BE thotë “PO”/ Shqipëria merr statusin kandidat: Dialogu qeveri-opozitë, faktor kyç për anëtarësimin

0
145

Gëzim Saliu

mbledhja e ministraveBE jep 7 konkluzione për Shqipërinë: Reformë në administratë e gjyqësor, luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të ndalet imigrimi, masa për regjimin e vizave dhe azilkërkuesit

 Ministrat e Jashtëm të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian vendosën dje unanimisht që të miratojnë raportin e Komisionit Evropian për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat. Me këtë vendim, Shqipëria bëri një tjetër hap në rrugën e saj drejt integrimit evropian, duke synuar tashmë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Në shtatë konkluzionet e Këshillit të Ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian të arrira pas mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të mbajtur në Luksemburg, në pikën 1 bëhej i ditur vendimi për dhënien e statusit kandidat, duke i kërkuar nga ana tjetër Komisionit Evropian që të ndjekë dhe të monitorojë plotësimin e prioriteteve kyçe nga ana e Shqipërisë. “Në përputhje me konkluzionet e 17 dhjetorit 2013, Këshilli mirëpret raportin e Komisionit Evropian të 4 qershorit dhe pas shqyrtimit të tij në lidhje me progresin e vazhdueshëm të Shqipërisë, vendosi t’i akordojë Shqipërisë statusin kandidat që pritet të marrë edhe miratimin e Këshillit Evropian”, – thuhej në konkluzionet e Këshillit.

 

Konkluzionet

Pas dhënies së statusit kandidat, Këshilli nënvizoi në konkluzionet e tij se Shqipëria duhet të veprojë me vendosmëri në përputhje me të gjitha rekomandimet e bëra në raportin e Komisionit dhe të intensifikojë përpjekjet për të garantuar zbatimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës dhe koherent të prioriteteve kyçe. Në pikën e fundit, të cilësuar si hallkë kyçe për ecjen përpara drejt BE-së, Këshilli përsëriti se “dialogu stabël dhe i vazhdueshëm mes qeverisë dhe opozitës mbi reformat në lidhje me BE-në do të mbetet një faktor i rëndësishëm për avancimin e Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit evropian”. Sipas Këshillit, në këto kohë për Shqipërinë me rëndësi parësore është reforma në administratën publike, ajo në gjyqësor si edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Këshilli thekson rëndësinë që Shqipëria të intensifikojë përpjekjet antikorrupsion dhe zbatimin e strategjisë dhe planveprimit në luftën ndaj korrupsionit, krijimin e një historiku të qëndrueshëm të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, në mënyrë të veçantë krimit të organizuar në emigracion, përdorimin e dokumenteve false, pastrimin e parave, kultivimin e drogës dhe trafikun e qenieve njerëzore”, – theksohej në konkluzionet e ministrave të Jashtëm të BE-së. Një tjetër pikë e përfshirë në konkluzionet e BE-së për Shqipërinë është ajo që lidhet me kërkesën e Këshillit për intensifikimin e mbështetjes për reduktimin në kohë të presionit imigrator ndaj BE-së, përfshirë vazhdimin e përpjekjeve në përmbushjen e të gjitha kushteve për planit të veprimit të regjimin e vizave, duke ndërmarrë hapa shtesë për adresimin e çështjeve të kërkimit të azilit nga shtetasit shqiptarë. Po ashtu, Këshilli duke përshëndetur planveprimin mbi prioritetet kyçe, kërkoi nga Komisioni Evropian të intensifikojë mbështetjen, monitorimin dhe vlerësimin e proceseve reformuese të Shqipërisë, përfshirë kontekstin e dialogut të nivelit të lartë për prioritetet kyçe dhe përmes bashkëveprimit të ngushtë me shtetet anëtare (të BE-së). Ndërkaq, Këshilli përshëndeti angazhimin e vazhdueshëm dhe konstruktiv të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si dhe në përputhje me Politikën e Përbashkët të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian. Me vendimin e djeshëm të Këshillit të ministrave të Jashtëm të BE-së, Shqipëria shënoi një hap të rëndësishëm përpara në kuadër të aspiratës evropian. Ndërkohë që më datë 26-27 do të zhvillohet mbledhja e Këshillit Evropian me pjesëmarrjen e liderëve të 28 vendeve të BE-s, ku pritet që të miratohet vendimi i ministrave të Jashtëm për ti dhënë Shqipërisë, statusin kandidat.

 

Datat kryesore në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian

-Në vitin 1992 “Firmoset Marrëveshja e Bashkëpunimit dhe e Tregtisë Shqipëri-BE. Shqipëria përfshihet në programin “PHARE”

-Në vitin 1999 BE-ja propozon Procesin e Stabilizim-Asocimit për pesë vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë

-Në vitin 2000 Këshilli Evropian propozon që të gjitha vendet e përfshira në Procesin e Stabilizim-Asocimit janë potencialisht kandidate për anëtarësim në BE

-Në vitin 2003 më 31 janar, zyrtarisht, Komisioni lançon bisedimet për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit mes BE-së dhe Shqipërisë

-Në janar të vitit 2003 nisin bisedimet me Tiranën për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit

-Në qershor të vitit 2004 Këshilli arrin të marrë një vendim rreth parimeve të Partnershipit Evropian për Shqipërinë

-Në 12 qershor të vitit 2006 Shqipëria firmos Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në

-Në shtator 2007 BE-ja firmos Marrëveshjen për lehtësimin e vizave me Shqipërinë, e cila hyri në fuqi më 1 janar 2008

-Në 14 korrik 2009 Shqipëria përjashtohet nga lista e vendeve të rajonit për të përfituar heqjen e vizave me BE-në

-Në 28 prill të vitit 2009, gjatë kohës qe presidencën e radhës e mbante Republika Çeke, Shqipëria aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian

-Në vitin 2010 Komisioni vlerësoi se se për të nisur negociatat, Shqipëria duhet të arrinte njëfarë niveli të plotësimit të kritereve të anëtarësimit dhe për këtë u identifikuan 12 prioritete kyçe

-Në vitin 2011 Komisioni nuk rekomandoi dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë e ndërsa një vit më pas në vitin 2012 u shpreh pozitiv për këtë fakt, por kërkoi plotësimin e tri kritereve, të njohur ndryshe si “ tri ligjet e integrimit”. Mos votimi i këtyre ligjeve, nga opozita e asaj kohe, nuk mundësoi dhënien e statusit.

-Në tetor të vitit 2013- Komisioni Evropian rekomandoi dhënien e statusit kandidat

-Në dhjetor të vitit 2013- Këshill Evropian shtyn me 6 muaj vendimin për statusin, ku 5 vende përfshirë Holandën, Gjermanin, Francën, Britaninë e Madhe dhe Danimarkën votuan kundër Shqipërisë

Në 4 qershor të 2014-ës Komisioni Evropian rekomandoi sërish dhënien e statusit kandidat ndaj Shqipërisë

Në 24 qershor të vitit 2014- 28 ministrat e Jashtëm të BE-së vendosin unanimisht dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë

 

Çfarë përfiton Shqipëria nga marrja e statusit?

Marrja e statusit të vendit kandidat do të japë përfitime të rëndësishme politike, por edhe ekonomike në radhë të parë për qytetarët, si dhe për vendin në përgjithësi. Sa i përket pjesës ekonomike, me marrjen e statusit qytetarët shqiptarë do të mund të lëvizin mallra dhe kapital nga një vend i BE-së në tjetrin pa ndonjë kufizim apo barrierë. Kjo do të nxisë zhvillimin e ekonomisë dhe do të lehtësojë procedurat burokratike gjatë shkëmbimeve tregtare. Po ashtu, konsumatorët do të kenë më shumë mundësi zgjedhjeje dhe do të blejnë me çmime më të lira. Me integrimin në BE, biznesit shqiptar do t’i ofrohen kapacitete të shtuara dhe perspektiva më të mira për të konkurruar në një treg unik me rreth 500 milionë konsumatorë, siç është tregu evropian. Ndërkaq, do të eliminohen tarifat dhe barrierat duke sjellë reduktimin e kostove tregtare si edhe do rritet cilësia e produkteve të konsumit. Në aspektin politik, Shqipëria tashmë Shqipëria do të ketë një demokraci të konsoliduar, çka është kusht për të gjitha vendet anëtare. Gjithashtu, statusi i kandidatit ngre në një nivel më të lartë marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së: Shqipëria tani do të marrë ftesa për mbledhje të Këshillit, të hapura për vendet kandidate. Qasja e saj dhe bashkëpunimi me agjencitë e BE-së do të jetë më e lehtë.

 

Marrja e statusit/ Basha: Fitore për europianistët, rrugëtim që nisi 5 vite më parë. Sfidë është hapja e negociatave

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, pasi ka uruar dhe falënderuar të gjithë shqiptarët dhe aktorët politikë që punuan për marrjen e statusit kandidat, deklaroi se marrja e tij është kurorëzimi i pesë vjet punë dhe përpjekje të përbashkët. Por statusi, sipas kreut të opozitës, është stacioni nga nis përpjekja për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. “Është fundi i një rrugëtimi që nisi 5 vite më parë, me aplikimin nga qeveria e Republikës së Shqipërisë për anëtarësimin e plotë të vendit në BE. Është fillimi i një rrugëtimi tjetër. Një stacion i rëndësishëm po përmbyllet më së fundmi por një stacion tjetër na pret, hapja e bisedimeve, përfundimi me sukses i të cilave çon drejt anëtarësimit të plotë të vendit në BE. Lajmi i shumëpritur që morëm sot, të na shërbejë për të kuptuar se tashmë “steka” është ngritur më lart, se nga gjithsecili prej nesh pritet më shumë e veçanërisht nga politikëbërësit e vendimmarrësit që kanë në dorë fatet e qytetarëve përmes asaj çka bëjnë, asaj çfarë nuk bëjnë, asaj çfarë bëjnë mirë apo asaj çfarë bëjnë keq”, – deklaroi Basha.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency