Italia: Evropë, ndrysho o humb!

0

Alba Kepi

Loading...

kerry dhe malik Bruksel – Vetëm pak ore nga nisja e samitit të Brukselit të 26-27 qershorit, qeveria italiane i dorëzon Këshillit të Evropës një manifest të vërtetë politik ku kërkon “një fillim të ri për Evropën, një ndryshim të fortë të institucioneve evropiane”.

Dokumenti, i cili do t’u dorëzohet 28 vendeve anëtare të BE-së në ditën e parë të punimeve të këtij takimi, ilustron linjat programatike që Italia dëshiron të ndjek prej datës 1 korrik kur do të nis dhe Presidenca evropiane e saj.

Me një citim nga “Një jetë e re” e poetit të madh kombëtar Dante Alighieri “Nomina sunt consequentia rerum”, pra “Emrat janë konsekuenca e fakteve”, qeveria italiane kërkon ndryshimin e axhendës politike evropiane. Ka ardhur momenti për të kërkuar një strategji politike efikase “për të risjellë rimëkëmbjen ekonomike, vende pune dhe promovimin e kohezionit”. Për Kryeministrin Matteo Renzi, “Evropa sot jeton në një mërzitje të thellë e mbi të gjitha në mërzitjen e qytetarëve të saj, që e shohin veç si një bashkësi rregullash, si një Evropë që në kohën e big data, është e zhytur nga numrat dhe e privuar nga shpirti”.

Italia shpreson që Presidenti i ri i Komisionit Evropian të jetë novativ e i guximshëm, të kërkojë respektimin e rregullave evropiane, por edhe të ketë kurajon për të menduar jashtë skematizmit. Nuk kanë rëndësi emrat se kush do të vihet në krye të Komisionit Evropian, të Parlamentit apo të Këshillit të Evropës, para së gjithash duhet vendosur se “ku do të shkojmë e më pas se kush do të na drejtojë”. Zgjedhjet e majit, vota evropiane dëshmoi një distancim të fortë të qytetarëve nga Evropa, nga politika e saj ekonomike që ka përcaktuar postin e çdo vendi anëtar në botë. Emrat janë konsekuenca e ideve dhe Italia propozon daljen nga ajo lojë emërimesh si një akt i detyrueshëm i rezultatit të zgjedhjeve dhe hartimin e një seri linjash strategjike për të zhvilluar BE e institucionet e saj deri më 2017.

Në dhomën e senatit të Parlamentit Evropian ku Kryeministri Renzi prezantoj paraprakisht këtë manifest politik u shpreh se “Evropa sot është vendi i utopisë, duke konsideruar faktin se ka zgjedhur të ndërtoj 70 vjet paqe në një vend lufte. Italia sot është një vend i fortë, ka autostimën e autoritetin për t’u ulur në tavolinat e BE-së me vetëdijen e këmbënguljen e duhur se duhet të thotë diçka”.

Prej 1 korrikut 2014 e deri në fund të vitit i takon Italisë të rinisë Evropën me një fillim të ri, pa një grindje për emërimet që do të ishte e pakuptueshme në sytë e qytetarëve evropianë.

“Nëse Evropa nuk ndryshon drejtimin e marshit, nuk ka zhvillim e rritje ekonomike!”

Qeveria italiane propozon një paketë reformash të zbatueshme në 1000 ditë prej 1 shtatorit 2014 deri më 28 maj 2017.

“Në vitet e fundit, – lexohet në dokumentin italian dorëzuar Presidentit në largim të Këshillit të Evropës, Herman von Rompuy, – ka pasur një rënie dramatike të investimeve, si publike ashtu dhe private, përballë një paqartësie makroekonomike kompleksive e një tregu të fragmentizuar. Italia kërkon një inkurajim të reformave strukturore në nivel kombëtar si një pilastër të axhendës së re politike të Evropës. Reformat janë motori kryesor i rritjes, nëse mundi i punës është kryer me konsensus të gjerë kombëtar e të njëkohshëm me vendet e tjera anëtare. Rregullat e hekurta evropiane ndaj bilancit ekonomik duhen spostuar për një zhvillim ekonomik, një axhendë pune pozitive që favorizon rritjen e sistemin e punës. Sipas qeverisë italiane Evropa është sot para një udhëkryqi historik; o të pranojë një periudhë të gjatë e të rrezikshme të një rritje të dobët e papunësi të madhe, o të stimulojë prirjet makroekonomike (boosting macroeconomic prospects).

Për të nxitur rritjen ekonomike evropiane, Italia propozon disa linja aksioni; 1- t’i japë prioritet këtij aspekti në të gjitha politikat evropiane pavarësisht instrumentit të koordinimit të politikave kombëtare 2- inkurajimi i reformave strukturore kombëtare e inovacioni duke marrë parasysh kohën që duhet për të prodhuar efekte pozitive; 3- vënia e theksit në ekonominë reale duke nxitur konkurrencën e industrisë me synim “rilindjen industriale”; 4- financimi i rritjes ekonomike me një sërë iniciativash që do të mundin të korrigjojnë këtë rënie dramatike të investimeve publike e private karakteristike e viteve të fundit e në mënyrë të veçantë në infrastrukturën e nevojshme të zhvillimit të tregut unik në energji (rrjetet e transmetimit te energjisë elektrike e interkonjieksione) si dhe atë të komunikimeve elektronike; 5- të punohet për të thelluar idenë e Bashkimit Monetar Evropian me qëllim forcimin e aftësisë së Eurozonës për t’ rezistuar krizave asimetrike duke menduar seriozisht në futjen e stabilizatorëve ekonomikë qe garantojnë qëndrueshmëri e subvencionin e papunësisë.

Evropa dhe emigracioni – “Kur në det ka kufoma dhe Evropa kthen shpinën, atëherë ajo nuk është më e denjë të quhet Evropë e civilizimit”.

Prej 1 janarit 2014 e deri më 17 qershor 2014 në brigjet italiane kanë zbarkuar 58 mijë emigrantë, kryesisht nga Siria dhe Afrika e Veriut. Italia si vendi i parë i hyrjes së tyre në territorin e Bashkimit Evropian, sipas Traktatit të Dublinit, ka përgjegjësinë t’i mirëpresë në kushte dinjitoze e t’u garantojë rindërtimin e një jete. Ky duhet të jetë dhe impenjimi kryesor i Evropës gjatë gjashtëmujorit të dytë të 2014. “Një Evropë që na mëson, – shprehet Kryeministri italian Renzi, – në detaje se si duhet peshkuar toni o peshku shpatë, që i shpjegon peshkatarit kalabrez se si duhet përdorur një teknikë peshkimi, e që ndërsa diskuton për peshqit në det ka kufoma e ajo kthen shpinën, atëherë Evropa nuk është më e denjë të quhet Evropë civile”.

Tema e emigracionit do të jetë dhe argumenti kryesor që do të merret në shqyrtim ditën e parë të samitit të Brukselit më 26-27 qershor. Italia do të kërkoj që operacioni Mare Nostrum të jetë pjesë dinamike e Frontex e jo më e Frontex plus. Qeveria italiane nuk do të jetë e ashpër me skafistët, që janë vetëm një instrument i organizatave kriminale internacionale e që mund të eliminohen vetëm falë një operacioni bashkëpunimi me të gjitha forcat ndërkombëtare. Italia ankohet se gjatë muajve të fundit nga Evropa janë shfaqur qëndrime e marrje pozicioni deri në “limite ksenofobe” e se civilizimi për të shpëtuar jetë njerëzish në mes të detit nuk duhet të jetë një prerogativë e vetëm një shteti”.

 

Një italiane në vend të baroneshës Catherine Ashton

Sipas “rumors”, Federica Mogherini, aktualisht ministre e jashtme Italiane, është kandidatja e propozuar nga Matteo Renzi për postin e Komisionerit të Lartë për Çështjet e Jashtme e Sigurinë në Bashkimin Evropian, vend që deri më sot është mbuluar nga baronesha Catherine Ashton. Lajmi i një italianeje në krye të diplomacisë evropiane është përvjellë gjatë orëve të fundit dhe nga mjaft media të huaja, ndërsa vetë Mogherini ka komentuar: “Unë në BE? Është një hipotezë!”

Loading...