Mos fshih interesat vetjake, as epërsinë

0
149

freedom“Shqetësimi ynë është drejtësia”

Tërnbulli – Ne duam të dimë nëse kemi paguar më tepër se ç’duhet apo jo. Kur të jemi të bindur se qiraja e paguar është në masën e duhur për sa kohë qëndruam në apartament, atëherë ne do ta quajmë këtë çështje të mbyllur dhe do të largohemi.

 Analizë. Tërnbulli merr një qëndrim parimor dhe bën të ditur synimin e tij për ta mbrojtur atë. Ai duhet të bindet mbi bazën e parimit. Në të njëjtën kohë, duke përdorur këtë parim, ai ia bën të ditur zonjës Xhons se është i hapur për të diskutuar. Kështu që ajo nuk ka ndonjë alternativë tjetër veçse të gjykojë me të në përpjekje për të arritur interesat e saj.

Tërnbulli nuk merr një qëndrim të drejtë parimor të mbështetur nga çfarëdo fuqie që ai zotëron. Jo vetëm interesat e tij janë parimore, por edhe mjetet që synon të përdorë. Ai pohon se interesi i tij është një balancë e drejtë ndërmjet qirasë së paguar dhe kohës së qëndrimit. Nëse bindet se qiraja e paguar është e drejtë për kohën që ka qëndruar në apartament, ai do të largohet. Nëse qiraja e paguar është më e madhe, ai nuk duhet të ikë derisa qiraja dhe koha e qëndrimit të jenë në balancë.

 

“Ne duam ta zgjidhim këtë çështje mbi bazën e standardeve të pavaruara e jo duke u nisur nga ajo çka mund t’i bëjmë njëri-tjetrit.”

 Zonja Xhons – Është qesharake që ju na flitni për drejtësi, sepse ajo që në të vërtetë po thoni, është se ju dhe Poli thjesht doni para dhe po përfitoni nga fakti që jeni ende në apartament për të na i marrë ato. Kjo vërtet më zemëron! Nëse do të veproja siç duhet, ju dhe Poli do të dilnit që sot nga apartamenti.

Tërnbulli (mezi po e përmbante zemërimin) – Mbase nuk isha i qartë. Kuptohet që do të ishte mirë nëse unë dhe Poli do të merrnim ca para. Natyrisht, ne mund të përpiqeshim edhe të qëndronim këtu në apartament derisa ju të na dëbonit. Por s’është ashtu, zonja Xhons.

Më e rëndësishme sesa të marrim disa dollarë, për ne është të ndiejmë se po na trajtojnë në mënyrë të drejtë. Askujt nuk i pëlqen të ndihet i mashtruar. Nëse do ta kthenim këtë në një çështje se kush do të dilte më i forti dhe do të kundërshtonim të largoheshim, do të na duhej të shkonim në gjykatë, të humbisnim shumë kohë dhe para e të përfundonim me një dhembje të madhe koke. Edhe ju po ashtu. Kush e dëshiron këtë?

Jo, zonja Xhons, ne duam ta zgjidhim problemin në mënyrë të drejtë mbi bazën e disa standardeve të pavarura e jo të mendojmë se çfarë mund t’i bëjmë njëri-tjetrit.

 Analizë. Zonja Xhons e vë në dyshim idenë e negocimit mbi bazën e parimit, duke e quajtur atë një pretendim qesharak. Është çështje dëshire, dhe dëshira e saj është t’i flakë jashtë Tërnbullin dhe shokun e tij të dhomës që sot.

Në këtë pikë Tërnbulli pothuajse e humbi gjakftohtësinë – dhe së bashku me të edhe kontrollin mbi negocimin. Atij i vjen të kundërsulmojë: “Do të doja të shihja se si do të na nxirrnit jashtë! Ne do të shkojmë në gjykatë. Do t’ua heqim licensën!” Dhe këtu negocimi do të ndërpritej e Tërnbulli do të humbiste mjaft kohë, përpjekje si dhe qetësinë. Por, në vend që të kundërveprojë, Tërnbulli ruan gjakftohtësinë dhe e kthen negocimin përsëri te meritat. Ky është një shembull i mirë i negocimit të tipit “xhuxhicu”. Ai e shmang sulmin e zonjës Xhons, duke pranuar përgjegjësi për perceptimet e saj të gabuara dhe përpiqet ta bindë lidhur me interesin e tij të sinqertë te parimi. Ai nuk i fsheh as interesat e tij vetjake e as epërsinë e tij mbi të; përkundrazi, ai i shpreh qartë. Sapo ato të pranohen, ai mund t’i ndajë nga meritat dhe atonuk do të përbëjnë më një problem.

Tërnbulli gjithashtu përpiqet t’i japë lojës së negocimit parimor njëfarë rëndësie, duke i thënë zonjës Xhons se kjo është rregulla e tij bazë – mënyra se si ai luan gjithmonë. Ai nuk ua atribuon këtë motiveve të larta – të cilat gjithnjë vihen në pikëpyetje – por interesave të tij të thjeshta.

 

“Besimi është një çështje tjetër”

 Zonja Xhons – Nuk keni besim tek unë? Pas gjithçkaje që kam bërë për ju?!

Tërnbulli – Zonja Xhons, e vlerësojmë gjithçka që keni bërë për ne. Por kjo nuk është çështje besimi. Është çështje parimi. A paguam ne më shumë se ç’duhej? Cilët faktorë duhet të marrim parasysh për ta zgjidhur këtë?

 Analizë. Zonja Xhons përpiqet ta vendosë Tërnbullin në një situatë të vështirë. Ai ose do të vazhdojë argumentin dhe do të duket se nuk ka besim, ose do të duket se ka besim dhe do të dorëzohet. Por Tërnbulli del me kujdes nga situata, duke shprehur edhe një herë mirënjohjen e më pas duke e përcaktuar çështjen e besimit si të pavend. Ai menjëherë ripohon vlerësimin e tij për zonjën Xhons, ndonëse mbetet i prerë ndaj parimit. Për më tepër, ai jo vetëm e kalon çështjen e besimit, por në mënyrë aktive e drejton diskutimin nga parimi, duke e pyetur zonjën Xhons se cilët faktorë kanë të bëjnë me çështjen.

Tërnbulli i përmbahet parimit, pa e fajësuar zonjën Xhons. Ai kurrë nuk e quan atë të pandershme. Ai nuk pyet: “A përfituat nga ne?”, por në një mënyrë më të papërcaktuar: “A paguam më shumë se ç’duhej?” Edhe pse nuk ka besim tek ajo, do të ishte një strategji e dobët t’ia thoshte këtë. Ndoshta ajo do të vihej në pozita mbrojtëse e do të zemërohej dhe, ose do të tërhiqej në një pozicion të ngurtë, ose do ta ndërpriste fare bashkëbisedimin.

Ju ndihmon të përdorni shprehje standarde, si për shembull: “Nuk është çështje besimi”, për të shmangur marifete të tilla si kërkesa e zonjës Xjons për besim.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency