Fullani vijon refrenin: Ekonomia mund të bëjë më shumë!

0
123

Ervin Kaduku

bsh Inflacioni vjetor ishte 1.6% në maj, duke shënuar rënie të lehtë krahasuar më muajin e mëparshëm.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka lënë në fuqi normën e fundit bazë të interesit, në nivelin 2.5 për qind. “Në gjykimin e Këshillit, transmetimi gradual në tregjet financiare i uljeve të mëparshme të normës bazë të interesit do të krijojë kushte të përshtatshme monetare për të siguruar kthimin e inflacionit në objektiv në një periudhë afatmesme”, – thuhej në komunikatën zyrtare të BSH.

Në një konferencë për shtyp, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha se inflacioni vjetor ishte 1.6% në maj, duke shënuar rënie të lehtë krahasuar më muajin e mëparshëm. Rënia erdhi kryesisht si rrjedhojë e tkurrjes së çmimeve së shërbimeve mjekësore, ndërsa grupet e tjera nuk ndryshuan shumë. Sipas Fullanit, ecuria e çmimeve të konsumit vazhdon të pasqyrojë presionet e dobëta inflacioniste si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Hendeku i prodhimit nuk favorizon rritjen e prodhimit dhe pagave, ndërsa kursi i këmbimit është i qëndrueshëm. Edhe pritshmëritë janë të ulëta për inflacionin në vijim.
Të dhënat e tërthorta sinjalizojnë për rritje të lehtë të prodhimit në muajt e parë të vitit, si nga kërkesa e brendshme ashtu dhe e huaj. Politika fiskale ka qenë konsoliduese dhe nuk ka mbështetur rritjen në ekonomi. Deficiti buxhetor ka qenë 68% më i ultë se një vit më parë, tha Fullani. Të ardhurat fiskale u rritën me 9%, ndërsa shpenzimet ranë me 7.5%. Kjo politikë është në linjë me kërkesën e Bankës së Shqipërisë, theksoi Fullani, megjithatë Banka e Shqipërisë kërkon një shpërndarje më të njëtrajtshme të shpenzimeve.
Rimëkëmbja e qëndrueshme vijon të pengohet nga pasiguritë e individëve dhe bizneseve, që nuk marrin përsipër rrezik nga sektori real dhe financiar, tha Fullani.
BSH pret përmirësim të konsumit dhe investimeve private duke reflektuar dhe politikën monetare lehtësuese të ndjekur prej saj.
Përmirësimi i kërkesës së huaj dhe dinamika e disa sektorëve u reflektuan në një rritje prej 10.3% të eksporteve në prill. Megjithatë deficiti tregtar u rrit, si pasojë e zgjerimit të importeve me 6%.
Situata energjetike vijon të rëndojë bilancin tregtar të vendit, theksoi Fullani. Megjithatë ai shtoi se eksportet pritet të përshpejtohen.
Presionet e ulëta inflacioniste dhe rritja nën potencial kanë ndikuar në ndjekjen e një politike monetare lehtësuese. Fullani theksoi se ulja e fundit rezulton të jetë përcjellë e plotë në tregun ndërbankar dhe në atë të letrave me vlerë të qeverisë dhe janë krijuar premisat për përcjelljen në lehtësimin e kostos së kredisë, tha Fullani, duke kërkuar më shumë reagim nga sistemi bankar.
Kërkesa e ekonomisë për mjete financiare mbetet e dobët. Kredia në prill ra rreth 2%. Ka pasiguri në të dy kahet, tha Fullani.
Përmirësimi i qëndrueshëm i kreditimit do të njekë përmirësimin e aktivitetit ekonomik në vend, tha Fullani. Ekonomia pritet të rritet në mënyrë graduale, me një rritje më të përmirësuar në gjysmën e dytë e vitit, megjithatë rritja do të mbetet nën potencial, theksoi guvernatori.

 

Uljet dhe reagimi
Vetëm një muaj më parë Banka e Shqipërisë uli normën bazë në një nivel rekord të ulët historik, duke e çuar në 2.5%, në përpjekje për të nxitur ekonominë e sëmurë nga kriza.
Që nga viti 2009, Banka qendrore ka ndjekur një politikë të vazhdueshme lehtësuese monetare, Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë të vazhdueshme monetare lehtësuese, duke reduktuar normën bazë nga 5.25% në fund të 2009-s në 3% në fund të 2013-s. Kjo politikë ka vijuar dhe në pjesën e parë të 2014-s, me normën bazë që është ulur 2 herë gjatë këtij viti, duke arritur aktualisht në 2.5%.
Por kjo politikë, më shumë se në uljen e kostos së parasë në ekonomi (rënien e interesave të kredisë) është reflektuar në reduktimin e kostos së borxhit për qeverinë.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e yield-it (interesit) të bonove të thesarit në vitin 2013 ishte 3.66%, nga 9.14% në vitin 2009, një rënie drastike kjo me 5.45 pikë përqindjeje.
Në të kundër, kosto e kredisë, (tkurrja e të cilës është qëllimi kryesor i politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë) ka rënë nga 12.46% në 9.52%, duke u tkurrur me 2.94 pikë përqindjeje.

 

 Në rënie transporti detar

Transporti i mallrave përmes rrugëve detare shënoi ulje të ndjeshme gjatë vitit 2013. Pas portit të Durrës edhe ai i Vlorës, i dyti më i madh në vend sipas statistikave zyrtare ka shënuar gjatë vitit të kaluar rënie të transportit të mallrave me rreth 70%, duke llogaritur në total shifrën e rreth 63 mijë ton nga rreth 110 mijë që ishin transportuar në vitin 2012. Sipas të dhënave nga Autoriteti Portual i Vlorës edhe numri i anijeve të përpunuar gjatë vitit të kaluar u ul ndjeshëm duke numëruar vetëm 27 nga rreth 56 anije që u përpunuan në vitin paraardhës. Çimentoja është malli më i transportuar nga ky port dhe sasia e tij për vitin 2013 u ul në rreth 57 mijë ton nga rreth 110 mijë ton që u transportuan në vitin paraardhës.

——

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency