Portugalia me Ronaldon dhe Gana i thonë mirupafshim Brazilit

0
152

portugali ganaNdeshja u fitua nga luzitanët, që arritën të triumfonin, por në këtë mënyrë i prishën punë Ganës dhe nuk arritën të fitonin as vetë

Një ndeshje që më shumë kishte hidhërim sesa festë. Kjo, pasi të dyja ekipet në fund të 90-minutëshit ishin të eliminuara nga kompeticioni. Gana pati disa probleme para fillimit të ndeshjes. Federata Ganeze e Futbollit, nëpërmjet faqes së saj zyrtare në internet, njofton përjashtimin nga skuadra dhe nga Botërori të dy futbollistëve të saj Kevin-Princ Boateng dhe Sulej Muntari për motive disiplinore. Ylli i Shalke 04-ës është përjashtuar pasi ka ofenduar teknikun e skuadrës, Apiah, ndërsa mesfushori i Milanit ka qenë protagonist në një sherr me një prej anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv. Nga krahu tjetër Kristiano Ronaldo me probleme nuk arriti që të çonte përpara skuadrën e tij ashtu siç bëri Mesi me Argjentinën. CR7 dha shkëndijën e parë të ndeshjes në minutën e pestë me një goditje kros që papritur preku traversën, ndërsa 5 minuta më pas portugezi shkarkoi një të djathtë të fuqishme, por Dauda nuk u kap në befasi. 8 minuta më pas, ishte sërish Topi i Artë që devijoi krosimin e Zhoao Pereirës, por pa mundur të zhbllokonte takimin, ndërsa në anën tjetër Beto ndali Asamoah Gian. Bashkëpunëtor në zhbllokimin e rezultatit u bë në njëfarë mënyre edhe arbitri kryesor që bllokoi një aksion të Ganës, çka shkaktoi edhe kundërsulmin e Portugalisë që kaloi në epërsi. Gana e rriti ritmin e lojës, por pjesa e parë u mbyll me epërsi minimale të luzitanëve që arritën të përfitonin edhe nga cilësitë e pakta teknike të afrikanëve në zonën e rreptësisë. Por ndeshja e Brazilisë ndryshoi fytyrë në fraksionin e dytë, pasi afrikanët shfrytëzuan freskinë fizike, duke arritur barazimin në minutën e 58-të me të zakonshmin Asamoah Gian. Dy minuta më vonë, me një aksion pothuajse identik, Uaris bën të pabesueshmen duke e nxjerrë topin jashtë, çka është edhe tregues i limiteve teknike të yjeve të Afrikës. Minuta të tëra në kërkim të Kristiano Ronaldos gjatë këtij fraksioni ku luzitani u fsheh pas hijes së tij, ndërsa Bruno Alves vuajti oksigjenin e mjaftueshëm në mushkëritë e Gian. Me kualifikimin në dorë, Gana nuk rreshti së kërkuari golin, por sulmet kaotike të afrikanëve nuk u konkretizuan në një gol që do të mjaftonte për t’i kualifikuar në 1/8-at. Kur nuk shënon e pëson dhe Kristiano Ronaldo përfitoi nga një gabim amator i portierit Dauda për të shënuar golin e parë personal në këtë botëror. Një fitore që nuk vlen për luzitanët, sepse ajo që buzëqesh është skuadra e Klinsmanit. Portugalia largohet nga Botërori me një fitore nderi, por që nuk i leverdis për asgjë. Ndërsa fituesi i Topit të Artë do të duhet ta shohë finalen nga televizori.

 

Gjermania mposht SHBA-në, kualifikohen të dyja

Një ndeshje e cila ka shërbyer vetëm për të vendosur se kush do të ishte kreu i grupit. Një sfidë shumë e luftuar që u luajt në kushte shumë të vështira. Mirëpo Jurgen Klinsman e mori mësimin e tij. Amerika nuk ka fuqinë e duhur për të luftuar pancerat. Gjermania dhe SHBA zhvilluan një ndeshje monotone në Recife, e cila përfundoi me fitore të evropianëve me rezultat 1-0, që në fakt nuk dëmtoi gjasat e të dyja ekipeve për kualifikim në fazën tjetër. Pjesa e parë ishte e balancuar, me Gjermaninë që dominoi lojën, teksa amerikanët me pasime provuan të gjejnë golin. Portieri Manuel Nojer nuk ishte shumë i zënë në pjesën e parë, dhe as në të dytën nuk ishte shumë i zënë. Nga ana tjetër ishte Tomas Myler ai që në minutën e 55-të realizoi një gol të bukur për 1-0. Deri në fund nuk pati ndryshime dhe ndeshja përfundoi me rezultat të tillë. Me këtë fitore Gjermania është lidere e grupit G, teksa do të takohet me të dytin e grupit H.

 

Del Boske deri në 2016, Ramos kapiteni i ri

Duket se Spanja nuk do të heqë dorë nga tekniku aktual, Visente del Boske. “AS” shkruan se Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) ka vendosur që t’ia besojë punën Del Boskes. Ai pritet të drejtojë kombëtaren spanjolle edhe në Euro 2016 që do të mbahet në Francë. Ky vendim shihet si i befasishëm, pasi Spanja dështoi të kalonte fazën e grupeve në Botërorin Brazil 2014. Media spanjolle ka bërë edhe një analizë se cilët do të jenë futbollistët që do të kenë detyrën të ruajnë sa më kompakt grupin, duke qenë se do të largohen emra si Iker Kasijas, Ksavi Hernandez, Ksavi Alonso apo David Vija. E përditshmja madrilene “Marca” ka bërë me dije se do të “gradohet” Serxho Ramos për të qenë udhëheqësi i dhomave të zhveshjes. Edhe pse Andres Iniesta është gjithashtu një figurë e respektuar brenda skuadrës, karakteri autoritar i mbrojtësit të Realit të Madridit do të jetë zëri më i dëgjuar mes shokëve të ekipit. Te Spanja, gjithnjë ka pasur një hierarki, jo vetëm për shiritin e kapitenit, që kishte si detyrë që të ruante harmoninë brenda grupit dhe t’u jepte besim futbollistëve të rinj që afroheshin.

 

Barcelona në kërkim të Krosit

Presidenti i Barcelonës, Joseb Maria Bartomeu, ka kërkuar që të dijë çmimin e mesfushorit të Bajernit të Mynihut, Toni Kros. Barcelona dëshiron që të shpenzojë gjatë kësaj vere dhe pas transferimit të Ivan Rakitiçit, duket se katalanasit janë të vendosur që të shpenzojnë edhe më shumë. Sipas Onda Cero, është Toni Kros ai që ka tërhequr vëmendjen e Barcelonës dhe që është shndërruar në objektivin kryesor për hierarkinë e këtij klubi. Kjo, më shumë pasi Koke rinovoi kontratën me Atletiko Madridin dhe ka shuar shpresat e Barcelonës për një transferim.

Herrera: Junajtid, një ëndërr e bërë realitet

Mançester Junajtid ka konfirmuar transferimin e mesfushorit Ander Herrera, i cili u shpreh i ngazëllyer për transferimin e ri. Herrera u shpreh më se i emocionuar pas transferimit te Junajtid, edhe pse pagoi vet klauzolën e prishjes së kontratës me Atletik Bilbaon. Ai sipas faqes zyrtare të Junajtidit, ka nënshkruar për katër vitet e ardhshme dhe ai tha se kjo është ëndërr e bërë realitet për të. “Nënshkrimi për Mançester Junajtid është ëndërr e bërë realitet. Unë kam luajtur në “Old Trafford” për Atletik Bilbaon në Europa League dhe kjo ka qenë prej të arriturave më të mëdha në jetën time. Kam ardhur për t’i ndihmuar klubit për të arritur të gjitha objektivat e parapara, dhe mezi pres të vesh fanellën e kuqe shumë të famshme. Kjo është një ëndërr e bërë realitet për mua”, – u shpreh Herrera.

 

Aguero e mbyll Botërorin para kohe

Mbyllet përpara kohe Botërori për një nga emrat më të lakuar të futbollit botëror. Serxho Aguero i jep lamtumirën Kupës së Botës, por i jep një shuplakë edhe Argjentinës që humbet një nga xhevahirët e saj në repartin e sulmit. El Kun u dëmtua në minutën e 38-të të sfidës kundër Nigerisë dhe, sipas mjekëve, tërheqja muskulare në kofshën e djathtë e detyron të qëndrojë në infermieri për disa javë. Sulmuesi i Sitit gëzon një formë të dobët që prej shumë muajsh, pasi edhe në momentin e grumbullimit me kombëtaren vuante nga probleme të shumta fizike të mbartura pas një sezoni plot ulje-ngritje. Gjatë tri ndeshjeve të para në grup, ai zhgënjeu duke mos plotësuar pritshmëritë, i kushtëzuar dukshëm edhe nga dëmtimet e vazhdueshme muskulare. Kandidati kryesor për të zënë vendin bosh të lënë nga Aguero është Ezekiel Laveci, i cili shfaqi një formë të mirë edhe ndaj Nigerisë. Në radhën e dytë qëndron interisti Rodrigo Palasio që vjen gjithashtu nga një dëmtim, çka e tregoi edhe në ndeshjen ndaj Nigerisë ku zhgënjeu me paraqitjen e tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency