Mbyllen negociatat me CEZ Group, Shqipëria do të paguajë 95 milionë euro

0

 Ervin Kaduku

cez 12CEZ do të kalojë sërish në pronësi të plotë të shtetit shqiptar, ndërmarrja e re do të paguajë 95 milionë euro për çekët e shpronësuar

Tre ministra kanë shpallur dje në Tiranë përfundimin e negociatave me kompaninë CEZ Group. Qeveria e Shqipërisë dhe Shoqëria CEZ a.s. arritën një marrëveshje për zgjidhjen me mirëkuptim të konfliktit të krijuar që prej janarit 2013, kur Enti Rregullator i Energjisë mori vendimin për heqjen e licensës së shoqërisë çeke në sektorin e shpërndarjes, deklaroi Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë. Negociatat mes palëve u zhvilluan gjatë periudhës Dhjetor 2013– Qershor 2014, me ndërmjetësimin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vienë, shtoi ai.

 

Termat

Marrëveshja e arritur mes Qeverisë së Shqipërisë dhe kompanisë CEZ a.s. ka për thelb të sajin termat sa vijon:

Transferimi i menjëhershëm në favor të shtetit shqiptar të 76 % të aksioneve të shoqërisë, të cilat zotërohen nga CEZ a.s., duke i dhënë shtetit shqiptar pronësinë e plotë të shoqërisë.

Pala çeke heq dorë nga kërkimi i vlerës 103 milion euro, të paguar për blerjen e aksioneve në vitin 2009 si dhe nga çdo pretendim tjetër financiar që lidhet me vlerën e blerjes së aksioneve dhe investimet.

Shoqëria e re e shpërndarjes së energjisë, kontrolluar tashmë nga shteti, merr përsipër të paguajë palës çeke një vlerë prej 87.1 milion euro. Kjo vlerë u dakordësua të paguhet me këste, duke filluar nga Shtatori i vitit 2014 deri në fund të vitit 2018, me një vlerë të përgjithshme interesi 7.9 milion euro mbi principalin e dakordësuar. Kjo vlerë, përfaqëson kreditë e marra dhe shumat e faturuara e të kërkueshme në çdo kohë nga ana e CEZ a.s.

Marrëveshja, parashikon se palët heqin dorë nga çdo pretendim i mëtejshëm financiar apo ligjor. Pala çeke tërhiqet nga procesi i arbitrazhit, hapur në maj të vitit 2013 sipas rregullave të UNCITRAL, mbështetur në Traktatin e Kartës së Energjisë.

Marrëveshja e dakordësuar do të aprovohet nga Këshilli i Ministrave dhe do të miratohet më pas me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë.

 

Deklarata e sekretarit të Komunitetit të Energjisë

 Zv.drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Dirk Buschle, bëri dje një deklaratë lidhur me përmbylljen e negociatave me CEZ-in.

 “Në emër të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë si dhe në cilësinë time personale si ndërmjetësues i negociatave midis Shqipërisë dhe CEZ, kam nderin të prezantoj Marrëveshjen e arritur ndërmjet të dyja palëve që kanë firmosur dje. Jam plotësisht i bindur se fillimi dhe përfundimi i këtyre negociatave bëhet për mbrojtjen e interesave më të mira të Shqipërisë dhe konsumatorëve të saj të energjisë elektrike.

Vitet e neglizhencës në sektorin energjitik e kanë lënë sektorin shqiptar të energjisë në një pozitë shumë të vështirë, me pjesë të konsiderueshme energjie elektrike të papaguar, kompanitë shtetrore me vështirësi serioze financiare dhe me besim shumë të ulët nga investitorët. Në një situatë të tillë zgjidhja e konfliktit me CEZ është veprimi më i logjikshëm i mundshëm. Procedurat e kushtueshme të arbitrazhit me një rezultat të paqartë do të kishin krijuar një periudhë të gjatë pasigurie dhe paqëndrueshmërie. Duke parandaluar reformat shumë urgjente e të nevojshme ai do ta kishte mbajtur peng të gjithë sektorin energjitik dhe do të kishte krijuar probleme shumë herë më të mëdha se ato që u zgjidhën nga marrëveshja e djeshme.
Nga bisedimet e shumta të mbajtura këto muaj, jam në dijeni se investitorët privatë dhe institucionet publike gjithashtu do të ishin më ngurrues për ti dhënë mbështetje një vendi me këto vështirësi të pambyllura financiare dhe ligjore. Qëndrueshmëria si dhe reputacioni i mirë i sektorit energjitik në Shqipëri kishin nevojë të rivendoseshin si një hap i parë i domosdoshëm për ta ndryshuar situatën aktuale. Për këtë arsye Komuniteti i Energjisë e ka mbështetur aktivisht negociatat gjatë këtyre gjashtë muajve. Ai do të vazhdojë ta bëj një gjëe të tillë përgjatë reformave të ardhshme të cilat tashmë mund të fillojnë. Unë jam shumë lumtur që me përfundimin e këtyre negociatave Qeveria Shqiptare ka vendosur interest afat-gjatë të vendit përpara dëshirat afatshkurtra për konfrontim ligjore”.