Standard.al

Shtyhet pa votim terminali/ Ndahen këshilltarët e majtë, PS kundër, LSI pro. Të djathtët: Po bllokoni projektin e qytetarëve

terminaliKëshilli Bashkiak/ Votat për terminalin e pasagjerëve ndajnë këshilltarët e PS-së dhe ata të LSI-së

Kreu i Këshillit shtyn aktin pa votim, të djathtët: Po bllokoni një projekt të rëndësishëm

 Bozdo: Terminali i jep zgjidhje trafikut, mjedisit dhe ekonomisë së qytetit

Terminali i pasagjerëve nuk ka marrë votën e Këshillit Bashkiak, kjo për shkak të shtyrjes së votimit nga ana e këshilltarëve të majtë. Mbledhja e Këshillit është shoqëruar me debate të ashpra mes këshilltarëve të djathtë dhe të majtë. Kreu i grupit të këshilltarëve të majtë, Gent Gazheli, dhe kryetari i Këshillit, Aldrin Dalipi, që në fillim të mbledhjes kanë shprehur rezerva për projektin, duke kërkuar shtyrjen e votimit për ndërtimin e terminalit të pasagjerëve. Këshilltarët e majtë kanë shprehur qëndrimin e tyre pro këtij projekti, por kanë kërkuar shtyrjen e tij, për shkak se ka probleme juridike. Por për anëtarin e LSI-së në Këshill, Shezai Rrokaj, këshilltarët e majtë duhet të shpjegojnë konkretisht nëse ka ndonjë problem ligjor, në të kundërt, sipas tij, nuk ka arsye për të votuar kundër këtij projekti. “Unë s’gjej arsye që të jap votën kundër këtij projekti, por nëse ka një problem ligjor, u lutem këshilltarëve të majtë të na i shpjegojnë konkretisht. Për vepra të mëdha duhet të votojmë unanimisht”, – tha Rrokaj. Kreu i grupit të këshilltarëve të djathtë, Njazi Kosovrasti, kundërshtoi të majtët duke theksuar se projekti nuk shfaq asnjë pengesë juridike, prandaj duhet mbështetur edhe me votën e Këshillit. Sipas Kosovrastit, këshilltarët e majtë të marrin të gjithë kohën që duan për të miratuar këtë projekt kaq të rëndësishëm për Tiranën. Por Eridian Salianji ka këmbëngulur që të majtët të shtynin votimin e këtij projekti, për shkak se duhet të verifikohet pronësia mbi truallin. Për këshilltarët e djathtë këto janë justifikime për të bllokuar një projekt që do t’i shërbejë çdo qytetari që jeton në kryeqytet. Kryetari i Këshillit Bashkiak në fund të diskutimeve ka vendosur që akti të shtyhet pa votim, gjë që ka sjellë edhe kundërshtimet e ashpra nga këshilltarët e djathtë.

 

Prezantimi i projektit

Nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, që në fillim të mbledhjes ka bërë një prezantim të projektit. Fillimisht këshilltarët u njohën me studimin e fizibilitetit, anën teknike. Këshilltarët u njohën me ndikimin e tij në mjedis si dhe me disa të dhëna të rëndësishme, indikatorë e tregues financiarë që tregonin se projekti është i gatshëm që t’i ofrohet tregut dhe të gjendet zhvilluesi privat. “Ky projektvendim është ndër projektvendimet më të rëndësishme që Bashkia e Tiranës propozon sot për miratim në Këshillin Bashkiak. Pas një granti të akorduar nga qeveria italiane, Bashkia e Tiranës ka punuar prej 18 muajsh në bashkëpunim të ngushtë me konsulentët për të paraqitur në formën përfundimtare këtë projekt. Bëhet fjalë për ndërtimin me anët të partneritetit publik-privat të terminalit të transportit publik në Tiranë, me një truall prej 85 000 m2 të vendosur në hyrje apo dalje të Tiranë”, – tha Bozdo. Më tej nënkryetari i Bashkisë shpjegoi se me terminalin do të zgjidhet dhe çështja e trafikut në Tiranë. “Besoj se i japim një zgjidhje qytetit dhe pa kosto. Një zgjidhje të shpejtë të nivelit shumë të lartë që ka shumë dimensione, jo vetë çështja e trafikut, por ndikimi mjedisor dhe ndikimit në ekonominë e qytetit. E gjithë kjo propozohet para këshillit për të marrë miratimin dhe shpresojmë se do ta kemi miratimin që edhe kjo vepër që nuk ndërtohet sot, ka një kohë ndërtimi. Shpresojmë që vitin tjetër të hidhet guri i parë i ndërtimit, është zgjidhje e qëndrueshme për Tiranën e dekadës që vjen”, – theksoi Bozdo.

 

Debatet, Dibra: Askush nuk mund të bllokojë projektin. Salianji: Ke blerë vendin në Këshill

Ndërkohë që Këshilli Bashkiak po diskutonte projektvendimin për ndërtimin e terminalit të pasagjerëve, këshilltari i djathtë Gazmend Dibra dhe këshilltari i majtë Eridian Salianji kanë debatuar ashpër, duke lëshuar dhe akuza të rënda ndaj njëri-tjetrit. “Asnjë jurist, tullac apo me flokë nuk ka moralin të pengojë terminalin e pasagjerëve”, – iu drejtua Dibra Salianjit. Akuzat e këshilltarit të majtë ishin akoma dhe më të rënda duke e akuzuar Gazmend Dibrën: “Je hajdut, nuk mund të të besosh ty. Ti ke blerë vendin që je aty me shantazh”.

 

Çfarë do të përmbajë projekti i terminalit të pasagjerëve

Ky terminal do të ketë 340 vendparkime, 5 platforma treni dhe 3 platforma për tramvajin. Në vitin e parë të operimit në terminal, do t’u shërbehet 60.000 pasagjerëve dhe në vitin 2035, 220 mijë udhëtarëve. Ndërtimi i terminalit do të mundësojë reduktimin e ndjeshëm të ndotjes në qytet. Afro 2500 litra nafte nuk do të digjen brenda qytetit çdo ditë, 5 – 6 tonë CO2 në ditë nuk do të emetohet në mjedis. Qyteti do të ketë 3.1 km parkim të lire, që sot zihet nga rreth 192 autobusë të linjave interurbane dhe ndërkombëtare. Qyteti do të ketë çdo ditë 2310 mjete më pak në qarkullim, duke sjellë një çlirim të trafikut. Vlera e ndërtimit të këtij projekti është përllogaritur në afro 41 milionë euro, norma e brendshme ekonomike e kthimit është 20.58%, ndërsa ajo financiare është 17.2%, çka konfirmojnë fizibilitetin ekonomik dhe financiar të projektit. Ndërtimi i terminalit do të realizohet në partneritet publik – privat (PPP), çka do të thotë se i gjithë investimi, kosto e funksionimit dhe mirëmbajtjes përballohet nga investitori.

 

 Provimet e maturës/ Rezultatet e dobëta, Tirana prodhon më shumë mbetës

Qarku i Tiranës ka shënuar numrin më të lartë të maturantëve mbetës në provimin e Matematikës. Më pas vjen Durrësi, Shkodra, Fieri. Të dhënat bëhen publike nga drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, e cila thotë se në të gjithë vendin në provimin e Matematikës mbetën më shumë se 10 mijë të rinj. “Tirana ka numrin më të madh të maturantëve jokalues rreth 1 mijë e ca maturantë. Si Durrësi i treti në listë rreth 1 mijë maturantë ngelës, Fieri gjithashtu. Devolli rezulton vetëm me 2 nxënës ngelës. Në Tiranë mbi 700 nxënës kanë marrë notën 10, sikur edhe 50-pikëshin”, – tha Rozana Vrapi. Në provimin e Matematikës thotë drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Provimeve mbizotëron nota 5 dhe 6, ndërsa në atë të Letërsisë nota 7. ”Ajo që sundon më shumë po të nisemi nga statistikat është nota 6, dhe në raport me Gjuhën shqipe është 7-ta, kurse në Matematikë është 5 dhe 6. Në Matematikë ka një hendek të them të drejtën e ekstremeve, pra është 4 dhe 5, notë kaluese dhe jo kaluese dhe nota 10 dhe 9 dhe mungon nota qendrore te 7 dhe 8”, – theksoi drejtorja e AKP-së. Aktualisht po punohet për vlerësimin e provimeve të fundit të maturës atyre me zgjedhje, ku rezultati i tyre pritet të shpallet në fund të këtij muaji. Më pas të rinjtë do të kenë pikët e tyre dhe kjo do të jetë faza e fundit që do të shpallë edhe fituesit e universiteteve. Këtë vit nuk do të ketë më formular A3, çka do të thotë se nuk ka më faza të dyta e të treta, regjistrim në universitete. Fituesit do të regjistrohen vetëm një herë dhe për të gjithë do të nisë viti akademik në të njëjtën kohë.

Comments are closed.