Aventura spiunazhi/ Misioni “Inflacion”. Stërlinat false të Hitlerit

0
143

sterlina1(përgatitur nga “bota.al”)

Komandanti i SS, Alfred Naujocks, quhet në përgjithësi “njeriu që ndezi Luftën e Dytë Botërore”. Ai ishte, në fakt, autori i gjoja sulmit polak ndaj radios gjermane të Glaivic në 31 gusht 1939, sulm që i dhuroi Hitlerit alibinë e shumëpritur për të pushtuar Poloninë. Por shumë pak vet kujtojnë që në fakt Naujocks ka qenë edhe në origjinë të njërit prej operacioneve më të jashtëzakonshëm të falsifikimit në periudhën e luftës: prodhimi në masë të madhe i kartëmonedhave false për të destabilizuar ekonominë e një vendi armik. Qëllimi parësor i operacionit: mbushja e Britanisë së Madhe dhe perandorisë së saj me stërlina false për të provokuar një inflacion të pakontrollueshëm dhe me pasoja të paparashikueshme. Objektivi dytësor: financimi falas i rrjetit të spiunazhit në favor të nazizmit. Ciceroni, kamerieri që spiunonte për llogari të gjermanëve ambasadorin britanik në Turqi, do të ishte një viktimë par excellence. Kushti thelbësor: stërlinat duhet të jenë kaq mirë të imituara, saqë edhe vetë Banka e Anglisë nuk do të jetë në gjendje të vërejë falsifikimin. Janë këto linjat kryesore të Operacionit Bernhard, i planifikuar me kokëfortësi nga shërbimet e fshehtë nazistë në fillimet e 1941, miratuar nga vetë Hitleri dhe realizuar nga i palodhuri Naujocks.

Problemi i parë për t’u zgjidhur lidhet me cilësinë e letrës dhe “vjetrimin” e saj. Vihen kështu në punë të gjithë ekspertët që pikasin në Turqi të njëjtin lin që përdoret në Angli nga Banka e Anglisë dhe gjejnë edhe formulën e duhur kimike për trajtimin e tij. Megjithatë, letra e siguruar mbetet ende shumë e bardhë. Do të jetë zëvendësi i Naujocks – Bernhard Krueger, prej të cilit merr emrin edhe operacioni – që do të arrijë, pas shumë tentativave, të gjejë përbërjen e duhur kimike për t’u dhënë kartëmonedhave një pamje të besueshme për përdorim. Imitimi është i përsosur. Edhe zhurma që bën letra kur zhubroset është e ngjashme me atë që ndien kur palos stërlinat e vërteta. Premisat janë inkurajuese!

Pasi zgjidhet problemi i letrës, mbetet ai i përgatitjes se cliche-ve dhe të shtypit. Kërkimi për falsifikuesit, vulosësit, hartuesit, kimistët më të mirë orientohet për nga burgjet dhe kampet e përqendrimit ku gërmohen elementët më të kualifikuar, mbi të gjitha hebrenj (të dobishëm kur bëhet fjalë për të punuar për madhështinë e Rajhut!) Formohet kështu një grup fillestar prej afro dyzetë ekspertësh, të koordinuar nga Oskar Skala, një falsifikues shumë i aftë çekosllovak i dënuar që përpara luftës. Të gjithë transferohen pranë Berlinit, në kampin e përqendrimit të Sachsenhausen për të punuar ditën dhe natën në operacionin super të fshehtë. Detaji i fundit: vendosja e shifrave te kartëmonedhat. Numrat duhet të jenë autentikë. Agjentë të spiunazhit që veprojnë jashtë vendit ofrojnë numrat e serive të stërlinave ende në qarkullim. Për secilën seri kopjohen një mijë numra.

Sasia e parë e kartëmonedhave të prodhuara nga grupi i pabesueshëm i punës, që në momentin e prodhimit maksimal do të numërojë 137 elementë, i lë pa gojë hierarkët më të lartë nazistë: e pamundur të dallohen stërlinat false nga ato origjinale! Megjithatë, para kalimit në prodhimin industrial, duhet të vazhdohet me verifikimin përfundimtar. Pra nevojitet një verifikim i vërtetësisë nga vetë Banka e Anglisë. Kështu, një bankë zvicerane që nuk ka dijeni, me kërkesë të dy industrialistëve nga Dyseldorfi, i drejtohet Londrës për të ditur nëse 10 mijë stërlinat e ardhura nga Gjermania për një operacion të rëndësishëm financiar janë autentike. Një javë më vonë vjen përgjigja, që bën të hidhet nga gëzimi Naujocks dhe të tijtë: Banka e Anglisë i konsideron origjinale kartëmonedhat e dërguara dhe numrat e serisë janë në qarkullim.

Duke filluar nga ai moment, prodhimi i kartëmonedhave (prerje 5, 10, 20 dhe 50 stërlina) do të intensifikohet deri sa arrihet në 400 mijë ekzemplarë në muaj! Pas luftës, vetëm rrëfimi i Oskar Skalas (që do të frymëzojnë gjysmë shekulli më vonë filmin austriak Operacioni Bernhard) do të zbulojnë detajet e falsifikimit të jashtëzakonshëm (me vlerë afro 150 milionë stërlina, një shumë kolosale për atë periudhë), një instrument i frikshëm spiunazhi agresiv, koncepti i të cilit do të përdoret edhe në ditët që do të vijnë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency