Nuk ka numra për qeveri të qëndrueshme

0
154

Evropaelirë.org

qeveria e kosovesNjë krizë tejet serioze politike e pret Kosovën në procesin e konstituimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit, vlerësojnë analistët politikë në Prishtinë.

Sipas tyre, interpretimi që pritet të japë Gjykata Kushtetuese, nëse përveç partisë fituese, qeverinë mund ta krijojë edhe opozita, do të qartësojë sapopak rrugën. Por, bazuar në numrat dhe fuqinë politike që kanë, qoftë PDK-ja si fituese në njërën anë, apo blloku i partive LDK, AAK dhe Nisma në anën tjetër, nuk garantojnë krijimin e një qeverie të qëndrueshme dhe funksionale.

Analisti Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se kriza politike tashmë është evidente, përderisa vendi mund të stagnojë në proceset e filluara të integrimeve evropiane, liberalizimit të vizave dhe thellimit të krizës në veri të Mitrovicës. “Në Kosovë aktualisht ka një ngërç politik, pavarësisht se çfarë do jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. ka një hapësirë që në fakt mund të prodhoj një krizë politike për një kohë pak më të gjatë gjë e cila mund ta dëmtoj qenësisht jo thjesht procesin e relacionit të ri me Bashkimin Evropian që ka Kosova, por në fakt do ta vë tërë shtetin e Kosovës në një vakuum institucional”, – vlerëson Korenica. Një krizë e tillë politike dëmton imazhin e Kosovës, por zgjidhja duhet gjetur në kuadër të formulave të koalicioneve, thotë në vijim Fisnik Korenica.

Sipas tij, ka disa ide për krijimin e një qeverie teknike por të cilën e vlerëson si formulë që nuk ofron zgjidhje. Një qeveri e tillë, nënvizon ai, nuk do të ishte e aftë të realizonte objektivat kryesore që i duhen Kosovës, e që janë reformat e thella. “Opsioni i qeverisë teknike është thjeshtë hyrje në një status kuo politike për Kosovën, sepse pa pasur një vullnet të fuqishëm politik prapa, një qeveri nuk mundet në fakt që të jetë në gjendje të bëjë ndryshime qenësore në sistemin qeverisës në vendin tonë”, – thotë Korenica. Në anën tjetër, analisti Blerim Burjani thotë se pavarësisht nëse qeveria e ardhshme do të ndërtohej nga partia fituese apo blloku opozitar, ajo nuk pritet të jetë funksionale dhe efikase, ngaqë do të ketë krizë numrash në Kuvend që nga fillimi i punës.

“Është aq shumë problematike, sa që edhe po që se të dy palët kanë të drejtë, prapë se prapë asnjëra palë nuk i ka numrat e nevojshëm në Kuvend. Të dyja palët, blloqet e mëdha politike ballafaqohen me probleme mjaft të mëdha. Ai opozitar i cili më tepër mendoj se është ndërtuar në bazë të një revolte ndaj asaj që mos të fitoj sërish Thaçi dhe PDK-ja një mandat të ri qeverisës”, – thotë Burjani.

Duke parashikuar një ngërç politik në konstituimin e institucioneve, sidomos qeverisë së re, Blerim Burjani thotë se partitë politike mund të ulen dhe të merren vesh për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse me një mandat të shkurtuar, dy vjeçar.

“Vendi ynë gjendet përballë një krize mjaftë të madhe, si asnjëherë më parë. Unë konsideroj që më së miri do të ishte të kishim një koalicion të gjerë politik me një kryeministër apartiak, i cili nuk do të vinte as nga blloku opozitar dhe as nga ai pozitar, nëse mund ta quajmë ashtu. Domethënë të kemi një kryeministër dhe qeveri me mandat dy vjeçare dhe të shkojmë në zgjedhje”, – thekson Burjani.

Gjatë kësaj jave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar të shpallë dhe të certifikojë rezultatin final të zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit. Më pas do të ketë edhe pesë ditë afat për ankesa eventuale.

Pas përfundimit të këtyre procedurave, fillon edhe rrjedhja e afatit kushtetues njëmujor për thirrjen e seancës së parë konstituive të përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës. Seanca e parë pritet të thirret nga Presidentja Atifete Jahjaga në konsultim me partitë politike. Nga ai moment, do të mbeten krejtësisht të paqarta nga aspekti kushtetues formimi i institucioneve të reja, që nga zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, për të cilin post pretendon si partia fituese e zgjedhjeve në njërën, ashtu edhe opozita në anën tjetër e deri te formimi i qeverisë së re. Kurse në rast të dështimit, vendi do të shkonte sërish në zgjedhje.

 

Beogradi në themel të barrikadës

Heqja e barrikadës me rërë dhe gurë e cila që nga korriku i vitit 2011 ishte vendosur mbi urën qendrore mbi lumen Ibër nga serbët lokal dhe rivendosja e barrikadës tjetër, të ashtuquajtur “Parku i paqes”, nga autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut, u bënë shkak i protestës së qytetarëve shqiptarëve, ditës së diel në anën jugore të lumit Ibër.

Por, cili është roli i Beogradit zyrtarë ndaj barrikadës mbi urën mbi lumin Ibër, qoftë edhe të kësaj që është vendosur së fundmi si “Parku i paqes”?

Gjatë vendosjes së barrikadës me vazo të betonit në vendin ku më parë ishte barrikada me gurë dhe rërë, aksion të cilit i printe kryetari i komunës së Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, pranë tij ka qëndruar edhe Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën. Rakiq pati theksuar se vendimin për vendosjen e të ashtuquajturit “Parku i paqes”, e ka sjellë në koordinim me shtetin e Serbisë. Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, vlerësojnë se Beogradi është iniciator dhe planifikues i këtij veprimi, i cili, siç thonë ata, u ekzekutua nga serbët lokal në Mitrovicën e veriut.

Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Beogradi po krijon situata, përmes të cilave synon t’i bishtnojë zbatimit të marrëveshjeve të arritura me Kosovën në Bruksel.

“Që ka gisht Beogradi zyrtarë në atë farë performance të turpshme mbi urën e Mitrovicës, kjo as që mund të diskutohet. Unë mendoj se Beogradi synon neglizhimin e detyrimeve që ka marrë në Bruksel dhe eventualisht, mashtrimin e opinionit publik ndërkombëtar, në këtë rast edhe të Brukselit zyrtar se kinse Serbia praktikisht po e ndërron qasjen duke u thirrur në paqe, duke krijuar kinse një ‘park të paqes’ etj.”, – thotë Matoshi. Ai shton se me veprimet mbi urën qendrore mbi lumin Ibër, Serbia vetëm po e shtynë zbatimin e detyrimeve që kanë dalë nga marrëveshja e 19 prillit në Bruksel.

Megjithatë, Beogradi, siç tha ai, vetëm po blen kohë, sepse në të kundërtën, Serbia me qasje të tillë nuk mund të bëhet anëtare e bllokut të vendeve evropiane. Në anën tjetër, kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, konsideron se heqja e barrikadës mbi urën mbi lumin Ibër është në frymën e marrëveshjes së Brukselit, por sipas tij, deklaratat e drejtuesve të qeverisë lokale në Mitrovicën e jugut, kanë mbjellë frikë tek bashkësia serbe në veri të Kosovës. Ai ka shprehur drojë se në mungesë të qeverisë qendrore, pushteti lokal, pa kontrollin e autoriteteve në Prishtinë, mund të reagoj në mënyrë të pamatur. Ai thekson se dialogu ndërmjet pushteteve lokale në veri dhe në jug të Mitrovicës,mund ta pengojnë destabilizimin e situatës së mëtutjeshme. “Bazuar në situatën specifike në Mitrovicë, unë mendoj se aty duhet gjetur një mekanizëm, në periudhën e ardhshme, që të vendoset komunikimi i drejtë për drejtë në nivelin lokal dhe në kuadër të procesit të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo gjithsesi do t’i shërbente në përshpejtimin e atij procesit dhe zbatimin në kuptimin e plotë të asaj për të cilën veq është arritur me marrëveshjen e parë të Brukselit”, – thekson Drecun.

Por, lidhur me atë se çfarë në të vërtetë dëshiron Beogradi të arrijë me “Parkun e paqes” mbi urën qendrore mbi lumin Ibër dhe a e vë ky veprim në pikëpyetje marrëveshjen e Brukselit, Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike, thotë se Beogradi në kuptimin politik-psikologjik, e ka bërë këtë veprim në kohë të gabuar. Ai thotë se kjo mund të jetë kështu, përveç në rast se po përgatiten një varg ngjarjesh, të cilat do të sjellin deri te rivënia e barrikadave në tërë veriun e Kosovës. “Mendoj se një pjesë e Beogradit mbase e do këtë. Kurrë nuk e kam dëgjuar kryeministrin Vuçiq të ketë thënë se aneksimi i Krimesë ka krijuar situatë të re gjeopolitike, të cilën duhet shfrytëzuar. Por, deklarata të tilla kemi dëgjuar nga udhëheqës partish, si dhe nga kryetari Nikoliq. Beogradi së pari duhet të tregoj se Vuçiq, Daçiq dhe Nikoliq janë në anën e njëjtë. Do të thotë, kur them një pjesë e Beogradit, është absolutisht e qartë se Lista serbe atje është bërë me diktatin e partisë së Vulinit, Lëvizjes së socialistëve dhe natyrisht, nën diktatin e qarqeve skajshmërisht të mbyllura, të cilat gjithashtu i ka koordinuar Vulini”, – tha Janjiq.

Ai ka shtuar se duke u bazuar në deklaratat, sidomos të Vulinit për Evropën dhe NATO-n, aty nuk mund të shihet vullneti për integrime evropiane. “Ky njeri nuk është për këtë, sepse për të më e përafërt është Evro-Azia. Prandaj, këtë duhet vendosur në kontekst serioz, kontekstin e presionit nga jashtë dhe ndihmës në terren, në mënyrë që, realisht, të ripërtërihet konflikti dhe që vëmendja të kthehet kah Kosova”, – ka theksuar Janjiq.

B. Bislimi

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency