. Krerët e PD-së të hartojnë platformën për zonat e tyre

 “Misioni i Shqipërisë evropiane në çdo qelizë të saj është misioni hyjnor i Partisë Demokratike”

Rilindja e premtuar nga Kryeministri Rama rezultoi një fjalë boshe si një propagandë pa doganë. Kështu deklaroi dje kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë pjesëmarrjes së tij në kuvendin zgjedhor të PD-së në Përmet dhe Mallakastër, ku iu bashkua shqetësimit të qytetarëve për situatën e rëndë ekonomike në vend. Sipas kryedemokratit, çdo shqiptar e kupton sot se Rilindja ishte thjesht dhe vetëm një mashtrim për t’u marrë votën qytetarëve. Në këtë kontekst, lideri i opozitës ka sjellë në vëmendje falimentimin e biznesit dhe papunësinë në rritje si kërcënim i madh për mirëqenien e qytetarëve. ““Rilindja” e famshme e Edi Ramës doli një fjalë boshe, rezultoi propagandë pa doganë, rezultoi një tufë tullumbacesh që u shpuan një e nga një pikërisht, sepse ishte një premtim bosh pa alternative, sepse nuk u bazua në një analizë konkrete, realiste të gjendjes së vendit, të mundësive të vendit dhe vizioneve për të shkuar përpara. Por u bazua kryekëput në mashtrimin për të marrë votën. Sot përkeqësimi ndjehet kudo. Sipërmarrja në nivel falimentimi në të gjithë vendin. Mijëra shqiptarë humbin vendet e tyre të punës, asnjë premisë për përmirësim”, – tha Basha.

 

Zgjedhjet

Sipas kreut të demokratëve, zgjedhjet në PD, për vetë mënyrën qytetare që po zhvillohen, alternativat që po përcjellin kandidatët, vendin e votës së lirë në themel të garës në parti dhe nivelin demokratik të riorganizimit të partisë, kanë bërë që qytetarët ta ndjekin me dëshirë dhe shpresë për të nesërmen. Por duke mbetur tek alternativa e re që do të ofrojë PD, Basha ka kërkuar nga drejtuesit e rinjtë partisë në çdo degë të hartojnë platformën e zhvillimit për zonat e tyre. “Çfarë tjetër është arsyeja jonë për të qenë këtu nëse nuk jemi në gjendje t’i ofrojmë një perspektivë zhvillimi qytetarëve ku gjithsecili prej tyre të shohë mundësinë dhe të besojë tek e nesërmja, të besojë se dinjiteti i tij dhe i saj nuk do të nëpërkëmbet, të besojë se ligji do të funksionojë i barabartë për të gjithë. Misioni i Shqipërisë evropiane në çdo qelizë të saj, i standardit evropian në çdo orë të jetës së çdo shqiptari kudo në vend, është misioni hyjnor i Partisë Demokratike”, – deklaroi kryetari i PD-së Lulzim Basha.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency