Reagimet/ PD: Vrasja e Santos ka tronditur shqiptarët. Rama: Mos bëni politikë

0
141

Gëzim Saliu

ristani Ristani: Askush nuk është më i sigurt në këtë vend. Kryeministri: Opozitë e pisllëkut

Partia Demokratike e ka cilësuar vrasjen e djeshme të biznesmenit dhe bankierit Artan Santo si një ngjarje tronditëse për të gjithë qytetarët shqiptarë. Në një reagim nga selia blu, deputeti i PD-së Arben Ristani theksoi se krimi vret sot në mes të ditës e në mes të Tiranës, ndaj askush, sipas tij, nuk është më i sigurt në këtë vend. “Partia Demokratike ndan tronditjen e madhe për vrasjen e biznesmenit, bankierit dhe pronarit të medias, Artan Santo, sot paradite në mes të Tiranës, në derën e zyrës së tij të punës. Partia Demokratike shpreh tronditjen e thellë dhe është në krah të familjarëve, miqve e bashkëpunëtorëve të tij. Të tronditur sot janë gjithë qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë. Vrasja e sotme mafioze tregon se sa e lirë dhe e pambrojtur është jeta sot në Shqipëri. Ekzekutimi mafioz dëshmon se krimi ka arritur në ato nivele të organizimit dhe kurajos, sa të marrë jetën e një personaliteti të fushës së tij, të një biznesmeni nga më të spikaturit, pa iu dridhur dora gjakatare”, – pohoi ligjvënësi demokrat. Më tej ai shtoi se dhjetëra qytetarë të pranishëm në zonën më të populluar të Tiranës, ku ndodhi ngjarja, si edhe qindra, mijëra dhe miliona shqiptarë të tjerë që po përcjellin lajmin përmes medias, janë sot të tronditur. “Krimi vret në mes të ditës, në mes të Tiranës. Askush nuk është më i sigurt në këtë vend”, – përmbylli reagimin e saj PD për ngjarjen e rëndë.

 

Reagimi i Ramës

Pasi përcolli fillimisht mesazhin e tij ngushëllues për vrasjen e biznesmenit Artan Santo, Kryeministri Rama ka reaguar ndaj deklaratës së Partisë Demokratike lidhur me këtë ngjarje. Duke marrë shkas nga qëndrimi i demokratëve, sipas të cilit vrasja e Santos është dëshmi e pasigurisë së jetës edhe për sipërmarrësit, kreu i qeverisë theksoi se opozita nuk duhet të bëjë politikë me krimin e ndodhur dje. “Të bësh politikë edhe me krimin e sotëm do të thotë të jesh një opozitë që ushqehesh jo nga aspiratat, as nga idetë, por nga krimet e pisllëku!”, – shkruante Rama në reagimin në rrjetin social. Por menjëherë pas reagimit të Kryeministrit, nuk ka munguar edhe kundërpërgjigjja e opozitës përmes kreut të grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, i cili akuzoi Ramën si të paaftë dhe të lidhur me krimin. “Ka një person që bën politikë me vrasjen, ai është Edi Rama. Edi Rama bën politikë me vrasjen, sepse bashkëqeveris me krimin. Në vend që të pranojë dështimin e turpshëm me rendin, akuzon opozitën. I paturpshëm, i paaftë dhe në një karrige me krimin është Edi Rama”, – theksoi Paloka. Biznesmeni dhe bankieri i njohur Artan Santo u qëllua dje mizorisht për vdekje me armë zjarri nga dy persona të maskuar rreth orës 9:30 në zonën e ish-Bllokut, pranë selisë qendrore të bankës “Credins”, teksa ishte duke hyrë në institucion.

 

Reagimet e krerëve të shtetit dhe të politikës/ Nishani: Tronditje e rëndë, u prehsh në paqe, miku ynë Artan Santo!

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u shpreh dje i tronditur për vrasjen e bankierit dhe biznesmenit të njohur Artan Santo. Nëpërmjet një mesazhi që e publikoi në “FB”, Nishani shkruante: “Mësova me tronditje të madhe lajmin e rëndë për vrasjen e biznesmenit të njohur, Artan Santo. Një humbje e pamasë për familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët, por edhe gjithë shoqërinë tonë. Kjo dhimbje e madhe e shkaktuar nga dora e zezë e krimit nuk duhet lënë pa u ndëshkuar. Policia e Shtetit dhe Prokuroria duhet të marrin masat për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe të dërgojnë para drejtësisë autorët e saj. Ngushëlloj nga zemra dhe u qëndroj pranë bashkëshortes dhe fëmijëve të Artanit. U prehsh në paqe, miku ynë!”

 

Rama: U vra mizorisht një mik, çun Tirone që donte jetën e njerëzit

Një krim mizor kundrejt një njeriu që donte jetën e njerëzit. Kështu e ka komentuar dje Kryeministri Edi Rama vrasjen e biznesmenit Artan Santo, ku u solidarizua me dhimbjen për ndarjen nga jeta të biznesmenit dhe bankierit. “Na vranë mizorisht një mik të mirë, çun Tirone nga ata të vërtetët, që donte jetën e donte njerëzit, ‪Tan Santo. 100 mijë EU kush ndihmon policinë”, – shkruante Rama në “FB”.

 

Basha: Dhimbje dhe tronditje, krim i pashembullt mafioz. Ngushëllime familjes

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka cilësuar si një krim të pashembullt, mafioz, vrasjen e biznesmenit Artan Santo, duke e cilësuar atë një alarm të madh qytetar për të gjithë. Si kryetari i opozitës si edhe njëherësh kreu i Bashkisë së Tiranës, Basha shprehu ngushëllimet e tij për ngjarjen e rëndë, duke u solidarizuar me dhimbjen e familjarëve. “Dhimbje dhe tronditje përtej fjalëve për vrasjen mizore të Tan Santos. Ky krim i pashembullt mafioz është një alarm i madh qytetar për të gjithë! Ngushëllime dhe solidarizim me familjen dhe miqtë e tij të shumtë”, – theksoi kryedemokrati në mesazhin e tij.

 

Berisha: Shokues ekzekutimi mafioz mizor i bankierit Artan Santo

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka reaguar dje për vrasjen e biznesmenit Artan Santo, duke pohuar se ekzekutimi mafioz dhe mizor i tij është shokues për të gjithë. “Artanin e kisha njohur ne moshen e tij 4-5 vjeçare, femije i dy prinderve te mrekullueshem. Artani shkelqeu gjithe jeten e tij, tashme te shkurter. Denoj me ashpersine me te madhe kete akt te shemtuar mizor, deshmi e nje rendi qe nuk ekziston apo nje rendi qe eshte teresisht i dominuar nga mafia dhe krimi i eger. Shpreh ngushellimet e mia me te sinqerta familjes Santo, bashkepunetoreve, miqve te Artanit dhe lutem qe shpirti i tij te gjeje paqen e merituar”, – theksoi Berisha.

 

Meta: Dënojmë vrasjen barbare, autorët të ndëshkohen

Edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta, u është bashkuar dje personaliteteve të politikës që shprehën hidhërimin e tyre për vrasjen e biznesmenit dhe bankierit të njohur Artan Santo. Teksa dënoi vrasjen barbare, Meta kërkoi të ndëshkohen autorët e ngjarjes. “Dënojmë vrasjen barbare të Artan Santos, ishte një personalitet i njohur i sistemit bankar. Solidarizohem me familjarët dhe kolegët. Autorët të ndëshkohen”, – thuhej në mesazhin e Kryetarit të Kuvendit.

 

Peleshi: Vrasja duhet të shkundë politikanët

Zv.kryeministri Niko Peleshi deklaroi se vrasja e Artan Santos duhet të shkundë politikanët. “Ne politikanët duhet të jemi në bllok përballë krimit. Artan Santo, humbje jo vetëm për familjen”, – theksoi ai.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency