Shtyhet mbledhja / Deputetët thyejnë sërish urdhrin e Ramës,  PS gati zëvendësimet e reja në komisione

0
156

Florenc Drizari

 kom sigurise10 deputetë të pranishëm në mbledhje nga 26 që ka komisioni në tërësi

Komisioni për Sigurinë Kombëtare nuk arriti dje shqyrtimin nen për nën të projektligjit “Për shërbimin për ankesat dhe çështjet e brendshme, në “Ministrinë e Punëve të Brendshme”, dhe shkak për këtë u bë mungesa e deputetëve në mbledhje. Pas bojkotit të përkohshëm që opozita ka vendosur ti bëjë institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, pas vendimit të Byrosë së Kuvendit për pezullimin me 10 ditë nga aktivitetet parlamentare të ish-kryeministrit Sali Berisha, mazhoranca tregon vështirësi në plotësimin e kuorumeve në mbledhjet e komisioneve parlamentare. Edhe pse Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetar i Partisë Socialiste, i ka bërë thirrje deputetëve në mbledhjet e grupit parlamentar që të mos mungojnë në mbledhjet e komisioneve, në mënyrë që puna me miratimin e ligjeve të eci sa më shpjet, duket se ky urdhër nuk është zbatuar plotësisht nga ligjvënësit e majtë, ndërsa rasti i djeshëm është i përsëritur edhe pak javë më parë në Komisionin e Sigurisë dhe në atë të veprimtarisë prodhuese. Më herët, Rama është treguar edhe më i prerë me deputetët e tij, duke thënë se performanca e secilit prej ligjvënësve në komisionet parlamentare dhe në seancat plenare, do të jetë një kriter kryesor për të qenë apo jo në listat zgjedhore të 2017-ës.

Ndërkaq, në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Sigurisë ishin të pranishëm rreth 10 deputetë të mazhorancës, ndërsa për fillimin e mbledhjes duhet të jenë të pranishëm 14 deputetë, nga 26 që ka në tërësi ky komision. Pasi priten për disa minuta ardhjen e kolegëve të tyre në komision, deputetët u detyruan ta shtynin mbledhjen për një seancë tjetër. Sipas përfaqësuesve të shumicës parlamentare ky fenomen ndodh për faktin se shumë prej deputetëve bëjnë pjesë në më shumë see një komision dhe kjo shkakton përplasje oraresh dhe axhendash. Lidhur me mungesat në komisionet parlamentare, burime pranë PS-së theksojnë se mazhoranca pritet të shtojë listën e deputetëve në Komisionin e Sigurisë me tre emra të tjerë. Kjo nisëm sipas tyre nuk përjashtohet edhe për komisionet e tjera parlamentare, ndërkohë që në Komisionin e Sigurisë Kombëtare për deputetët kërkohet edhe pajisja e tyre me certifikatat e sigurisë. Për të qenë anëtar të këtij komisioni fillimisht emrat duhet të votohen në seancë plenare, ndërkohë që zëvendësimi është në dorën e krerëve të grupeve parlamentare, në këtë rast të PS-LSI-së. Për sa i përket opozitës, ajo është e përfaqësuar në këtë komision me 9 anëtarë, 7 nga Partia Demokratike dhe 2 nga PDIU-ja.

 

Projektligji

Komisioni për Sigurinë Kombëtare pritet të miratoi nen për nen projektligjin “Për shërbimin për ankesat dhe çështjet e brendshme, në “Ministrinë e Punëve të Brendshme”. Më herët përfaqësues të ministrisë së Brendshme kanë thënë se qëllimi i këtij projektligji është përmirësimi, forcimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i kapaciteteve të këtij shërbimi, organizimi i tij sipas një modeli edhe më demokratik, në zbatim të parimeve të respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të individit.

Përfaqësuesit e qeverisë theksojnë se me këtë projektligj synohet afrimi i shërbimit më pranë qytetarit, aktivizimi i kontrollit civil ndaj Policisë së Shtetit, strukturës përgjegjëse për ruajtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe strukturës së mbrojtjes nga zjarri dhe për shpëtimin, përshtatja e shërbimit me ndryshimet bashkëkohore të shërbimeve homologe etj.

 

 Rama deputetëve: Jo të gjithë në listat e 2017-ës

 Rreth dy javë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe kreu i PS-së, bashkë me kryetarin e grupit parlamentar Gramoz Ruçin, i kanë tërhequr vërejtje deputetëve lidhur me performancën dhe mungesën në komisionet parlamentare. Mësohet se kreu i PS-së u është drejtuar deputetëve se disa prej tyre e marrin rrogën kot pa dhënë ndonjë kontribut konkret, duke e lidhur ketë me pasivitetin në seancat plenare dhe debatet në komisionet parlamentare, përfshirë këtu edhe iniciativat për amendamente e propozime. Nga ana tjetër, kreu i PS-së, Edi Rama ka qenë i prerë kur ka thënë se mungesa e të qenit aktiv për deputetët në jetën politike të vendit, do t’i penalizojë ata për të qenë sërish në krye të listës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Një qëndrim i tillë mbahet nga kreu i PS-së rreth një vit kur kjo forcë politike doli si subjekti i parë me rezultatin më të lartë në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Po ashtu nga kjo mbledhje është theksuar se do të monitorohet puna dhe lëvizjet e çdo deputeti lidhur me veprimtarinë e tij politike.

 

Reforma territoriale ndryshon balancat, 6 mijë këshilltarë bashkiakë në gjithë vendin

Ndryshimet që pritet të sjellë reforma administrative-territoriale, e ndërmarrë nga mazhoranca, pritet të ketë efekte edhe në numrin e këshilltarëve bashkiakë në gjithë vendin. Aktualisht, sipas përfaqësuesve të kësaj nisme, numri i këshilltarëve nuk është i barabartë, krahasuar me qendrat e zhvilluara urbane dhe ato rurale. Një ditë më parë ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, ka shpjeguar para këshilltarëve vendorë në të gjithë vendin rëndësinë e reformës administrative-territoriale, ndërsa kryetari i kësaj shoqate, Aldrin Dalipi, foli për një disbalancë të numrit të këshilltarëve në njësi vendore të vogla kundrejt bashkive të mëdha. “Edhe në numër këshilltarët janë 6 mijë në total, por shpërndarja dhe përfaqësimi i tyre mbetet i pabarabartë dhe kjo duhet të ndryshojë. Në Tiranë përfaqësimi është 1 këshilltar për 10 mijë banorë, ndërsa në komuna 1 për 500 deri në 1.500 banorë. Shoqata e këshilltarëve mendon se shpërndarjet e ardhshme duhet të jenë më të drejta dhe këshillat të kenë ndarje më të balancuar”, – deklaroi Dalipi.

Nga ana e tij, ministri Bledi Çuçi theksoi se reforma nuk ka asnjë qëllim politik dhe se synon përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, me kosto më të ulët. “Është një nga reformat më të rëndësishme për të bërë të mundur që decentralizimi të ketë gravitetin e duhur, pasi me këtë fragmentim territori që kemi sot, vetëm 15 për qind e njësive vendore arrijnë të realizojnë kompetencat dhe funksionet që u jep ligji. Pra, 85 për qind e njësive vendore nuk janë të afta të realizojnë kompetencat e njohura me ligj”,-theksoi ministri Çuçi. Aktualisht për ndarjen e re territoriale të vendit ka debate dhe përplasje qëndrimesh mes pozitës dhe opozitës. Përfaqësues të pakicës parlamentare kundërshtojnë nismën e qeverisë si të njëanshme dhe tendencioze për të ndikuar në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor, ndërsa përfaqësues të mazhorancës në deklaratat e tyre kanë thënë se janë të hapur për të pritur opsionet e opozitës dhe ndërkohë, janë shprehur të vendosur për ta përmbyllur këtë nismë brenda këtij sesioni parlamentar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency