Amnistia fiskale, shumë pak rezultate nga sa pritej

0
138

Ervin Kaduku

 POLICIA TATIMOREFalja e detyrimeve tatimore e doganore dhe legalizimi i kapitalit të padeklaruar nuk e nxori dot Shqipërinë nga vendet me ekonomi të informalizuar në shkallë të lartë

 Sherefedin Shehu: Asnjë masë afektive për të dalë nga ngërçi

 Komuniteti i biznesit prej vitesh ka kërkuar realizimin e një amnistie të plotë fiskale, ndërsa qeveria miratoi “Ligjin e faljes së detyrimeve tatimore dhe doganore dhe legalizimi i kapitaleve”, i cili u përcoll me pa entuziazëm të madh nga sipërmarrja.

Bëhet fjalë për variantin e parë të amnistisë, të miratuar në mars 2011, që në fakt është një falje për gjobat dhe detyrimet e prapambetura, por nga ana tjetër jepte dhe mundësinë  legalizimit të kapitalit dhe rivlerësimit të aseteve. Nga zbatimi i këtij ligji, sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, rezulton se deri në fund të vitit 2013, janë falur 362.455 raste me vlerë 29.8 miliardë lekë, duke konsideruar si rast më vete për çdo subjekt (detyrimin, gjobën dhe interesin).

Gjobat e falura përbëjnë peshën më të madhe në totalin e detyrimeve të falura me 13.2 mld lekë ose 44%, ndërsa detyrimet e falura janë 11.1 mld lekë ose 37% e më pas interesat. Sipas këtyre burimeve, detyrimet për periudhën deri në vitin 2008, kanë vlerën më të madhe të detyrimeve të falura, 57.922 subjekte me vlerë 20.9 mld lekë ose 70% e totalit të detyrimeve të falura.

Kjo ka ardhur pasi detyrimet e kësaj periudhe kanë një shtrirje më të gjatë në kohë, deri në fund të vitit 2008, si dhe përfshin falje të detyrimeve pa kusht, ndryshe nga faljet e periudhës 2009 dhe 2010.

Pra, ky ligj nuk solli ndryshimin e pritshëm në përmasat formale të ekonomisë, sepse Shqipëria është një ekonomi me një shkallë shumë të lartë informaliteti. Kjo masë e informalitetit është e ndryshme sipas vlerësimeve të ndryshme.

 

Ulet numri i ndërmarrjeve të krijuara rishtazi

Kriza ka dhënë efektin e saj në hapjen e bizneseve të reja. Sipas Regjistrit të Ndërmarrjeve 2013 të INSTAT-it, në vitin 2013 shkalla e krijueshmërisë së ndërmarrjeve është 10,9% nga 12,2% në vitin 2012. Gjatë këtij viti janë krijuar 12.131 ndërmarrje të reja.

Qarku i Tiranës ka shkallën më të lartë të lindshmërisë me 12,9%, ndërsa qarku i Beratit më të ulët me 7,7%. Po sipas INSTAT-it, Industria dhe shërbime të tjera si: arsim, shëndetësi e ndërmjetësime financiare, përfaqësojnë 76,5% të ndërmarrjeve me 50 e më shumë të punësuar. Rreth 90% të ndërmarrjeve janë me 1-4 të punësuar. Pjesa më e madhe, 69%, janë me vetëm një të vetëpunësuar.

Ndërmarrjet e mëdha me 50 e më shumë të punësuar përfaqësojnë 1,3% të ndërmarrjeve gjithsej, por kontributi i tyre në punësim është shumë i ndjeshëm, 26,7%.

Rreth 52% e ndërmarrjeve aktive janë përqendruar në qarqet Tiranë e Durrës. Mbizotërimi i prodhuesve të shërbimeve është dukuri në të gjitha qarqet dhe luhatet nga 80,0% në qarkun e Vlorës deri në 87,5% në qarkun e Tiranës.

 

Sherefedin Shehu: Ekonomia në ngërç

Situata e përgjithshme ekonomike mund të vlerësohet si një ekonomi në ngërç. Treguesi më i qartë i saj është ulja e nivelit të kreditimit të ekonomisë, për herë të parë në historinë e re të Shqipërisë, ka deklaruar këto ditë eksperti i ekonomisë Sherefedin Shehu. Sipas tij, fatkeqësisht shikojmë që sektori privat nuk po investon, konsumi është ulur dhe vetëristrukturimi i biznesit gjatë dhe pas krizës, nëpërmjet rishpërndarjes së kapitaleve, akoma nuk ka ndodhur. Nga ana tjetër, për herë të parë paratë e qytetarëve, në formën e depozitave, kanë pasur rritjen më të vogël dhe po vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura në banka ose investohen jashtë Shqipërisë.

Kjo situatë kërkon rritje të optimizmit tek bizneset dhe konsumatorët dhe rritje të stimulit nëpërmjet rritjes së investimeve publike dhe uljes së barrës tatimore. Në të kundërt, qeveria, që në fillim, njoftoi rritje të ndjeshme të borxhit publik të pashoqëruar me shlyerje të detyrimeve dhe rritje të investimeve publike si edhe rritjen e barrës tatimore, sipas tij.

Ish-zv.ministri i Financave vë në dukje se qeveria “Rama” vuri në themel të politikës së saj rritjen e borxhit, duke përdorur si argument borxhin e trashëguar. Në fakt, ajo rriti borxhin dhe vetëm në prill të këtij viti u paguan rreth 8 miliardë lekë prej të cilave vetëm 1.7 miliardë për detyrimet e kontratave të punimeve në infrastrukturë. “Për këtë arsye, bizneset janë në pritje dhe kanë pasiguri për shkak të politikave të paqarta dhe presionit negativ të institucioneve publike. Përveç tyre, ka një thellim të korrupsionit i cili shihet qartë në të ardhurat e ulura nga akciza. Ndonëse ka pasur një rritje të akcizave për karburantet, pijet alkoolike dhe cigaret, në 4 muajt e parë të ardhurat nga akciza ishin 2.2 miliardë lekë më pak se buxheti i periudhës dhe 1.3 miliardë më pak se një vit më pare”, – shprehet ai.

 

 Greqia duket se “ia hodhi” krizës…

“Athina nuk do paketë të tretë ndihme”, është titulli i një fragmenti të intervistës së Kryeministrit Antonis Samaras që botohet në faqen elektronike të gazetës ekonomike gjermane “Handelsblatt”. “Kryeministri grek pret që vendi i tij të lejë pas recesionin. Dhe sa i përket reduktimit të borxhit, Kryeministri sheh progres. Kjo vazhdon të thotë punë, për vendin e tij”, – citon në hyrje të shkrimit gazeta dhe vazhdon: “Greqisë nuk i nevojitet, sipas fjalëve të Kryeministrit Antonis Samaras, një paketë të tretë ndihme, pas përfundimit të pagesave të BE këtë vit. Dhe nuk sheh për dy vitet e ardhshme një vakuum financiar që do t’i bënte të nevojshme kreditë e mëtejshme të ndihmës”.

“Mbështetemi në zhvillimin e ekonomisë”, – nënvizon Samaras dhe, sipas gazetës, pret që vendi i tij ta lërë mbrapa recesionin.

Dhe, sa i përket uljes së borxhit, gazetari gjerman thekson se Kryeministri grek sheh progres. Greqia do ta reduktojë nivelin e borxhit, nga 175% të PPB që është sot, në 110% deri në vitin 2022, siç është rënë dakord me kreditorët, vazhdon artikulli, “me kusht që të gjitha palët do të respektojnë detyrimet e tyre”, – sqaron Kryeministri. Për Greqinë, kjo do të thotë se do të vazhdojë të punojë për reformat strukturore dhe se do të vazhdojë politikën e suksesshme fiskale, shton gazeta, duke iu referuar Kryeministrit. Anasjelltas, nënvizon Samaras, duhet që kreditorët të bëjnë realitet angazhimin e tyre për të diskutuar lehtësimin e borxhit. “Do të mundte ndokush të imagjinonte interesa më të ulët, periudha më të gjata shlyerjeje dhe më tepër periudhë amnistie”, – shpjegon kryeministri.

 

Bloomberg: Shenjat e para të rimëkëmbjes

“Ekonomia greke do të ketë ritme pozitive zhvillimi sivjet, për herë të parë pas recesionit më të keq në kohë paqeje dhe me papunësinë më të lartë në Eurozonë, ndërsa investitorët blejnë sërish bonde greke”, – vë në dukje agjencia informative Bloomberg në një shkrim të zgjeruar me referenca historike për krizën greke.

Ndër të tjera, vihet në dukje se “interesat e bondeve dhjetëvjeçare greke ranë në 5,79% nga 44,2% në 2012, sukses më i rëndësishëm se fitorja e një lotoje”, duke shtuar se “rritje të konsiderueshme paraqiti edhe Bursa e Athinës, me 46% dymbëdhjetë muajt e fundit. Greqia u karakterizua sërish si një treg në zhvillim për investitorët, një status që e kishte humbur gjatë anëtarësimit të vendit në Eurozonë, ndërsa besimi ndaj vendit është kaq i fuqishëm, saqë muajin e kaluar investitorët e favorizuan Greqinë më shumë se vendet e tjera të ngjashme”.

Në fund, vihet në dukje se “ashtu si në të gjitha dramat, pati përmbysje gjatë krizës greke, stacione kritike, ndërsa fundi i saj ende nuk është garantuar. Kriza, “Odiseja e re”, siç e kishte quajtur Jorgos Papandreu (ish-kryeministër), filloi në 2010, ndërsa sot paraqiten shenjat e para të rimëkëmbjes. “Shkuam në fund, por tani mund të shkojmë vetëm lart dhe do të shkojmë lart”, i deklaroi Bloomberg Kryeministri Antonis Samaras në muajin prill.

 

Leku ruan stabilitetin, pritet forcim me ardhjen e emigrantëve

Ka qenë një javë e qetë kjo në tregun e brendshëm të këmbimit valutor. Euroja ka vijuar të jetë e qëndrueshme, por gjithsesi rritja e saj është ndaluar, ndryshe nga dy javët e mëparshme kur monedha e përbashkët fitoi pikë ndaj lekut. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbehej të premten me 140.23 lekë, në të njëjtat kuota të një dite më parë, ndërsa të hënën java u hap me kursin 1 euro=140.17 lekë. Ndërsa dollari ka shënuar ulje ngritje në këmbimet e tij me monedhën vendase, për ta mbyllur në kuotën e 103.03 lekëve.

Sipas aktorëve të tregut, kërkesë-oferta në tregun e brendshëm mbetet e ekuilibruar. Me fillimin e verës pritet që të ketë një forcim të lehtë të monedhës vendase, si rrjedhojë e prurjeve nga emigrantët, megjithatë, dy vitet e fundit kjo tendencë ka qenë e zbehtë për shkak të rënies së prurjeve të emigrantëve në vend.

Në tregjet e huaja monedha amerikane u zhvlerësua 0.1% në $ 1.3621 për euro, duke shkuar drejt një rënieje javore prej 0.2%, si rrjedhojë e të dhënave më të këqija sesa priteshin të ekonomisë amerikane.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency