Fshati i drogës/ Lazarati, “miniera” e armëve të rënda dhe e marijuanës

0
128

Anxhela Tato

droga hashash policia lazarat aksioni sekuestrim (2)Asgjësohen në total 62 tonë kanabis me vlerë mbi 60 mln euro, prangoset 61-vjeçari për kultivim

 Policia vijon aksionin, zbulon 24 armë zjarri automatike, dyshimi se janë përdorur në sulmin ndaj bluve

Lazarati, “miniera” e drogës dhe e municioneve, arrin një total prej 62 tonësh lëndë narkotike me vlerë mbi 60 milionë euro. Gjatë ditës së djeshme, nga ana e Policia e Shtetit ka vijuar operacioni për kontrollin e territorit dhe ambienteve, me qëllim gjetjen dhe asgjësimin e lëndëve narkotike, sekuestrimin e sendeve të kundërligjshme, kryerjen e veprimeve procedurale dhe hetimore, si dhe vënien para drejtësisë të atyre personave që kanë kryer veprime të kundërligjshme. Ditën e djeshme nga kontrollet e ushtruara është bërë e mundur gjetja dhe asgjësimi i një sasie prej 4 tonë e 415.7 kg marijuanë në 3 ambiente të ndryshme, gjetja e sekuestrimi i 24 armëve zjarri automatikë, gjetja e sekuestrimi i 5 armëve zjarri pushkë, sekuestrimi i 3 armëve të gjahut çifte dhe 2 shotgan, sekuestrimi i 3705 fishekëve të llojeve të ndryshme, sekuestrimi i 930 copëve kapsolla detonatorë, është sekuestruar 1 kallëp tritol, 1 granatë, është sekuestruar 30 ml fitil zjarrpërcjellës dhe një sasi tjetër fitili zjarrpërcjellës si dhe është sekuestruar 1 automjet

 

Arrestimet

Është vënë në pranga shtetasi Abas Birbili, 61 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga forcat e policisë në banesën e tij i është gjetur një sasi prej 22 thasësh të mbushur me bimë narkotike kanabis sativa, me një peshë prej 210 kg, si dhe 4 pako të mbështjella me natriban me bimë narkotike kanabis sativa me një peshë prej 2.8 kg. Materialet procedurale në ngarkim të tij do t’i kalojnë Prokurorisë për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal. Në kuadër të këtij operacioni deri në këto momente janë arrestuar e ndaluar 30 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për prodhim e shitje të narkotikëve, për kultivimin kanabisi, kundërshtim të punonjësve të policisë, për shkatërrim prone. Po ashtu është proceduar penalisht dhe kreu i Komunës Lazarat.

 

Aksioni

Strukturat e Policisë së Shtetit gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni në Lazarat kanë mundësuar asgjësimin e rreth 133.567 rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, si dhe të një sasie mbi 62 tonë e 515 kg kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzaminim. Janë gjetur 5 kg lëndë narkotike e dyshuar heroinë në një ambient në afërsi të qendrës Lazarat, janë sekuestruar dhe 14 kg e 750 gramë lëndë narkotike e dyshuar çokollatë më datë 20 qershor. Në banesën e R. Gabës në Lazarat, u gjet një sasi prej rreth 13 kg, e cila pas verifikimeve rezultoi e dyshuar lëndë narkotike çokollatë dhe një tjetër sasi ishte sekuestruar në një tjetër ambient, si dhe 3 kg farë kanabis sativa, rreth 8.8 litra vaj hashashi. Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 5 laboratorë, nga të cilët 2 përpunimi të bimëve narkotike dhe 3 për përpunimin e vajit të hashashit, si dhe 2 inkubatorë, ku u sekuestruan 27 llamba për ngrohje.

 

Sasi të konsiderueshme municioni dhe armë: 

–     401 armë zjarri automatikë (312) e pushkë (89), 25 pistoleta, 2 snajper, 1 mitraloz kundërajror me gjithë shtrat, 24 mitraloz, 1 gulinov, 4 antitank, 4 murtaja dhe 5 granatahedhës, 7 armë të vjetra, si dhe 27 armë gjahu, 2 pistoleta shenjëdhënëse, 1 armë pneumatike.

–     janë gjetur e sekuestruar 45 armë të djegura: snajper, automatikë, pushkë, pistoleta armë gjahu etj., po ashtu dhe pjesë armësh si 1 silenciator dhe 6 krehra, si dhe 60 fishekë,

–     janë sekuestruar gjithashtu sasi të konsiderueshme municioni si: 221.737 fishekë të llojeve të ndryshme, 1158 kallëpe tritol, 718 granata, 360 predha granatahedhësi e murtaje, 19 mina kundër këmbësorisë, 3539 kapsolla detonatorë, 1234.8 ml fitil zjarrpërcjellës, 593 krehra fishekësh, 29 mbushje predhash,

–     janë sekuestruar pjesë gulinovi 3, pjesë pushke, tyta armësh 4, nga këto 2 të djegura,

–     janë bllokuar për këqyrje të mëtejshme 36 automjete nga këto 11 mjete me armë e kanabis brenda tyre, po ashtu janë shoqëruar 17 automjete të tjera,

–     janë bllokuar dhe 4 mjete të djegur (2 furgonë, 1 veturë dhe 1 kamionçinë),

–     janë sekuestruar 37 targa automjetesh,

–     janë sekuestruar 10 pajisje presuese droge, 9 kallëpe presash, 20 gërshërë për krasitje kanabisi, 2 pajisje për vakum ajri, 2 pajisje për filtrim uji, ventilatorë të fuqishëm, makineri për presim qesesh 1 dhe 1 peshore,

–     është sekuestruar 1 aparat kërkues floriri dhe 4 kasaforta,

–     është gjetur e sekuestruar 1 metalkërkues,

–     dokumente identitetesh të ndryshme, uniforma policie.

–     7 maska, 1 jelek multifunksional policie, 2 palë doreza, 1 dylbi termike, 1 dylbi optik, 1 dylbi nate, 1 dylbi i djegur,

–     nga kontrolli i forcave të policisë në territoret përreth banesës së një shtetasi në fshatin Kordhocë, në një tunel u gjet një sasi prej 26 milion e 480 mijë lekë të vjetër, të cilët u bllokuan me cilësinë e provës materiale,

–     një sasi e madhe gëzhojash,

–     kamera vëzhgimi 5, monitor kamera 1, laptopë 2, 1 makineri për kontrollin e kartëmonedhave, 1 njësi kompjuteri, 1 dvr,

–     radio transmetuese 5, karikues radio 1, pajisje për shpërthim 3,

–     e një sërë materialesh të tjera.

 

Bruksel/ Dërgonin trafikantë në Francë, kapen 6 organizatorët shqiptarë

 Pas katër bastisjeve të kryera në kryeqytetin belg, Bruksel, policia ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar, të cilët po tentonin për të dërguar në mënyrë të paligjshme në Britani 6 persona. Këtë e njofton agjencia e lajmeve “Presheva jonë” duke iu referuar burimeve të Ministrisë Publike nga Brukseli. Më konkretisht, sipas burimeve të Ministrisë, policia kishte nisur hetimet nga nëntori i kaluar gjatë një kontrolli në anë të rrugës në E-40 deri në zonën Grand-Bigard. Policia zbuloi më pas gjashtë shtetasit shqiptarë në pjesën e prapme të dy kamionëve të parkuar gabimisht. “Hetimet pastaj çuan në identifikimin e dymbëdhjetë shqiptarëve të dyshuar i cili ka punuar së bashku në operacione të ndryshme”, – tha një zëdhënës i prokurorit. Njerëzit janë transportuar në mënyrë të paligjshme me kamion nëpërmjet Holandës në Francë apo me avion me dokumente të rreme. Shoferi i kamionit ishte një lituanez, i cili u arrestua në Holandë dhe ndaj tij po zhvillohet një hetim i përbashkët mes drejtësisë dhe policisë holandeze.

(Marrë nga “Presheva jonë”)

 

Lushnjë/ Përplaset nga automjeti, humb jetën 40-vjeçari

 Një 40-vjeçar ka humbur jetën teksa është përplasur nga një automjet në segmentin Rrogozhinë – Lushnjë dje pasdite. Artan Dosti nga Berati ka tentuar të kalojë në këmbë nga njëra anë e rrugës në anën tjetër në afërsi të urës së Shkumbinit, kur është goditur nga automjeti tip “Golf” me targa AA 960 GC, që drejtohej nga shtetasi Erlind Dyrmishi, banues në Divjakë. Përplasja ka rezultuar fatale për 40-vjeçarin që ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa është dërguar me ambulancë në morgun e spitalit të Lushnjës në pritje për t’u tërhequr nga familjarët. Blutë e Lushnjës pak minuta pas aksidentit kanë shoqëruar drejtuesin e mjetit, ndërsa kanë nisur punën për zbardhjen e rrethane të plota të kësaj ngjarjeje. Aksidenti shkaktoi kaos në trafik në këtë aks rrugor, teka u deshën disa minuta që trafiku t’i rikthehej normalitetit.

 

Korrupsioni/ Policia shoqëron zyrtarin e Ministrisë së Mjedisit

 Policia e Tiranës ka nisur dje një operacion antikorrupsion ndaj zyrtarëve në Drejtorinë Rajonale të Ministrisë së Mjedisit. Në këtë kuadër, Drejtoria e Forcave të Posaçme Operacionale dhe seksioni i Antikrimit Financiar kanë shoqëruar një zyrtar të Ministrisë së Mjedisit i dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit”. Mësohet se i shoqëruar është A. Topçiu, drejtor i Vlerësimit Mjedisor në Ministrinë e Mjedisit. Topçiu është shoqëruar i dyshuar se ka marrë 2 mijë euro ryshfet. Operacioni antikorrupsion, i cili po kryhet nga Antikrimi Financiar dhe Drejtoria e Forcave të Posaçme Operacionale, ka nisur dje dhe vijon për zbulimin e rasteve të tjera të zyrtarëve të korruptuar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency