Standard.al

Ekzekutimi në ish bllok/ Vritet me 2 plumba në kokë bankieri Artan Santo, i thirrën në emër para se ta qëllonin

 Anxhela Tato

artan santo viktima nga video 2Autorët vrasës me pagesë, ndoqën nga pas makinën e biznesmenit, i thirrën në emër para se ta qëllonin

 Polici rrugor u kërkoi vrasësve të hiqnin motorin e parkuar para bankës, përgjigjja: 5 minuta punë kemi

 Tronditet kryeqyteti nga vrasja mafioze e bankierit të njohur Artan Santo. Në mes të ditës, në prani të policisë, dy autorët nuk kanë hezituar që të masakrojnë me dy plumba në kohë një ndër emrat më të njohur të fushës së ekonomisë. Për të qenë të sigurtë se nuk po ngatërronin shënjestrën, mësohet se njëri nga autorët i ka thirrur në emër “presë” së tij dhe më pas ka hapur zjarr. Asnjë gëzhojë nuk është gjetur në vendngjarje, përveçse tri predhave në turpin e viktimës. Autorët kanë qenë shumë të saktë në qitje, duke e lënë të vdekur në vend viktimën pa iu trembur as policit rrugor dhe as rojës së sigurisë së bankës. Në mes të ditës, në një ndër zonat më të populluara, në prani të qytetarëve dy vrasësit janë treguar gjakftohtë dhe pa asnjë shenjë hezitimi apo frikë në çdo veprim që kanë kryer. Mësohet se dy autorët, të cilët lëviznin me një motor tip “BMW”, kanë gjurmuar çdo lëvizje të viktimës që nga momenti i daljes së makinës së biznesmenit Santo nga parkingu i pallatit. Në fotot e marra nga kamerat e sigurisë në zona të ndryshme të kryeqytetit duket makina e biznesmenit dhe motori me dy djem të maskuar me skafandër dhe rroba të errëta. Motori ka qenë në çdo moment një hap pas ose paralel me automjetin. Vrasësit kanë arritur që të kapërcejnë edhe patrulla policie, të cilët nuk kishin se si të krijonin dyshime për dy pasagjerët me skafandër të zezë. Autorët sapo kanë mbërritur në destinacion kanë parkuar motorin përballë hyrjes së bankës “Credins” dhe kjo lëvizje i ka rënë në sy efektiv të policit rrugor, i cili i ka kërkuar që të largoheshin pasi nuk ishte zonë parkimi. Por njëri nga djemtë i ka bërë me dije se vetëm pak minuta punë kishin dhe do të lëviznin. Sapo nga makina ka zbritur biznesmeni, është hapur zjarr. Njëri nga plumbat ka kapur makinën, duke e gërvishtur atë. Të alarmuar, punonjës të bankës dhe roja kanë dalë jashtë, por ka qenë çdo gjë e kotë, pasi 58-vjeçari kishte humbur jetën. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur këtë krim të tipit mafioz. Ende nuk ka asnjë dyshim apo pistë, pasi viktima ka qenë një ndër personalitet e fushës së ekonomisë dhe sistemit bankar. Çdo gjë është ende mister për blutë, të cilët po tentojnë të kuptojnë motivin e këtij ekzekutimi të frikshëm, ndërsa ende asgjë lloj gjurme nga autorët, përveç zbulimit të itinerarit të lëvizjes së motorit deri në Bubq.

 

Krimi

Shoqërohet në polici Sajmir dhe Klodjan Gjyzi, i dyshuar si pronar i motorit me të cilin dy atentatorët vranë në një ekzekutim mafioz biznesmenin Artan Santo. Pronari i motorit ka çuar policinë në një servis ku ka pretenduar se ka shitur motorin. Servisi ndodhet në zonën e Bubqit në Fushë-Krujë. Nëna e dy djemve ka reaguar në media duke u shprehur se motori në foto nuk përkon me motoçikletën e djemve të saj. Ajo ka rrëfyer se motori i tyre ndodhet në servis prej tre muajsh dhe një situatë e tillë i ka ndodhur edhe para dy vjetësh, kur djemtë u akuzuan për grabitje dhe më pas u lanë të lirë. Sipas dyshimeve paraprake të policisë, dy atentatorët duhet të kenë qenë vrasës me pagesë, ndërsa deri më tani uniformat blu kanë listuar fotot e dy personave, si të dyshuar kryesorë për ekzekutimin mafioz. Autorët duket se kanë organizuar çdo gjë në mënyrë perfekte dhe kanë ndjekur itinerarin e biznesmenit. Ata kishin ardhur me një motor të cilindratës së lartë nga krahu i Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit, e kishin pritur në rrugicën midis Vilës 30 dhe bankës “Credins” dhe pasi e kanë qëlluar për vdekje 58-vjeçarin, janë larguar për nga drejtimi i Librit Universitar. Kamerat e sigurisë në këtë zonë kanë fiksuar dy atentatorët në motor, me skafandra, me doreza dhe rroba të zeza, dhe pasagjeri, i cili dyshohet se ka qëlluar për vdekje biznesmenin Santo, mban një çantë në sup. Momenti i fundit i filmuar nga kamerat e sigurisë tregon dy atentatorët menjëherë pas krimit, teksa largohen në kryqëzimin e Librit Universitar. Prej këndej me motorin dhe me kokoret në kokë, kanë hyrë në zonën e Selitës. Informacionet janë se motori më pas ka mundur të marrë drejtimin për në Fushë-Krujë. Në këtë drejtim janë dërguar edhe forca të shumta policore të mbështetura edhe nga helikopterët e Ministrisë së Brendshme. Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion 100 mijë euro për këdo që jep informata lidhur me vrasësit e biznesmenit Artan Santo. Ndërkaq, familjarët e të ndjerit kanë bërë të ditur se homazhet për të do të bëhen sot në hotelin “Sheraton”, në orën 10:00, ndërsa varrimi i tij do të bëhet po sot në orën 16:00 pranë varrezave të Sharrës. Biznesmeni 58-vjeçar, baba i dy fëmijëve, ishte drejtor i bankës “Credins” dhe botues i njohur, bashkaksioner në kompaninë “Fokus Grup”.

 

Familjarët: Homazhet për Santon sot në orën 10:00, varrimi në orën 16:00

Vrasja e biznesmenit Artan Santo ditën e djeshme ka tronditur gjithë opinionin publik. Familjarët kanë bërë të ditur se homazhet për të ndjerin do të zhvillohen sot në orën 10:00 në hotelin “Sheraton”, ndërkohë që varrimi i tij do të bëhet po sot në orën 16:00. “Familja Santo falënderon të gjithë miqtë, të afërmit, kolegët, të njohurit e Artanit, por edhe të gjithë shqiptarët për solidaritetin dhe ngushëllimet e ndjera në këtë moment kaq të vështirë. Ditën e sotme, e premte 27 qershor në orën 10:00 familja do të presë vizita dhe do të kryhen homazhe në nderim të Artan Santos në ambientet e hotelit “Sheraton”, ndërkohë që në orën 16:00 do të zhvillohet ceremonia funebre pranë varrezave të Sharrës”.

 

Policia ndoqi autorët deri në hyrje të Fushë-Krujës, motori me 200 km/h

 Burime nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se pas vrasjes së Artan Santos, policia është vënë menjëherë në ndjekje të autorëve, ku një polic rrugor i ka ndjekur vrasësit deri në zonën e “Komunës së Parisit”, ku edhe i ka humbur. Më pas, në afërsi të Rinasit, motori me dy vrasësit është pikasur dhe është ndjekur nga një tjetër polic rrugor deri në hyrje të Fushë-Krujës, ndërsa atentatorët janë kthyer në Bubq, në zonën e Ishmit. Sipas të njëjtave burime, motori i vrasësve ka qenë me shpejtësi rreth 200 km/h, ndërsa polici rrugor i ndaluar në hyrje të Fushë-Krujës ka kërkuar për përforcime.

 

Dëshmitë/ Shoferi i Santos: Motori na ndiqte prej disa ditësh

 Roja i bankës: Dëgjova biseda dhe më pas të shtëna, e pamundur të ndërhyja

 Mes dëshmitarëve të shumtë, të cilët kanë parë skenën e atentatit mafioz ndaj bankierit Artan Santo, për Policinë e Shtetit dy më kryesorët konsiderohen roja private i bankës, i cili ka qenë dy metra larg vendit të ngjarjes, si dhe një polic rrugor i ndodhur në kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me “Ismail Qemalin”, vend ku ndodhet dhe banka “Credins”. Aktualisht, të shoqëruar janë mbi 25 persona, ndërsa 80 oficerë kriminalistë janë duke punuar me dëshmitë e personave të ndodhur në vendngjarje si dhe me verifikimet e pamjeve filmike të marra nga kamerat e sigurisë. Nga dëshmia e shoferit të Artan Santos, bëhet e ditur se, sipas tij, kjo motoçikletë, e cila ekzekutoi dje biznesmenin, kishte kohë që ishte vënë në ndjekje të makinës dhe ndiqte itinerarin që biznesmeni bënte gjatë ditës. Sipas shoferit personal të Santos, motori i ndiqte prej kohësh që nga shtëpia e tij e deri në punë. “Motori kishte ditë që ndiqte çdo lëvizje tonën. Na vinte nga pas dhe më bëri përshtypje, sepse çdo ditë ishte pas nesh. Por mendoja se mund të kishte të njëjtën linjë itinerari si ne”, – rrëfen shoferi. Roja i sigurisë i cili ka parë gjithë ngjarjen, është dëshmitari kyç i këtij ekzekutimi, pasi, sipas dëshmisë së tij paraprake, ka deklaruar se ka dëgjuar një bisedë mes biznesmenit dhe atentatorëve. Ka qenë e pamundur për të të ndërhyrë me ndihmën e parë, pasi biznesmeni ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Një luleshitëse në trotuarin përballë bankës “Credins”, ku u ekzekutua biznesmeni Artan Santo, rrëfen se e pa të ndjerin Santo t’i drejtohej bankës ashtu siç bënte çdo mëngjes. Ajo tregon se 58-vjeçari ishte i vetëm dhe se pranë tij, në kabinën në hyrje të bankës, ndodhej roja i sigurisë.

 

Skema e lëvizjes/ Itinerari i autorëve të krimit, ja rruga që përshkuan dhe arratia nga vendi i ngjarjes

 Rreth orës 9:00 të së enjtes, automjeti i drejtuar nga Artan Santo ka dalë si zakonisht nga banesa e tij pranë Liceut Artistik në drejtim të filialit të bankës “Credins” pranë zonës së ish-Bllokut. Artan Santo vinte nga Liceu Artistik në drejtim të parkimit në krah të rrugës midis bankës dhe Vilës 30. Për të mbërritur pranë këtij parkimi të rezervuar të bankës “Credins”, mjeti i llojit “Mercedes-Benz S Class” me targa AA 111 AX, ku udhëtonte Artan Santo, ka lëvizur në rrugë dytësore për të kaluar më pas në rrugën ku janë përballë TVSH dhe Ambasada Italiane. Më pas mjeti ka devijuar majtas në drejtim të rrethrrotullimit ku ndodhet Kryeministria, Kryesia e Kuvendit përballë dhe hoteli “Rogner” paralel Kryeministrisë. Nga e njëjta rrugë vetëm pak metra pas Benzit, vinte mjeti motorik i llojit “BMW”. Dy persona të veshur identik me uniforma të mjeteve motorike, me të njëjtat kokore në kokë, kanë ardhur nga itinerari i Liceut Artistik, në drejtim të Kryeministrisë, Kryesisë së Kuvendit me destinacion filialin e bankës “Credins”, aty ku do të parkonte mjeti i Santos. Por tek rrethrrotullimi i hotelit “Rogner”, mjeti i Santos ka devijuar majtas me drejtim Presidencën e më pas hyrjen pranë zonës së Librit Universitar. Ndoshta sepse vetëm kështu mund të ishte më komod parkimi pranë vendeve të caktuara nga banka. Ka qenë ora 9:15 min, kur sapo ka parkuar shoferi i Santos, ky i fundit ka qenë duke dalë nga dera e përparme e pasagjerit, automjeti është qëlluar. Kjo është gjurma e plumbit në derën e pasme të pasagjerit, që për policinë mbetet mister se nga është qëlluar, pasi dy autorët me motor kanë qenë të ndaluar thuajse përballë automjetit, duke mos qenë në trajektoren e goditjes. Pas kësaj të shtëne të parë, biznesmeni 58-vjeçar ka nxituar të hyjë drejt bankës, pasi brenda saj mund të ishte i sigurt, por pa ia dalë dot. Pikërisht këtu, killerët i janë afruar trotuarit me një distancë larg hyrjes së bankës 10 metra, ku edhe kanë qëlluar mbi Artan Santon sapo ky i fundit kishte ngjitur trotuarin pranë bankës. Distanca nga viktima është 10 metra, ndërsa nga mjeti i Santos 30 metra. Santo është rrëzuar nga të shtënat dhe autorët kanë qëlluar sërish për t’u siguruar që kishte vdekur. 3 plumba pistolete pa silenciator i kanë dhënë fund jetës së biznesmenit dhe botuesit të suksesshëm Artan Santo. Skena që ka zgjatur vetëm disa sekonda, është parë nga disa dëshmitarë. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar motorin “BMW” dhe dy killerët të veshur identik me kokore të njëjta. Sipas informacioneve, vrasësit, pas largimit nga Libri Universitar, janë drejtuar në drejtim të zonës së Selitës e më pas në drejtim të Fushë-Krujës. I gjithë ky itinerar pas ngjarjes që ka ndjekur ky motor, është nën vëzhgimin tashmë të forcave të shumta policore të mbështetura edhe nga helikopterët e Ministrisë së Brendshme.

 

 Kryeprokurori/ Grup i posaçëm hetimor për vrasjen e biznesmenit

 Sekuestrohen kamerat e sigurisë dhe kërkohen tabulatet e bisedave telefonike

 Kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka urdhëruar ngritjen e një grupi hetimor të posaçëm për të hetuar vrasjen e biznesmenit ditën e djeshme, Artan Santo. Lajmi bëhet i ditur nga vetë Prokuroria e Përgjithshme përmes një njoftimi për shtyp, ku theksohet se organi i akuzës po bashkëpunon me Policinë e Shtetit për të zbardhur sa më shpejt autorët e vrasjes dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë autorët. Në këtë kuadër janë vënë në dispozicion edhe logjistika speciale e institucionit të Prokurorisë. “Prokuroria po punon me intensitet, së bashku me Policinë e Shtetit për të zbuluar autorët e vrasjes kriminale ndaj biznesmenit Artan Santo, biznesmen dhe figurë publike. Menjëherë pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, urdhëroi Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për të ngritur një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen në një kohë sa më të shpejtë këtë ngjarje. Ky grup hetimor po koordinohet nga Prokuroria e Përgjithshme dhe në dispozicion ka edhe logjistikën speciale të institucionit të Prokurorisë. Media do të mbahet në kontakt të vazhdueshëm për hetimet mbi këtë ngjarje, duke ruajtur njëkohësisht sekretin hetimor”, – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

 

Profili i biznesmenit Artan Santo

 58-vjeçari Artan Santo njihet si drejtori i bankës së parë shqiptare të nivelit të dytë, “Credins Bank”, bankë e cila u krijua në vitin 2001 nga një grup profesionistësh në fushën bankare. Ishte nisma e parë e biznesit shqiptar, i cili kaloi nga kapitali tregtar në atë financiar. Santo është babai i dy fëmijëve, Emi 28 vjeç dhe Egi 26 vjeç. Përvoja e tij e parë si drejtues ka qenë në moshën 23-vjeçare. Me përfundimin e Fakultetit Ekonomik, në vitet 1976-1979, pas diplomimit si ekonomist kontabël, Santo emërohet kryerevizor në Ndërmarrjen Tregtare Industriale. Në vitin 1984 punon në Institutin e Studimeve Ekonomike, në sektorin e Ekonomisë Botërore në rolin e bashkëpunëtorit tekniko-shkencor dhe qëndron në atë pozicion për rreth 5 vjet. Artan Santo njihet edhe si drejtuesi që bëri kthesën në Bankën e Kursimeve në korrik të ‘97-ës, Kohë në të cilën Santo emërohet drejtor i Përgjithshëm i kësaj banke, bilanci financiar i saj ishte me një humbje prej 6.6 miliardë lekësh. Pas largimit në vitin 2000 nga ky post rezultati financiar i bankës ishte 6 miliardë lekë fitim. Biznesmeni Artan Santo nga viti 2009 e këtej njihet edhe si aksioner në dy grupe mediatike. Por më herët Artan Santo njihet edhe si protagonist në filmin “Guximtarët”. Në një moshë mjaft të re, Santo luan në këtë film rolin e “qullacit”, një djalë i vogël që ishte aq dobët në fizkulturë, sa nuk kalonte dot as kaluçin. Por në fund të filmit, falë përpjekjeve të mëdha të tij, djali i vogël e kalon kaluçin. Në një intervistë dhënë disa vite më parë, vetë Artan Santo u shpreh se edhe jeta e tij ka qenë e ngjashme me atë film.

 

Curriculum Vitae

Emri: Artan

Mbiemri: Santo

Datëlindja: 7 shtator 1956

Vendlindja: Tiranë

Arsimimi

1976-1979 – Fakulteti i Ekonomisë, diplomohet ekonomist kontabël.

1981-1987 – Fakulteti i Shkencave Politike-Juridike, diplomohet jurist.

Eksperienca e punës

2003-2004 e në vazhdim: drejtor Ekzekutiv i Credins Bank.

2001-2002 Instituti Financiar Credins, drejtor i kreditit.

1997-2001 Banka e Kursimeve, drejtor i Përgjithshëm.

1994-1997 Banka e Kursimeve, drejtor i Drejtorisë së Huave me Probleme.

1993-1994 Banka e Kursimeve, zv.drejtor i Përgjithshëm, drejtor i Degës Tiranë.

1992-1994 Banka e Kursimeve, zv.drejtor i Përgjithshëm – drejtor i Kreditit.

1991-1992 Banka e Kursimeve, specialist krediti.

1989-1990 Banka e Shtetit Shqiptar, shef i sektorit studimor në Drejtorinë e Kambizmit

1990-1991 Banka e Shtetit Shqiptar, zv.drejtor i Drejtorisë së Jashtme.

1984-1991 Instituti i Studimeve Ekonomike, Sektori i Studimit të Ekonomisë Botërore bashkëpunëtor tekniko-shkencor.

1981-1984 Ndërmarrja Tregtare Industriale Tiranë, kryerevizor.

Comments are closed.