Standard.al

Ja cilat janë favoritet në takimet e para të fazës së eliminatoreve

favoritetSkuadrat do të përballen tashmë në një sfidë tepër kritike, në një fazë e cila do të sjellë shumë emocione dhe luftë sportive. Por cilat ekipe janë favorite për të vazhduar më tej…

 Pasi mbaron faza e grupeve, tashmë vinë edhe faza më vendimtare, ajo e ndeshjeve më eliminime direkt. Një sfidë e cila është më e vështirë dhe që do më shumë punë nga skuadrat. Një spektakël i vërtetë, që do të na dhurohet dhe do të na tregojë edhe një herë se cilët janë më të fortë. Ky botëror është paksa i veçantë, për shkakun se pati disa surpriza. Ekipe si Spanja, Italia, Anglia apo Portugalia u eliminuan që në fazën e grupeve, çka ka bërë që shumë njerëz të mos besojnë më vetëm te ekipet e mëdha. Kjo, pasi edhe ekipet e vogla kanë treguar shumë karakter. Kryesisht ekipet latine me në krye ekipet e vogla. Këtu duhen përmendur Kosta Rika dhe Kili, që arritën të dilnin nga grupe shumë të forta. Por cilat janë favorite në ndeshjet e para dhe cilat nga ekipet kanë më shumë probabilitet për të fituar?

 

Brazil-Kili

Ndeshja e cila do të hapë këtë fazë duket se është edhe njëra nga më ekzaltueset. Një ndeshje e cila ka aromë latine dhe që do të dhurojë futboll të bukur. Përballë gjenden dy skuadra të cilat nuk falin njëra-tjetrën dhe sa herë janë përballur mundohen të dalin fitimtare. Brazili dihet tashmë për famën që ka. Ekipi luan në tokën e vet, kështu që në njëfarë mënyre është e detyruar që të fitojë. Por Kili është arma e cila mund të çorodisë Seleçaon. Shumë analistë e kanë vendosur skuadrën kiliane si ekipin që Skolari nuk do të donte ta kishte përballë në këtë sfidë. Të mos harrojmë që ekipi i Kilit ia mori dorën me ekipet e mëdha dhe viktima e parë e saj ishte Spanja. Ndoshta Brazili nuk është në formë të dobët, por kjo nuk të jep arsye të mos kesh frikë. Kili ka një Sançez dhe Vidal në superformë që mbështeten nga një grup shumë cilësor lojtarësh, ndërsa Brazili udhëhiqet nga Nejmari. Një ekip i madh që ndrydhjen e vetme e ka në sulm. Favorit është Brazili, por surprizat kanë qenë një risi e këtij Botërori.

 

Kolumbi-Uruguai

Një sfidë tjetër shumë interesante duket se do të jetë përballja e Kolumbisë me Uruguain. Dy skuadra shumë të ndryshme nga njëra-tjetra dhe që kanë kronologji të ndryshme në këtë kompeticion. Kolumbisë duket se i ka ardhur një brez shumë i mirë dhe ka ndërtuar një grup shumë të fortë lojtarësh. Shumë të fortë në sulm, të shpejtë dhe që arrijnë të jenë shumë efektivë para mbrojtjes. Ekipi verdheblu arriti që të dilte me pikët maksimale nga grupi. Në krahun tjetër është Uruguai. Ekipi e nisi si favorit kompeticionin, mirëpo humbja me Kosta Rikën e tronditi. Falë Suarezit dhe Godinit, ekipi arriti të kualifikohej me një ndeshje ndaj Italisë, në një sfidë shumë të komentuar. Ekipit do t’i mungoj lojtari kryesor, Luis Suarez, që u pezullua. Sfida duket se nuk ka diferenca të mëdha dhe të dyja skuadrat kanë shanse për të fituar.

 

Holandë-Meksikë

Një duel midis dy ekipeve që i ka dhënë shumë këtij komepticoni. Të dyja ekipet kanë ardhur me surpriza, por në mënyra të ndryshme. Amerikanojugorët zhvilluan sfida shumë interesante dhe arritën të merrnin një barazim ndaj Brazilit. Një ekip i konsoliduar dhe me lojtarë pa shumë emër që po zhvillojnë një lojë të bukur. Kurse nga krahu tjetër është Van Gal me tre senatorë (Van Persi, Roben dhe De Jong) dhe brezin e artë të të rinjve. Një habi e madhe për një ekip që duket se nuk kishte ndonjë grup të madh para fillimit. Mirëpo tani është një ndër favoritet kryesore për të qenë fituese. Ndeshja pritet të jetë interesante, edhe pse Holanda duket se ka më shumë forcë për të ecur para.

 

Argjentinë-Zvicër

Një ndeshje nga e cila pritet të dallojmë disa gjëra. E para do të shohim nëse Mesi do të arrijë të mbajë mbi supe lojën e ekipit. Dhe nga krahu tjetër nëse Shaqiri do të ketë forcën e duhur për t’u treguar një lojtar i madh dhe të kualifikojë ekipin e tij. Duel shumë interesant. Të dyja skuadrat janë të ndryshe në ndërtim. Nga njëri krah është ekipi i Sabelës që nuk duket se është mirë i ndërtuar. Kjo, pasi mbrojtja duket pika më delikate dhe që akoma nuk po arrin të tregojë veten. Kurse në krahun tjetër është sulmi që është i frikshëm, por që me përjashtim të Di Marias dhe Mesit, të tjerët nuk po tregojnë asgjë. Nga krahu tjetër është grupi i konsoliduar i Hicfeldit, që nuk ka emra të mëdhenj, por një ekip që di të ndërtojë mirë gjërat. Një ndeshje interesante që ka si favoritë argjentinasit, por duhen parë 90 minuta për të vendosur.

 

Francë-Nigeri

Gjelat dhe afrikanët do të përballen në një sfidë që do të na sigurojë shumë spektakël. Të dyja skuadrat kanë një lojë sulmuese dhe me shumë driblime, sprinte nga krahët dhe elementë që e bëjnë më të bukur për ta ndjekur. Ekipi i Deshampit duket në formën e tij më të mirë. Një skuadër që ka lënë mosmarrëveshjet mbas dhe është në formë të mirë. Në sulm e frikshme, në mesfushë krijuese dhe në mbrojtje një mur i vërtet. Një ekip që të jep shumë besim se do të shkojë larg. Ndërsa në krahun tjetër është Nigeria që është skuadra e vetme afrikanë që u kualifikua. Mos prisni një sfidë të lehtë! Kjo, pasi ekipi afrikan ka një skuadër shumë sulmuese dhe që mund të hapë problem nga momenti në moment me Musanë. Favoritë janë francezët, por asgjë nuk është e sigurtë.

 

Skuadrat favorite për të fituar Botërorin në përqindje

10. SHBA — 0.72%

9. Belgjika — 0.72%

7. Franca — 3%

8. Meksika — 0.83%

6. Kolumbia — 3.4%

5. Kili — 3.7%

4. Holanda — 5.9%

3. Gjermania — 7.6%

2. Argjentina — 17%

1. Brazili — 55%

 

Luis Suarez braktis Uruguain, dënohet me 4 muaj

Sulmuesi i Uruguait, Luis Suarez, ka marrë një dënim të rëndë nga FIFA, pasi kafshoi mbrojtësin e Italisë, Xhorxho Kielinin, në sfidën mes Italisë dhe Uruguait. Tani FIFA ka reaguar duke e dënuar futbollistin uruguajan me katër muaj moslojë nga të gjitha garat dhe mosparaqitje për Uruguain deri në 9 ndeshje e që do të thotë se për Suarezin përfundon Botërori. Ai është i përjashtuar edhe për nëntë ndeshje nga të gjitha ndeshjet me kombëtaren e Uruguait. Suarezi është shpallur fajtor pas hetimeve të një komisioni disiplinor të FIFA-s, pas incidentit të rëndë që mbeti pa u dënuar nga gjyqtari i atij takimi. Kjo është goditje e rëndë për Liverpulin, që nuk do të mund të llogarisë në Surezin deri në nëntor të këtij viti, teksa edhe skuadra të tjera si Real Madridi dhe Barcelona pritet të tërheqin interesimin nga lojtari.

 

Hoxhson: Nuk dorëzohem lehtë

Roi Hoxhson e ka bërë të qartë se nuk do të japë dorëheqje nga posti i tij përkundër eliminimit të Anglisë nga Kampionati Botëror. “Tre Luanët” u eliminuan që në fazën e grupeve dhe trajneri deklaroi pas eliminimit se nuk do të largohej nga puna dhe tashmë e ka konfirmuar vendimin e tij. “Ju kam thënë se nuk do të jap dorëheqje dhe nuk kam asgjë për të shtuar. FA ka kërkuar nga unë që të vazhdoj. Jam shumë i lumtur që e kanë kërkuar këtë nga unë. Mendoj se është një grup shumë i mirë i lojtarëve me të cilët duhet punuar dhe nuk mendoj se ndonjëri prej tyre do të kërkonte nga unë që të jepja dorëheqje. Nuk kam arsye të veproj në atë mënyrë. Nuk e kam për qëllim ta bëj. Nuk dua të më krahasojnë me të tjerët. Arsyeja që po qëndroj është se unë nuk jam nga ata që dorëzohen”, – ka deklaruar Hoxhson para gazetarëve.

 

Zakeroni jep dorëheqjen nga Japonia

Alberto Zakeroni ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit të Japonisë, pas eliminimit të kësaj përfaqësueseje nga Kampionati Botëror. Samurajët regjistruan dy humbje dhe një barazim në grupin C dhe u larguan herët nga turneu. “Jam i zhgënjyer dhe i pakënaqur me rezultatet tona. Para kampionatit, ishim të bindur dhe entuziastë se do ta kalonim fazën e grupeve, megjithatë ne ngecëm që në fillim me këto tri ndeshje dhe nuk luajtëm ashtu si paramenduam. Jam unë ai që e marr përgjegjësinë”, – ka deklaruar Zakeroni duke i falënderuar lojtarët dhe stafin që e kanë mbështetur gjatë katër viteve.

Comments are closed.