Standard.al

Vrasja në Lushnjë/ Arrestohet xhaxhai, dyshohet se vrau nipin për konfliktin e pronësisë

Sonila Mesareja

vendi ku u gjet Daka taulantPolicia: Dëshmitë e banorëve të fshatit zbardhën konfliktet xhaxha-nip, Kujtim Daka dyshohet ta ketë qëlluar me mjete të forta

Policisë së Lushnjës i janë dashur vetëm 12 orë për të hedhur dritë mbi motivin e krimit dhe identifikimin e autorit të vrasjes së 42-vjeçarit Taulant Daka. Befasuese për policinë por jo dhe aq për shumë banorë të fshatit, të cilët me dëshmitë e tyre çuan blutë e Lushnjës drejt autorit të dyshuar. Vrasja ka për motiv pronësinë dhe autor i këtij krimi të rëndë dyshohet të jetë xhaxhai i viktimës, Kujtim Daka, 54 vjeç. Mes tyre prej kohësh kishte nisur një konflikt pronësie, për të cilin kanë pasur debate dhe deri në përplasje fizike.

 

Zbulimi

Burime zyrtare policore bëjnë me dije se dëshmitë kanë qenë ato që çuan në zbardhjen e krimit. Identifikimi i vrasësit të dyshuar është bërë nga banorët e zonës, të cilët ndër të tjera gjatë dëshmisë së tyre në polici kanë rrëfyer se viktima prej kohësh kishte konflikte pronësie me xhaxhain e tij, Kujtim Daka. Konfliktet kishin rënduar aq shumë mes tyre derisa u arrit në përdorimin e dhunës fizike me mjete te forta, ku për pasojë ka mbetur i vdekur 42-vjeçari Taulant Daka. Trupi i pajetë i 42-vjeçarit është hedhur në kanal nga xhaxhai tij, ndërsa kanë qenë banorët e zonës ata që e kanë gjetur trupin e bashkëfshatarit të tyre. Blutë e qytetit të Lushnjës për të zbardhur këtë ngjarje kanë marrë në pyetje personat e ndodhur pranë vendit ku gjet Taulant Daka, si dhe gruan dhe ish-bashkëshorten e viktimës prej së cilës ai ishte divorcuar prej kohësh.

 

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë. Rreth orës 17:30, policia e Lushnjës ka marrë njoftim se në fshatin Plug është gjetur një 42-vjeçar i vrarë. Mësohet se ka qenë vëllai i viktimës ai që ka njoftuar policinë për gjetjen e trupit të pajetë të 42-vjeçarit Taulant Daka nga fshati Plug i Lushnjës. Dyshimet e para flisnin për një vrasje të ndodhur në orët e mesditës, ndërsa 42-vjeçari ka qenë duke punuar tokat e tij. Kjo, pasi trupi është gjetur në një kanal pranë ngastrës së tokës që është në pronësi të 42-vjeçarit. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe e kufomës dyshohet se ai është goditur për vdekje me sende të forta. Kjo, pasi mjekoligjorët nuk kanë konstatuar dëmtime të shkaktuara me armë zjarri apo mjete prerëse. Burime të policisë kanë bërë me dije se 42-vjeçari dyshohet të ketë ndërruar jetë, si pasojë e goditjeve të forta në kokë, që mendohet të jenë shkaktuar me ndonjë kazmë apo lopatë, por jo me pjesën e mprehtë.

 

Shkodër/ Vrasja e Manit për gjakmarrje, në kërkim Tarzan Prroni

 Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim autorin e vrasjes së Ibrahim Manit, krim i ndodhur dy ditë më parë në hyrje të qytetit. Sipas policisë, personi i shpallur në kërkim është Tarzan Prroni, 26 vjeç, nga Oblika. Ngjarja u shënua në lagjen Xhabije, në zonën e njohur ndryshe si “Shtëpia e mushkonjës” në unazën e qytetit. Vrasja dyshohet se ka për motive gjakmarrjeje. Në vitin 1999, i ati i viktimës ka vrarë babanë e Tarzan Prronit, Shuajip. I ati i viktimës, Shemsi Mani u dënua me 10 vjet burg. Në vitin 2009, Shemsi Mani u lirua nga burgu ndërsa më pas vdiq për shkaqe natyrale. Familja e Manit, për shkak të kësaj ngjarjeje ishte shpërngulur dhe ishte ngujuar në Shkodër në lagjen “Ahmet Haxhia” në vendin e quajtur Livade. Në momentin kur është shtënë ndaj tij ai ka qenë duke punuar në shtëpinë e tij. Mësohet se viktima është qëlluar me tre plumba pistolete. Kanë qenë dëshmitë e banorëve që kanë çuar policinë në gjurmët e autorit, ndërsa mësohet se është shpallur në kërkim dhe një person i dytë, i cili ka qenë bashkë me autorin.

 

Lazarat/ Pranga edhe 2 personave të tjerë, qëlluan ndaj policisë

 Dy persona të tjerë, të dyshuar si pjesëtarë të “grupit të zjarrit” që qëlluan ndaj policisë në Lazarat, janë arrestuar nga uniformat blu. Në pranga kanë përfunduar Adriatik Gaba, 43 vjeç, banues në Lazarat, pasi gjatë kontrollit të ushtruar me datë 25.6.2014 në banesën e këtij shtetasi në fshatin Lazarat, i janë gjetur 750 gr boçe dhe lëndë kanabis sativa, në momentin e ndalimit ky shtetas po drejtonte një automjet tip “BMW”, ku u konstatua se nuk kishte dëshmi aftësie. Gaba dyshohet se gjatë zhvillimit të operacionit në Lazarat ka gjuajtur me armë policinë. Gjithashtu në pranga ka përfunduar dhe Merqes Pollo, 32 vjeç, banues në Lazarat, pasi nga kontrollet e ushtruara më datë 20.06.2014 në banesën e tij në Lazarat u gjetën 300 bimë narkotike kanabis sativa, 76 kg lëndë narkotike kanabis sativa, 1 pushkë, 1 automatik, 2 revolver me mulli, 1 pistoletë eco special, 130 fishekë të llojeve të ndryshme. Ky shtetas gjithashtu dyshohet se gjatë zhvillimit të operacionit në Lazarat ka gjuajtur me armë policinë.

 

 

 

Comments are closed.